E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Fundin e antikës dhe dyndjen e popujve, krahinat e ilirëve të jugut e pritën me popullsi romane dhe vendëse të romanizuar ose gjysmë të romanizuar në qendrat urbane e me popullsi autoktone në brendësi. Sidomos, kjo popullsi e paromanizuar qe e pranishme në vendkalimet malore, vështirë të arritshme, të cilat kurrë nuk kanë qenë të nënshtruara ndaj procesit të romanizimit.
Megjithëkëtë, edhe ajo shtresë e popullsisë vendëse që u romanizua nëpër qytete ose në afërsinë e tyre, nuk e kishte harruar prejardhjen e vet, siç mundet të argumentohet me faktin se me këmbëngultësi, fëmijve të vet i vënë emra të vjetër ilirë, si p.sh. Pletor, Gentius, Tata, Anula dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët i lexojmë nëpër monumentet mbivarrore të shkruar në gjuhën latine ose greke. Përveç tjerash në këto monumente, jo rrallë hasim të latuar heronj vendës të veshur me rroba popullore, nga e cila mund të shihet mirë se me çfarë këmbëngulje ilirët ruanin tiparet kombëtare dhe identitetin e vet nacional.
Ndarja e mbretërisë në qindvjetëshin e katërt të erës sonë në ate të lindjes dhe të perëndimit, e cila ilirët e jugut i mbërtheu në përbërje të perandorisë lindore romake, si dhe shtegëtimet afatshkurte të gotëve e hunëve në qindvjetëshin e pestë nuk sollën kurrfarë ndryshimesh të rëndësishme etnike. Ndryshime të këtilla nuk ndodhën as në periudhën e dyndjes së popujve as të shtegëtimeve të avarëve e sllavëve, sepse e kemi të njohur dhe të ditur nga burimet historike, se kjo zonë ilire, në këtë kohë, nuk u gjet në sulmin kryesor të valës migracionale avaro-sllave.
Shprishje më të mëdha etnike nxiti përqëndrimi i mëvonshëm i sllavëve si pasojë e invazionit bullgar nga gjysma e dytë e shkullit IX deri në fillim të shekullit XI dhe atë pikërisht në jug të Shqipërisë së sotme, si dhe zgjerimi i elemntit sllav në Shqipërinë Veriore.
Burimet shumë më të mangëta historike nga mesjeta e hershme, që kanë të bëjnë me zonën e krahinave jugore ilire, vështirë mund të na ndihmojnë për rekonstruimin e gjithë asaj që ka ngjarë me popullsinë e vjetër banuese, por që për etnogjenezën e shqiptarëve ka rëndësi shumë të madhe.
Sa ka qenë numri i ardhacakëve, në rend të parë atyre sllavë, në atë zonë dhe a kanë pasur sukses t’ia imponojnë vendësve gjuhën e kulturën e vet deri në atë masë, sa që ta ndryshojë përbërjen etnike të popullsisë, ashtu siç ka ngjarë kjo në zonat tjera të Ballkanit perëndimor?
Për zbërthimin e kësaj pyetjeje themelore kemi në disponim një lëndë shumë të pasur arkeologjike, pastaj edhe rezultatet e disiplinave tjera shkencore.
Më parë, të shohim ç’thonë për këtë çështje gërmimet arkeologjike. Në kalimin nga shekulli i kaluar në këtë shekull, në Shqipëri, në afërsi të Kështjellës “Kalaja e Dalmacies”, në fshatin Koman, është zbuluar e para nekropolë e rëndësishme e mesjetës së hershme. Gjetjet e shumta më të reja të kësaj kulture, e cila sipas gjetjes së parë u qujat “Kultura e Komanit” dhe, e cila pati lulëzuar ndërmjet shekujve VI dhe VIII të erës sonë, arkeologëve u mundësuan të kenë njohuri në detaje për kulturën materiale pikërisht të kësaj periudhe, e cila fort pak, ose aspak, ka qënë e njohur nga burimet e shkruara.
Në kohën e njohjes së pakët të kësaj kulture, specialistët supozonin se bartësit e kësaj kulture janë sllavët dhe të tjerët, ndërkaq në tipologjinë e mjeteve të gjetura vërenin tipare të kulturës avare dhe në bazë të kësaj argumentonin praninë e sllavëve, gjegjësisht avarëve në Shqipërinë veriore. Lidhur me këtë kulturë, sot shumëçka është më e qartë, prejse arkeologët gjetën dhe hulumtuan tridhjetë nekropola me material shumë të pasur, i cili tipologjikisht i përkiste kësaj kulture.
Që në fillim u tregua se lënda e gjetur në këtë nekropolë, në pjesën më të madhe nuk është e përpunimit as sllav, as avar, por i përkiste popullsisë e cila edhe më parë banonte aty. Padyshim, materiali i zbuluar nga gërmimet në varreza, kishte karakteristika të kulturës autoktone ilire dhe mjeteve tjera të stolisjes, të cilat tipologjikisht ndërlidhen drejtëpërdrejti me ilirët.
Dukuria e disa simboleve religjioze ilire, në disa nga këto mjete, të cilat për nga forma dhe përmbajtja, dukshëm janë identike me simbolet religjioze ilire parahistorike, tregon qartë se punonjësit e tyre dhe ata që i kanë mbajtë ato mjete në mesjetë i kanë dhënë atyre atë kuptim të njëjtë simbolik, që kanë pasur ato në kohërat parahistorike në këtë hap[sirë.
Për lidhshmërinë e kësaj kulture mesjetare me ate parahistorike, flet edhe fakti se forma e varrezave është identike si edhe në kohën parahistorike. Bartësit e kësaj kulture mesjetare kanë varrosur të vdekurit e vet në varreza të cilat kanë qenë të ndërtuara me pllaka vetikale gurore, ashtu siç kanë vepruar ilirët e kësaj hapësire para shumë qindvjetëshëve.
Megjithate në këtë kulturë mund të vërehen lirisht elementet e kulturës së vonë materiale të provincës romake, elemente të kulturës bizantine, gjithashtu edhe elemente të kulturës sllave dhe avare. Gjithë kjo na zbulon se në mesjetën e hershme në zonën e Ilirisë Jugore u shprehën në kulturën materiale dhe shpirtërore të vendësve të gjithë faktorët relevantë etnikë, politikë dhe kulturorë të kësaj kohe në këtë pjesë të Ballkanit.
Por, prania e elementeve të përmendura joautentike në kulturën e Komanit nuk ndryshojnë veçoritë kryesore të kësaj kulture. Jashtë çdo dyshimi, se kjo kulturë është kulturë dhe vepër e popullatës vendase dhe se elementet joautoktonë, që u përmendën nuk mund të shpjegohen si faktorë për pjesëmarrje të rëndësishme të popullatës jovendase në krijimin e kësaj kulture, si dhe as për prani të rëndësishme të elementeve të huaj etnikë, të cilët dukshëm do ta shprishnin strukturën etnike të këtyre anëve në mesjetën e hershme.
Përkundër kësaj teze, shpesh përdoret fakti se në Shqipërinë mesjetare, shumë të shpeshta janë emrat sllavë të vendeve me ç’gjë, dëshirohet të argumentohet se elemnti etnik sllav ka luajtur një rol të rëndësishëm për ndryshimet etnike të këtyre anëve, se sa që tani del nga materiali arkeologjik.
Ky argument vetëm sipërfaqsisht sjell në dyshim konstatimet e dhëna më lartë. Mirëpo, është e vërtetë se janë të shumta toponimet sllave në Shqipërinë mesjetare, një numër mjaft i madh sosh është ruajtur deri në ditët e sotme që mund të shërbejë si argument i pranisë sllave në këto anë, ku është formuar populli shqiptar, por poashtu është e vërtetë se në këto anë edhe atëhere edhe sot, jetojnë shqiptarët, që tregon se ardhacakët sllavë gjatë kohës, janë asimiluar, respektivisht të shqiptarizuar dhe se ata u bënë njëri nga elementet konstituive të etnogjenezës së shqiptarëve.
Lidhur me këto toponime sllave, duhet shtuar se ata më tepër janë argument i shtrirjes së shtetit bullgar, maqedonas dhe serb në këto krahina, se sa dokument për praninë e madhe të elementit etnik sllav. Për atë se është kështu, vërteton edhe e dhëna se mbreti Konstantin Porfirogenet, në qindvjetëshin e dhjetë, disa qytete në Shqipëri ende i quan me emrat e tyre të moçëm (antikë) dhe shumë shpejt pas kësaj këto qytete të njëjtë në burime që do të dalin i quajnë me emra sllavë.
Emri i ilirëve për shenjëzimin e popullsisë vendase në këtë pjesë të Ballkanit për herë të fundit del në shekullin VII në aktet “ MIRACULA SANCTI DEMETRII”, kjo ndërkaq është koha e lulëzimit të kulturës së Komanit.
Lidhur me këtë shtrohet një pyetje qenësore: ç’ndryshime janë bërë në përbërjen etnike të popullatës vendase në shekuj pas përmendjes së fundit të ilirëve deri në përmendjen e parë të emrit të shqiptarëve në shekullin XI dhe pse përgjithësisht ka ardhur deri te këmbimi-zëvëndësimi i këtij emri? Poashtu, lidhur me këtë na imponohet edhe një pyetje tjetër, poashtu e rëndësishme: pse banorët e lashtë si emër të tyre kombëtar pranuan emrin e një fisi ilir nga brëndia e vendit, i cili në periudhën parahistorike dhe antike nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm, e nuk morën emrin e ndonjë nga fiset më të njohura, bie fjala të taulantëve, pirustëve etj?
Fakti se banorët e lashtë në brendi i kanë ruajtur shumë më mirë doket e veta, gjuhën dhe kulturën e vet kombëtare se sa ata në pjesët bregdetare të Shqipërisë së sotme të cilët ishin të ekspozuar procesit shumë më intensive të romanizimit, mund të na shërbejë si mbështetje për shpjegimin e pyetjes pse albanoit e moçëm (antikë) u bënë faktor kaq i rëndësishëm në Shqipërinë mesjetare.
Gjithsesi, nuk është i parëndësishëm fakti se kultura e hershme mesjetare e Komanit u zhvillua më intensivisht në brëndinë e Shqipërisë së Mesme dhe Veriore dhe se njëra nga nekropolat më të mëdha të kësaj kulture gjendet në Shqipërinë e Mesme, në Krujë, pra pikërisht në atë zonë, në të cilën në kohën antike jetonte fisi ilir ALBANOI, dhe ku gjendej qyteti i tyre kryesor ALBANOPOLIS. Asgjë e jashtëzakonshme, pra, që banorët antikë vendës dhe ata të moçëm, të cilët emrin e vet kombëtar e ruajtën gjatë okupimit romak, e ruajtën po këtë emër edhe atëherë kur Perandoria Roake u shpartallua.
Në çrregullimet e shumta që ndodhën në fund të antikës dhe në mesjetën e hershme, zona në të cilën jetonte ky fis u bë jashtëzakonisht e rëndësishme. Këtu do të zhvillohet një nga qendrat më të forta kulturore të kulturës autoktone mesjetare, ndërkaq albanoitët do ta ruajnë emrin e tyre nacional të cilin shkrimtarët bizantinë nga qindvjetëshi i njëmbëdhjetë e këndej do ta quajnë popull të zonës Albanon e cila qendrën e vet e ka pasur në Krujë.
Prandaj, nuk duhet në mënyrë të veçantë të argumentohet se arbanonët, të cilët shkrimtarët bizantin i quanin “arbanitai” e ngjashëm, në të vërtetë janë pasardhës të fisit ilir të albanëve.
Kjo ruajtje këmbëngulëse e emrit fisnor, në të njëjtin vendbanim, më parë dëshmon për vazhdimësinë etnike dhe veç kësaj përjashton mundësinë se arbanitait mesjetar kanë ardhur nga diku, sepse është e pabesuar që ardhësi dhe ardhacakët ta kenë lënë emrin e tyre nacional dhe ta kishin marë e pranuar emrin e një fisi të huaj të cilin e gjetën në atdheun e ri. Në të vërtetë, pikërisht fakti se në mesjetë është ruajtur emri fisnor i albanëve ilirë për shenjëzimin e banorëve të kësaj ane është dokumenti më bindës i vazhdimësisë etnike iliro-shqiptare.
Indicie për rolin e rëndësishëm që albanoit kanë luajtur në mesjetë më shumë se sa në kohërat e vjetra gjejmë në faktin se Kruja një kohë të gjatë ka qënë qendër me rëndësi e Shqipërisë mesjetare. Këtu e ka pasë selinë e vet kryeipeshkëvi, i cili është quajtur “EPISCOPUS ALBANENSIS”, këtu ka qënë edhe qendra politike e Albanonit.
Me kalimin e kohës emri arbanoi, albanenses e të ngjashëm, i cili më parë ka shenjëzuar banorët e zonës Arbanon, që ka qënë shtrirë si duket në Shqipërinë e Mesme, ndërmjet Durrësit dhe Dibrës, do të shtrihet edhe tek pjestarët tjerë të këtij populli, kurse gjuha të cilën ky popull e ka folur do të quhet gjuha arbëreshe.
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…