Filmi i ri Hamnet, që po përflitet për çmime Oscar, paramendon jetën familjare të Uilliam dhe Agnes Shekspirit – dhe humbjen e djalit të tyre. Është një histori prekëse që mbush shumë boshllëqe.
Nga: Caryn James / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Në Hamnet – romani i elokuent i Maggie O’Farrellit nga viti 2020 dhe filmi i ri i bazuar mbi të – gruaja e Shekspirit [William Shakespeare], Agnesa, paraqitet si herbaliste që njeh mjekësinë natyrore dhe ka aftësi pothuajse të mbinatyrshme për të ndier të ardhmen. Por, ajo nuk arrin ta shpëtojë djalin e saj të vogël nga murtaja – një vdekje që e shtyn të atin e djalit të shkruajë një nga veprat më të mëdha të letërsisë: Hamletin. Dhe, thuajse asgjë nga kjo nuk është e vërtetuar. Në letër dhe në ekran, Hamneti është një vepër e imagjinatës, një eksplorim i thellë i dhimbjes dhe humbjes, i ndërtuar mbi pak fakte të njohura. Nuk mund të thuash se O’Farrell – që ka shkruar gjithashtu edhe skenarin e filmit bashkë me regjisoren Chloé Zhao – ka shtrembëruar të vërtetën, sepse nuk ekziston një histori e dokumentuar, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të historianëve për të zbardhur të kaluarën e Shekspirit.
Faktet e pakta rreth familjes së Shekspirit janë shumë më të pakta në numër nga pyetjet që ato ngrenë. Regjistrimet tregojnë se në vitin 1582, Ulliam Shekspiri, atëherë 18 vjeç, u martua me 26-vjeçare Anne Hathaway, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, Susanna. Tre vjet më vonë lindën binjakët e tyre, Judith dhe Hamnet – një emër që në atë kohë përdorej në mënyrë të ndërrueshme me Hamlet. Në vitin 1596, kur ishte vetëm 11 vjeç, Hamneti vdiq. U varros më 11 gusht, dhe është pothuajse e sigurt që Shekspiri, i cili ndodhej në udhëtim me trupën e tij teatrale, nuk ka mundur të kthehet me kohë në Stratford për funeralin. Rreth katër vjet më vonë, ai shkroi Hamletin. Nxirrni çfarë të doni nga kjo.
Paul Mescal dhe Jessie Buckley interpretojnë Uilliam dhe Agnes Shekspirin në filmin “Hamnet” (Burimi: Alamy)
Askush nuk e di nëse Shekspiri u detyrua të martohej me Annen sepse ajo ishte shtatzënë, apo nëse ishin lidhur vërtet nga dashuria. Askush nuk e di saktësisht si vdiq Hamneti, por murtaja ishte përhapur shumë në atë kohë dhe është shkaku më i mundshëm. Më e rëndësishmja për librin dhe filmin, askush nuk di shumë për vetë Annen, përfshirë nëse ajo dinte të lexonte e të shkruante. Letërsia ia jep asaj një personalitet të fortë (siç e portretizon fuqishëm Jessie Buckley në një rol që pritet të nominohet për Oscar), dhe një romancë pasionante me Shekspirin (të luajtur nga Paul Mescal). Në të vërtetë, Hamneti flet për Agnesën.
Në shënimet e autores në fund të romanit, O’Farrell pranon se dihet shumë pak për Hamnetin dhe prindërit e tij. Por, ajo e mbush rrëfimin e saj me kërkime të kujdesshme për fundin e shekullit XVI, duke e vendosur ngjarjen në kontekstin historik. Gjatë hulumtimit, ajo i tha BBC-së: “U tërhoqa paksa nga mënyra se si historia dhe studimet akademike e kanë trajtuar keq gruan e Shekspirit, gruan që na mësuan ta quajmë Anne Hathaway. Na është dhënë vetëm një version për të, dhe shumica e biografëve thjesht janë pajtuar me të – se ajo ishte një fshatare analfabete e cila e detyroi atë në martesë, se ai e urrente, se iku në Londër për të qenë larg saj”.
Edhe emri i saj është i pasigurt. Babai i saj, një fermer i suksesshëm, ia la asaj një pajë në testament, duke e quajtur Agnes. O’Farrell zgjodhi t’ia japë personazhit të saj këtë emër, duke arsyetuar: “[nëse] ndokush do ta dinte emrin e saj, do të ishte i ati.” Ajo thotë: “U ndje vërtet si simbolikë që, përveç gjithçkaje tjetër, nuk kemi arritur as emrin t’ia dimë saktë.”
O’Farrell ka një argument të fortë sa i përket demonizimit të gruas së Shekspirit. Jo Eldridge Carney, autore e studimit Gratë i kundërpërgjigjen Shekspirit: Adaptime dhe përshtatje bashkëkohore dhe profesoreshë e gjuhës angleze në Kolexhin e Nju-Xhersit, i tha BBC-së:
“Ky portretim nga O’Farrelli është mohim i qëllimshëm i shekujve të paragjykimeve dhe supozimeve të pabazuara për Annen – qoftë si shenjtore e duruar, por e mërzitshme, që ruante vatrën në Stratford, qoftë si grua e përdalë që e joshi Shekspirin në një martesë të mjerë.”
Ky vizatim në formë portreti nga viti 1708, është imazhi i vetëm i mbijetuar që mund të paraqesë gruan Anne Hathaway – ose Agnes, siç quhet në film.(Burimi: Getty Images)
Zbulimi i emrit të saj të vërtetë është më i ndërlikuar. David Scott Kastan, një studiues i njohur i Shekspirit dhe profesor emeritus i anglishtes në Universitetin Jejlit, i tha BBC-së: “Në thuajse të gjitha dokumentet ajo quhet Anne, dhe vetëm në një – testamentin e të atit – quhet Agnes.” Asgjë tjetër nuk është e sigurt. Është e mundur, thotë ai, “që ajo të jetë pagëzuar Agnes, por të jetë quajtur Anne.” Ai shton: “Më pëlqen mënyra se si romani e shfrytëzon këtë mundësi për t’ia dhënë asaj një identitet të vetin, të ndarë nga martesa për të cilën dimë shumë pak dhe që gjithnjë e shohim përmes lentes së Shekspirit.”
Për të krijuar personazhin e veçantë të Agnesës, O’Farrell e përpunoi atë nga dramat e Shekspirit. “Ajo çfarë bëra ishte të kthehesha te dramat dhe t’i rilexoja në një mënyrë tjetër, duke parë nëse mund ta gjeja aty – sepse gjithnjë kam ndier se e shoh Hamnetin te Hamleti. Por, pyesja veten – mendoja se duhej të ishte diku.”
Një frymëzim për intuitën e Agnesës vjen nga këto rilexime. “Ka shumë vizione dhe parandjenja në dramë,” thotë O’Farrell. “Mendo për shembull për orakullin te Jul Cezari’.” Njohuritë letrare të Agnesës për bimët dhe ilaçet kanë gjithashtu një paralelizëm me dramat e Shekspirit – veçanërisht në monologun e Ofelisë te Hamleti, kur ajo duket se humb mendjen dhe u shpërndan lule e bimë personazheve të tjerë, duke përmendur vargjet: “Rozmarina është për kujtesën.”
“Lexova që çdo shtëpi, në atë kohë, kishte një kopsht mjekësor,” thotë O’Farrell. “Dhe, do të ishte përgjegjësi e gruas së shtëpisë, matriarkes, të dinte si të përgatiste ilaçe dhe të trajtonte sëmundjet. Nuk ishte diçka që burrat dinin.” Për këtë pjesë të dialogut, O’Farrell thotë se mund të paramendohet se Shekspiri është mbështetur te njohuritë e gruas së tij.
Të shohësh Agnesën si partnere të barabartë në martesë, kjo na ofron – ndoshta si një dëshirë e fshehtë – një Anne/Agnes për shekullin XXI. Agnesa e Buckleyt është lloji i gruas që mund të donim që Shekspiri të kishte – që është e veçantë në mënyrën e saj. Ajo është aq e pazakontë saqë përflitet, siç paralajmëron nëna e Shekspirit në film, se është “fëmijë i një magjistareje të pyllit.” Është e mençur, me bindje të forta dhe mjaft e kuptueshme për ta pranuar se burri i saj duhet të ndjekë thirrjen e tij artistike në Londër. Ajo është një grua për të cilën gjeniu mund të kishte rënë në dashuri – dhe ne kuptojmë se pse Shekspiri i Mescalit ndien një tërheqje ndaj saj që në fillim.
Ilustrim i shekulli XIX: Shekspirit duke recituar “Hamletin” për familjen e tij, me gruan ulur në karrige djathtas dhe djalin e tij, Hamnet, pas tij në të majtë(Burimi: Alamy)
Ky konceptim i Anne/Agnesës nuk është domosdo një dëshirë romantike. Carney thotë: “Edhe pse mund të jetë joshëse ta shohim Annen e O’Farrellit si përpjekje për ta kthyer atë thjesht në një feministe të epokës së hershme moderne – një figurë më e përputhshme me ndjesitë tona – ky portretizim, në fakt, përputhet me atë që dimë për jetën e shumë grave të asaj kohe.” Ajo shton: “E dimë se shumë gra drejtonin me sukses atë që sot do ta quanim ‘biznes të vogël’: prodhimin e birrës, mjekësinë bimore, përpunimin e elbit, tregtinë, endjen dhe më shumë. Shkalla e edukimit të nevojshëm për këto profesione ka qenë më e vështirë për t’u vlerësuar.”
Ne ende nuk e dimë nëse gruaja e Shekspirit dinte të lexonte. Agnesa fiktive, në roman, mundet, por vetë O’Farrell mendon se në versionin real të saj ajo ka qenë ndoshta analfabete. “Do të ishte e kotë të edukohej vajza e një blegtori për të shkruar dhe lexuar,” thotë ajo.
Martesa që përshkruhen në libër dhe në film, bëhet më e distancuar kur Shekspiri largohet nga familja për periudha të gjata kohore, duke jetuar në Stratford-mbi-Ejvën ndërsa punon në teatër në Londër – mungesa që janë historikisht të dokumentuara. Por, kur bëhet fjalë për vdekjen e Hamnetit dhe pasojat e saj të dhimbshme, ka vetëm spekulim.
O’Farrell, në përputhje me esenë me ndikim të studiuesit të Shekspirit, Stephen Greenblatt, Vdekja e Hamnetit dhe krijimi i Hamletit (2004), sheh një lidhje të drejtpërdrejtë me dramën, përtej ngjashmërisë së emrit. Në film, kur Agnesa udhëton drejt Londrës për ta parë vetë dramën – një shtesë e sajuar artistike – ne shohim, ashtu si ajo, se aktori që luan Hamletin është veshur dhe stilizuar që të ngjajë me Hamnetin. Në një zgjedhje brilante të kastit, Jacobi Jupe luan djalin Hamnet, ndërsa Noah Jupe, vëllai i tij, luan Hamletin në skenë. Ngjashmëria vizuale mes tyre është e padiskutueshme. Në këtë interpretim, drama nuk është vetëm një mënyrë për Shekspirin për të shprehur pikëllimin e tij – por, edhe një mundësi për t’ia thënë lamtumirën të birit në skenë, ashtu siç nuk mundi ta bënte në jetë.
Kastan thotë për lidhjen mes vdekjes së Hamnetit dhe dramës: “Ajo patjetër duhej të kishte një ndikim – thjesht nuk e dimë se çfarë ishte. Është joshëse, ndoshta e parezistueshme, ta lidhësh vdekjen e djalit me Hamletin. Vdekja e Hamnetit/Hamletit duhet të jetë ndier nga Shekspiri dhe familja e tij si humbje shkatërrimtare për shpirtin. Mund të ketë qenë, të paktën pjesërisht, arsyeja se pse, brenda pak vitesh nga vdekja e djalit, Shekspiri iu kthye një drame të vjetër (ndoshta nga Thomas Kyd) për një djalë të quajtur Hamlet dhe një fantazmë që thërret për ‘hakmarrje’ – për të shkruar Hamletin e tij, në të cilin do të interpretonte edhe vetë.” Është spekuluar prej kohësh se Shekspiri vetë e luajti rolin e fantazmës në dramën e tij – duke përmbysur rolet mes të gjallit dhe të vdekurit. Por, ka shumë ndikime të tjera në dramë, si letrare, ashtu edhe kulturore. “Lidhjet mes ngjarjeve të jetës dhe artit të Shekspirit janë thjesht spekulime – sado intriguese që janë,” thotë Kastano.
Kulmi emocional i filmit “Hamnet” ndodh kur Agnesa udhëton drejt Londrës për të parë vetë Hamletin(Burimi: Alamy)
Fakti është që nuk ekziston asnjë provë e mbijetuar që të tregojë se çfarë ka menduar apo ndier Shekspiri për gruan dhe familjen e tij – as edhe një copë letre. Por, studimet e reja mbi një fragment letre nga një dërgues i panjohur, mund të hedh ose të mos hedh dritë mbi martesën e Shekspirëve. Matthew Steggle, profesor i gjuhës angleze në Universitetin e Bristolit, sugjeron se një letër drejtuar “Zonjës Shekspir” në Londër, mund të ketë qenë për Annen. Kjo do të nënkuptonte se ajo ka jetuar në Londër me burrin e saj midis viteve 1600 dhe 1610 – dhe do të dëshmonte se ajo dinte shkrim-lexim. Vetë Steggle ka thënë se kërkimi i tij thjesht “hap derën” ndaj kësaj mundësie, se “është një mundësi që duket e vështirë për t’u mohuar, por jo e sigurt.”
Megjithatë, më shumë sesa çdo kërkim studimor, ky film me vlerë ka më shumë gjasa të ndryshojë perceptimin publik për gruan e Shekspirit, duke e përforcuar atë si Agnes. Kjo do të ishte “shumë bukur, nëse është e vërtetë,” thotë O’Farrell. Por, “ndoshta do të jetë një gjë kalimtare. Ndoshta, ashtu si kjo letër, do të dalë në dritë diçka tjetër dhe të gjithëve do të na duhet të ndryshojmë mendim përsëri.” Ajo shton dy fjalët që përkufizojnë aq shumë nga ajo që dimë për Shekspirët dhe për djalin e tyre: “Kush e di?” /Telegrafi/
RAFAEL FLOQI/ Fillimi i shekullit të njëzetë shënoi shkatërrimin e perandorive, përmbysjen e kufijve dhe lindjen…
Një dokument i rrallë i vitit 1949, rikthen në vëmendje historinë tronditëse të Elma Prishtinës,…
Hoti është një prej fiseve më të vjetra të veriut. Territori kryesor i Hotit shtrihet…
Google planifikon të sjellë në vitin 2026 syze inteligjente me inteligjencë artificiale (AI), duke u…
Ndoc Mark Deda i Berishës Pukës • Dëshmor i Atdheut.Mehmet Shpendi i Shalës Dukagjinit •…
Në një intervistë përballë gazetarit Dritan Hila në emisionin Shqip në DritareTV, studiuesi Mark Palnikaj…