Nga: Dieter Reinisch, historian / RTÉ
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com
Janari i vitit 1973 ishte muaj i mbushur me ngjarje. Në atë muaj, Britania e Madhe dhe Irlanda iu bashkuan Komuniteti Ekonomik Evropian. Po atë muaj, paraushtarakët luajalë [Ulster loyalism] e çuan konfliktin verior nëpër rrugët e Dublinit.
Një ditë, në vitin 1973, fotografi Colman Doyle kaloi pranë rrugës Agnes në Belfast të Irlandës së Veriut – pasi u nis të shkonte drejt qendrës së qytetit: “Dëgjova dikë duke shtënë dhe më pas e pashë këtë grua. Ishte duke qëndruar në një qosh, ende duke e mbajtur atë armë, por ia dola ta bëjë foton pasi ajo ka shtënë”.
Në një bisedë me autorin e RTÉ Brainstorm, Doyle këmbënguli se nuk e mban mend rrugën ku është realizuar fotoja, as datën e saktë, por pretendon se “nuk është e inskenuar”. Fotoja shfaq një grua me flokë të gjata, me një fustan me pika dhe që mban një pushkë.
Doyle, i cili nga gazetari i artit Liam Flynn është përshkruar si “doajen i fotozhurnalizmit në Irlandë”, ka punuar për The Irish Press. Një dekadë të karrierës e kaloi në Irlandën e Veriut, duke shkrepur, mes fotove të tjera, pamjet e parashutistëve britanikë që gjuanin kundër protestuesve të paarmatosur në Të dielën e përgjakshme.
“Ia ofrova foton shtypit irlandez”, kujton Doyle, “por redaktorët refuzuan ta shtypnin në gazetë. E konsideruan si të papërshtatshme foton që shfaqte një grua me armë”. Në fund të fundit, këto ishin vitet 1970. Një version përfundimisht u shtyp në librin e Colmanit të vitit 2004, All Changed: 50 of Photographing Ireland – në faqen 81 me titullin: “Një grua vullnetare e IRA-s në Belfastin Perëndimor, në shërbim aktiv me pushkën AR18”.
Doyle pohon se fotografia mbeti në arkivat e Irish Press-it. Kur shtypi i gazetës u ndërpre më 25 maj 1995, ndërtesa kryesore për një muaj mbeti e hapur dhe “njerëzit hynin e dilnin”. Ai beson se dikush e ka marrë kontrollin mbi negativët dhe se i ka çuar diku. Megjithatë, fotografia ka plot dy dekada që në forma të ndryshme ka qarkulluar.
Imazhi u spikat në propagandën e IRA-s Provizore [Provisional Irish Republican Army]. Sipas historianit John O’Neill, autor i Belfast Battalion: A History of the Belfast IRA, “ekziston një grup i atyre imazheve që përfshijnë të njëjtat figura të grave në skenarë të ndryshëm”, duke sugjeruar se ishte shkrepje propagande.
Një republikane nga Belfasti, e cila ishte aktive gjatë asaj kohe në vitet 1970, tha se “nëse do të kryhej një operacion, do të ishin të tjerët që do ta mbronin sulmuesin dhe se asnjë i huaj nuk do të lejohej të bënte foto. Kamera e tij do të konfiskohej, po të provonte”.
Doyle pranon lidhjet e tij të ngushta me IRA-në Provizore: “Kam marrë leje nga Martin Meehani për të bërë foto të anëtarëve të IRA-s. Gruaja në foto ishte anëtare e njësisë në Ardoyne; ajo gjithashtu u shfaq në foto të tjera të njësisë së Meehanit”. Meehan ishte lider i IRA-së Provizore në zonën Ardoyne, i cili vdiq në nëntor 2007. “Kisha leje t’i bëja këto foto nga Martin Meehani, por shtypi irlandez më tha se nuk duhej të bëja foto propagandistike”, thekson Doyle.
Doyle ishte i afërt me IRA-n Provizore. Në fillim të viteve 1970, ishte dukuri e zakonshme shfrytëzimi i gazetarëve dhe studiuesve nga IRA, ndërsa fotot shërbenin për të tërhequr gratë duke i portretizuar si luftëtare të barabarta me burrat.
Cilado qoftë origjina, fotografia që shfaq një grua me fustan të gjelbër e me pika të bardha, u bë një nga fotot më ikonike propagandistike të kohës trazirave dhe është shfaqur në gazeta, kalendarë, fanelle … Muajt e fundit, imazhi u trajtua në Reddit, Facebook dhe Snopes … (në rrjetin Facebook, edhe në gjuhën shqipe jepet ky version i rrejshëm për historinë e fotografisë: Kjo fotografi është bërë në Irlandë në vitin 1972, dhe tregon një vajzë duke qëlluar me armën e të dashurit të saj, i cili u plagos në një betejë kundër ushtrisë britanike. Burri mbijetoi, u transportua në një vend të sigurt, falë sakrificës së të dashurës së tij, e cila u përball me ushtarët anglezë derisa ajo u vra. Kur komandanti i batalionit britanik zbuloi se ai kishte luftuar me një grua, ai urdhëroi ushtarët e tij të mos preknin trupin e saj dhe i lejoi irlandezët ta varrosnin. Thuhet se kanë dëgjuar komandantin anglez të thërrasë: ‘Mbretëresha nuk kujdeset për ne, siç kujdesej kjo grua për burrin dhe tokën e saj’. Fotoja u zgjodh si simbol për Ditën e Gruas në Irlandën e Veriut, e shoqëruar me këtë frazë: “Mos kini frikë të lidheni me një grua të fortë. Mund të vijë dita kur ajo do të jetë ushtria juaj e vetme” – shën. i përkth.)
Historia e vërtetë nuk do të tregohet derisa gruaja në foto të dalë përpara, gjë që nuk dëshiron ta bëjë – kjo sipas një miku të familjes së saj që foli me autorin e fotografisë. Tani në të 70-at e saj, gruaja jeton në Belfast dhe ka marrë pjesë në zbulimin e muralit që përshkruan foton e bërë nga Doyle. “Do të doja ta takoja edhe një herë”, thotë ai. /Telegrafi/
Kafja është një nga produktet më të dashura për njerëzit në mëngjes. Sipas…
Sipas ekspertëve, konsumimi i rregullt i tërshërës ndihmon në uljen e kolesterolit, kontrollin…
Shumë njerëz nuk mund ta nisin ditën pa kafe. Ajo thuhet se rrit…
Dhimbja e kokës kur ekspozohesh ndaj diellit të fortë të muajve të verës…
Personat që vuajnë nga diabeti duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë ushqimeve që…
Personat që konsumojnë rregullisht sasi të mëdha të mishit të kuq mund të…