Shumë qytetarë kanë raportuar shqetësimin për trajtimin e problemeve me dhëmbët dhe urgjencat e ndryshme dentare në kohën e pandemisë së COVID-19.

Njerëzit përballen me dhimbje dhëmbësh, infeksione të dhëmbëve dhe mishrave, e ka të tjerë që kanë lënë në gjysmë trajtimet dhe mbushjet e dhëmbëve për shkak të situatës.

Shërbimet dentare, një nga më të rëndësishmet për shëndetin, janë mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas autoriteteve, stomatologët rrezikojnë më shumë nga ky virus sepse kanë kontakt të drejtpërdrejtë me spërklat e personave, që mund të jenë të infektuar me COVID-19.

Gjatë trajtimeve dentare, stomatologët përdorin instrumente me xhiro të shpejta por edhe shiringën e ajrit e cila shkakton një përhapje të vrullshme të spërklave duke u bërë burim i menjëhershëm kontaminimi.

Në vazhdën e situatës, të gjitha urgjencat dentare trajtohen në Klinikën Stomatologjike Universitare.

Vetëm në dy javët e fundit të marsit, kjo Klinikë ka trajtuar mbi 500 raste urgjencash dentare, duke ndjekur protokollin e sigurisë të aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Çfarë Konsiderohet Si Urgjencë Dentare

  • Një person ka nevojë urgjente për stomatolog në momentin kur:
  • Dhimbjet e dhëmbit janë shumë të forta dhe të pa trajtueshme
  • Ka gjakderdhje
  • Ka enjtje përreth gojës, përfshirë tek mishrat.
  • Ka thyer një dhëmb dhe ka dhimbje
  • Ka shenja të infeksionit (dhimbje dhe enjtje të mishrave)
  • Rënie të protezave
  • Vështirësi në frymëmarrje dhe përtypje

Hapi i parë dhe më i rëndësishëm në këto situata është kontakti me stomatologun.

Si Të Kujdeseni Për Dhëmbët Dhe Çfarë Të Bëni Nëse Keni Dhimbje Gjatë Karantinës

Të kontaktuar nga AgroWeb.org, stomatologë të ndryshëm thanë se udhërrëfyesi i mëposhtëm është i duhur për kujdesin e dhëmbëve në kohën e karantinës por jo vetëm.

  • Dhëmbët duhen larë dy herë në ditë.
  • Sigurohuni që të fërkoni edhe gjuhën
  • Përdorni fillin dentar të paktën një herë në ditë.
  • Bëni gargarë me ujë me kripë pas larjes së dhëmbëve.
  • Shmangni ngrënien dhe pirjen e ëmbëlsirave dhe pijeve industriale dhe me gaz.
  • Konsumoni rregullisht kos dhe qumësht
  • Pini sa më shumë ujë që të pastroni aciditetin e gojës. .

Gargara Me Ujë Me Kripë

Uji me kripë shërben si disinfektant natyral për dhëmbët.

Mbushni një gotë me ujë të ngrohtë dhe hidhni gjysëm luge kripë.

Pasi kripa të jetë tretur pak, bëni gargarë me të për të paktën një minutë.

Jo, Nuk Mund Të Bëhet Gargarë Me Alkol Të Tretur Në Ujë.

Sado çuditshëm të tingëllojë kjo, besojeni. Alkoli që përdorim për disinfektim (90%)  nuk duhet përdorur në gojë, as i tretur në ujë sepse do të shkaktojë dëme të konsiderueshme në gojë.

Ilaçi i Duhur Kundër Dhimbjeve

Ilaçi më i mirë për të përdorur në rast dhimbjeje të papritur të dhëmbit është ai që lufton inflamacionin, siç është ibuprofeni.

Stomatologët thonë që të shmangni aspirinën sepse në kontakt direkt me dhëmbin mund të shkaktojë një ndjesi përvëluese.

Sidoqoftë, në rast dhimbjeje, është mirë që t’i telefononi stomatologut që frekuentoni rregullisht që t’ju japë medikamentin e duhur.

Hudhra Apo Rakia?

Hudhra është një alternativë natyrale kundër dhimbjes së dhëmbit.

Shtypeni atë dhe përpunojeni në misker sa të formohet një pastë homogjene dhe mbajeni tek dhëmbi që ju dhëmb.

Besohet gjërësisht që hudhra zbut dhimbjen për shkak të alicinës që lufton bakteret natyral.

Nëse dhimbja është si pasojë e një infeksioni, hudhra do ta zbusë atë përkohësisht.

E njëjta gjë vlen edhe për rakinë, e cila është përdorur edhe nga brezat paraardhës për të larguar dhimbjet.

Si pasojë e përmbajtjes së lartë të alkolit, ajo ka tendencën të mpijë zonën e dhimbjes, por sërish nuk përbën një alternativë afat-gjatë në trajtimin e dhimbjes.

Vaji i Karafilit

Vaji esencial i karafilit është efikas në largimin e përkohshëm të dhimbjes së dhëmbit.

Atë mund ta aplikoni tek zona e dhimbjes me një pambuk.

Nëse dhëmbi është i prishur dhe ka ekspozim të nervit, duhet ta aplikoni sa më pranë zonës ku dhemb. /AgroWeb.org

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here