<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>
Categories: ART

Biseda për Hollivudin, pasaporta dhe… zemërimi i divës

NJË KËNGË DASHURIE SHQIP!

Një kënaqësi të veçantë më ofronte puna me njërën nga aktoret më të mëdha të tragjedisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX, Irena Papasin. Sytë e saj të zinj e të mëdhenj me qerpikë të dendur, koka e saj e “latuar” si skulpturat helene, duken një mrekulli e vërtetë. Lëvizjet, mjetet e jashtme të shprehjes, i kishte reduktuar në minimum. Nga brenda vlon si një vullkan. Në skenat me të nuk më duhet ndonjë përqendrim i veçantë, sepse posa dal para saj, tanimë jam Odiseu. Irena është një aktore qe thjesht të frymëzon.

Në Zagreb i kishte njohur Pinterin, Brankën dhe Rella Bashiqin. Ishte e mahnitur me “Mbledhësit e puplave” dhe me fotografinë. Fotografia filmike është edhe shkencë, edhe art.

Irena kishte emigruar në Romë për shkak të grushtshtetit të juntës ushtarake në Greqi. Druante për fatin e mikut të saj, kompozitorit Teodorakis. Duke u përpjekur që ta bënim me humor, e çuam në restorant. E këndova një këngë. E pranoi dhe vazhdoi të këndonte në greqisht. Në të njëjtin çast e pyesim njëri-tjetrin:

-“Nga e di ti këtë”?

– Kjo është një këngë dashurie shqiptare.
– Jo, kjo është një këngë greke nga Janina – thotë Irena. – Atje jetojnë arvanitasit – Shqiptarët, apo jo? Duke vazhduar këngën, nga çanta nxjerr pasaportën dhe thotë: – Lexo. Irini Leleku (mbiemri i saj në shqip do të thotë lejlek).

– E flet shqipen? – pyes.
– Jo, por jam me prejardhje shqiptare – tha Irena.
– Paj, ti do të mund të ishe mbretëresha fantastike ilire, Teuta.

Çka duhet të bëjë aktori – ndonjëherë?!

Irena dhe Jorgo më vizituan në hotelin “Plaza”. Në një atmosferë gazmore, Irena m’u drejtua papritmas:

– Derisa po të shikoj, më ra në mend një ide që duhet ta realizosh. Dëgjo. Stenli Kubrik, regjisori i filmit “Odiseja 2001”, po e përgatit një film për Napoleon Bonapartën. Mendoj se në botë nuk ka një aktor tjetër më të mirë për atë rol. – Duke folur, nisi të gërmonte nëpër çantën e saj.
– Ja farë duhet të bësh. Merri numrat e telefonave të tij. Thirre menjëherë. Paraqitju. Përmendi edhe “Mbledhësit e puplave”, “Odiseun” dhe se sapo i ke përfunduar “Aventuristët”. Thuaji që do të dëshiroje të punoje me të, se ke një dëshirë të fuqishme që ta luash Napoleonin në filmin e tij – dhe ma dha fshehurazi në dorë notesin e saj me telefonat e Kjubrikut. Jorgo kërceu nga gëzimi dhe e përqafoi: – Irini, ti je një gjeni!
Ia kthej notesin.
– Jo, nuk mund ta bëj. Vërtet, ideja është e shkëlqyer, do të doja ta luaja, por unë nuk mund ta thërras Kjubrikun dhe t’i ofrohem tek ashtu. Nëse ka nevojë, do të më gjejë dhe do të më thërrasë…

– Kush je ti që të të kërkojë një gjeni? Çfarë imagjinon në kokën tënde, kush je ti? Ja, unë do të ta them. Ti je një askushi, një asgjë, e kupton? Ti je tamam askushi. Ti je, të ta them të drejtën, një mut i rëndomtë! – Bërtet me sytë e zgurdulluar, i hedh mbrapa flokët e saj të gjatë. Nuk e di pse papritmas e gjithë ajo britmë, mos e kisha fyer pse e refuzova propozimin e saj fisnik?
– Irini. Të lutem më ngadalë. Eja tek Odiseu yt…

– Mos më prek! Zhduku!

– Irini, agapimu (e dashur), pulimu (pëllumbeshë), eja, ulu. Më lejo të të them diçka.

Duke i ledhatuar flokët e saj të zinj e të butë si mëndafshi, u ula pranë saj. Jorgo shikon…

– Ke të drejtë kur thua se jam askushi dhe asgjë. Për këtë arsye nuk kam guxim ta thërras Kjubrikun dhe të them, tra-la-la- la, unë jam filan fisteku. Unë vërtet kam bërë diçka në karrierë, por nuk mund t’ia lejoj vetes që ta shqetësoj një gjeni çfarë është ai. Nuk jam Brandoja.

– A e përmende Marlonin? Shkëlqyeshëm! Dëgjo. Në fillim të karrierës, pas Elektrës, isha në Los Angeles. Isha e re dhe e bukur kur u njoftova me Marlon Brandon e ri e të pashëm. Qe kjo nga mesi i të pesëdhjetave. Ai e kishte fituar “Oscarin”, por në qarqet filmike holliwoodiane flitej se nuk mund ta luante Shekspirin, për arsye se kishte diksionin e keq. Po përgatitej filmi “Jul Cezari” me Xhejms Mejsonin në rolin e Brutit. Marloni dëshironte ta luante Mark Antonin. E thirri regjisorin dhe i tha: “Unë dëshiroj ta luaj atë rol’”. Regjisori e falënderoi për thirrjen dhe i tha se me gjithë dëshirë do t’ia besonte atë rol, por që producenti ishte kundër për shkak të diksionit të tij të dobët… Çfarë bëri Brando? I angazhoi grimerin, kostumografin, kameramanin dhe e xhiroi fjalimin e Mark Antonit mbi trupin e Jul Cezarit. Materialin e xhiruar ia tregoi regjisorit. Ai i mahnitur. Bashkë ia kishin treguar producentit dhe ashtu e kishte marrë atë rol. E sheh, agapimu? Kjo nuk është kurrfarë shqetësimi, as turpi ose poshtërimi. Përkundrazi. Njerëzve u vjen mirë dhe gëzohen kur i thërret dhe shpreh dëshirën të bashkëpunosh me ta. Të tilla janë rregullat në këtë botë – e përfundoi leksionin Irena.
Sa do të gëzohet Irena kur ta kem lajmëruar se, nëntë vjet pasi që ma kishte propozuar Kjubrikun për filmin që, sidoqoftë, nuk u xhirua kurrë – megjithatë do ta luaja Napoleonin.

Vazhdoj të qëndroj në Romë. Atelieja e piktorit të njohur Gjelosh Gjokaj, nga i cili marr si dhuratë disa grafika te jashtëzakonshme.
Silvana Mangano më ka ftuar për darkë në hotelin “Grand”. Aty është edhe regjisori im, Mauro Bolonjini. Si gjithnjë, dukej tepër e bukur në fustanin e saj të zi. Është e ngazëllyer. Kurrë nuk e kisha parë në një humor të tillë. Mbase pse nuk kishte më brenga, sepse ishin zhvendosur në SHBA që në vitin 1972. Gëzohet që i biri i saj, Frederiko, do të jetë producent.

– Të lutem, ma ruaj Frederikon. Ai të adhuron. Ndihmoji. Është ky filmi i tij i parë – më luti zonja Mangano, pas një darke të mrekullueshme.

E përfundova xhirimin e TV serialit “Të vjetrit dhe të rinjtë”. U hodha në përgatitjen e Bonapartës. Roli i Napoleonit ishte tërheqës dhe tepër kompleks. Po lindte fuqishëm brenda meje. Gërmoj në minierën e imagjinatës sime. Tashmë e kisha parë si në mes të betejës mendon për të dashurën e tij; reagimet e tij kur Zhozefina ia mbyll derën e banjës dhe nuk e lejon të hyjë brenda. Elemente të komedisë?

Shkëputur nga libri i Bekim Fehmiut “Shkëlqim dhe tmerr”, pjesa II

InForCulture

Recent Posts

Një gabim i thjeshtë në gjumë mund të dëmtojë zemrën tuaj

    Njerëzit që ekspozohen ndaj shumë dritës natën kanë më shumë gjasa të përjetojnë…

3 minutes ago

Mënyrat natyrale për trajtimin e dhimbjes së sinuseve

    Infeksioni ose bllokimi i sinuseve mund të ketë një sërë arsyesh, të cilat…

34 minutes ago

A ju shfaqen shpesh mavijosje në trup? Këto janë arsyet e mundshme pse ato ndodhin

    Mavijosjet janë të zakonshme dhe më shpesh ndodhin pas një goditjeje ose lëndimi…

46 minutes ago

Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

Migrena nuk është thjesht një dhimbje e fortë koke. Bëhet fjalë për një çrregullim neurologjik…

50 minutes ago

Para kafesë së parë në mëngjes duhet të bësh një gjë, një zakon që mund të bëjë një ndryshim të madh

    Një filxhan kafe është gjëja e parë që shumë njerëz kërkojnë sapo zgjohen,…

2 days ago

Mos e injoroni këtë simptomë të këmbëve, mund të tregojë një problem serioz shëndetësor

  Kruarja e këmbëve është zakonisht një problem i padëmshëm dhe kalimtar, por nëse zgjat…

2 days ago