Marrë nga profili i Naser Hajdari në FaceBook
Dëshmia e Batos
Malazezi Bato Tomasheviç e rrëfen kështu historinë e tij në lidhje me Mitrovicën, kjo ndodhi fill pas Luftës së Parë Botërore: “…Midis dymbëdhjetë familjeve, pra rreth gajshtëdhjetëmijë njerëzve, që shkuan në Kosovë nga pjesë të ndryshme të Serbisë dhe Malit të Zi, ishin dhe prindërit e mi dhe motrat Ljuba dhe Stana… Të nesërmen në mesditë ata mbërritën në Mitrovicë, një qytezë e vogël gjithë pluhur ose baltë, në varësi të motit me rreth nja njëqind shtëpi. Kjo ishte qendra pritëse për të gjithë të porsaardhurit në Kosovë. Këtu, në komandën ushtarake, kolonëve u jepeshin dokumentet për një shtëpi e për një tokë, përpara se të iknin për të marrë në zotërim pronën e tyre të re nën një eskortë ushtarake, pasi në disa raste kishte pasur konflikte të drejtpërdrejta me shqiptarët. Mitrovica ishte skenë e një konfuzioni të papërshkrueshëm, me turma njerëzish që vraponin në të gjitha anët, disa që përpiqeshin të blinin qumësht për fëmijët e tyre, bukë apo ndonjë ushqim tjetër që mund të gjendej, të tjerë që kërkonin ndonjë vend për të kaluar natën…”.
Pikërisht në këtë vend, malazezi Petar Tomasheviç (i ati i Batos) kishte vendosur të ringrinte jetën e tij të vobektë. Duke qenë kolon i ardhur rishtas, dhe pra me një thes me favore, ai arriti, edhe falë marrëdhënieve të ekuilibruara me krerët vendas shqiptarë që të bëhej shef i milicisë së Mitrovicës.
Vazhdon dëshmia e Bato Mihajlloviç, malazezit të lindur në Mitrovicë: “…Shkollimi në Kosovë nuk ishte i detyrueshëm, por ishte falas për ata që donin ta ndiqnin atë. Në klasën time, tok me nja njëzet fëmijë nga familjet kolone kishte edhe gjashtë a shtatë nxënës me origjinë turke ose shqiptare. Në ditën e parë, të sjellë nga baballarët e tyre ata rrinin të gjithë bashkë në një kënd të korridorit, veçmas nga ne dhe nga prindërit tanë. Të paduruar, të irrituar, ende të shqetësuar, ne të gjithë prisnim të rriteshim një e nga një… Nga fundi i vitit tim të parë shkollor ndodhi një incident, duke shënuar kulmin e gjithë atyre që kishin ndodhur më përpara, i cili mund të kishte çuar në pasoja fatale. Ndonëse isha gjithnjë në grupin e nxënësve serbë, unë nuk isha në radhën e parë të atyre që bënin ‘shaka’ me djemtë myslimanë. Një ditë, gjatë një pushimi të shkurtër midis orëve të mësimit, disa nga djemtë më të rritur dhe më të fortë të klasës sime, me xhepat e mbushura me mbeturina mish derri, rrethuan një numër djemsh shqiptarë që qëndronin bashkë në një cep të oborrit, i mbërthyen ata dhe filluan t’u fusin dhjamë derri në gojë. Unë ende e kam para syve pamjen e tmerruar dhe neverinë në fytyrat e tyre, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin dhe të nxirrnin nga goja mishin e derrit, që feja e tyre ua ndalonte ta preknin me dorë, pale më ta fusnin në gojë. Kjo nuk mund të durohej nga shokët e mi shqiptarë të klasës, të cilët nxorën thikat që mbanin të fshehura me vete dhe u turrën pas dhunuesve të tyre që tërhiqeshin. Pavarësisht se nuk kisha marrë pjesë në këtë fëlliqësi, unë ia mbatha kur pashë xhindosjen e djemve myslimanë. Por, ndoshta ngaqë nuk ndihesha fajtor, unë nuk vrapova aq sa të tjerët, kështu që isha i fundit që arrita deri te muri i oborrit të shkollës. Ata kishin mundur të kapërcenin atë, ndërkohë që unë isha duke u kacavjerrë. Papritmas ndjeva një dhimbje therëse në pjesën e prapme të kërcirit. Një nga ndjekësit më kishte goditur duke më shkaktuar një plagë të thellë pak më poshtë kupës së gjurit. Plagosja ishte e rëndë dhe më bëri të çaloj për disa javë me radhë. Një pasojë e këtij incidenti ishte që paskëtaj, mësuesit bënin ndalesa të herëpashershme, duke kontrolluar nxënësit shqiptarë dhe çantat e tyre për thika. Fëmijët kolonë nuk u kontrolluan asnjëherë”.
Fatet njerëzore janë gjithnjë të njëjtat. Ato nuk pyesin edhe aq gjatë nëse je shqiptar, malazez, serb, maqedonas, italian, grek, amerikan… Për familjen malazeze kolone Tomasheviç në Kosovë po shkonte çdo gjë mirë, porse… rrëfen vetë Bato: “… Rreth kësaj kohe (1936) babai mori një duzinë hektarësh në fshatin Pirçe, gjysmë ore larg me karrocë nga Mitrovica. Ai ndërtoi një shtëpi në këtë tokë dhe ne filluam të shkonim atje për fundjava dhe pushime. Por, kur gjithçka dukej se po shkonte si jo më mirë, sipas planit të babait, kur jeta jonë ishte mjaft e gëzuar, familja jonë ishte e grumbulluar dhe plot gjallëri dhe gjithsekush shihte punën e tij, si rastis shpesh në jetë ndodhin një ngjarje që ndryshoi gjithçka”.
Kjo ngjarje, që ndryshoi gjithçka ishte se Petar Tomasheviç kishte pritur, fare pa e ditur dhe fare pa pyetur, në familjen e tij arkivolin e një komunisti. Kjo iu shtua edhe akuzave se kishte miqësi me shqiptarët dhe se kishte toleruar ndaj tyre. Familja e kolonëve malazezë ngriti plaçkat dhe u shpërngul nga malet nga ku kishte ardhur. Një njeri i thjeshtë, duke përdorur alternativat e kohës, kishte dashur të jetonte në paqe me të tjerët dhe të shtonte mbarësinë e familjes së vet. Një ëndërr krejt e logjikshme. Mirëpo kjo asokohe kishte qenë e pamundur. Po sot?
Bato Tomasheviç, Jetë dhe vdekje në Ballkan, Onufri, Tiranë 2009. /Trungu & InforCulture
Data 26 mars e vitit 1451 kujtohet për aleancën që heroi kombëtar, Gjergj Kastriot…
Nga stuhitë deri në ditët me diell, ndryshimet e motit mund të shkaktojnë dhimbje…
Miliona njerëz në botë vuajnë nga sëmundja e osteoartritit, që shkakton dhimbje dhe vështirësi…
Arabia Saudite ka nisur një iniciativë inovative për të ndihmuar udhëtarët e humbur të lëvizin…
Teuta SHALA-PELI PRIKA DHE DHURATAT NË FAMILJET ARBËRORE ME RASTIN E MARTESËS (GJYSMA E DYTË…
Fahrush REXHEPI, shkëputur nga revista KOSOVA, No. 20-21 (1999) Botuar: 2024-09-19 Kultura dhe qytetërimi islam është…