Thënie të Mid’hat Frashërit, nxjerrë nga letërkëmbimi i tij: Shqiptarizma a s‘është sinonim me kultin, me adhurimin e Shqipërisë, me naltësimin e çdo gjëje që i përket kësaj Shqipërisë sonë? E mira, e dobishmja, bukuria, nderimi, frymëzimi i çdo therrorie për këtë Shqipëri, a s‘do të jetë kurdoherë dhe tekdo ideali i idealeve tona, kandili i udhës sonë? Këto thënie gjenden në vëllimin VIII të veprës së zgjedhur të Midhat Frashërit, të promovuar në fillim të qershorit.
Përgatiti: Uran Butka
Nuk mund të flitet për liri aty ku rrahjet me shkop marrin karakterin e një riti. (Në Çamëri)
Çështja ka një rëndësi fort të madhe dhe mbase munt që të shkakëtojë zbrazjen dhe shkretimin e Kosovës, duke shtënë në rrezik dhe rrojtjen e Shqipërisë, në qoftë se nuk merrenë masa serioze që tani.
Reklama
Në vend te lirisë, turmat preferojnë barazinë në robëri.
Shqiptari s‘është akoma mësuar të lexojë, të ndjejë nevojën e ushqimit të trurit, të kërkojë ide të reja, të ketë uri (një uri më të fortë se ajo fizike, mëse të panginjshme) për njohje dhe dije. Kjo ësht‘e meta e atij që duhet ta marrë, ta konsumojë lëndën e shtypur. Nga ana tjetër, e meta i takon edhe kësaj literature, që s‘ka ditur edhe kjo të jetë e kandshme dhe e dobishme.
Nga gjithë ç’kanë lënë prindërit dhe gjyshërit tanë, m’e vlejtur dhe m’e dashur për ne është gjuha që flasim. Kjo gjuh’ është shënj’e gjallërisë dhe e rrojtjes sënë, kjo gjuh’ është shpirti dhe zëmra jonë. Po gjuha fuqinë dhe rrojtjen e saj e gjen në bukuri të saj: një gjuh’e shëmtuar dhe e pa stolisur ësht’e vdekur. Gjuha është një qint herë më grua se gruaja më e stolisur.
Reklama
Fjalët dhe frazat e gjuhës janë kufoma pa jetë. Stili u jep shpirt. Ky shpirt që vëmë në stil, është uni. Jam sigur se në qoftë që nuk mejtohemi sot për shëndetin e popullit dhe për të shpëtuar djemt’e vegjël nga vdekja, po qe që s’bëmë shoqëri për të mësuar të punojnë çupat dhe gratë, jam fare sigur, them, se nesër ne ose djemtë tanë do të venë dhe lypin në dyert e kafeneve ose të mejhaneve, ose do të lajnë tabakatë e botës. Më mirë, pra, të mejtohemi pak sot.
Është nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re për ambicionin dhe madhërinë e shqiptarit. Është koha, më duket, të themelohet një aristokraci e vërtetë, ajo e vlerës, sipas shërbimeve të çdo njeriu, sipas mendjes dhe punës së ti. Të mos e kërkojë më njeriu nderin dhe madhërinë me verbëri, me thikë ose me farmak në dorë, po ta kërkojë nga puna, djersa, talenti, mendja dhe vullneti i tij, një nder dhe madhëri mbi themel të vërtetë e të shëndoshë, për fitim dhe dobi të njerëzisë.
Të mësohen shqiptarëttë kërkojnë famën në punë, te puna pjellore dhe ftimtare, e qetë dhe pa gjëmë, pa tym, pa pluhur, pa thirrje e pa çjerrje, që ka dobi për punonjësin vetë dhe për botën. Të shohë se njeriu ka më tepër vlerë dhe është fort m’i dobishëm, kur është një shkrimtar i mirë, një poet i mençur, një mendimtar i thellë, sesa duke qenë një funksionar i madh ose një fitonjës të hollash me çdo mënyrë që të jetë, të ndershme a të turpshme. Është nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re.
Nuk mund të mohohet se në shumë rasje fuqitë shqiptare, aspiratat individuale edhe pasionet personale, kanë pasur një force largonjëse nga qendra, një forcë “centrifuge”. Duhet, pra, që ajo forcë, në qoftë e mundur duke u shtuar edhe më tepër, të transformohet në një fuqi që mblidhet drejt qendrës dhe të hyjë në një veprimtari të dobishme dhe prodhimtare. Ujërat, rrëketë, përrenjtë duhen kanalizuar drejt mullirit të math që i thonë jetë kombëtare dhe shtetnore dhe jo të lihen që të largohen nga mulliri dhe të mbetet thatë korita. Në qoftë se i vemë re jetës sonë historike, gjithë fatkeqsia jonë ka ardhur, jo nga mungesa e forcave, por nga shpërndarja e këtyre fuqive dhe nga të bërët shkatërrimtarë.
Reklama
Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit. Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata. (nga fjala në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
Reklama
Vendi që kam nderin të përfaqësoj u ka dhënë pakicave etnike që jetojnë brenda kufijve të tij të gjitha të drejtat fetare, kulturore, civile dhe qytetare. Në këtë aspekt, Shqipëria është shteti më liberal në pjesën juglindore të Evropës.
Rrojtja jonë si komb dhe shtet është një gjë prekëse, Edhe kur shteti është i dobët, ai duhet të forcohet e të përmirësohet e jo të shembet; edhe kur qeveria ezgjedhur nuk është aq e mirë, duhet përmirësuar, plotësuar apo rizgjedhur me përgjegjësi, po jo duke e përmbysur me rebelim turme.
Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhej më lehtë me një regjim republikan: ndryshe kena me pas shumë ngatrresa.
Reklama
Kusht i domosdoshë për zhvillim është puna. Varfëria e Shqipërisë vjen nga të mospunuarit. Nuk do thenë as ishallah as kemi kohë. Kapitali jo vetëm më i madh, por i vetmi i njeriut, janë puna, mundimi e krahët e ti. Puna të mos jetë dënim dhe mallkim për ne, por uratë dhe gëzim si një falje.
Shqiptarët, të cilët e duan paqen, kërkojnë të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët. Popujt e Ballkanit kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një rrugë për të arritur lulëzimin, vetëm një mënyrë për të hequr qafe zakonet e këqija të së shkuarës, sipas së cilave konsiderohej armik çdo popull përtej kufirit. Tani e kuptojnë se një solidaritet me interesa të përbashkëta, solidaritet material e ekonomik, madje edhe moral e intelektual, duhet t’i bashkojë popujt e jo t’i ndajë.
Reklama
Një ndihmë e vogël shpëton një jetë, gëzon një shpirt , hedh pak lumturi në një zemër”.
Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie …
Dashuria është kondita e jetës. Pa atë s’ka rrojtje. Po të mos ekzistojë dashuria, shkatërrohet lidhka mes gjymtyrëve të familjes e të njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka as shpresë dhe nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë e të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilat e mëngjesit, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit.
Reklama
Siç e di, dashuria as që komandohet; dhe në të dua, këtë e bëj për veten time, nga një hov i papërmbajtshëm i krejt qenies sime; dhe nuk do desha aspak që ti të më duash mua. Dashuria nuk lypet.
Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…
Është fakt se bërja e një filxhani çaji duket dhe është një proces i…
Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen…
Në zonat më të thella të vendit qasja ndaj mjekësisë moderne ka qenë prej…
Një neurolog ka zbuluar ilaçet e zakonshme që mund të shkaktojnë dridhje të duarve.…
Konsumimi i frutave që përmbajnë agrume është tejet i rekomandueshëm për njerëz që kanë…