Disa figura mitologjike në besimet popullore shqiptare, shkëputur nga libri ‘’Fjalor i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare – Azem Qazimi’’. Të gjitha figurat e shkëputura i përkasin demonologjisë negative. /InforCulture.info

Bajlozi

Gjergj Elez Alia ne lufte me Bajlozin

Bajlozi apo Balozi, figurë e rapsodive popullore shqiptare; përfytyrohej si një vigan, i cili vinte nga deti dhe bënte të këqija. Fillimisht fjala ka patur kuptimin e ambasadorit.

Ngandonjëherë ngatrrohet me Arapin a Harapin. Si Bajlozi, ashtu edhe Arapi simbolizojnë stuhitë, natyrore a shoqërore qofshin.

Divi

Përbindësh i përrallave dhe i besimeve popullore shqiptare, me trup jashtëzakonisht të madh e me fuqi mbinjerëzore, gjigand. Përftyrohet si llupës i madh, që ha mish njeriu, rrëmben vajza dhe i shpie nën dhe, ku ka banesën e tij. Në Elbasan thonin se Divat kishin detyrë të vlonin ujët e Lligjës nëpër kazanë të mëdhenj (Hahn, Stud. Shqip., III V, f. 225).

Prejardhjen e kësaj fjale G. Meyeri (Fjal. etim., f. 120) e nxjerr nga turq. div ‘’demon, xhind, gjigand’’.

Thërritet edhe Dif-vi, Def-vi.

Dhrakondai

Figurë e besimeve popullore të anëve të çamërisë, i ngjashëm me Divin (shih DIVI), që zotëro fuqi të jashtëzakonshme. Fuqia e tij përmbahet në tre pëllumba të egër (pelisterë), të cilët rrinë në barkun e një derri të egër.

Dhrakondai është një qënie damtore, madje han edhe njerëz. E vetmja mënyrë për ta vrarë Dharkondain është të vrasësh derrin e egër, ku rrinë tre pëllumbat e egër, dhe pastaj t’u këpusësh kokat vetë pelisterëve. Në këtë shenjë kohe Dhrakondoi bëhet I sëmurë për vdekje. Ky është çasti kur ai duhet të detyrohet të fryjë, se nga fryma e tij do të dalin edhe trupat e njerëzve që ka rrufitur (Q. Haxhihasani, Vështrim…, në ‘’DSH’’, II, f. 43).

Kuçedra

Shtazë mitologjike e besimeve popullore shqiptare, demon i stuhisë, që rron në qiell, a në vende me ujë: në shpella në liqene nëntokësore a mbitokësore, në këneta ose në det, dhe dhe komunikon me botën e jashtme nëpërmjet gurrave e burimeve (M.Tirta, Dragoi dhe kuçedra, në ‘’KP’’, 1-2, 1999, f.60)

Është një nga qeniet imagjjinare më popullore, jo vetëm të mitologjisë shqiptare, por anekënd botës. Këtu është rasti të themi se njerëzit besonin përnjëmend në ekzistencën e saj. Ndryshe muk ka se si të shpegohet përfshirja e saj në Historia Animalium të Conrad Gesnerit, një vepër shkencore, tejet popullore në gjysmën e dytë të shekullit XVI.

Kuçedra përftyrohet si një gjarpër a bollë e stërmadhe me këmbë, me krahë e me brirë, dhe me tre, shtatë, nëntë a dymbëdhjetë krerë. Në anët e Shllakut thuhet se kryet e ka në majë të Cukalit, trupin nën dhe, ndërsa bishtin në breg të Drinit (‘’Kryet e Kuçedrës në majë të Velës e bishti në lumë të Fandit’’). Madje, në Dushman thonë se paskan mbytur njëherë Kuçedrën, e prej saj qeka qelbur vendi për plot dhjetë vjet.

Nga rrëshaqorët kthehet në Kuçedër ai gjarpëra bollë, që nuk e ka parë njeri a gjë e gjallë për 3, 7, 9 a ç2 vjet, ose ai rrëshqanor që nuk është pikasur nga nnjeriu për 50 apo ç00 vjet. Në shpellë, Kuçedra tërheq prodhimet e fshatrave pranë. Kështu ajo rritet dhe majmet aq shumë, sa lëviz me vështërsi, duke gërvishtur lëkurën ndër gurë e shkëmbinj. Besohet se nga gjaku i këtyre vragave, disa gurra rrjedhin shpesh të skuqura ‘’me gjak Kuçedre’’. Kur fle në shpellën e vet a në mes të pyllit, shkakton një tufan aq të fortë, sa të rrëzojë shkëmbinj e drurë shekullorë (Mark Tirta, Vep. e cit.,f.60, 6ç).

Kuçedra u zë njerëzve ujin e puseve, të burimeve dhe të liqeneve, duke shkaktuar kësisoj thatësira të tejzgjatura. Që të lëshojë ujët, duhet t’i shpien një njeri, përgjithësisht vajzë, por edhe bagëti. Thuhet se ka ndodhur që Dragojtë të vrasin Kuçedrën, të shpëtojnë flitë dhe të lëshojë ujët.

Ndodh që, ngandonjëherë, Kuçedra të përfytyrohet edhe në trajtën e një ngjale, të një breshke, të nje bretkose a të një hardhuce. Herë të tjera, ndonëse më më rrallë, ajo përfturohet si një plakë me shtat të madh. Kuçedra grua nuk bëhet, por lind e tillë. Megjithatë, që të ndodhë kjo, duhet që të parët saj nga ana e nënës të kenë shkelur kurorën breda tre breznive vertikale (Mark Tirta, Vep. e cit., f. 60).

Mjetet shkatërruese të Kuçedrës janë shtrëngatat, breshëri, përmbytjet, shembjet e tokës e tërmetet. Gjithë këto dukuri ajo i shkakton nëpërmjet forcës së saj të mbinatyrshme. Por gjatë luftës me Dragoin ajo shtin në punë edhe mjetet që I takojnë thjesht gjiisë së saj: me qumshtin e gjirit ose me ‘’ujin’’ (urinën) e saj ajo i helmon Dragojtë.

Kuçedra si grua lind fëmijë Dragonj ose fëmijë të zakonshëm. Thohet se ajo ka gjinjë shumë të mëdhenj, të cilët i varen deri poshtë ‘’si kacekë’’. Që të mos e pengojnë, ajo i hedh gjinjtë prapa shpine. Me disa circa gjiri e ngin djalin, aq sa ai nuk ka nevojë të hajë për disa ditë. Gjatë veprimeve të sa, fluturo nga një vend në tjetrin, me flokë të gjatë të shprishur.

Kur ka shtrëngatë, bie shi me vetëtima, gjëmon e bien rrufe, Kuçedra ulet afër tokës. Për ta ndalur që të zbresë posht, engjëjt marrin Dragojtë dhe i shpien kundër saj. Kuçedra ngordh vetëm kur i pritet koka dhe që të mos ngjallet sërish, ajo duhet të mbytet edhe në ujë. Kjo është arsyeja që kur tregohet vrasjen e Kuçedrës, mitet popullore thonë se ajo u mbyt në det, Dri, në liqen, në lumin Fand, në lumin Mat, në ndonjë pus etj., duke e qelbur krejt vendin për tri vjet (M.Tirta, Shtres. Mit. në ep. shqip., në ‘’ ÇFSH’’, 3, f. 206).

Durhami sugjeron se te Kuçedra lypset shquar parimi femëror manikeist i së keqës. Sipas kësaj pikpamjeje, shiu është djersa e fuqisë së keqe, që orvatet të shkatrrojë të mirën. Mani, themeluesi i Manikeizmit, mësonte se femra zotëron pak pjesëza drite dhe se gjithnjë ka qenë vegël shkatërrimi (shih DRAGOI).

Thërritet edhe Kuçedër, Kulshedër, Kulçedër, Kulçenër (G. Meyer, Fjal. etim.), Kulshedhër (arbëreshët e Italisë), Kleshedrë (De Rada), Kleshedër (De Rada),  Kleshidër (De Rada), Huxh/ë-a (Fier), Spri, Sprih-i, Sprihë-a, Stiq/ua-oi, Dhivër-a (A.Xhuvani). Njihet edhe me sinonimin eufeministik ‘Në punët e saj’.

Kuçedra ka lënë gjurmë edhe në toponimi: Këneta e Kulshedrës (Pukë), Shpella e Kulshedrës (Gushtë-Cukal), Firusha e Kulshedrës (Vukaj-Shllak), Shpija e Keqerdhes (Boks – Postripë), Lujt e Kulshedrës (Ndërshanë), Plasa e Munellës (lidhet me vendbanimin e Kuçedrës), Vrima e Kuçedrës (Sirakë – Berat). /inofrculture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here