Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje arvanitase ishte Mikel Maruli (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante, shkruan në “Historia e Letërsisë Shqiptare” Albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510) na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500.
Ishte fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XV kur Kostandinopoja ra ndër duart e barbarëve osman të cilët nuk kursyan asgjë, përfshirë edhe kulturën e artin (si mund të dojë një barbar artin?!). Familjet e kulturuara që e donin artin nuk mund të vazhdonin të jetonin në një vend që po gëlonte nga dhuna dhe spastrimi kulturor, prandaj morën rrugët e atyre vendeve të Evropës ku akoma nuk kishte hyrë tymi i zjarrit të injorancës osmane.
Në Kostandinopojë, duke qenë se ishte një ndër dy qendrat e krishtërimit, qenë vendosur për t’u mbrojtur edhe familje nga vende ku tanimë osmanët qenë “turrur” duke marrë para çdo gjë. Mes tyre ishte edhe familja e Marulëve e cila u shpërngul nga Moreja, vendi të cilit i kushtohet edhe kënga “Moj e bukura More” kur osmanët erdhën dhe u vendos në “të pathyeshmen” Kostandinopojë.
Në fillim të vitit 1453, kjo familje përjetoi një gëzim të shumëpritur. Një djalë i vogël i cili do të pagëzohej me emrin Mikel lindi që ashtu sikurse engjëlli Mikel është rojtar i Parajsës, të bëhej rojtar i Atdheut.
Fare pak pas lindjes së tij, Kostandinopoja ra dhe Marulët u shpërngulën në Raguzë, vend ku Mikeli jetoi deri në rininë e hershme. Formimi i marrë aty la mbresa të pashlyeshme në kujtesën dhe krijimtarinë e tij në të ardhmen, gjë që shihet qartë në poezinë “Lavdi Raguzës”, shkruar vite pasi qe larguar nga aty.
Marulët e panë se Raguza nuk ishte vendi “ideal” për to, prandaj vijuan sërish udhëtimet, këtë herë drejt bregdetit apenin ku pas disa zhvendosjesh jo të gjata, përfundimisht u vendosën në Ankona.
Duke qenë se qysh në Raguzë xhevahiri i diturisë së Mikel Marulit pati shkëlqyer, me t’u vendosur në Itali ai vijoi studimet fillimisht në Venedik e më pas në Padova, njëlloj si paraardhësit e pasardhësit e tij humanistë.
Ai nuk ishte aspak indifernet ndaj politikës. Me të marrë vesh se atdheu, tani më i marrë nga osmanët rrezikontë të “bënte shokë”, rrokë armët dhe shkon në luftë deri në brigjet e Detit të Zi, luftë që detyrohet ta lërë pasi merr vesh se i vëllai Gjoni dhe e ëma Efrosinë kishin ndërruar jetë.
Vihet re që herët si poet dhe poezia e tij vlerësohet shumë e botohet, para e pas vdekjes së hershme e aksidentale ku u mbyt në Çeçino të Toskanës teksa kalonte me kalë në vitin 1500.
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…