Categories: ARTKULTURË

“Do të më pikturosh si engjëll, apo bulldog?”… dhe Çërçilli i vuri flakën!

HISTORI E ÇMENDUR

A e dini historinë e vjedhjes së portretit të Uinston Çërçillit (1874-1965), të treguar në serinë “The Crowun”? E pikturuar me rastin e 80-vjetorit të tij nga artisti Graham Sutherland (1903-1980), piktura, që kryeministri britanik e urreu, do të përfundonte e djegur nga e shoqja gjatë një operacioni komando…/Konica.al

I gërmuqur në një kolltuk të kadifenjtë, çehrja e vrerët e kryeministrit duket se lëshon tallaze, e rrethuar nga tymnaja e puros së tij besnike. Sytë e mprehtë si shqiponjë nën vetullat e vrenjtura, plaku mat që poshtë bashkëbiseduesin. “Do të më pikturosh si engjëll, apo bulldog?” – murmurit me dyshim. Historia është kaq e pëlqyeshme, sa regjisorët e “The Crown”, nuk mundën t’i rezistonin (duke e ripërpunuar pak) për ta treguar në vitin 2016, në episodin e 9-të të sezonit të parë, i cili fitoi çmimin “Emmy”, për aktorin e shkëlqyer John Lithgow, në rolin e legjendarit Uinston Çërçillit.

Ishte gruaja e një kundërshtari të Çërçillit, që e sugjeroi Graham Sutherland… rastësi, apo pabesi?

Çështja filloi në vitin 1954. Teksa burrështetasi ishte në prag të festimit të 80-vjetorit, anëtarët e Parlamentit britanik kontribuuan me 1000 guine për t’i ofruar një portret nga Graham Sutherland. Një figurë e respektuar e artit modern në Britaninë e Madhe, ky i fundit njihet për peizazhet, por edhe për portretet e personaliteteve si shkrimtari Somerset Maugham apo Lordi Beaverbrook, mik i Çërçillit. Rastësi apo pabesi? Ishte gruaja e Aneurin Bevan, një kundërshtar i kamotshëm i kryeministrit, që sugjeroi piktorin, motoja e të cilit ishte t’i përfaqësonte subjektet e tij ashtu siç janë, pa zbukuruar asgjë… duke i bërë disa nga modelet të ndiheshin të fyer nga peneli i tij shumë i ashpër. Irritimi i parë, Çërçilli donte të pikturohej me veshjen e kalorësit të Urdhrit “Jarretière”, por financuesit kërkuan që ai të paraqitej me veshjen e zakonshme parlamentare: xhaketë të zezë, jelek, pantallona me vija dhe papijon me pika – një stil ekscentrik, që kishte çuar në thumbimin e gjeneralit de Dol, të cilit do t’i kundërpërgjigjej me humor fort të pakëndshëm. Në gusht 1954, Sutherland shkoi disa herë në shtëpinë e fshatit të kryeministrit, në Chartwell, për të realizuar disa skica. Çërçilli nuk qëndronte në një vend, ndryshonte vazhdimisht pozicion; piktori rreket t’i rregullojë shprehjen që i ndryshon herë pas here. Për ta fiksuar në gjendjen e thjeshtë, e mundi me dinakëri, të përqendruar në një lojë letrash. /Konica.al/Piktori i bëri përshtypje të mirë Çërçillit, i cili i sugjeroi që ta shoqëronte ndonjë ditë në jug të Francës, për të vizatuar së bashku – sepse politikani e adhuronte vizatimin e peizazheve dhe nuk udhëtonte kurrë pa kutinë e bojërave. Ai është autori i qindra veprave! Me kuadrin përgatitor dhe disa fotografi në xhep, Sutherland u tërhoq në studion e vet për t’i dhënë dorën e fundit pikturës. Tejet i rezervuar, më pas ai shmangu çfarëdolloj diskutimi sa i përket pikturës. Më 20 nëntor, zonja Spencer-Çërçill zbulon kanavacën e madhe katrore dhe ia tregon të shoqit…

Pamja të sjell ndërmend  një buldog zemërak…

Ta cilësoje këtë portret realist aspak lëvdues, do të ishte një eufemizëm! I mbërthyer pas krahëve të karriges në një ambient të zymtë, Çërçilli dyshues, i përkulur lehtë, e shikon spektatorin nga lart. Këndvështrimi, paksa në kontrabas, thekson karakterin e rëndë dhe frikësues të fytyrës, që duket e pakënaqur, madje kërcënuese. Pamja ngjason me një buldog të nxehur. Një kafshë që shoqërohet shpesh me të, nga thirrja e famshme për armët, gjatë së cilës ai e krahasoi marinën angleze me këtë qen luftarak të fuqishëm, që më pas u shumëfishua në postera patriotikë… madje duke krijuar figurina me kokën e Çërçillit të ngulitur në trupin e bishës!

Përveç kësaj, politikani shprehej se e ndante jetën “me një qen të madh të zi”, metaforë e depresionit të tij… Sepse personaliteti i tij ishte sa kompleks, aq edhe i potershëm. Brilant, besnik, guximtar dhe këmbëngulës, tmerrësisht zbavitës, i pëlqente të luante me fëmijët, nipërit e mbesat dhe i mik i kafshëve, Çërçilli ishte gjithashtu një konsumues alkooli, herë i qeshur dhe shpirtmirë, herë arrogant dhe zemërak, herë melankolik dhe sentimental, herë i sertë, cinik, tekanjoz dhe autoritar. Me një përgjigje të rreptë në majë të gjuhës, ai kalon nëpër faza dëshpërimi dhe gjendje ankthi të shoqëruara nga mendime vetëvrasëse…

Sa i përket të shoqes, portreti i ngjason në mënyrë “shqetësuese”. Djali, Randolph, ndjen kaq keqardhje sa duket “i thartuar”. Mirëpo, i interesuari është më i pakënaquri me pikturën. Kur e pa, u tërbua, duke e quajtur pikturën “të neveritshme” dhe “të qëllimshme”. Dukem si një pijanec galiç në hendek! – ulëriti, madje shtoi se Sutherlandi duket se e ka kapur në fron duke kryer nevojat! Në një shënim dërguar piktorit, ai pohon se piktura “edhe pse e realizuar shumë mirë, nuk është e përshtatshme”. Mirëpo, parlamentari Charles Doughty e bindi të  mbante ceremoninë e prezantimit të veprës, për të mos fyer financuesit e saj. Çërcilli arrin ta gëlltisë zemërimin në parlament, por piktura që do të varej në Parlament, u la menjëherë në sirtar. Më 30 nëntor, në ditën e ditëlindjes së Çërçillit, piktura u zbulua në ndërtesën më të vjetër të Pallatit Westminsterit, në Westminster Hall. Diplomati, mbreti i festës, me ironi shprehet se është “i nderuar”, duke e përshkruar pikturën si një “shembull të jashtëzakonshëm të artit modern”, duke kombinuar “forcën” dhe “zemërdëlirësinë”. Por objekti, që do të varej në Parlament, u vendos menjëherë në raftin e shtëpisë e tij, në Chartwell…

Tabloja, nuk do të shfaqej kurrë më. Në vitin 1978, pak pas vdekjes së gruas së tij, u përhap thashethemi (duke e skandalizuar Sutherlandin, me aktin vandal), se Klementina e përkushtuar, vetëm pak muaj pas ceremonisë së përvjetorit, e kishte asgjësuar pikturën për të qetësuar tërbimin e të shoqit. E fshehur fillimisht në papafingo, piktura do të vidhej në mes të natës, me bashkëfajësinë e një sekretari, për t’u copëtuar e më pas, për t’u djegur! Një skenë e dramatizuar në “The Crown”, që tregon zonjën duke vështruar pikturën e përpirë nga flakët.

Nga piktura kanë mbetur vetëm disa skica përgatitore, në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër. Veçse porosia prestigjioze i shërbeu më tepër karrierës së Sutherlandit. Në vitin 1962, ai mori famë duke dekoruar Katedralen e Konventrit, me të çuditshmen “Krishti në madhështi”, e cila mbetet tapiceria më e madhe në botë, e endur vetëm nga një mbajtëse. Dhe këtë herë, e përjashtuar nga çdo tentativë vandalizmi!/Konica.al

postbck postbck

Recent Posts

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

15 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

16 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

17 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

18 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

18 hours ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

2 days ago