Shkruan Fatjon Merturi
Kush ishte Beqir Vokshi (1890 – 1923)
Lindi më 1890 në Gjakovë. Ishte nip i Sulejman Vokshit. Pas pushtimit të Gjakovës nga serbët mori pjesë në forcat e armatosura të shtetit shqiptar në Durrës.
Më 1915 u bashkua me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin, duke iu bërë këtyre mjaft ndere. Po ashtu aktivizohet edhe në Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës, i cili ishte krijuar më 1 maj 1918. Në vitet 1918 ? 1920 mbeti në Kosovë.
Në vitin 1921, e deri në muajt e parë të vitit 1922, sëmundja e detyroi të shtrohej në një sanatorium të Vjenës. Pasi la Vjenën u kthye në atdhe, e pikërisht në Zonën Neutrale të Junikut, zonë që kishte kohë që vlonte nga trazirat.
Beqir Vokshi i vrarë në Malësinë e Gjakovës, më 1923
Qëllimi i tij mbeti ndalimi i keqpërdorjes së çetave kryengritëse nga Hasan Prishtina kundër shtetit të ri shqiptar dhe gjetja e gjuhës me kryeministrin e atëhershëm shqiptar Ahmet Zogu. Për një dëshirë dhe një qëllim të tillë, Beqir Vokshi vritet më 22 janar 1923 nga forcat që drejtoheheshin nga Hasan Prishtina.
Vrasja e Beqir Vokshit
Nuk do të kalonte shumë kohë dhe një tjetër ngjarje e rëndë do të ndodhte në zonën e Junikut. I cilësuar si njëri nga personat që i kishte prishur punë planeve të Hasan Prishtinës, Beqir Vokshi do të vritej pabesisht teksa udhëtonte nga Juniku për në Krumë.
Sipas dokumentave të Arkivit të Shtetit, prefektura e Kosovës, i kish dërguar një letër rezervat Beqir Vokshit për të ftuar të gjithë krerët e krahinës dhe në Krumë në mënyrë që të ndalohej gjakderdhja e kotë dhe e panevojshme për interesa të caktuara politike. Pas marrjes së kësaj letre, Beqir Vokshi së bashku me Sali Bajraktarin nga Juniku, më 22 janar 1923, nisen për në Krumë. Rrugës për këtu, Beqir Vokshi dhe bashkëudhëtari i tij vriten nga njerëzit që kishte dërguar Hasan Prishtina. Në telegramin që zv/prefekti i Krumës i dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme më 26 janar 1923, rendit si vrasës të Beqir Vokshit, Azem Galicën, Ram Binakun, etj. Si shkak të vrasjes, zv/prefekti thekson se qëllimi i ardhjes së Beqir Vokshit ka qenë ndalimi i popullit për të marrë pjesë në vëllavrasjen që po shkaktohej për interesat e ulëta politike.
Më 31 janar 1923, në faqen 4 të saj, gazeta Populli” e Bedri Pejanit, njoftonte lexuesin për atë që ajo e quante “vrasjen mizore”, të Beqir Vokshit.
Gazeta e përcjell këtë ngjarje me këto fjalë:
“Nji telegraf i fortë i shkurt prej djelmënisë së Kosovës, thotë se i përmenduni patriot Beqir Vokshi, ra dëshmor nga plumbat e çetës së Hasan Prishtinës. Ky lajm i zi vërtetohet dhe nga telegrafet që kan marrë Ministria e Punëve të Brendshme e ajo e Luftës prej autoriteteve kompetente të prefekturës së Kosovës. Hollësitë e këtij lajmi janë deri më ditë të sodit këto:
Mbase u thyen kryengritësit përpara Krumës, e u futën përsëri në Zonën Neutre, Beqir Vokshi bashkë me parien e katundeve të kësaj zone, duel prej Junikut dhe u nis për në Krumë. Çetat e Hasan Prishtinës kërkuen mos me e lëshue me shkue. Pushka krisi në mes e mba nji sahat luftet mbeti vdek Beqir Vokshi e nji shoku i tij”.
Në shënimin përkatës gazeta theksonte:
“Vrasja ka nji randësi të posaçme e ata që njofin mirë Kosovën kanë për t’u çuditë prej këtij guximi të kobshëm e tradhtar kaq të randë që mujti m’u krye pej dorës së Hasan Prishtinës”.
Mbetjet 50,000-vjeçare të një foshnje mamuth të zbuluar nga shkrirja e ngricave të përhershme janë…
Por pse i thonë: i Lekë Dukagjinit? qe nji çashtje e cilla enè nuk âsht…
Përgatitja e një projekti të avancuar kërkon konsum të lartë energjie, kompanitë po kërkojnë zgjidhje…
Hulumtimet e reja tregojnë se si qelizat e kancerit ushqehen me fruktozë. Fruktoza është…
Të gjithë ne thuajse përballemi me pyetjen: Çfarë do të ndodhë me dhjamin e…
Përzierja e disa ilaçeve të caktuara kundër dhimbjes nuk rekomandohet as nga mjekët dhe…