Nga: HYQMET ZANE
Atë ditë që mendoj se ishte edhe pushkatimi i një atdhetari të madh si Lef Nosi më 14 shkurt 1946, po kaloja në trotuarin përgjatë kalasë dhe ndalova t’i bëja nderim këtij personaliteti të madh të gjysmës së parë të shekullit XX. Pikërisht në atë moment ndaluan edhe disa djem shkollë të moshës 14 – 15 vjeç dhe po vështronin se si po bëja një foto kujtim. Njeri prej tyre tha: “Ky është Lef Nosi, ai që e shiti Shqipërinë”. Shtanga, ktheva kokën dhe iu afrova atij djalit që foli me pyetjen: – ku e din që ky e ka shitur Shqipërinë? Ai djalë menjëherë mu përgjigj se “e kemi mësuar në shkollë”. Mbeta pa fjalë dhe në mendje më shkoi mendimi se, veç ca ratifikimeve të historisë, edhe programet e teksteve të historisë në shkolla edhe mësuesit duhet t’i nënshtrohen një ndryshimi rrënjësor. Se ajo që thuhej në kohën e diktaturës për fatin e keq po përsëritet.
Për hir të së vërtetës:
Si njeri dhe si intelektual e kam ndjekur dhe studiuar historinë e këtij kombi dhe, me gjithë të mësuarit kontravers të imponuar nga diktatura e kohës pas 1944-s, pas 1991 u orientuam drejtë të vërtetave historike. Megjithëse njerëzit e fisit tim na thoshin nën zë se në librat e historisë nuk janë shkruar të vërtetat e ndodhura, heshtnim se mos na shpëtonte pa dashje ndonjë fjalë dhe e pësonim keqas.
Si mësues që jetova në dy kohë: në diktaturë dhe në tranzicionin demokratik, korrigjova me vetëdije disa të vërteta që diktatura na i fshehu ose na i tha anapolla sa edhe historianëve të diktaturës u vjen turp të përballen me të vërtetat e hidhura që na u mohuan në shkollë. Me krenarinë e një mësuesi në pension në Elbasan i shoh me vlerësim skulpturat e vendosura përgjatë lulishtes së kalasë dhe shpreh nderim për figurat dhe skulptorët e tyre.
QEVERIA E VLORËS
Për ata që u ka mbetur mendja te historia e thënë në diktaturë, do të doja të sjell në vëmendje se ky monument konsiderohet si Monument i vlerave kombëtare sepse i tillë është aktiviteti i tij. Si delegat i Elbasanit (bashkë me Dervish bej Biçakçiu, Shefqet Daiu, Mithat Frashëri), këta zotërinj ishin nënshkrues të Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare. Familjarët e të afërmit e Lef Nosit saktësojnë se nën drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.
Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre. Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz.
Si intelektual dhe me edukim të fortë atdhetar duhet thënë se Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880- 1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste. Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe. Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915.
LETRA E QEMAL STAFËS
Aq i madh ishte personaliteti i Lef Nosit saqë pranohej edhe nga vetë komunistët, që ia njihni vlerat dhe ia dinin aktivitetin kohë pas kohe i pranishëm në ngjarje historike. Ja çfarë shkruan Qemal Stafa në një letër drejtuar Lef Nosit: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurt nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”. Këtë letër e morëm vesh vetëm pas 1991. Por këtë nuk e dinë brezat e shkollave që duhet të ishin njoftime të së vërtetave. Fundi i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e gjeti Lef Nosin në një pozicion shumë të vështirë. Pjesëmarrja e tij në Këshillin e Regjencës gjatë pushtimit gjerman solli jo vetëm fundin e tij fizik, por edhe denigrimin e gjithë veprës së tij patriotike dhe filologjike.
Patriotizmi i tij ishte në drejtimin e duhur, por ndoshta zgjodhi apo rrethanat e kohës i afruan anijen e gabuar, por absolutisht nuk i leu duart me gjak shqiptarësh siç bënë vetë komunistët që jo vetëm eliminuan gjatë luftës ata që ishin komunistë idealistë dhe antisllavë, por edhe pas luftës me atë të ashtuquajturin çlirim për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, që në fakt u bë një Shqipëri e izoluar dhe diktatoriale, u vranë të gjithë bashkëpunëtorët e afërt të Enver Hoxhës.
NË BANKËN E TË AKUZUARVE
Më 1 shkurt 1946, në Tiranë u hap gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati. Për hir të së vërtetës gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirrën “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues që kryesohej nga major Irakli Bozo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska.
Të nesërmen gazeta “Bashkimi” vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”. Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë iniciator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj..
Gjithçka çka thuhej në atë akuzë ishte e pabesueshme edhe për vetë trupin gjykues, por vendimi ishte marrë prej kohësh. Të gjithë ata që ia dinin aktivitetin dhe ia njihnin kontributet, u habitën me akuzën dhe heshtën sepse qeverisja e Enver Hoxhës kungohej nga serbët e pranishëm emisarë të UDB Jugosllave që ia kishin dhënë orientimin për eliminimin e gjithë elitës intelektuale shqiptare sepse ata përbënin rrezik për pushtetin e Enver Hoxhës. Ndaj dhe thuhet me dokumente se gjyq pas gjyqi me emërtesa të njohura deri në vitin 1940 – ‘50 u dënuan dhe u pushkatuan rreh 400 intelektualë që kishin shkollim të lartë jashtë vendit. Ishin ata që edhe kontribuuan për luftën me florinj si Xhafë Miraku, majori elbasanas që mbajti Shtabin e Përgjithshëm në Labinot dhe që më pas u pushkatua. Në rastin e tre personaliteteve nuk u pushkatuan thjesht tre kuislingë nga regjimi komunist, por tri figura nga më të rëndësishmet e historisë dhe kulturës shqiptare të mirënjohur në ngjarjet me rëndësi kombëtare që në kohën e pavarësisë e më tej. Kështu përfundoi jeta e Lef Nosit lindur më 9 prill 1877 dhe pushkatuar më 14 shkurt 1946, i kryqëzuar nga tri regjime. Fillimisht është arrestuar nga perandoria osmane, është internuar nga italianët dhe më në fund u pushkatua nga komunistët.
NGJARJET TRONDITËSE
Shumë nga familjarët kanë mbajtur të fshehura foto dhe kanë rrëfyer ngjarje tronditëse që dolën në dritë pas vitit 1990. Lef Nosi është nderuar si patriot i shquar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Është shpallur “Qytetar Nderi i Elbasanit” dhe në bulevardin kryesor të Elbasanit është ngritur statuja e tij. Këto fakte janë të nevojshme të dihen dhe të shkruhen në tekstet shkollore jo vetëm për Lef Nosin.
Si epilog do të sjell në vëmendje rrëfimin e Skënder Kosturit (djali i mbesës së Lef Nosit) për disa të vërteta. Ai më ka pohuar se: “Duke grumbulluar materiale për jetën dhe fundin tragjik të Lef Nosit, hasa në një botim si tekst mësimor ku përshkruhet me hollësi si u tradhtua dhe u arrestua Lef Nosi.
Ky material përputhet me tregimin e izraelitit (mik i mirënjohur i familjes Nosi) Mark Menahemit në një letër që më ka dërguar nga Izraeli ku ai u atdhesua 50 vjet më vonë, pasi kreu 4 vjet burg për strehimin e Lefit. Marko Menahemi ishte një hebre i ikur nga kampet e vdekjes, që familja Nosi i pati shpëtuar jetën. Në materialin e Shkollës së Sigurimit theksohet emri i tadhtarit (që pasi e graduan më vonë, bëri 10 vjet burg dhe gëzoi statusin e të përndjekurit), por edhe interesimi personal i Enver Hoxhës, të cilit i raportohej sistematikisht për ndjekjen e Lef Nosit.
Nuk mund të lë pa përmendur emrin e Virgjil Papajanit që, me gjithë rreziqet e kohës, pati kurajën t’i dilte në mbrojtje në gjyq, si dhe Anastas Kojës që kur u arrestua Lefi, me që të afërmit e tij nuk ndodheshin në Tiranë ato ditë, i çoi në burg dyshekun e vet. Sesioni shkencor 3-ditor i Universitetit të Elbasanit hodhi shumë dritë mbi jetën dhe veprën e Lefit dhe monumenti i ngritur në Elbasan në nderim të figurës dhe veprës së Laf Nosit, tregon respektin e popullit të këtij qyteti për veprën e tij. Sot Shqipëria ka nevojë për idealistë e patriotë si Lef Nosi. Ka ardhur koha të merret një nismë për kthimin e shtëpisë së tij (ku për shumë vjet u ruajt origjinali i dokumentit të Pavarësisë) të kthehet në “Muzeun e Pavarësisë” në Elbasan”. Këto duhet t’i mësojnë brezat në tekstet e historisë së të vërtetave që u mohuan nga diktatura ndaj dhe historia që duhet shkruar nga e para, që nxënësit e shkollave të mos mbeten peng të indoktrinimit nga ideologjia e të pavërtetave të diktaturës.
Në tre dekadat e fundit, farat dhe vajrat e tyre janë përdorur gjithnjë e…
Nga: DASHNOR KALOÇI Plot 35 vite më parë, në mesin e shkurtit të 1991-it, me mijëra…
Uji përbën rreth 60 përqind të trupit tonë dhe është thelbësor për rregullimin e…
Studimi i parë i detajuar gjenetik mbi kancerin te macet shtëpiake ka zbuluar ngjashmëri të…
Rozmarina njihet për efektet e saj të forta anti-inflamatore dhe antibakteriale, prandaj përdoret…
Fibromat e mitrës janë masa beninje (jo kanceroze) që zhvillohen në murin e mitrës…