Categories: KULTURË

Jeta dhe vepra e Abdyl Frashërit: Shqipëria do të bëhet

Nga: Sejdo Harka

Abdyl Frashëri, ky burrë i madh i kombit shqiptar, hyri si një gur i rëndë në themelet e historisë së Shqipërisë, në pranverën e vitit 1877, në një kohë kur vorbulla e krizës së vendeve lindore ishte turrur të kafshonte pa mëshirë trojet e vendit tonë. Në këto kushte, ai, bashkë me atdhetarët e tjerë u përlesh me titanët e Portës së Lartë, të Fuqive të Mëdha evropiane dhe synimet grabitqare të fqinjëve ballkanikë, deri në pranverën e vitit 1881. Kjo kohë që koincidon me shtypjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në çastet kur Abdyl Frashëri u detyrua të tërhiqej jashtë vullnetit të tij për të nisur kalvarin e vështirë të burgimit, internimit dhe izolimit të plotë, deri sa mbylli sytë në vitin 1892. Ishin vetëm katër vite, por që mbanin peshën dhe vlagun e historisë së katër dekadave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ato ishin vitet e vrullshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ngriti peshë masat popullore, të bashkuar në një aksion të madh revolucionar për liri. Aq ngushtë është i lidhur ky emër me ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit saqë, kur kujtojmë veprimtarinë e saj të mençur dhe luftarake, na shfaqet para sysh portreti i gjallë i Abdyl Frashërit. Ai ishte dhe mbeti patrioti demokrat i orëve të para, ideolog dhe diplomat, shkrimtar dhe orator i rrallë Rilindjes dhe i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abdyl Frashëri ishte i pari ideolog që shkriu në një platformë të vetme kërkesat themelore shoqërore, politike e kulturore, që e shqetësonin Shqipërinë e robëruar të kohës. Ky ishte programi themelor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përpjekjet e saj për formimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Drejtimet kryesore të veprimtarisë atdhetare të Abdyl Frashërit

Së pari, Abdyl Frashëri, u shqua si organizator për ideimin, themelimin dhe drejtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte ai që qëndroi në vijën e parë të atdhetarëve shqiptarë për shtrirjen e kapilarëve të saj në të katra anët e vendit dhe për t’u mbrojtur nga presionet e sulmet e osmanëve dhe të reaksionit të brendshëm.

Së dyti, duke qenë përfaqësues kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëhoqi me mençuri politikën e jashtme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbrojti interesat e kombit, përballë Fuqive të Mëdha; parashtroi me kurajë para Portës së Lartë kërkesën për autonominë e Shqipërisë dhe zgjidhjen optimale, në interes të Atdheut dhe të çështjes së madhe shqiptare.

Së treti, u shqua si aktivist i një veprimtarie të jashtëzakonshme për realizimin e një platforme ideologjike të Rilindjes Kombëtare dhe të programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Së katërti, ai u dallua edhe me shkrimtarinë e tij të mprehtë politike dhe diplomatike, të cilën e shkroi në disa gjuhë të botës, në të cilin vend të rëndësishëm zënë parashtresat, artikujt publicistikë, aktet diplomatike, memorialet dhe sprovat historike të cilat karakterizohen nga thellësia e mendimit, forca e argumentit, gjuha e gjallë që të rrëmbente me afshin e nxehtë frymëzues e mobilizues.

Abdyl Frashëri ishte tribun i mendimit dhe luftëtar i aksionit revolucionar me të cilën fitoi besimin e shqiptarëve. Ai s’e humbi kurrë busullën orientuese, as përballë bërrylave të kancelarive të Perandorisë Osmane e diplomacisë evropiane të kohës dhe as përballë lakmisë grabitqare të fqinjëve ballkanikë. Diplomati i regjur Abdyl Frashëri kishte bindjen se “fara” që kishte mbjellë në trojet shqiptare, donte kohë të mbinte dhe stinën e vetë që të korrej. Për shkak të angazhimit për çështjen kombëtare, ai nga populli i tij u quajt “Prijës i Shqipërisë”. Por, krahas simpatisë së popullit të tij, ai u vu në shënjestër të armiqve të shumtë të Shqipërisë. Armiqtë dhe mosbesuesit ndaj saj e quajtën lëvizjen e popullit tonë për bashkimin dhe çlirimin kombit si utopi.

Në kohën kur Lidhja Shqiptare po forcohej e hidhte shtat kundër Traktatit të Fshehtë të Berlinit, shpërthyen shpifjet denigruese ndaj saj zëdhënësit e Fuqive të Mëdha evropiane dhe të monarkive ballkanike; Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e quajtën “gisht” të të huajve. Ndërsa, Frashërin e quajtën “vegël” të Portës së Lartë. Por, ai nuk u spraps kurrë nga lufta për zgjidhjen e çështjes së madhe të kombit të tij. Këtë e pohonte edhe Dervish Hima, kur shkruante: “Abdyl Frashëri vërtitej në qiellin e Shqipërisë për t’u kujtuar shqiptarëve detyrën, që kishin ndaj atdheut”.

Ai hyri në historinë ndërkombëtare si një udhëheqës i pavarur, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi. Vlerësime të larta Abdyl Frashëri mori edhe nga të huajt të cilët herë e quajtën promotor të bashkimit kombëtar dhe herë shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Atë nuk harroi ta vlerësonte as Enver Hoxha i cili mes të tjerash theksoi se Abdyl Frashëri, me luftën e tij për çështjen kombëtare, bëri epokë me të cilën synonte të nxirrte vendin e tij nga errësira mesjetare, për ta futur në udhën e gjatë për liri, pavarësi, kulturë dhe arsim.

Abdyl Frashëri mban emrin e madh të luftëtarit të madh, patriotit të shquar, që gjithçka e bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Deri nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, figura e tij nuk njihej shumë, mbasi mungonin dokumentet arkivore, ndërsa sot ekziston mundësia edhe për shfletimin e arkivave të huaja shumëgjuhëshe. Mjegullnaja që dikur mbulonte këtë figurë, ia la vendin një pasurie të madhe arkivore dhe disa libra të shkruara nga historiani i madh Kristo Frashëri e autorë të tjerë para dhe pas tij, të cilat na kanë ndriçuar për të shkruar këto shënime modeste, për këtë figurë madhështore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga shfletimi i kësaj pasurie të madhe arkivore dhe historiko-kulturore bindesh se në sjelljen dhe veprimtarinë shumëplanëshe të kësaj figure të rrallë të kombit tonë nuk e gjen asnjë njollë të errët.

Kush është Abdyl Frashëri?

Lindi më 29 gusht të vitit 1839, në Frashër të krahinës së Dangëllisë së Përmetit. U rrit në gjirin e një familjeje të madhe atdhetare, me prindër që lindën dhe edukuan gjashtë djem dhe dy vajza, me dashurinë për atdheun, lirinë, punën, gjuhën shqipe dhe shkollën. Deri në moshën 18-vjeçare, ai e kaloi jetën në fshatin e lindjes, mes frashërllinjëve të cilët në atë kohë përjetonin një gjendje ekonomike të ndryshme. Rinia e tij përkon me bubullimat e kryengritjeve popullore kundër Reformës së Tanzimatit. Ishte koha kur Rilindja Kombëtare Shqiptare hidhte hapat e para. Në formimin e përgjithshëm të Abdyl Frashërit ndikuan tre faktorë kryesorë: vatra familjare atdhetare, mjedisi i fshatit dhe ngjarjet tronditëse të kohës. Për këtë dëshmitarë janë dy vëllezërit e tij më të vegjël, Naimi dhe Samiu, të cilët pasi u rritën dhe u shkolluan, luftuan secili me armën e vetë më të fortë për Rilindjen dhe bashkimin e kombit. Të tre së bashku krijuan “ansamblin” e madh për të “kënduar himnin” më të bukur në botë, kushtuar pavarësimit dhe daljes nga errësira mesjetare e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve. Frashëri i ngjan një kështjelle natyrore. Ai shtrihet në zemrën e Dangëllisë, mbushur me pyje të dendura, qafa të vështira, lugina dhe shpella të frikshme.

Në kohën kur lindi Abdyli, dy familjet kryesore të fshatit ndërtuan sarajet e veta. Samiu shkruan se bejlerët e Frashërit kishin katërgjysh të përbashkët. Familja e Abdylit buronte nga fisi i Dukollarëve, dy djemtë e së cilës ishin Halili dhe Dyrmishi. Fisi i Dukollarëve, kur u grindën me Ali pashën, nuk u arratisën si të tjerët, por u vendosën në Janinë ku lindën Halidi dhe Dyrmishi. Abdyli ishte fëmija i parë i cili në aktet zyrtare mbante emrin e plotë Abdullah Hyseni, ndërsa në fshat dhe në familje e thërrisnin me emrin Dule. Në ato vite familja e Halidit, babait të Abdylit, sa vinte dhe keqësohej. Rënia ekonomike e detyroi Halidin të merrej me tregti, ndërsa fëmijët i drejtoi drejt shkollimit. Edhe Emineja, e ëma e Abdylit, vinte nga një familje qytetare korçare, që ia dinte vlerat arsimimit.

Mësimet e para Abdyl Frashëri i mori në Frashër. Sami Frashëri shkruan se shkolla e këtij fshati i ka rrënjët e saj që nga fillimi i shekullit XVIIl, kur bejlerët e vendit mbanin halimë (mësues) të posaçëm pranë oborrit të tyre, të cilët u mësonin fëmijëve të tyre gjuhën zyrtare të Perandorisë dhe njohuritë fillestare osmane.

Kur lindi Abdyli, vendin e shkollimit osman e kishin zënë shkollat fillore të rregullta, një për myslimanët dhe tjetra për të krishterët. Ato, krahas mësimeve fetare përkatëse, u jepnin njohuritë fillestare për aritmetikën, historisë dhe letërsinë. Në shkollën e fshatit Abdyli mori vetëm mësimet e para.

Frashëri, në këto vite, ishte një Shqipëri e vogël tipike, në miniaturë. Që në atë kohë, në Frashër flitej një gjuhë e pastër shqipe. Aty gjallonin traditat kulturore, zakonet, ritet dhe kultet fetare. Shkolla e parë e Abdylit u bë teqeja e Baba Alushit. Halidi mësimin e fëmijëve ia besoi atij. Megjithatë, Abdyli nuk u bë thellësisht bektashian si Naimi. Atij më shumë i pëlqente thelbi atdhetar dhe përbashkues i bektashizmit.

Edhe kur Abdyli nuk ishte më shumë se 8-9 vjeç, e ndjente aromën e hidhur të shtypjes dhe erën e barutit të luftërave. Kur ai u bë 15 vjeç, i ati i tij, Halidi, shkoi në Tesali ku mori me vete edhe djalin e tij të madh, Abdylin. Por, për shkak të një grindjeje të tij me turqit në frontin e luftimit, rikthehet përsëri në Frashër, bashkë me djalin e vet. Tre vite më vonë, Halidi, bashkë me Abdylin tashmë 18-vjeçar, nisen për në Janinë për të hapur një kapitull të ri në jetën e tyre. Atje, ai u regjistrua në Gjimnazin “Zosimea”, që do t’i shërbente formimit të tij politik, moral dhe kulturor. Për Sami Frashërin, Abdyli ishte një autodidakt i rrallë.

Me përpjekjet e tij vetjake, ai kishte mësuar disa gjuhë të huaja, si greqishten, turqishten, frëngjishten, arabishten etj. Kur i vdiq i ati, Halidi, ai mori nën kujdestari të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij më të vogla. Por, vdekja e së ëmës, Eminesë, ia shtoi më tepër barrën e përgjegjësisë. Në Janinë, ai do të martohej me Ballkëzen, një vajzë nga Frashëri, e cila në këtë kohë jetonte me të atin, një ushtarak i karrierës në Janinë. Vdekjet e njëpasnjëshme, në fillim vdekja e vëllait të tij, Tahsinit, dhe më pas e djalit të parë dhe të dytë, e ligështuan shumë. Por, dhimbjet e tij familjare nuk patën fund. Nga pesë djem dhe dy vajza që atij i lindën, i mbetën vetëm djali i parë, Mit’hati, dhe vajza e vetme, Emineja. Megjithatë, Abdyli nuk u thye kurrë. Forca dhe idealet e tij buronin përtej kontureve familjare. Atdhetaria e tij kishte dimensionet e Shqipërisë së pavarur e të lirë. Për këtë ideal punoi dhe luftoi një jetë të tërë. Ishte ai që e ideoi dhe frymëzoi deri ditën e fundit të jetës Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ishte po ai që e ideoi dhe e udhëhoqi revolucionin e armatosur të shqiptarëve për autonominë e Shqipërisë.

Abdyl Frashëri dhe lufta e tij për autonominë e Shqipërisë

Pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit i duhej të bënte një punë të madhe për autonominë e vendit tonë. Zëri i Lidhjes nuk mund të dëgjohej, nëse ajo nuk kërkonte hapur krijimin e formacionit shtetëror shqiptar. Ishte koha kur Fuqitë e Mëdha nuk dëshironin shembjen e Perandorisë Osmane. Ata ishin kundër krijimit të një shteti shqiptar të pavarur, madje as për krijimin e një Shqipërie autonome. Në këto kushte të vështira, shkruan Kristo Frashëri, Abdylit dhe shokëve të tij nuk i mbetej gjë tjetër veçse të luftonin për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, me disa të drejta autonomiste administrative e kulturore, të cilat do t’i jepnin asaj statusin e një formacioni politik autonom, brenda Perandorisë Osmane. E reja që sillte Abdyli me këtë ide ishte krijimi i një vilajeti të vetëm shqiptar, i cili nënkuptonte bashkimin dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare. Zëdhënësi kryesor i lëvizjes autonomiste u bë Abdyl Frashëri.

Ishte ai që përgatiti parashtresën politike, në emër të Lidhjes Shqiptare, drejtuar kryeministrisë osmane më 27 gusht të vitit 1879, ku shprehej hapur se “kombi shqiptar nuk mund të rrinte i qetë përballë shtypjes së egër, sepse prej saj varej edhe jeta edhe vdekja e shqiptarëve”. Ishte koha kur lakenjtë grekomanë synonin të aneksonin të ashtuquajturin Voiro-Epir, kufijtë e të cilit ata i shtrinin deri në brigjet e lumit Shkumbin. Kurse Abdyli, në ballë të shqiptarëve, ishte i vendosur të mos lejonte gllabërimin e asnjë pëllëmbe të trojeve shqiptare. Parashtresa e dytë, drejtuar sulltanit, ishte ajo e 17 korrikut të vitit 1879 përmes së cilës kërkon të bind Portën e Lartë se shqiptarët e kanë duruar provokimin e Perandorisë, vetëm se nuk kanë dashur gjakderdhje. Për Abdyl Frashërin, Porta e Lartë nuk duhet të lejonte synimet grabitqare të fqinjëve shovinistë. Në parashtresën e tretë, ai hedh idenë e bashkimit të shqiptarëve në një vilajet të vetëm. Të kundërtën kishte kërkuar Porta e Lartë. Ajo synonte bashkimin e 11 vilajeteve të Perandorisë në një sanxhak të përbashkët, të cilin do ta quante Sanxhaku i Ballkanit Perëndimor.

Ky bashkim djallëzor do të shkaktonte një zemërim të madh tek shqiptarët. Në fund të shtatorit 1880, Abdyli ndodhet në Stamboll. Prej këtej, me kërkesën e Lidhjes ai niset për në Shqipëri drejt Prizrenit, Gjakovës, Lumës e Dibrës. La Stambiollin për të njohur gjendjen dramatike të shqiptarëve dhe ofensivën e Malit të Zi për të pushtuar Plavën dhe Gucinë, të cilat përfunduan me fitoren e armëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kohë vorio-epiristët dhe knjazët malazias i kërkonin Portës së Lartë zbatimin e Traktatit të Berlinit. Por, Lidhja Shqiptare e Prizrenit i detyroi malaziasit të tërhiqen nga Plava dhe Gucia. Ministri i jashtëm grek deklaronte se pas kësaj lufte qëndronte Abdyl Frashëri. Pajisja e Lidhjes Shqiptare me ushtri të rregullt, e alarmoi Stambollin. Në këto rrethana Porta e Lartë shtoi vendosmërinë për vendosjen e autoritetit të saj mbi Shqipërinë. Por, kur Porta e Lartë forcoi egërsinë, rezistenca shqiptare u kthye në një revolucion të armatosur në pjesën më të madhe të Kosovës. Në këtë revolucion u përfshi edhe vilajeti i Shkodrës, i Janinës dhe i Manastirit. Rrezja e luftimeve u shtri deri tek shqiptarët e Stambollit.

Qeveria osmane, e ndodhur përballë rezistencës së armatosur të shqiptarëve, nisi të sprapsej. Kryeministri turk, Said Pasha, e kuptonte që krijimi i një vilajeti shqiptar do të sillte një autonomi të plotë të Shqipërisë. Prandaj, mendoi të krijonte një bashkësi tjetër djallëzore, që do ta quante “Elajet i Rumelisë” i cili do të komandohej nga mareshalli Ahmet Ejup Pasha, i cili do të nisej menjëherë në Shqipëri për të ulur tensionin e rebelimit të shqiptarëve ndaj Perandorisë. Abdyl Frashëri, duke kuptuar synimin djallëzor të këtij bashkimi turkoshak, e kundërshtoi menjëherë, sepse qëllimi ishte moslejimi i krijimit të një vilajeti autonom shqiptar. Në këtë kohë, ai nisi punën për bindjen e shqiptarëve se krijimi i shtetit shqiptar do të kalonte vetëm përmes një vilajeti autonom shqiptar. Prandaj, ai i propozoi qeverisë turke që të paktën “Elajetin” e propozuar prej tyre ta drejtonte Ahmet Muhar pasha, i cili ishte zotuar fshehurazi se do ta ndihmonte Shqipërinë për bashkimin e saj. Ndërsa, më 21 maj të vitit 1880, në mbledhjen me shqiptarët e vilajetit të Janinës, u zotua se do të kërkonte me forcë njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Pas kësaj mbledhjeje, ai shkoi në Frashër ku erdhën të gjithë patriotët dhe luftëtarët e Jugut, të cilët u betuan se në frontin e luftës për Shqipërinë do të bashkoheshin 1500 luftëtarë.

Në këtë kuvend, Abdyl Frashëri do të shprehej për herë të parë fuqishëm për krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare, e cila do të merrte në dorë fatet e jetës politike dhe do të vihej në krye të një lufte të armatosur kundër Portës së Lartë. Këtë ide thelbësore të çështjes shqiptare Abdyl Frashëri do ta bënte të njohur për luftëtarët shqiptarë edhe në Gjirokastër e Janinë. Kur ai shkoi në Janinë, Konferenca e Berlinit kishte vendosur copëtimin e Shqipërisë, vendim që e kishte firmosur nipi i Ali Tepelenës, Hajredin Pasha. Por, shqiptarët, me në ballë Abdyl Frashërin, u shprehën njëzëri: “Më mirë të vdesim të gjithë, sesa të pranojmë copëtimin”.

Abdyl Frashëri nuk hiqte dorë nga krijimi i qeverisë së përkohshme shqiptare. Në këto kushte, si vendin më të përshtatshëm për zhvillimin e Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës, Abdyli zgjodhi Margëlliçin e Çamërisë, ku burra e gra u betuan se do të luftonin me dogra në dorë, nën komandën e luftëtarit Jakup Çapari. Në këtë kohë, fatkeqësisht, kishte triumfuar ideja austro-hungareze që në vend të një vilajeti të vetëm autonom shqiptar, të krijohej një “krahinë autonome katolike”. Kuvendi i Gjirokastrës jo vetëm që e hodhi poshtë këtë propozim djallëzor, por vendosi që edhe aneksimin e Ulqinit nga malaziasit ta kundërshtonte me armë.

Qeveria e Përkohshme e formuar nga Abdyl Frashëri do të kishte dhe një Kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, një administratë shqiptare dhe ushtrinë e saj të armatosur. Në kushtetutë vërtet do të sigurohej sovraniteti i sulltanit, por ai do të kufizohej shumë.

Ishte koha kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe lëvizja e armatosur do të lidhej ngushtë me emrin e Abdyl Frashërit. Ai tashmë njihej edhe si shpirti kryengritës i shqiptarëve. Në këto kushte, Porta e Lartë, e ndodhur para presionit të luftëtarëve shqiptarë, vendosi të përdorë dhunën për aneksimin me forcë të Ulqinit. Kjo dhunë i pezmatoi luftëtarët shqiptarë. Ishte koha kur edhe forcat e errëta çifligaro-reshpere shqiptare kishin minuar nga brenda aksionin e armatosur të Abdyl Frashërit. Në këto kushte të vështira, ai thirri në Dibër, më 20 tetor 1880, Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare. Tashmë, kishte marrë fuqinë e udhëheqësit të revolucionit çlirimtar shqiptar, në luftë kundër pushtuesve ballkanikë dhe Portës së Lartë.

Burgosja dhe izolimi i plotë i Abdyl Frashërit, si udhëheqës i revolucionit shqiptar

Lidhja Shqiptare e Prizrenit e mbylli veprimtarinë e saj, ditët e fundit të vitit 1881, pikërisht kur Abdyl Frashëri, ideatori dhe frymëzuesi i saj, kishte rënë në kurthin e arrestit në kasollen e lundërtarit të Buqsit. Në këtë ditë të zezë për shqiptarët, shkruan historiani i madh Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbylli historinë e saj të lavdishme trevjeçare. Qeveria e Përkohshme Shqiptare, e krijuar dhe drejtuar nga Abdyli, nuk i bëri dot ballë ushtrisë osmane. Kryengritja shqiptare, e izoluar në Kosovë, e minuar nga reaksioni i brendshëm dhe e bllokuar nga jashtë, ishte kthyer në dramë. Frashëri u arrestua vetëm një javë më pas, nga dita kur revolucionit popullor të shqiptarëve i pati ardhur ora fatale. Porta e Lartë kishte vendosur ta shuante sa më parë idenë e autonomisë shqiptare. Gjenerali Dervish Pasha kish nisur ta shtrinte dhunën barbare në katër vilajete. Të gjithë autonomistët i arrestoi dhe i syrgjynosi larg. Lajmi i arrestimit të Abdyl Frashërit u përhap rrufeshëm kudo.

Ai u mbajt mbyllur në bodrumet e Kalasë së Prizrenit. Abdyli u gjykua nga një gjyq special, i organizuar nga Dervish Pasha. Ai akuzohej si armik i Perandorisë Osmane, i cili synonte cenimin territorial të saj. Akuzohej edhe si agjent i të huajve. Dervish Pasha kishte përgatitur edhe dëshmitarë të rremë për ta akuzuar, se ai paskësh detyruar shqiptarët të marrin pjesë në luftë për mbrojtjen e trojeve të veta. Por, ishin të shumtë luftëtarët të cilët në gjyq deklaruan hapur se në luftë kishin shkuar me ndërgjegje të plotë, për t’i shërbyer Atdheut. Megjithatë, Abdyl Frashërin gjyqi e dënoi me vdekje, duke e quajtur atë udhëheqësin kryesor të revolucionit popullor për bashkimin e shqiptarëve në një vilajet të vetëm. Për shkak të frikës që osmanët ndjenin nga popullariteti që Abdyl Frashëri gëzonte tek shqiptarët, Porta e Lartë nuk e miratoi dënimin kapital të tij, duke e kthyer atë në dënim të përjetshëm. Dënimin Abdyli e vuajti në burgun famëkeq të Prizrenit, nga 10 maji i vitit 1881 e deri më 31 maj të vitit 1884. Jeta në këtë burg ishte një skëterrë, përherë në pranga, në lagështirë të madhe dhe plotësisht i izoluar.

Aty ai shkroi edhe kujtimet e tij, që bien erë dhimbjeje dhe trishtimi. Situata e nderë që po kalonte Perandoria Osmane në këtë periudhë, e detyroi të bënte një amnisti për pjesëmarrësit e shqiptarëve në Lidhjen Shqiptare, por fatkeqësisht emri i Abdyl Frashërit përjashtohej nga kjo amnisti. Me kërkesën këmbëngulëse të bashkëshortes së tij, Ballkëzes, drejtuar sulltanit Abdyl, Frashëri me urdhër të këtij të fundit internohet bashkë më shoqen larg atdheut, në Anadoll, pa pasur të drejtë që të shkel në Rumeli. Më 31 maj të vitit 1884, Abdyli, së bashku me Ballkëzen, u nisën drejt Vilajetit të Marmarasë, në pjesën verilindore të Azisë së Vogël. Pas tri vitesh, me interesimin e disa shokëve dhe miqve të tij, ai falet, por me kusht që të qëndronte i izoluar në Stamboll dhe të mos merrej më me politikë. Aty ai jetoi gjashtë vjet, por shëndeti i tij, fatkeqësisht, sa vinte dhe përkeqësohej. Në vitin 1887, me ndihmën e miqve dhe të shokëve të tij, Abdyli u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak në një nga lagjet e Stambollit, ku u bë e mundur të merrte një rrogë për të përballuar shpenzimet familjare dhe të shëndetit. Ishte koha kur ai, edhe pse ishte shumë i sëmurë, kishte rinisur të hartonte disa memorandume, si ai drejtuar Françesko Krispit i cili në këtë kohë ishte bërë kryeministër i Italisë. Në këtë memorandum ia kujton atij gjakun shqiptar që i lëvrinte në kapilarë dhe përgjegjësinë që duhet të ndjente për të ndihmuar Shqipërinë, sepse, siç thekson ai në këtë memorandum: “Shqipëria e meritonte pavarësinë më shumë se çdo komb tjetër ballkanik”.

Abdyl Frashëri, edhe kur ndodhej i sëmurë, në shtratin e vdekjes, kishte bindjen se Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk do të shuhej kurrë. Synimi saj final ishte Pavarësia e Shqipërisë. Prandaj, kancelarive evropiane u drejtohej me këto fjalë: “Çështja e Lindjes nuk mund të zgjidhet kurrë, nëse Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë. Shqiptarët janë betuar solemnisht: ‘Më mirë të vdesim të gjithë, se sa ta lëmë Atdheun në duart e pushtuesve’”.

Abdyl Frashërin nuk e trembën as burgimet e as internimet e izolimet më të largëta. Ishte sëmundja e rëndë, shkruan Sami Frashëri, që e dërmoi jetën e Abdyl Frashërit. Kandili i tij u shua më 23 tetor të vitit 1892, në Stamboll, në moshën 53-vjeçare, kur ende kishte shumë për të bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ja ç’thotë, mes të tjerash, Sami Frashëri për vëllanë e tij të madh, Abdylin: “Abdyli kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Ai shquhej për zellin e madh në punë dhe në luftë. Tërë jetën luftoi për të mirën e atdheut dhe të shqiptarëve. Ishte i lidhur ngushtë me familjen dhe miqtë e shokët e vet. Vdiq duke na dhënë këshilla të urta dhe duke na ushqyer me fjalë burrash”.

Abdyl Frashëri u varros me nderime në një lagje të Stambollit. Sot ai prehet në trojet e Atdheut të tij të shtrenjtë, për të cilit ai punoi e luftoi tërë jetën. Ndaj mban dhe titullin e lartë “Hero i Popullit”. Vepra e tij ishte dhe mbeti e madhe, sa dhe madhështia e emrit të tij. Ka pasur, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj që shembullin heroik të Abdyl Frashërit në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, herë e kanë quajtur utopi dhe herë marrëzi. Historia ka fiksuar faktin se, kur Abdyl Frashëri ndodhej i shoqëruar nga xhandarët, i lidhur me pranga, u ndesh me një konsull të huaj me të cilin më parë kishte bërë debate rreth dobisë së luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për ta trembur e ironizuar, ky konsull i drejton atij këtë pyetje cinike: “Çfarë bëre me idetë e tua”!? Ndërsa, Abdyl Frashëri me zgjuarsi dhe pa iu trembur syri ia ktheu: “Si mund t’i thuash bujkut çfarë bëre, kur mbjell farën në arë. Sot fara nuk duket, por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria do të bëhet”!

admin admin

Recent Posts

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

5 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

6 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

6 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

7 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

7 hours ago