Sami Repishti: Kryengritja e Postribës 1946, lëvizja e parë antikomuniste shqiptare
Kryengritja e Postribës është njohur si lëvizjë e parë anti komuniste në Shqipërinë e cila sapo ishte vendosur nën rregjimin e komunistëve. Ajo zgjati shumë pak dhe u shtyp shpejt nga forcat komuniste të shumta në numër në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat por sic thotë Sami Repishti, më shumë viktima krijoi më pas me persekutimin e qindra personave. Në përvjetorin e kësaj kryengritje, ju sjellim një shkrim të ish të burgosurit politik, Sami Repishti.
Nga Sami Repishti, PH.D.*
9 shtator 1946. “Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit të Shkodrës u prish nga nji breshni qitjesh me armë që më erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt. “Pushteti” i ri komunist kërcënonte me kolektivizim. Nji grup i madh afër 200 vetash, i guximshëm por i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjez, kur sulmuesët u tërhoqën.
Rrjedhimet e këtij akti vetëmohues u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Ditën e parë, në nji fushë afër qytetit u ekzekutuen njizetë e tetë katundarë. Batalionet e Sigurimit të Shtetit invaduen katundet e Postribës e pushkatuen pa faj, pa gjyq, shumë fshatarë që nuk u arratisen sepse nuk morën pjesë në kryengritje! Shumë shtëpi u dogjën e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti.
Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. Ky akt guximtar u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe nga elementët “armiq të popullit”. Mbrenda nji mueji, qyteti kishte dymbëdhetë burgje të përkohëshme, e ma shumë se njimijë e dy dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo. Por natën, kur filloi pushka në rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstri i kuq mishngranës ishte plagosë! Nga dritarja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Nuk ashtë melodi e re për këte popull që ashtë “ushqye” me gjak e lotë.
Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këte natë martirizimi, zana numëron dëshmorët e ramë për liri, ndërsa në ledhet tremijëvjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historia e jote, o Shkodër, ashtë tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet ajo kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjëshme të njerëzimit të lirë. Fjala shqipe “kryengritës” më pëlqen shumë!
Sa e bukur; sa tërheqse! Fjala “kryengritje” që në gjuhët e hueja perëndimore përkthehet me “insurrectio”, (nga latinishtja), ngritje kundër nji autoriteti civil ose politik, nji seri aktesh dhe ngjarjesh që synojnë nji qellim të caktuem: ndryshimin e rendit shoqënor ekzistues, ka nji kuptim të veçantë në shqipen tonë. Ajo ka nji prejardhje ma të përcaktueme, ma “burrënore”: “të ngrejsh kokën nalt”, (“Nalto ballin, çetë luftare” e D.Ndre Zadejës) të refuzosh dhe të përbuzësh nënshtrimin, të mos përulesh, as të thehesh as të përkulesh, të kundërshtosh kamxhikun e shtypësit me nji guxim që sfidon vdekjen, dhe në përpjekjen fisnike me jetue “kryenaltë” pranohet humbja e nji jete që, pa liri dhe pa dinjitet njerëzor, nuk ka kuptim.
Nderi para jetës! Kryengritësi! Kryengritje! Sa titull magjepës! Ky ashtë koncepti që unë kam formue gjatë viteve të gjata në burgjet komuniste të Shqipërisë, e në kontakt me individë të thjeshtë, të paarsimuem, besnikë të traditave tona të besës, nderit, burrënisë, mikpritjes dhe trashëgimisë që na jep trimnia e fitueme në situata të vështira, “shtigjet e ngushta”, “rruga e kryqit” e Kalvarit tonë kombëtar.
Ky ashte koncepti që unë kam formue nga takimet e përditëshme me ish-të burgosunit nga krahina e Postribës, në Veri të Shkodrës sime, landa kryengritëse që me guxim marramendës sulmoi “pushtetin” e terrorit komunist në Shkodër, më 9 shtator 1946. Sot, këte akt guximi të rrallë e quejmë “Lëvizja e Postribës” dhe e festojmë në kujtim të kryengritësve që shkruen me gjak nji epope, si dhe të viktimave që shkaktoi lufta në qytet, e masat ndëshkimore që nuk përfunduen asnjiherë për 45 vjet kundër kësaj popullsie vendëse. Por identifikimi i këtij akti spontan guximtar si “lëvizje” asht i pasaktë. “Kryengritja e Postribës”? Po!
Leckamanët guximtarë të Postribës u mundën! Por, miti i “pushtetit të popullit”, i trumbetuem aq shumë nga sundimtarët e kuq u shemb. Ata që sulmuen ishin shumica katundarë të vorfën, landa që reklamohej nga “pushteti” si baza e tij, e që tashti ngrente kokën si rezistencë kundër “pushtetit”uzurpues.
Disfata politike e komunizmit në Shqipëri ishte e plotë! Në ato ditë, entuziasmi, unë shkrova: “… Digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju! Sot në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka nevojë përsëri liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kërkojnë pse duhen ushqye fëmijtë që qajnë për bukë, e për babën që nuk jeton ma! Ngreje zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndaje errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me flakadanin e ndezun në dorën që shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju!”. ((Nën hijen e Rozafës, f.125)
* * *
Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946, u arrestova nga organet e Sigurimit të Shtetit. Mbas nji hetuesie barbare që kërkonte nënshtrimin tim ma shumë se “informatat” mbi veprimtarinë anti-pushtet, dola para “Gjyqit të Popullit”, nji shaka e pashpirt, nji komedi sa banale aq vdekësore. Nga 22 të akuzuemët, nandë fatmjerë u dënuen me vdekje, dhe ma vonë u ekzekutuen. Unë mora 15 vjet burgim të randë mbi kurriz. Nga ata që shpëtuen nga vdekja ishin edhe katundarë nga Postriba, pjesëmarrës aktivë të sulmit të 9 shtatorit. Njeni nga ata, i akuzuem si “kryetar” i kryengritjes, pranoi akuzën me dinjitet. Nuk mohoi veprimtarinë e vet në këte akt të armatosun.
I thjeshtë, me pak fjalë, rreth pesëdhjetëvjeçar, por i lodhun nga jeta e vështirë e katundit, kufizohej me përgjegje të shkurta: po ose jo. Emni i tij, Osman Haxhija! Shpeshherë kishe përshtypjen se nuk kuptonte as akuzat e prokurorit, as vrejtjet banale të kryetarit. I veshun me nji palë rrobe të vjetra, që nga qendrimi në qelitë e flliqta të burgut dukeshin edhe ma të vjetra, Osman Haxhija qendronte me trupin drejt, kokën nalt, dhe shikimin e përqendruem në trupin gjykues sikur donte me sfidue autoritetin e tyne sa herë që e sulmojshin me ngulm e egërsi.
Nuk e di se çka mendonte në ato momente kritike për jetën e tij, por shihej qartë nji shprehje mosperfillëse për të gjithë procesin, njerëz e ngjarje, me ftohtësinë e nji stoiku i përgatitun për gjithçka, i tronditun nga asgja.
Nga banka e të akuzuemëve shikojshe me admirim të sinqertë këte viktimë të rrethueme nga ujq mishngranës që kercënojshin atë dhe të gjithë të mjerin vendin tim. Cili do të ishte fati i jonë në duer kriminelësh vandalë të kuq të vendosun me mbajtë pushtetin me çdo kusht e të nënshtrojnë me çdo mjet nji popullsi që nuk i pranonte? Më 27 nandor 1947, u dhanë dënimet.
Osman Haxhija u dënue me burgim të përjetëshëm. Akoma më tingëllojnë në vesh britmat histerike të aktivistëve të grumulluem në sallën e gjyqit, ish-kinemaja e qytetit. Turma e pamend as na njihte, as kuptonte skenën makabre të përgatitun nga “pushteti” që ata i bindeshin verbënisht. “Trathëtarët në litar! Trathëtarët në litar!” shkyheshin gurmazet e qindra “spektatorëve” tashma aktorë pa ndërgjegjsim të valles së vdekjes që bahej para syve të tyne, të verbuem nga injoranca! Shumë qenie të thjeshta, ndërgjegje të papërlyeme, e mendje të çorodituna nga propaganda kambëngulëse për hakmarrje e frika e përgjithëshme, ranë viktimë e iluzionit komunist! Më 28 nandor 1947, përfunduem në Burgun e Shkodrës.
* * *
Ditën e parë të shetitijes njiorëshe në oborrin e burgut lëvizëm poshtë e nalt pa folë. Ma vonë, u afrova me Osman Haxhinë, e përshëndeta, i shtrëngova dorën, e përgëzova që i kishte shpëtue jeta nga pushkatimi. Ai uli kokën! “Na kushtoi randë”, më tha, “por nuk kishte rrugë tjetër”. Shqetësim i madh, por asnji shenj pendimi. Heshti e hodhi sytë rreth e rrotull. Ishim të rrethuem nga nji mur i naltë. Në kullat e ngrituna qendrojshin kercënues ushtarë të armatosun. Përmbrenda ishin rojet e burgut me shkopij.
Mbas asaj dite, Osman Haxhija më kërkonte, sikur kishte dëshirë, me thanë diçka që e mundonte. Disa herë ecshin krah për krah, pa folë, që të mos krijohej dyshimi te rojet. Por heshtja e vazhdueshme nuk mund të zgjatej ma. Ishte e qartë se ai kishte nevojë, nji nevojë të madhe me folë e me tregue.
Më dukej sikur kishte frikë se do të vdiste e të merrte me vete “sekretin” që përpiqej me zbulue. Unë kishe nji dëshirë të papërmbajtun me ditë ma shumë, me kuptue ma mirë rrjedhjen e ngjarjeve që sollën katastrofën e pa parashikueme, ku kishim ra viktimë të gjithë.
Nji ditë, gjeta guximin e duhun me ba pyetjen kryesore: “Osman”,- thashë,- “pse ngritët krye?”. Ai u mendue pak, tërhoqi edhe nji herë në cigaren që mbante mes dy gishtave të dorës së djathtë, të zverdhun nga duhani, e u përgjegj thjesht: “Na erdhi thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrugë tjetër për ne!”, e heshti. Në atë moment kritik për këte njeri të mbushun me inat e deshprim, nuk gjeta fuqi as fjalë me ngushëllue këte figurë tragjike.
Por ai nderpreu heshtjen e dhimbëshme e vazhdoi: “Me reformën agrare të vitit të kaluem na damtuen, por përsëri e bajshim jetesën.
Ti e din se na mbjellim duhan kryesisht, e me shitjen e tij në pazar na sigurojmë të ardhunat me plotësue nevojët tona shtëpiake. Me reformën e vjetit 1946, këte të tashmen, na hoqën edhe atë mundësi. Nuk na mbeti tjetër veçse me u ba punëtorë të thjeshtë me pagesë të Shtetit. U vendos nga të tjerët me u ba kooperativa bujqësore, me drejtor nga jashtë katundit, nëpunës të panjohun për ne, e na rrogëtarë me pagesë ditore. Këte, as e kuptojshim as e pranojshim. Gjithë jeta e jonë ndryshoi për të keq. Na u duk sikur nuk jemi ata që kemi qenë brez mbas brezi…!
Por e keqja ma e madhe ngjau kur vendosen me mobilizue të rinjtë e katundit për ushtri. Kjo na këputi dy krahët. Sepse me djelmtë ushtarë na ishim robë të tyne… nuk mund të bajshim asnji kundërshtim”. “A ishte ky nji mendim i përgjithëshëm?”, e pyeta unë. “Po!”, më përgjegji. “Për këte kemi qenë të gjithë të nji mendimi. Jeta që na priste ishte nji jetë pa nder, jetesë rrogë- tari…!”. E heshti. Fjala e fundit u shqiptue me nervozitet. Dukej se dilte thellë nga zemra e tij e plagosun.
Kam mendue shpeshherë për këte “jetesë rrogëtari”. Për nji katundar të pavarun, ndryshimi në varësi të Shtetit duhet të ketë qenë me të vërtetë tronditës. Të ngrihesh në mëngjez e në vend që të punojsh arën tande e të kujdesesh për nevojët tueja e të familjes, duhej tashti të rreshtohesh bashkë me të tjerët e të marrësh urdhën nga të tjerët, ku të shkosh e çka të punosh, ndërsa për familjen përcaktohen pagë të vendosuna përsëri nga të tjerët. Po “unë”, cili jam unë atëherë?
Ishte psikoza e skllavërisë që e frikësonte! Në ditët e ardhme, vazhduem bisedët tona ma me lehtësi, sepse akulli ishte thye. Tashti, ai kishte zbrazë kupën e helmit që e mundonte; megjithatë, priste që edhe unë të çfaqë arsyetimin për dënimin tim. I thashë se si student, si i ri qytetar, ishe shumë i shqetësuem nga terrori ushtarak e policor që ushtrohej në të gjithë vendin, nga nënshtrimi poshtënues i vendit ndaj “shokëve jugosllavë” dhe nga censura e fortë që rritej çdo ditë e ma shumë kundër fjalës së lirë, qoftë me gojë, qoftë me shkrim….
E të tjera arsyetime si këto! Osman Haxhija më shikonte me kujdes, e besoj për respekt ma shumë se për interesim! Nuk pyeti. Nuk di në se e kuptonte sqarimin tim, por nji lloj kureshtjeje dukej qartë në fëtyrën e tij. Ma në fund më tha: “Për këte ke ra në burg?”. “Po!”, i thashë. “Për këte shkelje të drejtave të mia qytetare… Janë me randë- si” shtova,” për nji jetë me dinjitet, jetë me nder. Si mendon ti?”. “Edhe ne na kanë prekë në fe”, shtoi ai me nji gjysëm zani, sikur kishte zbulue diçka të re. “Nuk kemi hoxhë, sepse kanë frikë me ardhë në katund”, shtoi ai me thjeshtësinë e vet… E shikova! “O. sancta simplicitas!”, thashë me vete!
* * *
Osman Haxhija nuk vuente nga ndjenja e vdekjes, “asgjasimit të pareparueshëm të jetës”, që ashtë tema e intelektualit të angazhuem, aventurierit, e revolucionarit të edukuem. Ideja e heroit modern që nuk beson në Zotin nuk kishte vend në arsyetimin e tij. Ai revoltohej me mbrojtë të kaluemen e tij që e dëshironte me gjithë shpirt, i pandamë nga ajo. Ideja e revoltimit me shpresë se do të përmbysej e tashmja dhe do të rilindte nji botë e re, ishte e panjoftun për këte katundar kryenalt. Ai kërkonte vetëm të vazhdonte jetën, ashtu si të parët e tij.
Por kambëngulja ishte e fortë, si dhe guximi që ajo krijonte. “Shqetësimi” modern nuk ishte ai i Osman Haxhisë. Ai besonte në Zotin me bindje, dhe pranonte pa u revoltue idenë e vdekjes, ashtu si e jepte feja (“kështu ka qenë shkrue”), që ai përqafonte pa kondita, me premtimin e nji bote tjetër “të përherëshme e të pasosun”. “Shqetësimi” i tij kishte nji karakter ma imediat, të përditshëmen, të thjeshtë, traditën, shoqëninë tradicionale, e njikohësisht themelore për jetën me nder, si baba, si gjyshi, si brezënitë e pafund.
“Shqetësimi” i tij ishte për shokët që humbën jetën në aksionin vëllaznor dhe familjarët e tyne, për të rinjtë që indoktrinoheshin nga nji rregjim shtypës, për lirinë e fesë që kercënohej me zhdukje, për ruejtjen e së drejtës së pasunisë private, dhe për humbjen e gjendjes së qytetarit që respekton ligjin në nji shoqëni ku çdo njeni ashtë nji vlerë e pa zavendsueshme. Aspekti tragjik i jetës së “kryengritësit” Osman Haxhija gjindej në ballafaqimin e tij me “pushtetin” që i mohonte lirinë, thirrjes së tij për jetë të lirë dhe grushtit të hekurt të “pushtetit”, vendosmënisë tij me ruejtë identitetin për vete dhe për shoqëninë ku jetonte, në ndërhymjen e jashtëme me dhunë dhe guximit tij civil me i thanë “Jo!” forcës së ushtrueme, plotësisht i ndërgjegjshëm se ajo “forcë brute” do të shkatërronte punën dhe përpjekjen e tij me u çlirue…
Ballë për ballë me vdekjen, ai kishte zgjedhë me jetue i lirë! Plotësisht i ndërgjegjshëm ishte katundari i Postribës, “kryengritësi” i thjeshtë Osman Haxhija… E “osmanët” e krahinës heroike që e ndoqën atë deri në vdekje. Dhe ky ashtë shpirti i “kryengritjes së Postribës” që na përkujtojmë sot me respektin ma të madh që meriton. Ushtarakisht, “Kryengritja e Postribës” ka qenë nji akt guximtar, i papërgatitun dhe që përfundoi në tërheqje.
Këte përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqës të “Kryengritjes” gjatë viteve të gjata të burgimit tim. Por, politikisht, ajo hapi nji humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditëshëm. “Pushteti popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme e refuzojshin “diktaturën e proletariatit”. “Faji” joekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë e torturë. Këte detyrë monstruzoe e mori përsipër Sigurimi i Shtetit kriminel…
Me torturat ma çnjerëzore, viktimët e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën se kanë pasë dijeni për “Kryengritjen”. Unë kam qenë njeni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi me folë për qytetarë shkodranë, tregëtarë, pronarë tokash, intelektualë perëndimorë, e sidomos për klerin katolik, si organizatorë të “Kryengritjes” dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”. “Për ne”, më tha oficeri hetues, “armiku i vërtetë janë intelektualët e sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasurinë dhe mjafton.
Kulakëve u marrim tokën, dhe mjafton. Por pasuria e juej është në kokë, kulturë e ide perëndimore. Prandej do të ju presim kokën… Kleri katolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë armiqtë e popullit…”. Dhe kokët u prenë, e xhelati duergjak kalon sot qetësisht, pa u trazue nga ligji, nji jetë të qetë që nuk meriton. “Kryengritja e 9 shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë e madhe, politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit” dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrëse “gjeorgjiane”….
Akoma sot, nga bota e nëntokës ku pushojnë viktimët, nga varret e humbuna dhe të mospërfilluna ku mbulohet pafajënia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëmhyjnore: “Para Zotit dhe ndërgjegjes sonë, na jemi të pafajshëm! Jemi prindët e juej, jeni fëmijtë tonë! Na kujtoni! Ju lutemi, mos na harroni!”… “… Ata kurrë mos u harrofshin/Në kangë e në valle, por u këndofshin!”. (Atë Gjergj Fishta)
Ridgefield, CT.USA *Ish-i burgosun politik (1946-56)
Top Channel
Është një ndër kurat më të lashta popullore përdorur mijëra vite më parë për…
Ekspertë të ushqyerjes së shëndetshme e kanë cilësuar lëngun e mishit si një eliksir…
Hudhra është një ushqimet më mirëbërëse për organizmin. Përdorimi i saj i rregullt çdo…
𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…
Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar…
RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY