Prof.Romeo Gurakuqi – Ndërmjet dokumenteve të rëndësishme, që kanë lidhje me analizimin e situatës në Shqipëri në verën 1944, një vlerë të veçantë ka memorandumi, i një qytetari amerikan, njohës shumë i mirë i situatës në Shqipëri, i shkruar në gusht të vitit 1944.
Memorandumi (Gjendet në: PRO.FO.371.43554, R 16105/G, R 14661/39/G, Boxshall to Laskey Esq,5 October 1944, The Albanian Situation (Comments of August 25, 1944) mban datën, 25 gusht 1944, dhe u bë i njohur për Foreign Office me, 5 tetor 1944, përmes rrugëve private, nga Zyra Britanike në New York. Linjat e rekomandimeve të përpiluesit anonim të letrës, nuk vijuan tërësisht paralel me politikat e përkufizuara deri atëherë nga Foreign Office dhe State Department, të cilat nuk kanë pasur në këtë kohë, një plan efikas për zgjidhjen e gjëndjes kaotike shqiptare.
Shqipëria e verës 1944 ishte e traumatizuar nga dy pushtime rrënimtare, nga një lëvizje komuniste me frymëzim jugosllav, që komandonte FNÇ /LNÇ),nga kolaboracionistë të deklaruar dhe të bindur, kolaboracionistë naivë, rastësore e nën presion, shpëtimtarë të shtetit të mbetur nën kurthin e etiketimit si kolaboracionistë dhe nacionalistë, që mbajtën një qëndrim neutral nën presionin sllavo-komunist të eliminimit fizik. Vetë LNÇ kishte tjetërsuar dhe tejkaluar thelbin e luftës çlirimtare drejt një lufte të qartë civile edhe për pushtet. Është koha kur forcat e Divizionit I të UNÇSH, nga data, 28 qershor 1944, kishin kapërcyer Shkumbinin dhe kishin hyrë në Veri, hapësirë shqiptare e strukturuar ndryshe nga pikëpamja sociale dhe e pozicionuar veçantë, në konfliktin, që kishte përfshirë Shqipërinë e Jugut dhe disa pjesë të qendrës së vendit.
Divizioni i sapoformuar partizan, që përfshinte brigadat I, IV dhe V, nën komandën e Dali Ndreut, kapërceu rrugën Elbasan-Strugë dhe lëvizi në Veri në drejtim të Matit dhe Dibrës. Gradualisht repartet partizane filluan depërtimin edhe në zonat e kontrolluara nga Abaz Kupi, në zonën e Matit. LNÇ sulmoi Zogistët fillimisht me datë, 5 korrik 1944. Major Kupi në këtë ditë ishte në Lumë, duke biseduar me Muharrem Bajraktarin dhe udhëheqës të tjerë të Shqipërisë së Veriut. Kupi sapo u njoftua për sulmin, u dha urdhër oficerëve të tij të vetëmbroheshin, por nuk bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm. Pas kthimit të tij në bazën ushtarake, me datë, 7 korrik 1944, ai e kuptoi se për shkak të inferioritetit numerik të njerëzve të tij, me armë dhe pajisje të tjera, si dhe për shkak të mungesës së një udhëheqësie politike te konsoliduar të të gjithë forcave të elitës se vendit, LNÇ kishte pushtuar tashmë Luginën e Shupalit dhe gjysmën e Matit, duke e privuar atë nga një pjesë e madhe e krahinës nga e cila ai kishte siguruar burimin e vet të fuqisë njerëzore. Nga ana tjetër, ofensiva e LNÇ ishte shtrirë edhe në Dibër, duke kërcënuar edhe Mirditën. Pas kësaj Kupi u kthye në Lumë, me synim mobilizimin e forcave të tij për mbrojtjen e zonës së Krujës dhe Matit dhe për të biseduar për formimin e një Blloku Nacionalist, që do t’i kundërvihej LNÇ, pa bashkëpunuar me gjermanët, dhe me mbështetjen e Aleatëve. Ai u orvat të ndërtonte një skemë mbrojtëse në Shqipërinë e Veriut, që do të përdorte të gjitha forcat nacionalist. Kupi nuk bashkëpunoi në asnjë rast me gjermanët, madje në këtë kohë ai filloi të ndërmarrë sulme kundër tyre, ndërsa në gusht dhe shtator të vitit 1944, ai ua bëri të qartë të gjithëve, se e vetmja alternativë ishte lufta kundër pushtuesit.
Por ai u përpoq, të ndërtonte një skemë parësore mbrojtjeje ndaj LNÇ, që përfshinte edhe elementë nacionalistë, që ishin pjesë e qeverisë në Tiranë, ose ishin mbështetës të saj. Kështu, rezulton se u vendos edhe hartimi i një plani për të kapur qeverinë e Tiranës me elementë të Bllokut Nacionalist, për të përgatitur një organizëm të gjerë nacionalist, politik dhe ushtarak, kundër LNÇ, që do t’i bënte ballë ardhjes së tyre në pushtet, kur gjermanët të tërhiqeshin. Kupi në korrik të vitit 1944, arriti të mobilizonte rreth 1500 trupa dhe ripushtoi Shupalin, pasi kjo zonë u evakua nga LNÇ. Të gjitha këto veprime të Kupit vazhduan ndërkohë, që ai bashkëpunonte me Misionin Aleat dhe kishte shpallur synimin e tij për të sulmuar LNÇ, derisa ajo të largohej nga ajo zonë, që ai e konsideronte, me të drejtë, sfera e tij e ndikimit dhe këtë ai do ta bënte me çdo çmim. Konstatohet, se nacionalistët kanë qenë plotësisht të qartë se çfarë do ta priste Shqipërinë dhe Kosovën, të nesërmen, në qoftë se FNÇ do të triumfonte. Por ata kanë qenë të vonuar, apatikë, të pavendosur për të kuptuar, se rruga për të penguar ardhjen e komunistëve titistë në pushtet, ishte rruga, që po ndiqte Gani Kryeziu i Malësisë së Gjakovës: luftë pa kompromis kundër pushtuesit, duke bashkëpunuar me Aleatët, duke zhvendosur mbështetjen aleate në luftën antifashiste, nga komunistët e Enver Hoxhës drejt Nacionalizmit tradicional dhe reformator.
Dokumentacioni dëshmon se pas hyrjes të FNÇ në Veri, opinioni publik në Mat, i cili deri atëherë, sikurse edhe në pjesët e tjera të Veriut, kishte qenë apatik dhe në pozicione pritëse, filloi të acarohej dhe zemërohej me FNÇ. Pikërisht në këtë kohë, Lufta Civile, që zhvillohej krahas Luftës Çlirimtare nga komunistët, hyri në një fazë të re, finale do ta quaja, mbasi FNÇ tashmë godiste pa dallim, të gjithë popullsinë në Shqipërinë Qendrore dhe Veriore, jo vetëm bashkëpunëtorët tipikë, por edhe ato që qëndruan neutralë apo mbajtën qëndrim pritës, pra të gjithë strukturën hierarkike sociale të Veriut. Kjo që po ndodhte mund të quhej shumë më tepër se një luftë çlirimtare, ndërmjet ideologjive rivale: ishte një goditje ndaj Shqipërisë tradicionale, që pas këtyre ngjarjeve ra për të mos u ngritur më kurrë për pesë dekada. Marshimi i UNÇSH në Veri, në zonat e Abaz Kupit dhe fillimi i ballafaqimeve ndërmjet trupave ndërshqiptare, në një luftë të mirëfilltë civile, alarmoi britanikët, të cilët ndërmjetësuan.
Duhet të kujtojmë se gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 1944, administrata e Shqipërisë së Jugut u dezintegrua. Me datën 9 gusht 1944, Këshilli i Regjencës autorizoi Qeverinë e Fiqiri Dines, të merrte çfarëdolloj mase emergjente që do të ishte e nevojshme dhe krijoi Komandën e Përgjithshme të Forcave të Armatosura. Në përgjithësi, e vetmja lidhje, që i mbante të bashkuar anëtarët e kësaj qeverie ishte frika e FNÇ dhe dëshira për të ruajtur rendin social ekzistues në Shqipëri. Këto janë pak a shumë rrethanat e periudhës (korrik-gusht) të vitit 1944, që shërbyen për të kuptuar dokumentin e mëposhtëm.
Analiza dhe plani i zgjidhjes së konfliktit të brendshëm shqiptar, i propozuar nga autori i memorandumit, shpjegon rrezikun, që paraqiste FNÇ për të ardhmen e Shqipërisë, për shkak të procesit të invadimit të Veriut nga ana e UNÇSH dhe të pozicionit të paqartë dhe të pavendosur të Britanisë së Madhe dhe SHBA mbi këtë vend. Më shumë se për domosdoshmërinë e çlirimit të Shqipërisë nga gjermanët, që do të ndodhte gjithsesi, ai mendoi për të ardhmen e këtij vendi fatkeq dhe me zhvillim të cunguar, viktimë e përhershme e ballkanikëve agresivë, tanimë të zënë edhe në kurthin e luftës. Zgjidhja e propozuar nga vlerësuesi, në këtë kohë delikate për të ardhmen e vendit në liri dhe të Kosovës me një pozicion të pasigurtë e të paqartë statutor internacional, ishte parandalimi i lëvizjes së FNÇ, nga Jugu i Shqipërisë drejt Veriut, të mbizotëruar nga nacionalistët neutralë, si dhe sigurimi i një referendumi të ndershëm nën mbikëqyrjen e Aleatëve, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo kjo kërkonte një angazhim ushtarak në Shqipëri, të cilin britanikët dhe amerikanët nuk ishin të gatshëm ta ndërmerrnin në këtë kohë. Rreziku ishte, se FNÇ po fuqizohej aq shumë, sa do të ishte e vështirë më vonë, sikurse rezultoi në të vërtetë, ta ndalonte këtë organizatë nga ndërmarrja e procesit të vendosjes nën zotërim të të gjithë Shqipërisë, proces i cili ishte qartësisht dhe përfundimisht, qëllimi kryesor që i udhëhiqte partizanët përgjatë procesit çlirimtar. Britanikët për të ndaluar Enver Hoxhën nga i ashtuquajturi proces i “prise de pouvoir” (kapjes, vënies nën zotërim) të Shqipërisë së Veriut, menduan të organizojnë një takim të tij me Gjeneralin Wilson. Mirëpo, ata ngurruan të vendosnin në zbatim këtë opsion, sepse frikësoheshin, se ky takim mund t’i jepte Enver Hoxhës krahë, do të përforconte edhe më tej pozitën e tij dhe do ta ndihmonte të vazhdonte programin, që ia kishte përcaktuar Titoja dhe ambicia e tij e pashuar për t’u bërë zot i plotfuqishëm i “Shqipërisë së Re”.
Konsideratat dhe planet e paraqitura nga analisti anonim amerikan, të cilit siç duket iu kërkua të jepte një opinion jo zyrtar, për shkak të ekspertizës në çështjen shqiptare, mbi atë çfarë Aleatët do të duhet të bënin në Shqipëri, në rrethanat e precipitimit të hidhur të ngjarjeve në verën e vitit 1944, janë si më poshtë vijon:
1. “Aleatët duhet të heqin dorë për momentin nga ndonjë përpjekje, ose synim për të formuar një Qeveri në Mërgim, mbasi koha e vërtetë për këtë ka kaluar tashmë përfundimisht. Është shumë e dyshimtë, nëse ndonjë qeveri nga jashtë do t’ia arrinte të komandonte tani linjat e përkushtimit të FNÇ, veçanërisht në qoftë se Zogu do të drejtonte një qeveri të tillë; për më tepër, që Kongresi i Përmetit kishte deklaruar publikisht, se nuk do të pranonte një qeveri nga jashtë.
2. FNÇ duhet të këshillohet, se përpara një njohjeje, që mund t’i jepej, ajo organizatë duhej të zgjeronte bazën e anëtarësisë, duke përfshirë si Nacionalistët ashtu edhe Zogistët; me fjalë të tjera, kjo organizatë duhet të rikthehet tek parimet fillestare të Konferencës së Pezës, të mbajtur në shtator 1942. (Asokohe, shqiptarët qenë të bashkuar në besimin, se një lëvizje e bashkuar e rezistencës, nuk do të duhej të pengohej prej përshtatjes së një programi të pastër partiak; dhe ata ranë në një mendje me ia lënë në dorë, të gjitha çështjet e lidhura me formen e një shteti të pas luftës, votuesve shqiptarë, të cilët do ta përcaktonin këtë vendim me një referendum).
3. Aleatët duhet t’ia bënin të qartë FNÇ, se në qoftë se nuk do të pranonte zbatimin e këtij programi, Aleatët mund të detyroheshin (në interes të vetë Shqipërisë), të formonin një Qeveri në Mërgim, nga grupet jashtë, një qeveri, që do të përfaqësonte sa të ishte e mundur proporcionalisht, partitë e ndryshme brenda Shqipërisë; dhe kjo do të duhej bërë edhe nëse populli në Shqipëri aktualisht, dëshironte ose jo, të dërgonte delegatë për të marrë vendet në një qeveri në mërgim. FNÇ duhej t’i thuhej gjithashtu: një alternative e dytë, të cilën Aleatët mund ta konsideronin do të ishte ta linin Shqipërinë pa një qeveri të njohur, pozicion që do e vendoste atë në një pozitë jo të favorshme, përsa u përket fuqive të tjera ballkanike.
4. Aleatët, në shpalljen e kësaj deklarate të përbashkët, duhet t’u kërkonin në çdo rast, të gjithë shqiptarëve, që e konsideronin veten, miq të tyre, që të frenoheshin nga luftimi i njëri- tjetrit dhe të dy grupimet të shpallnin menjëherë një Besë (Armëpushim i Shenjtë), mbi bazën e këtyre pikave: A. status quo territoriale e përftuar në kohën e deklaratës do të duhej të ruhej: kjo do të thoshte që territoret e pushtuara prej secilës nga të dyja palët, të mbaheshin dhe të administroheshin prej secilës parti të veçantë. B. Duhej rënë në një mendje, që asnjë parti të mos dërgonte forca të armatosura brenda territorit të partisë tjetër, pa pëlqimin e palës së interesuar. Në qoftë se një grup kishte nevojë të mbështetej për ruajtjen e rendit, ose për nxjerrjen jashtë të gjermanëve, ai duhet të kërkonte ndihmë nga kundërshtarët politikë dhe në qoftë se kjo ndihmë jepej, ajo duhet të ishte mbi bazën e mirëkuptimit, se forcat që vinin, duhet të tërhiqeshin në momentin më të parë të mundshëm. Kaq për sa i përket territorit të pushtuar aktualisht prej Partizanëve dhe prej zogistëve. C. Përsa i përket qyteteve, që ishin në prag të abandonimit prej gjermanëve në të ardhmen e afërt, duhej të bëheshin marrëveshje ndërmjet LNÇ dhe nacionalistëve, përfshirë edhe Partinë e Kupit (zogistët). Qytetet në jug të Shkumbinit mundet të pushtoheshin prej LNÇ, ndërsa qytetet në Veri të Shkumbinit do të duhet të konsideroheshin si sferë e ndikimit të Nacionalistëve dhe zogistëve (me fjalë të tjera të antikomunistëve). Kjo nuk duhej të afektonte statusin e qyteteve dhe rajoneve në Zonën Gegë, që aktualisht ishin të zotëruara prej partizanëve në kohën kur kjo deklaratë të botohej prej Aleatëve. Sistemi i status quo-së do të aplikohej në raste të tilla.
Vlora (me përjashtim të Sazanit) duhet natyralisht të vendosej nën zotërim të FNÇ dhe Durrësi në duart e Nacionalistëve. (Sazani duhet të merrej nga Aleatët menjëherë, para se shqiptarët ta merrnin atë. Sazani duhet të mbahej peng i rezultateteve të Konferencës së Paqes).
Tirana duhej të vendosej nën zotërim të përfaqësuesve civilë, por jo ushtarakë, të të dy partive kryesore, mbasi përndryshe do të kishte një mosmarrëveshje mbi kontrollin e kryeqytetit të Shqipërisë.
5. Ishte e nevojshme, që britanikët dhe amerikanët të bashkoheshin mbi politikën shqiptare dhe të përdornin dorë të fortë në ekzekutimin e kësaj politike të propozuar. Jo më hapa të pasigurtë: situata aktuale tragjike dhe shqetësuese, ishte në një pjesë të madhe, rezultat i dështimit të Aleatëve, për të marrë në konsideratë opsionin e aksionit. Përshtatja e çdo plani të arsyeshëm, i pasuar prej ekzekutimit të menjëhershëm, ishte më mirë se të mos kishe asnjë plan, ose më mirë se vazhdimi i një politike laissez-faire (lerë të shkojë si të shkojë, shënim imi, R.G.).
Në qoftë se ideja e ndarjes së vendit në sfera ndikimi mbi një bazë Toskë-Gegë (sikurse është treguar më lart) duket e ndjeshme, Aleatët duhej t’i jepnin mbështetjen morale dhe madje edhe ushtarake. Aleatët duhet të ndalonin FNÇ të pushtonte me forcë qytetet veriore të mbajtura prej Nacionalistëve; Aleatët duhet të zotëronin mjetet e nevojshme për të nxjerrë FNÇ-në jashtë, në qoftë se ajo i zinte këto qytete.
6. Në momentin më të parë, trupat amerikane, të përbërë prej 5000 ushtarakësh, duhej të dërgoheshin në Tiranë dhe Durrës me qëllim: A. Të siguronin shqiptarët se Amerika (të cilën shqiptarët e besojnë), ishte e interesuar për fatin e tyre. B. Të parandalohej pushtimi i mundshëm prej Task-Forcës Ruse i Shqipërisë dhe të bllokoheshin planet për përfshirjen e Shqipërisë në një Bllok Sllavo-Ballkanik. C. Të parandalohej mundësia, që FNÇ (në qoftë se ajo pushtonte zonat e kundërshtarëve të saj), të mohonte të drejtën e Aleatëve që të okupojnë Shqipërinë. Kjo nuk ishte një rastisje e pangjashme. D. Të parandaloheshin luftimet ndërmjet nacionalistëve dhe partizanëve në zonat territoriale kufitare të caktuara prej secilës palë. E. Të krijohej një forcë e gatshme (Aleate, shënim imi R.G.) për të invaduar Kosovën, në qoftë se situata dilte jashtë kontrollit atje. F.të parandalohej një integrim shumë i ngushtë i FNÇ me Titon dhe me rusët. G. të bëhemi gati për tëpër të përjashtuar çdo cënim mbi territorin shqiptar, si derë hyrjeje e forcave të armatosura të ndonjë vendi, mbasi kjo do të shkaktonte, që të gjithë shqiptarët të mendonin, se Aleatët synonin ndarjen e Shqipërisë. (Shënim: nën asnjë rrethanë nuk duhet, që shtetet e tjera ballkanike të pushtonin ndonjë pjesë të Shqipërisë së paraluftës).
7. Qeveritë Aleate duhej ta bëjnë të qartë, se janë të vendosura, që zgjidhja demokratike është ajo që do të aplikohet në përcaktimin e formës së shtetit të pas luftës; se ata nuk do të njohin ndonjë qeveri të zgjedhur nën shtërngimin ushtarak; dhe se në qoftë se ndonjëra prej partive mendonte, se ajo mund të mbizotërojë situatën me anën e përpjekjeve për t’i mohuar shqiptarëve të drejtën e një referendumi, këto përpjekje nuk do të kenë asnjë dobi.
8. Aleatët duhej ta bëjnë të qartë, se populli shqiptar ishte i lirë të zgjedhë çfarëdo lloj regjimi, që ai dëshironte: Regjim Komunist, Mbretëror ose Republikan; por se Aleatët do të përdorin forcën ushtarake në qoftë se ishte e nevojshme, për të siguruar zhvillimin në mënyrë të ndershme të referendumit. Në qoftë se Lufta Civile vazhdon, shqiptarët do të jenë kryesorët, që do të vuajnë nga kjo situatë. Sa më sipër duhej të jetë jo vetëm një këshillim, por një paralajmërim solemn.
9. Po të mos bëhen disa plane dhe po të mos veprohet menjëherë, Aleatët do të gjenden më vonë, para konsiderimit të tyre si invadues, njëlloj sikurse italianët dhe gjermanët. Sakrificat jetësore të shumë ushtarëve aleatë, do të bëheshin çmim i paguar për mungesën e një politike të ndjeshme, energjike dhe të efektshme, britanike dhe amerikane. Më tej, derisa sa të ndërmerret një qëndrim më i fuqishëm, Shqipëria ka shumë mundësi të bëhej një shtet sovjetik dhe sipas të gjitha gjasave do të futet me forcë në koalicionin sllav të kontrolluar prej Rusisë, (e cila do ta mirëpriste daljen në Detin Adriatik).
10. Si një politikë e përgjithshme, do të jetë më e lehtë dhe më me pak kosto, me e qeverisë Shqipërinë (sikurse gjermanët e kishin menduar) nëpërmjet parandalimit të ndonjë partie nga përftimi i një pushteti dhe epërsie të plotë ushtarake; dhe kjo është në interes të vetë Shqipërisë, ashtu sikurse një referendum i ndershëm është i domosdoshëm për të ardhmen e këtij vendi në paqe e siguri. Po ashtu, kjo mënyrë, do të bënte, që atje të kishte një mbrojtje më efektive për ata, që nuk pajtoheshin me pikëpamjet komuniste.
11. Autori ishte i përcaktuar në mënyrë të patundur në opinionin, se “Aleatët do të duhej ta pushtonin Kosovën, ose të ngritnin një Komision atje, për të vëzhguar që rikthimi i Jugosllavëve, nuk do të shkaktonte një hakmarrje të tmerrshme mbi kosovarët dhe nuk do të kishte përpjekje për t’i shfarosur irredentistët shqiptarë. Aleatët duhej t’u premtonin mbrojtje irredentistëve kosovarë, duke kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; dhe Aleatët duhet të bëheshin gati të zbatonin premtimin e tyre me forcën ushtarake, në qoftë se shpresonin ta ruanin vullnetin e mirë të shqiptarëve, në vendin e tyre dhe jashtë tij”.
12. Autori propozonte, që “rajoni i Korçës të pushtohej prej trupave amerikane, në qoftë se atje shfaqej edhe shenja më e vogël e shpërthimit të aktivitetit pan–epirotik. Në të njëjtën kohë, një Komision Ushtarak Amerikan duhej të dërgohej në Korçë, në qoftë se LNÇ ishte dakord”.
13. Në qoftë se luftimet do të vazhdonin, Aleatët duhej ta pushtonin Shqipërinë dhe të ndërmerrnin programin, që autori ua kishte përgatitur sipas pikave, që paraqitëm. (këtu përfundon dokumenti).
Parashikimet dhe masat e propozuara nga autori amerikan më ngjajnë profetike për atë çfarë ka ndodhur më pas me Shqipërinë dhe Kosovën, me procesin e shkatërrimit të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Gjakovës, Prizrenit, Mirditës, Dukagjinit, Malësisë e gjithë Shqipërisë tradicionale, për procesin bashkëpunues të komunistëve dhe partizanëve shqiptarë në shfarosjen e djelmnisë kosovare, për llogari të planeve të Josif Broz Titos dhe udhëheqësisë serbe në PKJ. Memorandumi përmbante planin e masave të një ndërhyrjeje ushtarake britanike për të parandaluar thellimin e luftës civile dhe marrjen e pushtetit nga komunistët, përmes përdorimit të armëve, që në fakt, Mbretëria e Bashkuar e aplikoi pak më vonë në rastin e Greqisë. Këtij plani nuk iu kushtua asnjë vëmendje në Shqipëri, siç duket në rrethanat e pamundësisë praktike të forcave ushtarake britanike në Mesdhe, që nuk mund të ndërmerrnin disa zbarkime njëherësh në këtë hapësirë. Lënia në dorë të lirë të FNÇ, për invadimin e veriut përcaktoi përfundimisht edhe fatin politik të Shqipërisë dhe të kontrollit të pjesës lindore të Kanalit të Otrantos.