HISTORI/ 4 korrik 1776-2022/ 246 vjet, nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo që zyrtarizoi kthimin e 13 kolonive amerikane, në atë kohë në luftë me Mbretërinë e Britanisë së Madhe, si shtete të pavarur, sovranë, jo më nën sundimin britanik
Një dokument që finalizoi krimin e 13 shteteve të njohura sot si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe që frymëzoi më pas shumë dokumente të tjera të ngjashme në vende të tjera, gjatë shekujve XVIII-XIX, duke u përhapur nga Vendet e Ulëta, deri në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore. Kjo është Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve, zyrtarizimi i së cilës mbush sot plot 246 vjet dhe njihet nga të gjithë si një nga dokumentet më të rëndësishme në histori. Kurse 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare në SHBA, e njohur si dita e Pavarësisë.
Përgatiti: Albert Zholi
Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte edhe në qendër të Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32-vjeçari Tomas Xheferson. Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Kurse pjesa tjetër e saj, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit: “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.
Një nga dokumentet më të rëndësishme në histori
Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dhe në këtë shtet, 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, e njohur si dita e Pavarësisë. Konkretisht, Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara është deklarata e miratuar nga mbledhja e Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani më 4 korrik 1776, e cila njoftoi se trembëdhjetë kolonitë amerikane, në atë kohë në luftë me Mbretërinë e Britanisë së Madhe, e konsiderojnë veten si trembëdhjetë shtete të pavarur, sovranë, që nuk janë më nën sundimin britanik. Ata formuan një shtet të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. John Adams ishte një udhëheqës në shtytjen për pavarësi, e cila u miratua më 2 korrik me asnjë votë kundër. Një komitet prej pesë vetësh kishte hartuar deklaratën formale, që do të ishte gati kur Kongresi të votonte për pavarësinë. Termi “Deklarata e Pavarësisë” nuk është përdorur në dokument.
John Adams dhe Tomas Xheferson
John Adams e bindi komisionin të zgjidhte Tomas Xheferson për të hartuar draftin origjinal të dokumentit, të cilin Kongresi do ta redaktonte për të prodhuar versionin përfundimtar. Deklarata ishte në fund të fundit, një shpjegim formal pse Kongresi kishte votuar më 2 korrik të shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe, më tepër se një vit pas shpërthimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Ditën tjetër, më 3 korrik, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail: “Dita e dytë e korrikut 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës”. Por ditëlindja kombëtare në fakt, Dita e Pavarësisë, festohet më 4 korrik, data kur ky dokument u nënshkrua.
Deklarata e Pavarësisë në disa forma
Pas ratifikimit të tekstit më 4 korrik, Kongresi nxori Deklaratën e Pavarësisë në disa forma. Ajo u botua fillimisht si fletushkë, e cila u shpërnda dhe u lexua gjerësisht për publikun. Kopja e përdorur për këtë fletushkë ka humbur dhe mund të ketë qenë një kopje në duart e Tomas Xhefersonit. Drafti fillestar i Xhefersonit, të plotë me ndryshimet e bëra nga John Adams dhe Benjamin Franklin dhe shënimet e Xhefersonit të ndryshimeve të bëra nga Kongresi, janë të ruajtura në Bibliotekën e Kongresit. Versioni më i njohur i Deklaratës, një kopje e nënshkruar që është konsideruar gjerësisht si dokument zyrtar, ndodhet në Arkivat Kombëtare në Uashington DC. Kjo kopje u urdhërua nga Kongresi më 19 korrik, dhe u nënshkrua kryesisht më 2 gusht.
Deklarata e shumë hetimeve shkencore
Burimet dhe interpretimi i Deklaratës kanë qenë subjekt i shumë hetimeve shkencore. Deklarata justifikoi pavarësinë e Shteteve të Bashkuara duke renditur ankesat koloniale ndaj Mbretit George III dhe duke pohuar disa të drejta natyrore dhe juridike, duke përfshirë edhe të drejtën e revolucionit. Abraham Linkolni e bëri Deklaratën epiqendrën e retorikës së tij (si p.sh. në fjalimin e Getisburgut 1863) dhe politikat e tij. Që atëherë, është bërë i mirënjohur pohimi për të drejtat e njeriut, në veçanti fjalia e dytë: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë. Kjo është quajtur “një nga fjalitë më të njohura në gjuhën angleze”, që përmbajnë “fjalët më të fuqishëm dhe rrjedhimore në historinë amerikane”. Pasazhi përfaqësonte një moral standard për të cilin duhej të përpiqeshin Shtetet e Bashkuara. Kjo pikëpamje u promovua sidomos nga Abraham Linkolni, i cili e konsideroi Deklaratën si themel të filozofisë së tij politike, duke argumentuar se ajo është një deklaratë e parimeve, mbi të cilat duhet të interpretohet Kushtetuta e Shteteve të e Bashkuara. Ndërkaq, deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara frymëzoi shumë dokumente të tjera të ngjashme në vende të tjera në shekujt e 18-ë dhe 19-të, duke u përhapur në Vendet e Ulëta, dhe pastaj në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore deri në vitin 1848.
“FOURTH OF JULY”
Disa citate të famshme për Pavarësinë e Amerikës
Dita Kombëtare e SHBA-së është ditë pushimi në mbarë vendin dhe në popull njihet gjerësisht si “Fourth of July”. Ajo u dedikohet veçanërisht dëshmorëve e heronjve që ranë për kombin amerikan. Ngjarje të shumta dhe aktivitete festive zhvillohen për çdo vit me këtë rast. Por sigurisht që përtej festimeve apo lajmeve, të cilat lidhen me mënyrat se si do ta festojnë këtë ditë të madhe shtetasit amerikanë kudo që ndodhen, ia vlen që të shënojmë më poshtë thëniet e disa njerëzve të mëdhenj, nënshtetas amerikanë, të cilët janë frymëzuar në veprat e tyre jo pak nga vepra e atyre, që e bënë të mundur këtë ditë. Me patriotizmin e shprehur në vargje apo citate të paharrueshme, ata kanë vënë firmën e tyre në panteonin e patriotizmit amerikan, një shembull frymëzues për mbarë botën e civilizuar:
“Mos e lini lirinë të humbasë në duart tuaja”.
– Joseph Addison
“Dita e lindjes së Lirisë është këtu.
Zbrazni armët dhe thërrisni fort për lirinë,
Shihni flamurin të shpaloset në lartësi!
Nderoni yjet dhe vijat përgjithmonë,
Flamuri më i dashur në të gjithë botën”.
– Florence A Jones
“Ata të cilët fituan pavarësinë tonë, besonin se liria është sekreti i lumturisë dhe kurajua është sekreti i lirisë”.
– Louis D. Brandeis
“Nëse ia vlen të vdesim për vendin tonë në kohë lufte, le të themi se ia vlen të jetojmë për të në kohë paqeje”.
– Hamilton Fish
“Pa liri, askush nuk ka realisht një emër”.
– Milton Acorda
“Aty ku strehohet liria, atje gjendet vendi im”.
– Benjamin Franklin
“Është dashuria për vendin, që ka ndriçuar dhe që mban ndezur zjarrin e shenjtë të patriotizmit”.
– J. Horace McFarland
“Ata që heqin dorë nga liritë bazë për të ruajtur sigurinë provizore, nuk meritojnë as liri e siguri”.
– Benjamin Franklin
“Unë jam i ndërgjegjshëm për mundin, gjakun dhe thesarin që do të na kushtojë për ta mbajtur më këmbë këtë Deklaratë dhe t’i mbështesim e t’i mbrojmë këto shtete. Me gjithë vështirësitë, shoh ngado rrezet e mrekullueshme të dritës së lavdisë. Unë mund të shoh se fundi do ia vlejë me çdo çmim. Kjo është dita jonë e çlirimit”.
– John Adams
“Detyra e një patrioti të vërtetë, është të mbrojë vendin e tij nga qeveria e vet”.
– Thomas Paine
“Ju u tregoni njerëzve se sa keni dëshirë të luftoni për ta, kur luftoni miqtë tuaj”.
– Hillary Clinton
“Amerika nuk ka qenë kurrë e bashkuar nga gjaku, lindja apo toka. Ne jemi të lidhur nga idealet që lëvizin themelet tona, na ngjisin lart përtej interesave tona dhe na mësojnë se çfarë do të thotë të jesh qytetar”.
– George W. Bush
“Gonxhja e fitores gjendet gjithmonë tek e vërteta”.
– Benjamin Harrison
“Ky vend, me institucionet e tij, u përket njerëzve që banojnë në to. Kurdo që ata do të shfaqen të lodhur nga qeveria në fuqi, ata mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese apo t’i amendojnë ato ose të ushtrojnë të drejtat e tyre revolucionare për ta rrëzuar atë”.
– Abraham Lincoln
“Në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, liria nuk mund të dhurohet, ajo duhet të arrihet”.
– Franklin D. Roosevelt.
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…
Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…