Categories: KURIOZITETE

Pse i thonë “pastrim parash?”

 

Termi “pastrimi i parave” lidhet me të vërtetë me rrobat e papastra dhe me lavatriçet. Ai u krijua si term nga praktika e Al Capone-s për të qarkulluar fitimet e krimit përmes një rrjeti lavanderish publike. Ja se si funksiononte.

Termi “pastrim parash” është i njohur në të gjithë botën sot, por shumë pak e dinë se ai lidhet me të vërtetë me larjen në lavatriçe të rrobave të papastra. Termi u shpik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1920, kur qeveria amerikane ndaloi me ligj prodhimin, tregtimin dhe konsumimin e alkoolit duke krijuar kushtet për lulëzimin e një industrie ilegale dhe shumë fitimprurëse. Organizatat kriminale arrinin të prodhonin pije alkoolike nëpër bodrume ose ta importonin atë ilegalisht nga Kanadaja. Por këto organizata kriminale kishin një problem. Ata duhej të kujdeseshin për fitimet e tyre në para të thata, thasë me para në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, të cilat nuk mund të dërgoheshin nëpër banka pa ngritur alarm te autoritetet ligjzbatuese.

Al Capone, një nga gangsterët e pasuruar falë tregtisë ilegale të alkoolit, gjeti një mënyrë sa të thjeshtë, aq edhe gjeniale. Ai bleu një rrjet dyqanesh lavanderish në qytetin e Çikagos. Biznesi i lavanderive jo vetëm që sillte të ardhura, por në operacionet e përditshme i sillte këto të ardhura në monedha me prerje të vogël apo në kartëmonedha me vlerë të ulët. Këto para mund të përzjeheshin me paratë e ngjashme nga tregtia e paligjshme e alkoolit dhe të dërgoheshin në banka për qarkullim normal. Për agjencitë ligjzbatuese, ky lloj qarkullimi ishte shumë i vështirë për t’u identifikuar.

Po kështu, duke qenë se dyqanet e lavanderive ishin të shumta, Al Capone mund të përdorte edhe pronësinë e tyre për të fshehur origjinën e pasurive të rrjetit të tij të kriminelëve. P.sh., një trafikanti mund t’i kalohej pronësia e plotë apo e pjesshme e një dyqani të vetëm, i cili deklaronte fitime.

Sot pastrimi i parave ndahet në dy kategori të mëdha: e para është procesi si ky që përmendëm më sipër, ku një biznes përdoret për të deklaruar para bankave paratë e grumbulluara në treg. Tjetra është një proces shumë më i komplikuar, në bazë të së cilit, kriminelët dëshirojnë të shpallin para autoriteteve së paku një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga krimi si të ardhura biznesi të ligjshëm. Për këtë arsye, kriminelët janë të gatshëm të paguajnë taksa, madje në mënyrë tepër korrekte.

Ndërkohë, bota e njeh këtë proces si “pastrim parash” dhe me raste, “lavatriçe” apo “laundromat” posaçërisht për shkak se Al Capone perdori lavanderitë e Çikagos për të pastruar para.

admin admin

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

9 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

11 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

16 hours ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

1 day ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

1 day ago