Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Ahmet Selaci dhe lufta në Shalën e Bajgorës kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës (Tetor 1944 – Shkurt 1947) II

PhD(C) Miftar KURTI: AHMET SELACI DHE LUFTA NË SHALËN E BAJGORËS KUNDËR RIPUSHTIMIT JUGOSLLAV TË KOSOVËS (Tetor 1944-shkurt 1947) II

Edhe pse jo lehtë e hetueshme, faktet flasin për lidhje e bashkëpunim mes njësiteve ushtarake dhe organizatave politike në rajone të caktuara, jo vetëm Mitrovica dhe Vushtrria, sepse në Kosovë “në periudhën mars 1945 – mars 1947, kanë vepruar 55 grupe të armatosura”.[16] Pothuaj tërë veprimtaria e organizimit ushtarako-politik e këtyre grupeve udhëhiqej nga organizata politike-ushtarake “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar” (KNDSH) dhe “Besa Shqiptare”.[17] Prijësit e luftës në Shalë mbanin lidhje me prijës të organizatave politike, me prijës çetash nga Drenica, Llapi, të cilët në raste të caktuara, hartonin plane të përbashkëta të veprimit. Kishte raste kur njësitet e caktuara vullnetare lëviznin nga Drenica në Shalë dhe anasjelltas. Një lëvizje e tillë kishte ndodhur edhe në janar 1945, pastaj në muajin shkurt 1945, kur luftëtarët e Drenicës, në krye me Mehmet Gradicën, arrijnë deri në Kaçanoll të Shalës së Bajgorës, ku edhe zhvilluan një betejë të përbashkët kundër Brigadës 27 të Ushtrisë Jugosllave, në vijën e luftës: Kaçanoll – Guri i Bardhë. Prijësit e luftës në Shalë mbanin lidhje edhe me organizata politike-ushtarake që vepronin asokohe në Kosovë. Për këtë flet Kongresi i Katërt i KNDSH-së, që i zhvilloi punimet në qershor 1946 në malin Kosmaq në Drenicë, ku kanë marrë pjesë edhe delegatë nga Shala, Mitrovica dhe Vushtrria, si: Ahmet Selaci, Rrahman Selaci, Ukshin Kovaçica dhe Ismet Boletini. Aty u vendos që njësitet e armatosura të quhen Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare. Më vonë, me qëllim të unifikimit ushtarak dhe politik të forcave që vepronin në Kosovë, pra edhe në rajonin e Shalës së Bajgorës, në Kongresin e KNDSH-së të mbajtur në korrik 1946, në Lipovicë, u mor vendim që të formohet “Divizioni i Ibrit” i Ushtrisë Kombëtare për Mbrojtjen e Kosovës dhe komandant u emërua Ahmet Selaci. “Divizioni i Ibrit”, që udhëhiqej nga Ahmet Selaci, përbëhej prej pesë regjimentesh dhe çdo regjiment kishte komandantin e vet. Komandant i Regjimentit I ishte emëruar Faik Boletini, i Regjimentit II Osman Bunjaku, i Regjimentit III Ukshin Kovaçica, i regjimentit IV Avdi Tashefci, i Regjimentit V Ilmi Zatriqi. Çdo regjiment kishte nga katër batalione, çdo batalion kishte komandantin e vet. Epror për lidhje ishte Gani Potera (alias Ali Riza Zhabari).[18]

Prijësit e luftës dhe qëndresës në rajonin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, siç theksuam edhe më lart, kanë qenë: Ahmet dhe Imer Selaci, Adem Voca, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, Faik Boletini, Sherif Tërstena; Aziz Zhilivoda, Hazir Gjaka, Ajet Gërguri, Ferat Hashim Strovci, Osman Bunjaku etj. Mirëpo, prijësi kryesor ishte Ahmet Selaci. Ai ishte njeri me traditë familjare atdhetare. Xhaxhallarët e tij, Mahmuti dhe Rexhepi, ishin ndër bashkëluftëtarët e ngushtë të Isa Boletinit. Ata e kishin shoqëruar Isa Boletinin deri në Vlorë. Që të dy vriten në Mal të Zi, kur qe vrarë edhe Isa Boletini. Ahmet Selaci, në periudha shumë të vështira për popullin shqiptar në rajonin e Shalës së Bajgorës dhe Mitrovicës, në periudhën mes dy luftërave botërore ishte anëtar i organizatës për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar “Xhemjeti”. Ishte dhe kryetar i Komunës së Shalës (1934-1941). Nga viti 1941 deri më 1944 ishte në krye të forcave vullnetare shqiptare të Shalës, në luftërat kundër çetnikëve në Kolashin, Pazar, Shalë dhe njëherësh edhe komandant i forcave kufitare në veri të Shalës dhe Kosovës. Pas ripushtimit jugosllav të Kosovës (1944 – 1947), Ahmet Selaci u vu në krye të organizimit të rezistencës së armatosur në rajonin e Shalës së Bajgores. Ishte komandant batalioni, pastaj komandant brigade në Shalë dhe komandant i “Divizionit të Ibrit” të Ushtrisë Kombëtare për Mbrojtjen e Kosovës. Ishte bashkëpunëtor i Imer Berishës, Gjon Sereqit, Ajet Gurgurit, Ndue Përllëshit, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Marije Shllakut etj. Ahmet Selaci u vra më 19 shkurt 1947. Përveç Ahmet Selacit, në krye të kësaj lufte dhe qëndrese në këto anë ishin edhe: Adem Voca, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, Sherif Tërstena, Faik Boletini, Aziz Zhilivoda, Hazir Gjaka, Ajet Gërguri, Osman Bunjaku,[19] Ismet Bunjaku, Shaban Bunjaku, Zeqir Rashica, Lah Rama, Islam Igrishta, Bahtir Përçuku, Avdyl Përçuku, Hashim Basholli.[20

Pikëpamjet e historianëve për luftën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, për kryengritjen në Shalë, për qëndresën kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës 1944-1947, në këtë pjesë të Kosovës, janë të ndryshme, varësisht nga këndvështrimi politik dhe ideologjik, varësisht nga periudha kohore. Disa historianë dhe studiues përdorin një diskurs denigrues, disa glorifikues. Diskursi denigrues është më i theksuar deri në vitet ’90 të shekullit XX, sigurisht nën ndikimin ideologjik të sistemit monist në ish-Jugosllavi. Shembull konkret ku ky lloj diskursi është më i theksuar kemi monografinë ”Mitrovica me rrethinë”, Mitrovicë, 1979, Kapitulli Mitrovica dhe rrethina në lëvizjen Nacionalçlirimtare, f. 412-427. Autorë të këtij kapitulli janë Ali Hadri dhe Millorad Vaviq. Në kapitullin në fjalë, për prijësit e kësaj lufte, ndër të tjera, thuhet: Ahmet Selaci, si kryetar komune në Stanterg, ka qenë bashkëpunëtor i pushtuesit (gjerman – M. K.) dhe armik i përbetuar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare jugosllave; Adem Voca ishte i rezervuar ndaj pushtuesit gjerman, por edhe shumë i pa disponuar ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare; Pajazit Boletini, gjithashtu, ishte armik i dalluar i LNÇJ. Thuhet se këta ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, se ishin tradhtarë, kundërrevolucionarë, armiq, kuislingë, e çka jo tjetër. Këto dhe të tjera epitete denigruese përdoren për krerët e luftës. Kurse grupet, njësitet, çetat, batalionet e brigadat që ata udhëhiqnin, i kanë quajtur: grupe, banda, forca e njësite kuislinge. Përkundër të gjitha këtyre epiteteve denigruese dhe fyese, ata e pranojnë se në Shalë u zhvillua luftë e përgjakshme, se qëndresa e shaljanëve u shkaktoi humbje të mëdha në njerëz forcave jugosllave, se ajo rezistencë ishte e fortë, se kishte njësite e prijës që kishin nën komandë deri në 2.200 njerëz të armatosur, etj.[21

Pas viteve ’90 të shekullit XX, kemi të bëjmë me një diskurs gati kryesisht glorifikues, por edhe me prurje të reja shumë të rëndësishme lidhur me këtë luftë dhe këtë qëndresë. Për orientimet dhe qëndrimet politike, për luftën e shqiptarëve në Kosovë, por edhe në Shalë (Mitrovicë dhe Vushtrri), kanë shkruar, kush më shumë e kush më pak, historianë e studiues, si: Izber Hoti, “Orientimet dhe qëndrimet politike të shqiptarëve në Kosovë”, Faik Konica, Prishtinë, 2010; Muhamet Pirraku: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës (1945)”, Prishtinë, 1992; Asllan Istrefi “Rizah Rexhep Selaci”, Faik Konica, Prishtinë, 2007; Asllan Istrefi, “Ahmet Selaci”, Faik Konica, 2012; Asllan Istrefi, “Bislim Kadri Bajgora”, Prishtinë, 2017; Demir Ahmeti, “Ahmet Selaci”, Mitrovicë, 1998; Demir Ahmeti, “Sherif Tërstena”, 1998; Dr. Fehmi Pushkolli “Ukshin Kovaçica”, Horizontet e historisë, Prishtinë, 1997; Fazli Hajrizi, Mitrovica dhe Shala e Bajgorës në fokusin e historisë, Libri shkollor, Prishtinë, 2011; Fazli Hajrizi, “Vëzhgime për Shalën e Bajgorës”, KL “Lumi i Bardhë”, Mitrovicë, 2001; Lefter Nasi “Ripushtimi i Kosovës”, ASHRSH, Tiranë, 1994 etj.

Njëri prej historianëve që ka sjellë të dhëna e dokumente me rëndësi për luftën kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës është Muhamet Pirraku përmes librit: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës (1945)”. Mirëpo, te ky autor ndeshemi edhe me ndonjë lëshim të caktuar, sigurisht të rastësishëm. Kësisoj, duke folur për “grupin” e Ukshin Kovaçicës dhe rënien e tij, Muhamet Pirraku, ndër të tjera thotë: …Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Imer Selaci etj. u vranë më 20 shkurt 1947 në Vllahi.[22] Për hir të së vërtetës duhet thënë se, nëse këta të tre luftuan bashkë, ata as nuk ranë në të njëjtin vend, as në të njëjtën ditë, por edhe mënyra e rënies ishte e ndryshme. Që të jemi konkret, Ahmet Selaci me disa bashkëluftëtarë u vra më 19 shkurt në fshatin Batahir, Ukshin Kovaçica me të birin u vranë në Vllahi më 20 shkurt, ndërsa Imer Selaci u plagos në të njëjtën ditë kur vritet edhe Ahmet Selaci.[23]Imer Selaci, pasi është zënë i plagosur pas dy javësh në Koshtovë, pushkatohet në Prishtinë në muajin qershor 1947.[24] Lëshimi i dytë në këtë libër ka të bëjë me Ahmet Selacin, prijësin kryesor të luftës në Shalë për një periudhë të gjatë. Sipas Pirrakut, Ahmet Selaci “…ndonëse në shërbim të pushtuesit serbo-sllav, kishte autoritet në masat shqiptare”.[24] Shtrohet pyetja: si mund të jesh “në shërbim të armikut” e të luftosh deri në vdekje kundër tij, si mund të jesh në shërbimin e pushtuesit serbo-jugosllav, e të kesh autoritet në popull?!… 

Përkundër të gjitha këtyre të dhënave dhe burimeve që përmendëm, autorëve dhe librave, ndodh diçka paradoksale kur është fjala për këtë luftë dhe qëndresë. Ky paradoks ndodh pikërisht nga historiografia shqiptare, në botimet e saja serioze, më saktë, në botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të Historisë, siç janë: Historia e popullit shqiptar IV, Botimet “Toena”, Tiranë, 2008; Fjalori Enciklopedik Shqiptar IIII, Botimet “Toena”, Tiranë, 2008; Kosova, një vështrim enciklopedik, “Toena”, Tiranë, 1999. Nuk mund t’i gjesh tre rreshta, nuk e gjen dot një zë për këtë luftë ose për prijësit e saj as pas 70 vjetësh të rënies së tyre. Konsideroj se nuk është korrekte e as profesionale një lëshim, një mohim a një shpërfillje e tillë. Konsideroj se është koha e fundit që historiografia shqiptare ta thotë fjalën e saj, sepse kanë kaluar tashmë 70 vjet nga kjo luftë dhe ende hezitohet të thuhet ajo që meriton të thuhet për të, ngase ishte luftë me karakter çlirimtar dhe me përmasa kombëtare. Kjo mund të thuhet për disa arsye. E para, kjo luftë e zhvilluar në Kosovë (pra edhe në rajonin e Shalës, Qyqavicës dhe Artakollit) kishte karakter çlirimtar, sepse lufta bëhej për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Për këtë flasin programet dhe orientimet politike të disa organizatave politike të kohës dhe, në mënyrë të veçantë, Kuvendi i Dytë i Lidhjes së Prizrenit, ku edhe e ka burimin kjo luftë dhe qëndresë. E dyta, kjo luftë nga prijësit e saj në Mitrovicë e Vushtrri (Shalë e Qyqavicës) po bëhej për të shpëtuar popullin nga çetnikët e partizanët serbo-malazias; po bëhej kundër Administrimit Ushtarak të Kosovës nga Jugosllavia e Titos, kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe instalimit të pushtetit komunist. E treta, nëse sllavët luftonin për pushtimin e trojeve shqiptare, atëherë shqiptarët luftonin për t’iu kundërvënë këtij pushtimi. Dhe, e fundit, shqiptarët në Kosovë (pra, edhe në rajonin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë M. K.) “ishin antijugosllavë të përbetuar dhe luftëtarë të pa kompromis të ripushtimit jugosllav”,[25] për shkak se aq shumë zullum ishte bërë mbi shqiptarët nga Jugosllavia mbretërore, sa atyre (shqiptarëve) iu rrezikua edhe qenia fizike, biologjike.

Po kalon edhe 75-vjetori i përfundimit të kësaj lufte, 23 vjet nga çlirimi i Kosovës, 14 vjet nga Pavarësia e saj, mirëpo deri sot asnjë institucion (Komunë, Qeveri a Presidencë) nuk i ka vlerësuar me ndonjë mirënjohje a dekoratë prijësit e kësaj lufe, madje as prijësin kryesor Ahmet Selacin, që ishte edhe komandant i “Divizionit Ibri”. Me sa kam informacion unë, i vetmi institucion që ka organizuar një takim me familjarët e të gjithë prijësve të kësaj rezistence, kanë qenë Trupa Mbrojtëse të Kosovës, përkatësisht Zona IV Mbrojtëse në Mitrovicë. Askush tjetër. Kështu po harrohet, kështu po shpërfillet (ruana Zot edhe të mohohet) lufta e shaljanëve kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës (tetor 1944-shkurt1947). 

Fusnotat

[1]James Petiffer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës 1948-2001 (Onufri: Tiranë).

[2]Prof. dr. Izber Hoti,“Orientimet dhe qëndrimet politike të shqiptarëve në Kosovë” (Faik Konica: Prishtinë, 2010), 52.

[3]Grup autorësh, “Mitrovica me rrethinë” (ETMMKSAK: Mitrovicë, 1979), 395, 396, 397.

[4]Demir Ahmeti,“Ahmet Selaci” (COMEN: Mitrovicë, 1998),  43.

[5]Asllan Istrefi,“Ahmet Selaci” (Faik Konica: Prishtinë, 2012), 105, 121; Demir Ahmeti, “Ahmet Selaci…”, 41, 43,44.

[6]Grup autorësh, “Aradhat partizane e Kopaonikut, e Shalëse Ibrit”( Enti Ushtarak-Botues: Beograd, 1981), 579, 580, 582, 595, 614; Asllan Istrefi,“Ahmet Selaci” (Faik Konica: Prishtinë, 2012),  94, 96, 97, 101, 103, 105, 121; Demir Ahmeti, “Ahmet Selaci…”, 41, 43,44; Grup autorësh, Mitrovica me rrethinë…”, 420, 421, 424, 426; Lefter Nasi, “Ripushtimi i Kosovës”(Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë:Tiranë, 1994), 144.

[7]Lefter Nasi, “Ripushtimi i Kosovës…,” f. 157, 158; Asllan Istrefi, “Ahmet Selaci…”, f. 105, 106, 107, 108, 110, 111 dhe 112; Demir Ahmeti, “Ahmet Selaci…”, f. 54, 55, 56; Çerkin Ismaili, “Drama e qëndresës së vocëve të Shalës së Bajgorës” (COMEN: Mitrovicë, 1998), f. 97Grup autorësh,“Mitrovica me rrethinë…”, f. 424, 425.

[8]Ramadan Rexha, Kujtimet e mia (dëshmi historike) (Prishtinë: 2004), 51-57.

[9]Asllan Istrefi, “Ahmet Selaci…”, f.125; Instituti i Historisë-Prishtinë, Kosova në arkivat e shtetit shqipta 1950-1969 (IH: Prishtinë, 2019).

[10]Vushtrria-Viciana me rrethinë, Vushtrri, 2003, f. 189;Asllan Istrefi, “Ahmet Selaci…”, 144, 145, 147, 150, 151, 200-207.

[11]Asllan Istrefi, Mizoritë serbe në Shalë të Mitrovicës 1944-1947 (Bota sot, 2 dhjetor 2001), 13.

[12]Vushtrria-Viciana me rrethinë (Vushtrri: 2003), 185

[13]Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Fjalori Enciklopedik i Kosovës…, 1815.

[14]Vushtria-Viciana me rrethinë (Vushtrri: 2003), 185-188.

[15]Po aty, f.181, 182, 190, 191. 

[16]Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës (1945)” (Prishtinë: 1992), 165.

[17]Demir Ahmeti,Ahmet Selaci…, 59

[18]Asllan Istrefi, Ahmet Selaci…, 125-128, 142, 143; Demir Ahmeti, Ahmet Selaci.., 54, 55, 56, 57, 59, 61, 62.

[19]Ҫerkin Ismaili, Drama e qëndresës së vocëve të Shalës së Bajgorës (COMEN: Mitrovicë, 1998); Asllan Istrefi, “Bislim Bajgora” (Prishtinë: 2017); Demir Ahmeti,Ahmet Selaciudhëheqës i rezistencës kombëtare në Shalë (1941-1947) (Prishtinë, 1998), 4; Dr. Fehmi Pushkolli, Ukshin Kovaçica, Horizonte të historisë (Prishtinë: 1997); Asllan Istrefi, “Ahmet Selaci” (Faik Konica: Prishtinë, 2012)…, 125, 126 dhe 142, 143.

[20]Intervistë me Xhemajl Pllanën, 27.12.2020

[21]Grup autorësh, “Mitrovica me rrethinë” (Prishtinë: 1979), f. 412-426; Lefter Nasi, “Ripushtimi i Kosovës…”, f. 158.

[22]Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës, (1945) (Dielli: Prishtinë, 1992), 176.

[23]Fazli Hajrizi, Vëzhgime për Shalën e Bajgorës…, f. 128, 129; Asllan Istrefi, “Ahmet Selaci… “, 147, 150, 151.

[24]Deklaratë e Demir Tahirit-Selacit, djalit të Ymer Selacit, dhënë autorit të këtij punimi, qershor 1997, Mitrovicë.

[25]Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës (1945) (Dielli: Prishtinë, 1992), 175.

[26]Izber Hoti, Orientimet dhe qëndrimet politike të shqiptarëve (Prishtinë: 2010), 53. 

InForCulture

Recent Posts

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

1 hour ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

17 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

18 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

19 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

19 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

20 hours ago