David Binder / The New York Times, 25 mars 1991 (titulli: Albania Turns In the Throes Of Transition)
Në orën 2:30 të mëngjesit të sotëm, këtu ishin grumbulluar gra dhe të moshuara përpara një dyqani që ndodhej në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, duke pritur deri kur të hapej në orën 8:00 për të blerë racionin e qumështit. Pak kohë më herët, te “Blloku” tutje, presidenti Ramiz Alia kishte mbledhur në një takim special, udhëheqësit e Partisë Komuniste, me arsyen që të hynte në javën finale të fushatës elektorale kombëtare. Aty ishin drejtuesit më të lartë të saj. Në kishat katolike që ishin mbyllur 24 vjet më parë nga qeveria komuniste dhe që janë rihapur së fundmi, këtë të diel kishin shkuar me qindra adhurues për t’u falur.
Gjetkë, 127 të burgosur politikë u liruan nga burgjet një javë më parë dhe iu bashkuan familjeve dhe shokëve të cilët u dhanë atyre veshje, para xhepi dhe një strehë të përkohshme për të futur kokën. Dhe, 90 të burgosur politikë të tjerë vazhdojnë të jenë prapë të mbyllur sot.
Këto ishin pjesët në një “Kaleidoskop” shqiptar që është duke krijuar të ardhmen e shpejtë, pothuaj nga momenti në moment. Ky vend 3.5 milionë banorësh, më i varfri në Evropë, është në grahmat e vdekjes së trazicionit të dhunshëm komunist 46-vjeçar dhe izolimit të vazhdueshëm.
Një vit më parë, presidenti Alia, 65 vjeç, nisi duke shpresuar drejtimin e reformave të ngadalshme, duke filluar nga maja. Por, kërkesat e njerëzve të tij për demokraci tani dhe nevojat e tyre për përmirësimet themelore në standardet e tyre të jetesës, e kanë nxitur që të ndërmarrë një hap më të shpejtë.
Zgjedhjet kombëtare do të mbahen të dielën tjetër [31 mars] dhe së fundi koalicioni i partive të opozitës tani beson se ata do të mund të rrëzojnë komunistët. “Jam realisht optimist”, thotë Dr. Sali Berisha, drejtuesi 46-vjeçar i Partisë Demokratike, grupit më të madh opozitar.
Një nga anëtarët e partisë së tij në qytetin verior të Shkodrës, tha të shtunën se një milion nga 1.7 milionë votues janë të rinj dhe ata përkrahin totalisht opozitën.
Ai tha se komunistët janë të fortë vetëm në pjesën jugore të vendit dhe te brezi më i vjetër. Kjo është në angazhimet e z. Alia, i cili është gjithashtu edhe kryetari i Partisë Komuniste. Në turrin elektoral të tij, ai u përpoq të mbajë besnikët e partisë. “Sigurisht, këtu janë bërë gabime”, tha ai në një fjalim të publikuar sot te “Zëri i popullit”, gazeta e Partisë Komuniste. “Madje edhe sot ne jemi duke bërë gabime. Asnjë forcë politike nuk mund t’i shmang ato. Asnjë individ nuk mund të jetë i përsosur”. Z. Alia dukej i përqendruar në përgatitjen e partisë së tij për humbje të mundshme në këto zgjedhje, kur tha se “Partia e Punës është për bashkëpunim konstruktiv me të gjitha partitë e tjera”.
Në një qëndrim të mbajtur në fund të konferencës së partisë, Alia tha se komunistët do të bëjnë fushatë mbi platformën e të qenit “forca më progresive dhe partia më me eksperiencë” në politiken shqiptare. Kjo e fundit sigurisht që është e vërtetë.
Trazira dhe dhuna ka rrethuar qytetet më të mëdha të Shqipërisë, për disa muaj, duke u mbyllur me dhjetëra të vdekur në Tirane dhe në Portin e Durrësit. Një eksod masiv nga deti dhe nga toka, ka sjell largimin e 80 mijë shqiptarëve drejt Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë, që në verën e kaluar.
Pakënaqësia ka ndarë familjet, me të vjetrit që janë me Partinë Komuniste dhe të rinjtë që janë duke u kthyer tek opozita. Kristina Budina, studente 21-vjeçare, tha: “Në familjen time, tre anëtarë janë për Partinë Demokratike dhe vetëm babai im është me komunistët”.
Dhe, në fund, zgjedhjet mund të vendosen nga njerëzit që janë në radhë duke pritur për të marrë racionin e qumështit. “Nuk i duam më bolshevikët”, tha një e moshuar teksa ndodhej këtë mëngjes, herët në rrugën “Kongresi i Përmetit”, në një nga bulevardet kryesore të kryeqytetit. Ajo kishte pritur në radhë për katër orë që të merrte një litër qumësht. /Memorie.al/