Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1929?
Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, më 1929 quhet Mbretëria e Jugosllavisë. Kushtetuta shfuqizohet dhe vendi futet në diktaturë – nën sundimin autokratik të mbretit Aleksandri i I-rë. Këtë vit Kosova ndahet në mes të Banovisë së Zetës me qendër Cetinjën, Banovinës së Vardarit me qendër Shkupin, si dhe Banovinës së Moravës me qendër Nishin. Se cila ishte gjendja e tyre, kjo ilustrohet me deklaratën që Fan Noli e ka dhënë më 1929 në mujoren franceze “Le Cris des Peuples”:
“Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës, të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia. Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta… Sa për banorët, ata ekzekutohen me mitraloz ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vendin pushtuesve fashistë serbë. Në këtë lloj mënyre serbizohen sistematikisht të gjitha rajonet shqiptare et sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro-jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra të pafatë janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit në këtë mënyrë çdo vit. Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv. Kështu, kohët e fundit… Unë kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, atje tani ka vetëm 700 mijë! Mos vallë i kanë hequr qafe 300 mijë? Dhe, sa kohë do u duhet për të eliminuar ata që kanë mbetur ? Ata (jugosllavët) do të veprojnë shpejt kësaj here dhe pa formalitete të panevojshme… Në mes të Evropës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por, tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte e vështirë të ishe human, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jemi aq mizor…”
Reklama
Në vitin 1929, Kosovën e viziton etnologu dhe fotografi austriak Hugo Adolf Bernatzik. Por, më shumë do të mbahet mend për vizitën e tij të radhës në Shqipëri dhe për koleksionin e fotografive që bëri atë vit. Nga kjo vizitë që do të zgjasë dy muaj, dalin dy libra: “Riesenpelikane und ihre Kinder” (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijët e tyre, Vjenë 1930 – një album i vogël për pelikanët e kënetës së Maliqit) dhe “Europas vergessenes Land” (Shteti i harruar i Evropës, Vjenë 1930). Në ato foto shihen shqiptarët tradicionalë, por Bernatzik vëren se me mbretin Ahmet Zogu po ndodhë “rënia e kulturës popullore” dhe se “një pjesë e madhe kostumeve kombëtare dhe e shtëpive muzeale janë zhdukur”. Bernatzik – që kishte shprehur interesim për Shqipërinë që nga viti 1914 – synonte që në Perëndim ta dërgonte një imazh pozitiv për shqiptarët, duke kundërshtuar pretendimet se është një vend plot hajdutë e me rreziqe, dhe se udhëhiqet nga një mbret operetash.
Reklama
Nën Ahmet Zogun, Shqipëria nis të marrë pak erë shteti. Madje, siç ka raportuar më 1929 ditorja frënge “Journal des débats”, Zogu kishte kërkuar që zyrtarët e paaftë të zëvendësohen me ata kompetentë. Por, zhvillimi ishte larg e kjo vështirë se mund të arrihej kur pushteti i tij karakterizohej nga nepotizmi. Në një reportazh për Shqipërinë të botuar më 1968 në ditoren suedeze “Svenska Dagbladet”, gazetari që kishte vizituar disa herë Shqipërinë në kohën e Zogut, ka shkruar: “Pozitat e larta zakonisht ishin të zëna me farefis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mirëmbrojtur. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare me monarkun si drejtor ekzekutiv, anëtarët e familjes si kryesi dhe fisi si aksionarë”. Se sa e varfër dhe e prapambetur ishte atë kohë Shqipëria, dëshmi janë edhe fotot e bëra nga Bernatzik,
Nga Lufta e Parë Botërore, ShBA-ja del si fuqi ushtarake dhe ekonomike. Zhvillimi bëhet më i madh fal përparimit teknologjik. Kjo dëshmohet me faktin se veç ky shtet mundte të prodhonte 15 milionë vetura në vit. Ndikimi amerikan rritet dhe produktet e tyre përhapen me të madhe nëpër botë, ndërkaq kreditë e luftës që i paguanin aleatët evropianë ishin burim tjetër i sigurisë ekonomike. Kështu, vitet 1920 nisën të quhen si vite të arta, ndërkaq presidenti Herbert Hoover ishte optimist se do ta mundte përgjithmonë varfërinë. Kjo paqe ekonomike nxit dëshirën e njerëzve për t’u pasuruar më shumë, duke investuar në bursë. Ky interesim bëhej më i madh kur brenda pak viteve aksionet rriten në mbi 400 për qind. Siç do të shprehet më vonë ekonomisti James K. Galbraith, në ShBA mbizotëronte bindja se “Zoti po i jep pasuri shtresës së mesme”. Ndaj, krijohen fondet e investimeve që blejnë aksionet, bile edhe të kompanive që punonin me humbje. Shumica ato i blinin me kredi. Por… kjo eufori masive bëri që në tetor të çrregullohet indeksi industrial Dow Jones: aksionet bien në mënyrë enorme, e disa humbin fare vlerën. Kjo do të njihet më vonë si Shembja e Bursës (The Wall Street Crash), ku “fluturojnë” 30 miliardë dollarë amerikanë (shumë kjo 10 herë më e madhe se buxheti i atëhershëm i qeverisë federale). Miliona njerëz mbesin pa punë, miliona të tjerë humbin pasurinë, e miliona të tjerë detyrohen të jetojnë me paga të vogla. Pas kësaj krize, investuesit tërheqin paratë nga bankat në Gjermani e Britani të Madhe. Në krizë do të futen edhe Franca, Italia, India, Japonia, Amerika Latine, Afrika e Jugut, BRSS… Me një fjalë, bota u fut në atë që do të njihet më vonë si Kriza e Madhe Ekonomike – apo viteve të fundit si Depresioni i Madh.
Reklama
Më 1929 lindën regjisorët Sergio Leone dhe Alejandro Jodorowsky; aktoret Aundrey Hepburn dhe Grace Kelly; filozofi Jean Baudrillard; lideri i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yasser Arafat… Më 1929 lindi fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Martin Luther King Jr., ndërsa fituesja tjetër e Nobelit, shqiptarja Agnes Gonxha Bojaxhiu, arrin në Kalkutë ku më vonë do të njihet si Nëna Tereze. Më 1929 lindi Anne Frank, autorja e ditarit mbase më të famshëm në botë. Ndërkaq, të njëjtin vit vdes një nga legjendat më të mëdha të Perëndimit të Egër amerikan, aventurieri dhe sherifi Wyatt Earp, si dhe dy prej emrave më të mëdhenj të industrisë automobilistike, Karl Benz dhe Wilhelm Maybach. /Telegrafi/
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…