Albert Ajnshtajni është i njohur në mbarë botën si një nga shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai është babai i teorisë së relativitetit dhe një prej mendjeve që ndihmoi njerëzimin të kuptojë më mirë dritën, gravitetin dhe Universin. Por edhe ai, si çdo njeri tjetër, ka bërë gabime.

Në 70-vjetorin e vdekjes së tij, le të shohim tri raste ku vetë Ajnshtajni i ka pranuar se kishte gabuar edhe pse, në fund të fundit, këto ‘gabime’ dolën të ishin shumë të vlefshme për shkencën.

1. Gabimi i ‘Universit statik’

Lexo edhe :  Inteligjenca Artificiale/ 10 vendet me më shumë talent

Kur Ajnshtajni po punonte për teorinë e relativitetit të përgjithshëm, llogaritjet e tij tregonin se Universi ose do të zgjerohej, ose do të tkurrej. Por në atë kohë të gjithë mendonin se Universi ishte i pandryshueshëm dhe i qëndrueshëm. Për të përputhur teorinë e tij me këtë ide, ai shtoi një element të quajtur ‘konstanta kozmologjike’ për të mbajtur gjithçka në ‘ekuilibër’.

Më vonë, shkencëtarët zbuluan se Universi në fakt po zgjerohet, dhe Ajnshtajni e pranoi se kjo konstante ishte gabimi më i madh i jetës së tij .

Megjithatë, kohët e fundit, studiuesit besojnë se kjo konstante mund të jetë e lidhur me ‘energjinë e errët’, një forcë e panjohur që ndihmon zgjerimin e Universit. Pra, ndoshta nuk ishte gabim fare.

2. Ai s’besonte se drita mund të përkulej nga graviteti

Një tjetër moment kur Ajnshtajni u tregua dyshues ishte kur llogariti se graviteti i një ylli të madh mund të përkulte dritën nga një objekt tjetër pas tij një efekt që sot e njohim si thjerrëzim gravitacional.

Ai vetë mendonte se efekti ishte shumë i vogël për t’u vërejtur, ndaj s’kishte ndërmend ta publikonte. Vetëm pasi një inxhinier i quajtur RW Mandl e bindi, ai e botoi idenë.

Lexo edhe :  U gropos i fshehur në kuti purosh, zbulohet thesari i zhdukur që nga koha e nazizmit

Ky zbulim u bë shumë i rëndësishëm për astronominë moderne, dhe sot përdoret për të parë objekte shumë të largëta në hapësirë.

3. S’besonte në teoritë kuantike që ndihmoi vetë t’i krijonte

Edhe pse Ajnshtajni ndihmoi në lindjen e mekanikës kuantike, ai nuk u pajtua kurrë me idenë se bota në nivel mikroskopik është e paparashikueshme. Kur kolegët i thoshin se grimcat sillen në mënyra të çuditshme dhe të rastësishme, ai përgjigjej: Zoti nuk luan zare .

Në një eksperiment të famshëm teorik, ai përshkroi një situatë ku dy grimca që ndahen mbeten të lidhura. Qëllimi i tij ishte të tregonte se diçka nuk shkonte me teorinë, por në të vërtetë hapi rrugën për një nga idetë më të rëndësishme të shkencës moderne  ngatërrimin kuantik.

Gabimet që ndihmuan botën

Edhe pse këto u konsideruan gabime në atë kohë, ato u bënë pika kyçe për përparimin e shkencës. Ato tregojnë se edhe më të mëdhenjtë mund të dyshojnë, të ndryshojnë mendje dhe të gabojnë dhe kjo është pjesë e natyrshme e shkencës./k.k

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here