Fazli Hajrizi
ISA BOLETINI – PRIJËS I SHQUAR POPULLOR
– Në 110 – vjetorin e vrasjes
Isa Boletini, atdhetar i shquar, pjesëmarrës në Betejën e Slivovës (1881) e në Lidhjen e Pejës (1899), kundërshtar i vendosjes së konsullit rus në Mitrovicë, pjesëmarrës në Kuvendin e e Ferizajt (15 korrik 1908), udhëheqës popullor në betejat e përgjakshme në Shtime-Carralevë (1910) kundër regjimit otoman e pushtuesve serbë (1911-1912) për çlirimin e trojeve shqiptare, pjesëmarrës në Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912) e në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (28 Nëntor 1912), anëtar i delegacionit të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), lindi më 15 janar 1864 në Boletin, fshat në krahinën e Shalës së Bajgorës që gjendet rreth pesë km në verilindje të Mitrovicës. U rrit dhe u edukua në një familje patriotike të njohur në tërë Vilajetin e Kosovës për bujari e trimëri. Nuk ka kryer asnjë shkollë përveç mësimeve në odat e kohës.
Në moshë fare të re (17 vjeç) mori pjesë në Betejën e Slivovës (22 prill 1881), ku u shqua për trimëri dhe gatishmëri për t’u sakrifikuar për lirinë e vendit dhe popullit të tij. Sipas disa burimeve, Isa me të vëllanë, Ahmetin, kishte marrë përsipër mbrojtjen e Manastirit të Sokolicës për çka edhe paguhej për mbrojtjen e komunitetit ortodoks në Mitrovicë. Në vitin 1897 u rreshtua në radhët e luftëtarëve të Kosovës në frontin greko-turk të Thesalisë. Ka pasur miqësi me Haxhi Zekën dhe prijës të tjerë shqiptarë të kohës me të cilët ka bashkëpunuar ngushtë. Ka marrë pjesë në Lidhjen e Pejës (1899) si delegat i Mitrovicës dhe prej atëherë u vu në krye të rezistencës popullore kundër pretendimeve të Serbisë dhe Malit të Zi, që syonin pushtimin e trojeve shqiptare. Në fillim të shek. XX, pikërisht në vitin 1902 çarmatosi çetnikët serbë të krahinës së Kolashinit, ndërsa një vit më vonë kundërshtoi me forcë vendosjen e konsullit rus, Shqerin, në Mitrovicë, për çka Rusia ishte shumë e interesuar, duke i vënë si kusht Perandorisë Osmane, e cila ishte dobësuar shumë.
Në kërkesën e autoriteteve turke që të mos përzihej në këto punë që Portës së Lartë do t’i nxirrte telashe me Rusinë, Isa Boletini përgjigjet shkurt: “Unë nuk mundem me i mbyllë sytë kur shoh se punohet në dam të vendit tim!” Autoritetet turke më në fund arrijnë që ta bindin që të udhëtojë në Stamboll. Më 24 nëntor mbërrin atje dhe u caktua në krye të dyfekxhinjve, pra kryetar i rojeve të pallatit të sulltanit. Kjo ishte mënyra e qeverisjes së Sulltan Abdyl Hamidit II për të bërë për vete krerë të zëshëm vendorë si Isa Boletini. Ai i dha vendimin për të filluar punimet e Fabrika e Gurëve të Mullinjve në Boletin, si dhe iu akordua titulli bej. Duke qenë një ndër kundërshtarët më të rreptë të vendosjes së konsullatës ruse në Mitrovicë, më 4 dhjetor shkoi në Stamboll, ku u takua me Sulltanin.
Prej vitit 1903-1906 Isa Boletini ka qëndruar në Stamboll. Pas kthimit më 1906, u vu në krye të lëvizjes antiosmane në Kosovë. Ishte ndër organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (5 korrik 1908), duke qenë në fillim përkrahës i Revolucionit Xhonturk. Meqë politika xhonturke binte ndesh me interesat e popullit shqiptar, duke vazhduar mohimin e të drejtave kombëtare shqiptare, Isa Boletini, bashkë me organizatorë të tjerë, si: Hoxhë Said efendiun, Nexhib Dragën, Hasan Prishtinën, Mehmet pashë Derallën, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukë Dukagjinin dhe Idriz Seferin, mobilizoi masën për kryengritje të përgjithshme. Për të ndalur hovin e kryengritjes shqiptare, forca të mëdha të ushtrisë e sulmuan në kullën e tij në Boletin. Pas një lufte të pabarabartë, Isa me bashkëluftëtarë dhe familjen e tij tërhiqen dhe për një kohë gjejnë strehim në Isniq. Edhe atje u sulmu nga forcat e Xhavit Pashës, mirëpo u lidh me parinë e Isniqit, Rekës dhe të Malësisë së Gjakovës dhe arriti të gjejë strehim në Mal të Zi. Në vitet 1911 sërish organizoi kryengritjet e njëpasnjëshme kundër forcave turke, duke prirë në betejat e rënda në grykën e Kaçanikut, të Shtimes, të Carralevës etj., pastaj në rrethinën e Mitrovicës, Pazarit të Ri, Podujevës dhe të Prishtinës. Pas çlirimit të këtyre qyteteve, në krye të forcave shqiptare hyri triumfalisht në Shkup.
Më 21-25 maj 1912, së bashku me krerë të tjerë: Hasan Prishtinën, Riza beg Kryeziun – Gjakovën, Bajram Currin. Isa Boletini mori pjesë në Kuvendin e Junikut, ku u dha besa dhe u nënshkrua një shpallje, për t’i shpallur luftë qeverisë xhonturke përmes kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Kosovës. Lufta e kryengritësve shqiptarë zhvillohej në dy fronte, kundër pushtuesit turk dhe sulmeve ushtrisë serbe që, të mbështetura nga Rusia, përpiqeshin të gllabëronin sa më shumë toka shqiptare. Nga Dibra njoftoi për pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës.
Tri ditë e net qëndroi te Hasan Biçakçiu në Elbasan së bashku me Mehmet pashë Derallën dhe Ajdin Dragën. Më 29 nëntor mbërriti në Asamblenë e Vlorës si përfaqësues i Mitrovicës. Nën drejtimin e Mehmet Pashës, së bashku me Riza Beun kishte detyrë të organizonte milicinë kombëtare. Ishte i gëzuar që u shpall Pavarësia e Shqipërisë, por kishte dhembje të madhe sepse gjysma e organizmit kombëtar ra nën thundrën e një pushtuesi të ri shumë më mizor se sa ai turk.
Ismail Qemali e konsideronte njeriun më të afërm dhe me besnik, prandaj edhe i ofroi post në qeveri. Ai u zgjodh në përbërje të delegacionit, i cili udhëtoi për në Londër bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, shoqëruar edhe me dy djemtë, Mujën dhe Ademin. Gjatë intervistave me ministrin e jashtëm britanik, Eduard Grej dhe me gazetarë, Isai ishte i qartë dhe mjaft kritik për vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës, ku gjysma e territorit me popullatë kryesisht shqiptare iu dhurua armiqve. Ndërsa thënia: “Nuk kam ardhë këtu për Mitrovicën, por për çdo pëllëmbë të tokës shqiptare”, mbetet porosi për brezat e ardhshëm. U kthye sërish në Kosovë për të vazhduar luftën kundër pushtuesit serb. Një kohë ka qenë ndër rojet e Princ Vidit gjatë sundimit të tij jetëshkurtër, mirëpo, pas situatës së rëndë që u krijua në atë kohë, me Bajram Currin u tërhoq në Shkodër për të vazhduar rrugëtimin drejt Malit të Zi, ku u vra pabesisht nga forcat e Sava Llazareviqit më 23 janar 1916 në Podgoricë, bashkë me dy djemtë (Halili e Zahiti), dy nipat (Haliti e Jonuzi), dy miqtë nga Radisheva (Hajdar e Idriz Selimi) dhe bashkëluftëtarin Niman Bala nga Isniqi. Isa Boletini ka pasur 14 fëmijë (nëntë djem e 5 vajza). Me Hamide Selimin nga Radisheva ka pasur pesë djem: Pajazitin, Zahitin, Kapllanin, Mujën dhe Musën; me Qamile Halitin nga Syrigana ka pasur tre djem e pesë vajza: Halilin, Ademin, Asllanin, Azizen, Hafizen, Shehiden, Ajeten dhe Feriden; ndërsa me Gjylen nga Shushica e Istogut ka pasur një djalë, Faikun.
Në fund të këtij shkrimi biografik për Isa Boletinin po shtoj opinionet a vlerësimet e dy personaliteteve të shquara britanike, atë të Edit Durhamit dhe Obri Herbertit: E. Durham, midis tjerash, shkruan: “Gjatë pjesës më të madhe të kryengritjes së Isa Boletinit, unë isha në Shqipëri. E gjithë Shqipëria e Veriut u revoltua disa herë, me synimin për të fituar autonominë dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar kufijtë, sepse ekzistonte frikë e madhe për ndonjë agresion serb. Ishte në fakt revolta e Shqipërisë së Veriut ajo që u dha mundësi Turqve të rinj të rrëzonin regjimin e vjetër. Më pas, Turqit e rinj e djallosën situatën dhe i armiqësuan keqazi shqiptarët, duke dashur t’i osmanizojnë me forcë. Isa Boletini ishte një lider shumë i aftë, i admiruar dhe i dashur shumë. Ai e deklaroi qartë se po luftonte kundër turqve për autonomi dhe kundër askujt tjetër. Ai e mbrojti pakicën serbe në vilajetin e Kosovës. Kur oficerët serbë morën kontaktet e para me të, në Shqipëri pati gëzim shumë të madh. Njerëzit më thoshin: Tani serbët janë miqtë tanë. Tash e tutje nuk ka përse të frikësohemi prej tyre. Një oficer serb jeton me Isa Boletinin. Ata janë betuar për miqësi me ne. Djali i Isës, na u tha, shoqërohej me oficerë serbë. Së bashku, shqiptarët dhe serbët do të dëbojnë turqit. Kur të fitohej autonomia, pakica serbe në Kosovë do të trajtohej mirë dhe të gjitha do të shkonin mirë. Kjo ëndërr e artë u trondit mizorisht. Por do të kalonte ca kohë para se shqiptarët të kuptonin se sa mizorisht ishin mashtruar dhe ishin bërë vegla në duart e tjerëve. Serbët e lanë Isa Boletinin t’i mposhtëte turqit dhe të spastronte të gjitha zonat afër kufirit me serbët. Por, sapo erdhi puna për kufijtë dhe për përmasat e autonomisë që ata do të merrnin nga turqit, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit u shpallën shqiptarëve luftë për të mos lejuar realizimin e këtij plani. Shqiptarët që kishin luftuar turqit dhe ua kishin lehtësuar rrugën aleatëve të Ballkanit, u sulmuan nga ushtritë serbo-malazeze në mënyrën më brutale. Meqenëse e kishin harxhuar municionin për rebelimin e fundit, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin praktikisht të paarmatosur dhe u masakruan pa mëshirë nga ushtritë pushtuese. Apisi dhe miqtë e tij që ishin hequr si miq të shqiptarëve, tani, nuk kursyen as burrë, as grua, as fëmijë. Se sa u masakruan në vilajetin e Kosovës, kjo nuk do të mësohet kurrë. Disa oficerë serbë u mburrën në tryezën e darkës në Podgoricë, në praninë time, për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës. Hetimet e mëvonshme nga ana ime, treguan se kjo ishte e vërtetë. Lajme të tmerrshme për mizoritë e kryera erdhën përmes muslimanëve. Duke tradhtuar kështu shqiptarët, serbët fituan tërë vilajetin, përveç një pjese që i ishte dhënë Malit të Zi. Gjatë Luftës së Madhe, kur gjërat po shkonin keq me serbët dhe malazezët, Isa Boletini i cili me familjen e tij ishte lejuar të jetonte në Podgoricë në Mal të Zi, u masakrua së bashku me shumicën e burrave të familjes së tij, me sa duket për të siguruar se ai nuk do të udhëhiqte përsëri një kryengritje në Kosovë. Ata u mbrojtën për shumë orë, nën një urë, derisa një mitraloz u kthye mbi ta. Pas luftës, shqiptarët u përpoqën shumë që të lejohej të mbanin të paktën një pjesë të Kosovës. Pjesa më e madhe e saj ishte shqiptare e pastër si popullatë. Por përsëri, ajo iu dha serbëve. Evropa, në çdo rast në fakt u ka treguar serbëve se rruga drejt suksesit është ajo e tradhtisë dhe vrasjeve”.
Obri Herbert, mik i shqiptarëve, me Isa Boletinin, është takuar për herë të parë në gusht 1913 në Mitrovicë. Në kohën kur Isa Boletini ishte në përbërje të delegacionit në Konferencën e Londrës, ishte mysafir personal në shtëpinë e Herbertëve. “Gjatë qëndrimit të tij në Londër, shkrua Obri Herbert në ditarin e tij, ai mërzitej dhe e merrte malli për shtëpinë, mbase edhe për shkak të faktit se ai nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time duke pirë kafe…” Ai pastaj shkruan për një ngjarje në mars 1913, kur Isa Boletini shoqëroi Ismail Qemal Vlorën për në Londër për të kërkuar mbështetjen e britanike për vendin e ri (Shqipërinë): “Me të hyrë në ndërtesën e Zyrës së Jashtme Britanike për të mbrojtur çështjen e vendit të tij, policia e sigurisë kërkoi që ai të hiqte pistoletën nga brezi i tij dhe ta linte në deskun e kontrollit në foaje. Ai veproi pa asnjë kundërshtim. Pas intervistës, Sekretari i Jashtëm, Sir Eduard Grey, shoqëroi Isa Boletinin në foaje, ku ai vuri pistoletën përsëri në rripin e tij. Sekretari i Jashtëm u shpreh me një buzëqeshje: “”Gjeneral, gazetat mund të raportojnë nesër se Isa Boletini, të cilin as Mahmut Shefqet Pasha nuk ka mundur ta çarmatos, u çarmatos vetëm në Londër!” Isa Boletini iu përgjigj me një buzëqeshje të madhe: “Jo, jo as në Londër” dhe nxori nga xhepi një pistoletë të dytë”.
Gjeniu popullor ka thurur këngë të bukura për Isa Boletinin, shumë poetë, prozatorë e dramaturgë (Sabri Hamiti, Isa Behrami, Çerkin Ibishi, Rifat Ismajli, Mehmet Kajtazi, Betim Muço, Fadil Kraja, Adem Zhitopotoku etj.) kanë shkruar vepra letrare, kurse piktorë e skulptorë (Gani Sadiku, Sabri Behrami e të tjerë) e kanë përjetësuar në veprat e tyre artistike. Shtatorja e tij, përveç në Mitrovicë, është ngritur edhe në Isniq e qendra tjera. Kulla e Isa Boletinit në Boletin, e cila pas LDB-së vite me radhë ka qenë shkollë, pas çlirimit të Kosovës është rinovuar dhe është shndërruar në muze. Sot Universiteti i Mitrovicës mban emrin e Isa Boletinit, ndërsa shumë rrugë, sheshe e institucione të ndryshme janë pagëzuar me emrin e tij. Me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në 1962, Shteti Shqiptar e shpalli Isa Boletinin Hero të Popullit.
Literatura: Fjalori Enciklopedik i Kosovës I, ASHAK, Prishtinë, 2018; Fjalor Enciklopedik, përgatitur nga Pasho Baku, Tiranë, 2002, f. 100; Avni Spahiu, Faqe miqësie, Hjuston, Teksas, 2016; Marenglen Verli, Nga Kosova për Kosovën (Profile biografike), Botimpeks, Tiranë, 2006; Marenglen Verli, 101 profile biografike nga Kosova për Kosovën, ASHSH, Tiranë, 2016; Grup autorësh, Isa Boletini dhe koha e tij, IH, Prishtinë, 1996; Lef Nosi, Dokumente historike (1912-1918), Tiranë, 2007; Fatmira Musaj, Isa Boletini, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1987; Joseph Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, botoi “Dituria”, Tiranë, 2005; Historia e popullit shqiptar II, ASHSH, IA, Tiranë, 2002; Historia e popullit shqiptar III, ASHSH, IA, Tiranë, 2007; Bardhosh Gaçe, Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare, Tiranë, 2012; Eqrem bej Vlora, Kujtime I (1885-1912), Tiranë, 2001 dhe II (1912-1925), Tiranë, 2001 Ligjvënësit shqiptarë 1912-2017, dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Tiranë, 2018; 100 vjet Pavarësi Kombëtare (Album historik), Eugen, Tiranë, 2012; Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë – Tiranë 2001; Skender Luarasi, Isa Boletini, Prishtinë, 1972, Jusuf Buxhovi, Kosova nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar, Prishtinë – Houston, 2012; Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, 2007; Grup autorësh, Kosova në vështrim enciklopedik, ASH, QESH, Tiranë, 1999; Fazli Hajrizi, Mitrovica dhe Shala e Bajgorës në fokusin e historisë, Libri Shkollor, Prishtinë, 2011. Sali Bashota, Arti i bashkëbisedimit (Avni Spahiu publicist, diplomat, përkthyes), Rea, Prishtinë, 2024, f. 223-227.


