Ibrahim Rugova
Diskutim në takimin e shkrimtarëve serbë dhe kosovarë për temën: “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”
“Në bazë të rezultateve shkencore, të pranuara sot edhe nga shkencat evropiane, dihet se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve antikë.”
Këta shtatë vjetët e fundit janë krijuar disa etiketa të hekurta, të cilat shërbejnë si mekanizëm i një strategjie të fshehtë negative, siç janë: nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar, separatizmi shqiptar, kundërrevolucioni, gjenocidi, fashistizim, albanofobia, albanizmi, heshtja e inteligjencës shqiptare, arbitrariteti, paligjshmëria, shpërthimi i lindjeve dhe plot e përplot të tjera. Në anën tjetër, krahas këtyre etiketave, përdoren termat si shpërngulja e serbëve dhe malazezëve, drama kosovare, tragjedia kosovare, eksodi serb, dhunimet, zjarret, zullumet dhe të tjera. Këta terma bëhen etiketa të reja edhe më të fuqishme.
Nëse e shikojmë me kujdes këtë sistem të etiketave, mund të vërejmë se fjala është për të njëjtin problem, pra, për strategjinë antishqiptare, të cilën po e udhëheqin prej 7 vjetësh një pjesë e shtypit, mandej institucionet e kulturës e të shkencës dhe shoqata të tjera të Beogradit. Në sistemin e parë të etiketave prin slogani nacionalizëm apo separatizëm shqiptar, ndërsa në të dytin slogani shpërngulja e serbëve dhe e malazezëve, të cilat mbulojnë gjithë situatën në Kosovë. Me sistemin e parë të etiketimeve sulmohet direkt populli shqiptar, kurse me të dytin – në emër të viktimës dhe mbrojtjes së saj, akuzohet dhe sulmohet gjithashtu i njëjti popull. Sidoqoftë, të dy sistemet e etiketave kanë të njëjtin qëllim. Kjo strategji antishqiptare e borgjezisë serbe të fundit të shekullit të kaluar dhe të fillimit të këtij shekulli është pasuruar në kushtet e reja. Tani ajo mbështetet edhe në konceptet e socializmit shtetëror dhe deformimet e sigurimit të shtetit të dënuara më parë. Pra, kemi gjallërimin e logjikës së UDB-së të viteve ‘50 dhe 60-të ndaj shqiptarëve.
Nga kjo strategji e fshehur negative, në planin historik dhe aktual, por veçojmë vetëm disa momente, të cilat po shmangin thelbin e së sotmes. Në aspektin historik deri në maksimum janë shfrytëzuar shkenca borgjeze serbe, duke lansuar tezën se shqiptarët nuk kanë historinë e tyre, duke diskualifikuar origjinën e tyre, dhe këto shërbejnë për mohimin e shqiptarëve si popull në kuadrin evropian. Kështu, shqiptarëve u mohohet edhe e drejta për të sotmen.
Në bazë të rezultateve shkencore, të pranuara sot edhe nga shkencat evropiane, dihet se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve antikë. Kjo do të thotë se populli shqiptar është fqinji më i vjetër i grekëve dhe i romakëve të vjetër, me të cilët edhe sot jeton në fqinjësi . Elementi iliro-shqiptar ishte dhe mbeti nëpër shekuj edhe në Kosovë. Këto janë fakte shkencore, të cilat dikush dëshiron t’i politizojë në emër të luftës kundër nacionalizimit shqiptar, që në të vërtetë është luftë kundër popullit shqiptar. Gjatë gjithë mesjetës shqiptarët qenë element i rëndësishëm në Kosovë, gjë që vërtetohet nga të gjitha burimet dhe studimet shkencore. Po përmendim vetëm një të dhënë: shkrimtari i vjetër shqiptar; nga rrethina e Prizrenit, Pjetër Bogdani, në parathënien e librit të tij “Çeta e profetëve” (1685), shkruan se librin e tij ia kushton popullit të vet, i cili në Kosovë është shumicë dhe flet gjuhën shqipe.
(…) Strategjia negative antishqiptare mund ta shohim edhe më mirë në çështjet aktuale… Në prag të çlirimit, kur shumica ishin të bindur se do të dalë fitimtare shoqëria dhe bota e re, siç flitej atëherë, ndodhën ndërlikime të tjera që i shkaktuan organet e Sigurimet Shtetërore. Për t’i mbajtur shqiptarët përgjithmonë nën mbikëqyrje, ato filluan të zbatojnë strategjinë e paraluftës kundër tyre. Kjo strategji kulmin e arriti me grumbullimin e armëve, gjatë të cilit pati edhe raste vdekjesh dhe e pasuan mbi 60.000 shqiptarë. Në atë periudhë u akuzua edhe teza që shqiptarët të shpërnguleshin në Turqi. Në këtë rast u shfrytëzua edhe Konventa ballkanike mes Jugosllavisë dhe Turqisë dhe shteteve të tjera ballkanike për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Sipas statistikave jo të plota, u shpërngulën mbi 300.000 shqiptarë. Filloi edhe fushata kundër inteligjencës shqiptare. Këtyre tezave iu shtua edhe teza tjetër mbi prapambetjen ekonomike të Kosovës, si premisë për presion ekonomik mbi shqiptarët që ta braktisin Kosovën, pra, si një ndër format më të padëgjuara, përmes së cilës dëshirohej të hiqnin qafe elementin shqiptar.
Pas vitit 1966, kur u demaskua disi kjo strategji e fshehur e Sigurimit të Shtetit, serbët dhe malazezët, të cilët dikur bënin ligjin, nuk deshën të hyjnë në rrjedhat e reja të zhvillimit, sepse kishin humbur privilegjet e reja të zhvillimit, sepse kishin humbur privilegjet. Ata nuk i pranojnë situatat e reja. Si kundërpeshë u ringjall propaganda e udbashëve të rënë me fushatën që të ndalohet emigrimi i serbëve dhe malazezëve nën etikën shpërngulje dhe kjo u shndërrua në një çështje të përgjithshme shtetërore. Kjo propagandë ishte njëra anë e strategjisë së fshehtë antishqiptare…
Opinioni jugosllav edhe njerëzit me përgjegjësi duhet ta kuptojnë një herët e mirë se kështu nuk mund të veprohet ndaj një populli.
“Antialbanska strategia”, “NIN”, Beograd 8. 5. 1988
Përgatiti: Sylë Ukshini
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…