Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Bernard Zotaj: Akti heroik i Oso Kukës

Për figurën dhe aktin heroik të Oso Kukë shkodranit është folur dhe shkruar për një shekull e gjysmë. Janë shkruar këngë dhe thurur vargje pambarim në të gjitha trevat shqiptare. Në këtë rrugëtim të gjatë historik edhe pse është shkruar shumë dhe folur pambarim, Oso Kuka nuk është Hero i Populli, si dhe Dëshmor i Atdheut së bashku me trimat e tij. Për këtë me nismën e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut dhe të Shoqatës së Historianëve Ushtarak të Shqipërisë, është ndërmarrë një nismë, duke i propozuar Këshillit të Qarkut të Shkodrës për ta shpallur Dëshmor të Atdheut së bashku me trimat e tij, që u vetëflijuan për të mbrojtur ishullin strategjik të Vraninës, ku ndahej kufiri me Malin e Zi.

Rrënjët e familjes Kuka

Oso Kuka i njohur, quhet Osman Bejtullah agë Kuka dhe ka lindur në Shkodër, rreth vitit 1820 në një familjeje kalorësish me origjinë të hershme nga Kukësi. Shtëpia e Kukajve bëhet e njohur me Ibrahim Kukën, gjyshin e Osos, i cili më 1802 pajiset me një timar për shërbimet ushtarake, të ardhurat e të cilit i nxirrte në natyrë nga fshatarët e katundeve Mes, Egërç, Lopç të Rranxave të Mbishkodrës. Në bazë të dekreteve sulltanore, Ibrahimi emërohet qehaja i kalasë, gradë që krahasohej me ndihmës-komandant ose intendent. Bejtullah agë Kukës, ishte ndër oborrtarët e Vezirit, Mustafa Pashës. Të dhënat popullore tregojnë se vezirët Bushatllinj, Kukejt i kanë mbajtur për bajraktarë të vet. Jusuf agë Kuka i dytë, vëllai i Osos, ishte në njësinë administrative të vilajetit të Shkodrës më 1897, figuron se ka qenë komandant kompanie i maleve Reç e Lohe. Me vdekjen e Ibrahimit, timari i lartpërmendur më 1815 kaloi në emër të birit, Jusuf agë Kukës, i cili gëzoi edhe gradën qehaja për rezervistët që shërbenin në kala. Oso rininë e tij, për 27 vite, e kaloi rrugëve të kurbetit në Anadoll, në Tarabulluz, në Halep e mandej edhe nëpër Rumeli. Së fundi përshkoi Dibrën dhe disa vise të tjera shqiptare. Më 1859 Oso mori gradën kapiten, dhe u caktua me detyrë komandant i rojeve kufitare në kohën e valiut Abdi pashë Çekrezi. Kjo detyrë ju ngarkua me propozimin e Hodo Sokolit, në atë kohë komandant xhandarmërie, duke u caktuar kapiten i rojeve në kufirin osmano-malazez, në ishullin e Vraninës, në veri të liqenit të Shkodrës.

Lufta e Vraninës

Shqiptarët në shek. XIX u gjendën si asnjëherë tjetër në mes dy zjarresh: nga një anë perandorisë pushtuese otomane dhe nga ana tjetër rizgjimi i lakmive grabitqare të fqinjëve sllavë. Perandoria Otomane në shek. XIX në fakt ishte futur në krizë, pasi kishin filluar luftërat çlirimtare të popujve që kërkonin lirinë, por dhe të fuqive europiane që përbënin gjithmonë një rrezik të përhershëm për shembjen e saj. Rusia, po bëhej mbështeste për vëllezërit sllavë të Ballkanit. Fqinjët e shqiptarëve, kërkonin të zgjeronin territoret e tyre nga pjesa e Perandorisë otomane evropiane. Këto territore ishin troje të Shqipërisë etnike. Kështu malazezët fqinjë kërkuan të përfitojnë nga trevat e Shqipërisë Veriore e Veriperëndimore. Në qershor të vitit 1862 malazezët drejtuan ushtrinë në ishullit strategjik e të mrekullueshëm të Vraninës. Përgatitjet ushtarake dhe ndihmat nga Rusia kishin përfunduar me kohë dhe duhej shkaku për të sulmuar mbi Vraninë.

Shkaku u gjet, për disa ushtarë të Oso Kukës u bë ankesë nga Liubotinasve se kur kalonin gratë rrugës u merrnin peshqeshet, kur ktheheshin në shtëpitë e veta. Kjo vepër e shqiptarëve për burrat e këtyre familjeve e konsideronin çështje nderi… Malazezët kishin si qëllim kryesor pushtimin e Vraninës. Ishulli i Vraninës ishte i ndarë krejt prej Shkodre. Dokumentet e kohës thonë se Oso Kuka ishte komandant i rojeve kufitare. Për ankesën e Liubotinasve kishte marrë masat e nevojshme, ndonëse ky kishte qenë “improvizim” i malazezëve. Kështu malazezët filluan plaçkitjet dhe reprezaljet mbi popullsinë e Vraninës. Rojet kufitare dhe vendasit e kishin të pamundur të përballojnë cubat dhe ushtarët malazezë. Avdi Pasha, që ishte sundimtari i Shkodrës e nip i derës së Karagjeorgjeviçëve të Beogradit, nuk dërgoi ushtarë të Perandorisë për të mbrojtur Vraninën. Thërret në Shkodër Oso Kukën ku i thotë se malazezët me në krye Vulo Serdarin në Vraninë po vrasin, presin e bëjnë kërdinë. Nuk paska asnjë shqiptar që të shkojë për t’i dalë zot këtij vendi. “Situatën” dramatike mes komandantit trim shqiptar Oso Kukës dhe Avdi Pashës, sundimtari i Shkodrës, e përshkruan mjaft mirë At Gjergj Fishta në “Lahuta e Malësisë”.

Oso Kuka zgjodhi luftëtarët më të mirë nga Shkodra, Mirdita, Dukagjini e veçanërisht nga Malësia e Madhe, por dhe nga Jugu i Shqipërisë krijoi çetën me 40 vetë. At Gjergj Fishta këndon për këta trima që po shkonin drejt Vraninës i priste lufta e vdekja dhe jo dasma. Të gjithë trimat që u nisën për Vraninë ishin luftëtarët më të zgjedhur të cilët do të justifikonin para atdheut detyrën e shenjtë në mbrojtje të truallit të Shqipërisë etnike, dhe konkretisht të Vraninës historike… Në këtë luftë morën pjesë dhe luftëtarë më krahinat e Shqipërisë, ku trimëria e malësorëve të Hotit e Grudës në muajin maj (1862) kishin arritur të prisnin 30 koka të armiqve dhe i prunë në Shkodër, si shenjë trimërie e qëndrese në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Mali i Zi ishte tashmë shtet, Turqia i kishte njohur pavarësinë. Vëllezërit serbë dhe rusë iu gjendën pranë për synimet grabitqare. Mali i Zi kishte një ushtri të organizuar në numër të konsiderueshëm dhe një teknikë luftarake moderne për kohën. Shqiptarët u organizuan në luftë sepse shteti turk më shumë i pengonte se i ndihmonte. Elementi që organizoi shqiptarët ishte atdhedashuria, amaneti i të parëve për liri e pavarësi.

Zhvillimi i luftimeve

Me gjithë qëndresën heroike të shqiptarëve, Vranina po rrezikohej të binte në duart e malazezëve. Në këto momente luftarake trimi Oso Kuka, së bashku me rreth 30 burra ishin pozicionuar në mbrojtje dhe kishin hyrë në kullën e barotit. Kulla u gjend e rrethuar me rreth 3. 000 ushtarë e oficerë malazezë. Në krye të ushtrisë ishte vetë princ Kral Nikolla. Lufta u zhvillua e ashpër në mes qëndrestarëve, pra luftëtarëve të rrethuar shqiptarë dhe malazezëve, të cilët u bënin thirrje të dorëzoheshin. Luftëtarët shqiptarë me në krye Oso Kukën, po luftonin si luanë malesh, në çdo frëngji, në çdo bedenë dhe në çdo e cep të kullës. Oso Kuka, edhe pse i plagosur, qëndronte në këmbë dhe u jepte kurajo luftëtarëve trima që tashmë i priste vdekja e sigurtë. Pas shumë përpjekjesh për të marrë kullën, ushtria malazeze kishte dështuar. Luftëtarëve po ju mbaronte dhe municioni. Ndërsa luftimi trup më trup ishte i pamundur, sepse po të dorëzohej kulla, luftëtarët shqiptarë ishin të asgjësuar prej ushtrisë malazeze. Oso Kuka iu bëri thirrje luftëtarëve për të mos u dorëzuar, por për të hedhur në erë kullën. Kështu të gjithë bashkë vendosën të hedhin në erë kullën e barotit, ku do hidhte në erë jo vetëm veten me luftëtarët, por qindra malazezë. Kështu malazezëve po u jepej një mësim i mirë se toka shqiptare nuk lëshohet pa e paguar me gjak, ndërsa trimat luftëtarë shqiptarë nuk dorëzohen kurrë të gjallë, por vdisnin kur të kenë marrë hak dhjetra herë.

Oso Kuka udhëzoi që kulla të kishte rreth saj dhe deri tek dera sa më shumë ushtarë malazezë. Në momentin që kishin pushuar armët dhe dukej se çdo gjë kishte marrë fund, ushtria malazeze u gjend brenda kalasë deh rrethuar kullën e barotit. Në këtë moment historik Oso Kuka barutit i vuri flakën. Kulla shpërtheu duke marrë me vete rreth 200 ushtarë e oficerë malazezë që së bashku me luftëtarët shqiptarë trima u bënë copa-copa, e shpërndarë në truall të Vraninës dhe në ujërat e liqenit. Thuhet se shtëllunga e tymit dhe e flakës u pa deri në sarajet e Cetinës dhe të Shkodrës. Shpërthimi u dëgjua edhe më larg deri tek pallatet e kralnive të Evropës plakë, duke u treguar se trojet shqiptare kanë zot, që nuk i lëshon deri sa mbi to të kenë këmbë shqiptari. Oso Kuka dhe luftëtarët e tij, me ketë akt vetëflijues i treguan ushtrisë së Malit të Zi se trojet shqiptare nuk kanë mbetur as nuk do të mbesin kurrë pa djem në vatrat shqiptare që do t’u dalë për zot, ndaj At Gjergj vargëzon fjalët kushtrim të trimit Oso Kuka: “Eni, eni mori shkina,/ Eni, eni te Vranina…

Pavdekshmëria e heronjve legjendarë të Vraninës”

Oso Kuka së bashku me luftëtarët e tij, ku kishte dhe nipin Salë Behri, të riun 16-vjeçar, si dhe luftëtarët: Musa Golemi, Met Begoja, Ibrahim Kopliku, Pjetër Berisha, Jusuf Bushati, Met Mala, Sadik Lapi, Myrto Zylfoja, Ferid Hoti, Sali Sakica, Sinan Kerni, Gjergj Cemi (Grudjani), Avdi Hisa, Taro Pëllumbi, Mahmut Zyberi, Met Zeneli, Vuksan Gjeli, Gjeto Gruda, Mal Spahia, Galo Keqi, Çok Mark Kola (Dini), Preng Markola, Sokol Tona dhe dy “retë mizore” prej Zagore (Malësisë së Madhe), Kaçel Doda, Kerni Gila, Mahmud Zyberi dhe të tjerëve nuk iu dihen emrat, tre a katër prej këtyre të fundit ishin nga Jugu i Shqipërisë, ndërsa Pjetri ishte shërbëtor i Osos. Emra e luftëtarëve dëshmorë të paharruar janë siguruar nga disa materiale historike të librit “Shkodra dhe Motet”, v. I, të H. Bushatit, “Oso Kuka”, të S. Krasniqit (roman historik), “Lahuta e Malcisë” të At Gj. Fishtës, Fletë të regjistrave të famullisë Shkrelit (Bzhetë), si dhe gojëdhënat që qarkullojnë edhe sot në Malësi e në Mal të Zi. Për heroizmin e tij, Oso Kukës iu kushtuan këngë popullore. Kështu në vitin 1898 në gazetën e “La Nazione Albanese” të Anselmo Lorekios; Kasem Taipi te “Zane popullore” dhe Hamdi Bushati te “Shkodra dhe motet”. Portretizim me rëndësi i është bërë nga Gjergj Fishta në veprën epike “Lahuta e Malcisë”, ku përshkruhet lufta e Oso Kukës dhe rënia e tij në “ciklin e Oso Kukës” me 5 këngë. Në këngën popullore të njohur Oso Kuka e quan veten shkodran, por poeti te “Lahuta” e paraqet si hero që i krenohet Knjazit porsi shqiptar. Për Oso Kukën kanë shkruar dhe folur: G. Meyer shkroi në Albanische Forschungen më 1897. Ndërsa më 1921 Zef Mark Harapi shkroi dramën “Trimnija e Oso Kukës”, e cila u vendos në skenë nga aktorët amatorë të shoqërisë kulturore “Bogdani” në Shkodër. Më 1923 Avni Rustemi përmend emrin e Oso Kukës në një thirrje që u drejton autorëve të shoqërisë “Bashkimi”. Shkrimtari Sulejman Krasniqi ka shkruar romanin historik “Oso Kuka” në vitet 1990. Malazezët vendin e hedhur në erë e identifikojnë kulla e Oso Kukës, ndërsa tek shtëpia e Kukajve në Shkodër është ngritur Muzeu historik i qytetit.

Në Shkodër, për ndonjërin që nuk del nga shtëpia përdoret shprehja “asht ndry si Oso Kuka”.

admin admin

Recent Posts

Robotët:Fundi i Njerëzimit?

Zana Islami Për shumë vite, filma shkencorë dhe libra fantastiko-shkencorë kanë trajtuar idenë e robotëve…

12 hours ago

Agjensionet e Patundëshmerive:-Manipulim apo Zgjedhje!?

Zana Islami Tregu i patundshmërive është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë dhe…

12 hours ago

Shëndeti dhe Siguria Në Punë

Zana Islami Në shumë industri, punëtorët janë të ekspozuar ndaj kushteve të rrezikshme që mund…

12 hours ago

Si ti Zbardhoni dhëmbët në shtëpi-këshilla dhe mjete të përshtatshme për Shendetin oral

Zana islami Shëndeti oral është një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit të përgjithshëm për…

13 hours ago

Si ta dini nëse dikush po spionon telefonin tuaj?-10 Shenja dhe mënyra për t’u mbrojtur

Zana Islami Në epokën e sotme digjitale, telefonat tanë janë kthyer në një qendër të…

13 hours ago