Dosja e sigurimit/ “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijimtarie”, Ibrahim Rugova më 1980: Ata shkrimtarë janë shndërruar në burokratë. U jepen klishetë dhe punojnë
NGA DR. SYLË UKSHINI
Për vite me radhë, agjentët e Sigurimit Shqiptar në vitet 1970-‘80 kishin mbledhur informacione për intelektualët shqiptarë nga Kosova, sidomos për ata që e vizitonin Shqipërinë. Në mesin e personaliteteve që për vite kishim mbledhur informacione, ishte edhe Ibrahim Rugova dhe studiues të tjerë. Shteti i atëhershëm shqiptar synonte të mësonte me shumë për pikëpamjet dhe orientimet e tyre politike dhe qasjen shkencore, por edhe mundësisht të influenconte në krijimtarinë e tyre shkencore.
Agjentët e atëhershëm të Sigurimit të shtetit shqiptar kishin ndjekur në çdo hap dhe kishin hartuar informacione nga më të ndryshmet për studiuesin e njohur të letërsisë, estetist, kritik letrar, Ibrahim Rugova, i cili gjatë viteve 1970 dhe 1980 kishte qenë dy herë në Shqipëri në konferenca dhe për studimet shkencore, ku kryesisht kishte hulumtuar në bibliotekën shkencore të Pallatit të Kulturës. Siç shihet nga dokumentet e kohës, Ibrahim Rugova banonte në hotel “Dajti” dhe prej andej shkonte rregullisht në Pallatin e Kulturës dhe në këtë interes agjentët e Sigurimit të Shtetit e ndiqnin nga distanca ose dërgonin përcjellësit e tyre nga afër. Ata kishin për detyrë të shënonin të gjitha kontaktet dhe lëvizjet.
Në kuadër të kërkimeve të mia shkencore, për të ndjekur nga afër qëndrimin e shtetit shqiptar rreth zhvillimeve në Kosovë, në vitin 2020 kisha rastin që në arkivin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të hulumtoja për qëllime shkencore dokumente të ndryshme, në këtë mes ta lexoja faqe për faqe edhe dosjen e Ibrahim Rugovës, e cila ofron të dhëna interesante dhe mbi të gjitha shpalos dimensionin e interesimit të shtetit shqiptar për profilin e intelektualëve shqiptarë nga Kosova. Në këtë kuadër, Rugova konsideroj si studiues i talentuar dhe që nuk i përkiste korpusit të studiuesve shqiptarë që mbështesnin krijimtarinë e realizmit socialist, por se “është përkrahës i rrymës moderniste në letërsi, që krijohet në Kosovë e në përgjithësi në Jugosllavi”.
Çfarë përmbante arkivi i Sigurimit të Shtetit për akademikun e shquar kosovar Ibrahim Rugova në dosjen e Sigurimit: Në Shqipëri mungon liria në krijimtari Dosja e Rugovës: “Ata shkrimtarë janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë dhe ata punojnë”
Në një dokument të vitit të 19.1.1981, ndër të tjera, thuhej se Ibrahim Rugova, i cili mori pjesë në diskutimin për romanin që u bë në vitin 1980 nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë, ka deklaruar në një mbledhje të hapur pasi është kthyer në Prishtinë: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijimtarie. Ata shkrimtarë janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë dhe ata punojnë”.
Nga dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar duket qartë se autoritetet e atëhershme të Shqipërisë ishin të hidhëruara dhe nuk u pëlqente fare pse Rugova fliste me “përçmim dhe përbuzje” ndaj letërsisë së realizmit socialist që krijohej asokohe në Shqipëri. Sidoqoftë, çdo studiues duhet të jetë i vëmendshëm gjatë hulumtimit të dosjeve të tilla, sepse aty ka emra dhe të dhëna që shpeshherë nuk përkojnë me realitetin, janë hartuar me hamendje dhe nga bashkëpunëtorë të padijshëm.
Arkivat janë si minierat, përmbajnë një thesar të çmuar të dokumenteve, por ato duhen trajtuar me profesionalizëm. Studiuesit konstatojnë se arkivat nuk janë mauzoleu i historisë, por një thesar i municionit të saj. Historianët e mirë e dinë jo vetëm se si të përpunohen dhe restaurohen dokumentet dhe dorëshkrimet, por ata janë gjithashtu ekspertë të eksplozivit, të cilët e dinë saktësisht se si duhet qasur materiali eksploziv. Arkivat na mundësojnë të njohim të kaluarën e shoqërive dhe regjimeve të së kaluarës. Dosjet e ish-Sigurimit të shtetit shqiptar na mundësojnë të njohim të kaluarën komuniste dhe demistifikimi i miteve komuniste shqiptare si mësim për brezat e sotëm. Rëndësia e trajtimit të së kaluarës ka për qëllim primar ballafaqimin me të kaluarën.
Çdo katër vjet, planeti duket sikur ndalon për një muaj. Rrugët boshatisen, ekranet mbushen me…
Robin Hudi nisi si një traditë gojore në shekullin XII, përpara se të shndërrohej në…
Reaksioni nuk shfaqet menjëherë, prandaj shumë pacientë nuk e lidhin atë me atë që…
Nëse ju duket se mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju si objektivin e tyre kryesor,…
Shalqiri, i cili është ngrënë nga njerëzit për 5,000 vjet, është i njohur jo…
Temperaturat e larta të verës rrisin rrezikun e dehidratimit, ndaj ekspertët këshillojnë konsumimin e…