Moikom Zeqo: -Trinomi protoilirët – ilirët – shqiptarët
2018
Moikom Zeqo
Ilirologjia dhe kerkimet shkencore per etnogjenezen iliro-shqiptare kane 27 vjet qe kane ngecur ne vend dhe ne boshllek.
Madje teza te kunderta dhe in extremis e mohojne ekuacionin shkencor te etnogjenezes iliro-shqiptare. Ne kete hulli po shkruaj per te treguar se ky ekuacion eshte i vertete duke ju referuar fakteve dhe teorive pozitiviste te shkences arkeologjike.Habitem si hesht Akademia e Shkencave e Shqiperise.
Dijetari dhe arkeologu spanjoll Pedro Bosch – Gimpera botoi në vitin 1960 në Mexico “El problema indoeuropeo” me qëllimin e kuptueshëm dhe ambicioz për të paraqitur teoritë kryesore për origjinën e popujve indevropianë të gjuhëve dhe të kulturave të tyre. Ky aksion i llojit të enciklopedistëve francezë të epokës së iluminizmit ishte rezultat i një praktike paraardhëse të dijes njerëzore. P.B.Gimpera në librin e tij – i përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe që e bëri atë të famhëm, tenton të japë një kronologji të teorive kryesore për Origjinën e popujve indevropianë, pra bën një kompjuterizim dhe një skedim tejet të domosdoshëm të dijes deri në atë kohë.
Pavarësisht nga mangësitë e pahmangëshme edhe në librat të kalibrit të tillë vepra e Gimperas e run vlerën e saj kulturore dhe informative.
Nga vitet 60′ e deri tani, në fundin e mijëvjeçarit të dytë, teoritë për origjinën (më saktë origjinat) e popujve indevropianë kanë patur një zhvillim në segmentin e dijes së pozitivitizmit lingustik dhe zbulimeve të mëdha arkeologjike. po mund të thuhet se nuk ka ndryhsime konceptuale të mëdha në rrafshet teorike dhe se problemi në fjalë është përherë në kundërthënien dhe ende rri pezull midis hipotezës dhe tezës. Kjo gjëndje e dyfishtë e dijes njerëzore është një dialektikë sub eternitas.
Kuptueshmëria e gjenezës (e ftillëzimit) është motiv i përhehrshëm i njeriut.
Kozmogonia qe përpjekja e parë e njeriut të lashtë për të përputhur mitin me të vërtetën. Miti bën spjegime të përgjithëshme me metafora poetike të fuqishme e të paharrueshme. Te kinezët, babilonasit, egjiptianët e grekërit e vjetër kozmogonia qe një modus vivendi e kuptimeve për ftillëzimin universal. Prandaj kozmogonia ishte në substancë mitike dhe një parathënie tepër e pasur dhe e gjenezës biblike e cila i thjeshtëzon prirjet e paskajëshme të miteve në ciklin monoteist të krishtërimit. Megjithatë metafora e babilonizmit biblik (jo pagan) për ndarjen e gjuhëve gjithmonë linte te nënkuptonte një paragjuhë, që askush nuk e di dhe që nuk ruhet nga pasardhësit. Në esencë spjegimi biblik të tërë origjinat i parashtron si hyjnore. E tillë është zanafilla e popujve, ose e njeriut adamik. Teoritë teologjike ishin si brinjët e Adamit për të bërë Evat e mendimit në mesjetë.
Arkeologjika shkencore pothuaj nuk ekzistonte. Mungesa e arkeologjisë është fatale për të konstruktuar një histori të pashkruar të së kaluarës të së kaluarës së largët. Antropologjia si dije pozitive lulëzon vetëm në shekullin në shekullin e XX dhe është kaq shumë e ndërlidhur edhe me arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë.
Vetëkuptohet që për të thënë diçka serioze duhej çveshur dija nga mitizimi, që dija të identifikohej me vetveten. Kjo është mundësia dhe mbijetesa e dijes, që e vërteta natyrore të krijojë një paritet maksimal me të vërtetën e mendimit.
Gimpera tërë librin e vet e ka me një prapavijë të tillë kuptimore, larg skemave (pavarësisht që i paraqet skemat) larg kultivimit të teorive që në kohëra të ndryshme zotëruan mendimin e dukeshin gati si aksioma gjeometrike (pra relativizmi shkencor është në thelbin e librit).
Ato që mundësuan një rezyme në formën e një libri si ky i Gimperës qenë sidomos zbulimet epokale të prehistorisë. Arkeologjia prehistorike i afrohet kufirit midis historisë gjelogjike dhe historisë njerëzore, midis gjenezës natyrore dhe antropogjenezës (ende tepër natyrore) të segmentuar në historinë e Homo Sapiensit.
Gimpera bën një kufizim gjithësesi: ai interesohet kryesisht për popujt indevropianë, pra, për thelbin e europianizmit. Kjo gjë e dimensionon tematikën shkencore. Për ftillëzimin e europianizmit flitet si për një pjesë gjenetike të gjenezës universale njerëzore të gjithë popujve në planetin tonë. Në parashtrimin e problemit Gimpera thekson se vështrimi i trefishtë arkeologjik, antropologjik e gjuhësor mundëson një paraqitje të fakteve. Pafundësia e fakteve është e tillë, saqë të orientohesh drejt duhet dhe një parashtrim konceptual llogjik e shkencor.
Gimpera e ve problemin në një bazë diskutimi, pra, në rrafshin e një kritike dialogogjike, shpesh antonimike. Ky relativitet i teorive dhe mendimeve është i frytshëm dhe jo ortodoks, i ngrirë.
Gimpera vërtet synon në këtë libër një “parahistori” po ai nuk e paragjykon atë, e paraqet si një materje të gjallë dhe aspak të kristalizuar përfundimisht. Kështu “Në kërkim të kohës së humbur” duke huazuar një metaforë të shkëlqyer e kuptimplotë të Marsel Prustit, Gimpera ravizon fakte të nxjerra në dritë dhe struktura teorike që shpehs kanë dështuar. Pra, arkeologjia i ka paraqitur sukseset e saj në formën dramatike e disa herë komike të dështimeve. Ky është paradoksi i vetëdijes, i mendimit njerëzor, për të aritur te evërteta relative, po kurrë deri në fund te e vërteta absolute.
Tipik është dështimi i teorisë arkeologjike e gjenetike të Kosinës, i cili nuk arriti të vërtetojë burimin verior (nordik) të qytetërimit europian, sepse ai i fetishizoi të dhënat e kohës së vet për neolitin, i absolutizoi disa tipare e nuk pa (siç u vërtetua më pas) se neoliti europian në zanafillë qe shumë më i larmishëm e një shumësi neolitike, një mozaik kulturash, disa prej të cilave nuk lidheshin fare me stërgjyshërit e popujve indoeuropianë.
Po kështu edhe dështimi i teorive për unicitetin e pastër të racës indoevropiane si dhe dështimi i teorive për gjuhën mëmë, të vetme zanafillëse etj., janë dështime të antropologjisë dhe të gjuhësisë, që ne vetvehte janë kërkime te së vërtetës dhe mënjanime të konvencioneve, disa herë të politizuara.
Gimpera i di të gjitha këto dhe e ka të qartë se faktet teorike duhet të bëhen fakte të së vërtetës. Prandaj në librin e Gimperas duhet ditur për te lexuar, jo në formën pamore grafike, por në thellësitë kuptimore, në lojën e dyshimeve dhe të paraqitjeve, të mendimit të epokave, të kundërthënieve.
Në këtë libër, ajo që na intereson është edhe çështja e ilirëve, si një nga popujt indeuropianë. Për fat të keq hapësira informative për ilirët është këtu tepër e kufizuar. Për të plotësuar diçka le të më lejohet që të paraqes disa nga rezultatet arkeologjike dhe gjuhësore te gjenezes së ilirëve dhe të problemit të formësimit, ose të lidhjes me konceptin e europianizmit, si dhe gjenezën e dytë, atë të shqiptarëve, që birësohen nga ilirët e lashtë. Të dy gjenezat janë pjesë të njera tjetrës, një e vetme.
Në rrafshin arkeologjik gjeneza e ilirëve, ose e parailirëve, protoilirëve, ka dy probleme themelore: problemin e indoeuropianizmit në gadishullin Ballkanik dhe problemin e indoeuropianëve me ilirët dhe ilirishten.
Një tezë e dijetarëve thotë se në kohën e herëshme dhe të mesme neolitike ka ekzistuar një njësi gjuhësore e karakterit paraindoeuropian në tërëterritorin e Mesdheut (kuptohet e brigjeve), kurse elementet indoeuropianë kanë depërtuar në fushën e epokës neolitike të vektuar nga Lindja e Juglindja.
Një tezë më e re favorizon një situatë të ndryshme kur elementi indoeuropian ka ekzistuar në Europën Juglindore qysh në neolitin e hershëm dhe të zhviluar në vend. Kjo tezë është teza e autoktonisë së formimit të kulturave neolitike. Gjatë këtij procesi të gjatë e interesant elementi indoeuropian i ardhur në mbarim të neolitit e eneolitit i dha një ferment gjallërues të veçantë indoeuropianizimit të territoreve të Shqipërisë – çka vërtetohet arkeologjikisht (kulturat neo-eneolitike në Vashtem, Kolsh, Cakran, Maliq – Kamnik).
Zbulimet arkeologjike të prehistorisë sidomos të neolitit të hershëm na bëjnë të mendojmë qartë se elementi indoeuropian, ose paleoindoeuropian dallohet që në këtë hark kohor dhe vetëm më vonë procesi i indoeuropianizimit pati flukse nga Lindja dhe Juglindja.
Tërë vështirësia është përcaktimi i sintezës, shkrirjes së karakterit të banorëve shumë më të vjetër me ardhësit indoeuropianë, që u vendosën në këto treva, duke formuar një bashkësi themelore gjuhësore të karakterit indoeuropian, që i korespondon kompleksit ballkano-egjean të neolitit të vonë. Pikërisht në këtë kohë krijohen mundësitë e formimit të një shtrese të pashlyrshme indoeuropiane në Gadishullin Ballkanik, që më pas në epokë e metaleve, formësuan dy grupet e mëdha gjuhësore të ilirëve dhe të thrakëve.
Padyshim që përcaktimi se cila ishte popullsia indoeuropiane paragreke në epokën e neo-eneolitit të kompleksit ballkano-egjean është nje problem i hapur nga diskutimet dhe tezat e kundërta. Arkeologjia dhe linguistika ende na japin pak prova të vërtetimit shkencor, por shkencëtarët preferojnë ta quajnë këtë popullsi si parailire, paragreke e parathrake. Në këtë konteks flitet për banorët paleoballkanikë.
Nënshtresa indoeuropiane në lidhje gjenetike me kompleksin kulturor ballkano-egjean si nënshtresë parailire parakupton për mendimin tonë , banorët me parakë, më të stërlashtë të vendit tonë.
Një problem konceptual dhe kyç është ai i lidhjes së protoilireve të indoeuropianizuar me popullsinë pasardhëse, që spikat në kohën e bronxit. Sustrati i hershëm me raportet e reja kulturore dhe etnike të bartësve të kulturës së epokës së bronxit të hershëm në Shqipëri (Maliq, shpella e Blazit në Mat) janë të dokumentuara në një vijimësi arkeologjike. Kjo është tejet e rëndësishme.
Në fundin e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë e në fillim të mijëvjeçarit të dytë- para erës sonë si rrjedhim i dyndjes së popujve indoeuropianë u zhdukën qytetërimet e lashta të neolitit dhe u formua kultura e herëshme e bronxit, të ndërlidhur me substratin eneolitik ballkanik, pra edhe me protoiliret e stërlashtë dhe pas tyre ilirët.
Nuk duhet harruar se gjumë të kulturave të mirëfillta paspaleolitike, ose mezolitike nuk janë zbuluar deri më sot në Shqipëri. Mungesa e materialit mezolitik duhet t’i atribuohet mungesës së kërkimeve në këtë fushë. Në Vlush të Skraparit janë gjetur gjurmë të një horizonti të neolitit të hershëm me tradita të forta mezolitike.
Zbulimet arkeologjike në Shqipëri kanë bërë të mundur njohjen me disa grupe etno kulturore neolitike si binomi kulturor Vashtëmi-Podgori, kultura e Cakranit, kultura Maliq Kamnik etj, të zhvilluara në një bazë autoktone, jo pa koresponduese me komplekset e gjëra ballkanike etnokulturore.
Ilirologjia studion pikërisht gjenezën dhe kulturën e ilirëve. Në periudhën e herëshme të hekurit burimet historike na bëjnë të ditur se banorët e Shqipërisë ishin ilirët.
Ka dy mendime kryesore (kryeteza) për prejardhjen e ilirëve: njëra i konsideron ilirët si të ardhur në gadishullin ballkanik dhe tjetra si popullsi autoktone, të formuar në truallin historik të Ilirisë.
Ndër teoritë e shumta të prejardhjes së ilirëve në Ballkan spikat ajo që i lidh bartësit e kulturës së fushave me urna të Europës Qëndrore me ilirët. Kjo teori thotë se bartësit e kësaj kulture të kontinentit kanë lëvizur drejt Jugut në shekujt XII-IX para erës sonë (dyndjet dorike, egjeane apo paneno-ballkanike), duke u përzjerë, apo zhvendosur shumë popullsi anase, duke krijuar një tablo të ndryshme etnologjike.
Kultura e fushave me urna (urnenfelderkultur) dhe veçmas dega e saj e quajtur kultura e Lushicës (rajon në Gjermani) u mbiquajt e ilirëve nga arkeologu Gustav Kosina e më pas u pasua nga Richard Pittioni dhe filologu Julius Pokorny. Këtu procesi konceptohet si një hop cilësor i protoilirëve në ilirë dhe që shkaktuan dyndjen e madhe dorike në atë që quhet në shkencë ende “Dark Age”.
Shkolla e Kosinës ftillëzoi të ashtuquajturin panilirizëm që me të drejtë Vittore Pizani e quajti si “një sëmundje”
Një teori tjetër ishte ajo e arkeologut Karl Shugard, që bartësit e qeramikës neolitike thrakase i quajti parailirë (Urillyrier).
Nga ana tjetër Vladimir Gjeorgjievi mbron tezën se krijuesit e kulturës kreto-mikenase qenë protoilirët, që edhe paniliristi më i madh Hans Krahe e vlerësoi si një fantazi të thjeshtë. Për të treguar se sa shumë skajuan deri në absurd teoritë e prejardhjes së ilirëve le të përmendim edhe dijetarin Robert Heine-Geldern, i cili në vitin 1951 botoi një tezë, që ilirët dikur rreth shekullit të IX – VIII para erës sonë morrën pjesë në një dyndje që çoi deri në Mongoli, Kinë dhe në Indi (?!)
Pikëpamja e zhvilluar nga arkeologët shqiptarë në gjysmën e shekullit të XX ka krijuar teorinë e formimit të ilirëve dhe të kulturës ilire në vend pa ndërprerje, pra, kjo shtë teoria e autoktonisë. Në këtë kuptim teza që i lidh ilirët me bartësit e kulturës së fushave me urna bije, ose zbehet. Gjithashtu të dhënat arkeologjike flasin se dyndja Panono-ballkanike nuk e ka përfshirë pjesën përqndimore të gadishullit ballkanik, pra edhe teritoret e Shqipërisë.
Etnogjeneza ilire nuk duhet parë vetëm në lidhjen me dyndjen Panano-ballkanike, pavarësisht nga disa ndikime të saj. Kjo dyndje e cilësuar indoeuropiane në fundin e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë ndikoi në kultura neolitike të Ballkanit, po nuk është totalitare për territorin shqiptar të sotëm.
Etnosi ilir i krijuar në epokën e bronxit është edhe një unitet, që ka brenda diversitet dhe përgjithësisht sot nënvizohen dy grupe të mëdha kulturore ilire: ai jugor dhe ai verior.
Për grupin ilir verior ka dhënë kontribut të veçantë arkeologu Alojz Benac, i cili favorizon një autoktonizëm të ilirëve.
Në pikëpamje të përafërt edhe Gimpera e mbështet teorinë e Benacit, por duke përfshirë në këtë proces edhe bartësit të kulturës së Lushicës nga Veriu.
Teoria e autoktonizmit ilir përfaqësohet sot nga dijetarët shqiptarë si Prendi, Korkuti, Ceka, Selimi etj. dhe zbulimet arkeologjike ne prehistori, në kulturën paraqytetare ilire dhe sidomos konceptimi më i kompletuar rreth çështjeve të tilla si qyteti ilir, shteti ilir pa harruar komponentet e artit, të botëkuptimit etj., kanë krijuar një epokë të re në shkencën për ilirët.
Trinomi protoilirët-ilirët -shqiptarët paraqitet në një dritë të re. Po edhe është i paplotësuar, plot të vjetra e të reja.
Sidomos karakteri gjenetik i filiacionit të shqiptarëve nga ilirët është një problem, ku arkeologjia ka dhënë një material bindës dhe hedh poshtë tërë pseudo teoritë e politizuara shoviniste, që mohojnë karakterin sutokton të shqiptarëve në trojet e tyre historike.
Gimpera në sythin e librit të tij të quajtur “Ilirët, thrakët, dakët” jep gjykimet vetiake të jehonizuara nga dijetarë të tjerë paraardhës ose bashkëkohës.
Gimpera ve në reliev faktin se në marrëdhëniet me popujt e tjerë të Europës Qëndroire problemi i popujve danubianë dhe ballkanikë “shtrohet në mënyrë të ndryshme”
Kosina e kish quajtur kulturën luzasiane si qytetërim ilir verior ‘karpo-dak” në lidhje me kulturën e popujve danubianë. Ky përcaktim dështoi në vërtetësinë e vet (arkeologjikisht). Lidhjet e kulturës së Luzasës me venetët, (të dalluar përfundimisht nga ilirët – ndryshe nga ç’i kishin quajtur ilirë më parë) solli një ndryshim të fokusit të problemit në fjalë.
Kalimi nga epoka e bronxit në atë të hekurit (në disa shekuj) bëri të shfaqen grupe të reja historike të dakëve, ilirëve dhe thrakëve.
Ilirët përfaqësonin një kulturë etnike, ku qenë asimiluar rezultatet e kulturave neolitike të zonës dinarike të Ballkanit Perëndimor si dhe një element të fortë të huazuar nga popujt alpinë, ndoshta të dalluar nga ata që janë indoeuropianë në karakteristikë, duke u indoeuropianizuar ndërmjet marrëdhënieve e ndikimeve indoeuropiane të mirëfillta, duke asimiluar edhe ndikimet e depërtimet e kulturës luzasiane.
Siç shihet më sipër teza e Gimperës i takon grupit ilir verior dhe në raport me gërmimet arkeologjike të bëra në Ilirinë e Jugut ajo ka një mangësi të materialit arkeologjik që nuk kishte se si ta njihte Gimpera kur po e shkruante librin e tij.
Në sythin “Dyndjet e keltëve – keltët dhe ilirët” Gimpera thekson se venetët nuk kanë qenë ilirë të mirëfilltë nga ana tjetër kultura e Luzacës nuk ka qenë tërësisht venete. Kurse Qytetërimi Halshtatian ka një personalitet të fortë dhe duhet të identifikohet me popujt ilirë historikë.
Këta popuj ilirë arritën një zhvillim të dukshëm dhe përmes Adriatikut më saktë në brigjet perendimore dhe lindore të Adriatikut krijuan një komunuelth, sepse grupet etnike të japigëve dhe të mesapëve në Italinë e Jugut ose daunët, janë të afërt me ilirët, ose të identifikueshëm me ilirët.
Gjeneza e popujve indeuropianë është edhe gjeneza e gjuhëve të tyre. Është kjo një e vërtetë aksiomatike.
Për problemet e gjenetizmit në fat janë shumë të komplikuara dhe aspak të thjeshta.
Zbulimi i afërsisë së gjuhëve indoeuropiane u bë në shekullin e XIX dhe qe një nga zbulimet më madhështore të mëndjes së njeriut.
Historia e gjuhësisë indoeuropiane do të qe ndryshe nëse do të kishim dhe tekste të gjuhëve të zhdukura si ilirishtja, thrakishtja etj. Mundet që në bibliotekën e Aleksandrisë që u dogj, ka patur vepra të këtij lloji.
Në komeditë e Aristofanit del ndonjë nga personazhet të ashtuquajtur “barbarë” ndonjë tribal, ose thrak e shqipton fjalë të çuditëshme, të pazbërthyeshme. Po faktet gjuhësore të gjuhëve të zhdukura nuk i kemi fatkeqësisht në dorë.
Vetëm në mesjetë qysh me poetin gjenial Danten, që në shekulin e XIII, që vuri pika afrimi midis italishtes dhe latinishtes e më pas me Filip Sasetin në shekullin e XVI, që udhëtoi në Goa të Indisë dhe vuri re se fjalë të indishtes lidheshin me fjalë të italishtes (psh indisht “sarpa” ose “diva” dhe italisht “serpente” dhe “dio” – përkatësisht “gjarpër” dhe “zot”) u arrit në një bazë konceptuale për një gjuhësi të shkollës krahasimtare për hetimin e marrëdhënieve të gjuhëve indoeuropiane, që sidomos u shtjellua sëpari nga Ulliam Xhons (1746-1794).
Me Franc Bobin (1791-1867) që botoi veprën e parë në 1816 të gjuhësisë së mirëfilltë indoeuropiane nis argumentimi sistematik i shtjellimeve dhe afërsive gjenetike të gjuhëve në fjalë. Në 1854 Bobi boton veprën “Mbi shqipen dhe lidhjet e afërsisë së saj me gjuhët e tjera indeuropiane” në 1854, duke përcaktuar dhe gjuhësinë shkencore të gjenezës dhe të zhvillimit të shqipes duke bërë një punë pionieri. Mbiçmimi i sanskrishtes nga Bobi e çoi atë në mendimin e një gjuhe mëmë nga rrjedhun gjuhë të tjera bija.
Termi “indeuropian” ka historinë e vet.
Bobi këtë term e mori nga August Shlegeli (1821-1868), i cili në veprën themelore “Kompedium i gramatikës krahësuese të gjuhëve indogjermane” identifikonte termin “indoeuropian’ me termin “indogjerman” Kjo sinonimi, qe në fakt e sforcuar e mjaft e kërkuar.
Në fakt të dy termat në fjalë nuk kanë konsistencë historike e janë konvencionale.
Emri “Europa” nuk është i epokave prehistorike të largëta por një krijim antik relativisht i vonë., Europa qe një figurë e mitologjisë greke lokalizuar në një provincë të Thrakisë afër Andrianopolit. Edhe emri “ind” nuk ka ekzistuar si dhe emri “europain” për të kaluarën zanafillëse të kontinentit tonë. Diçka më i lashtë është emri “arian” që përfshinte dy degët e iranasve të vjetër dhe të indasve të vjetër.
Termi ‘indoeuropian” u përdor së pari nga dijetari T.Young në vitin 1813.
Termi i mësipërm si dhe termat e përafërt është një rindërtim e koncept emërtues i dijetarëve, që donin të përfaqësonin një bashkësi popujsh dhe gjuhësh të veçantë.
August Shlegeli i përkiste biologjizmit gjuhësor. Qe ithtar i darvinizmit linguistik.Konsiderimi i gjuhës si organizëm i gjallë nuk qe i drejtë e shpejtë do të braktisej sepse qe aprioristike.
Gimpera në librin që kemi në dorë flet gjerë për teoritë gjuhësore të indoeuropianishtes.
Në fakt gjuhësia i ka ndërlikuar shumë hipotezat e veta.
Sigzmund Fajst (1913-1914) parashtroi një tezë “heretike” që e përkrahu dhe Z.Mejeja në Francë, që gjermanët nuk kanë qenë një popull indoeuropian në fillim e më pas qenë indoeuropianizuar, duke përjashtuar që atdheu i indoeuropianëve ka qenë Veriu i Europës, siç mendonte Kosina.
Në të kundërt Kreçmeri e kërkon tërë origjinën e indoeuropianëve në Europën Veriore e Qëndrore. Po ndërkohë ai godet vdekshëm teorinë gjenealogjike.
Mejeja hedh poshtë një rindërtim të indoeuropianishtes primitive. Në shënimet e shumta të Fan Nolit ka edhe konspekte të shkrimeve gjuhësore të Mejesë, sidomos për periudhën paraindoeuropiane.
Benvenisti saktëson se gjuha tokarishte i përket një grupi arkaik indoeuropian duke bërë të njohur rëndësinë e tokarishtes për tërë gjuhësinë indoeuropiane.
Trubeckoi kritikon besimin kultik në një gjuhë zanafillëse, pra, në gjuhën mëmë. Edhe Krahe e ka quajtur absurd supozimin e një gjuhe dhe një populli origjinar që nga mijëvjeçari i tretë para erës sonë. Gjuhët në këtë cak kohor qenë një gjendje fluide. Po Krahe që krijues i teorisë paniliriste kaq në modë në vitet 30’ të këtij shekulli. Nga fundi i jetës Krahe e modifikoi këtë teori absolutiste dhe foli për grupe të një indoeuropianishte primitive, arkaike. Këtë gjë e mbështet edhe Kreçmeri e më pas dhe kryembrojtësi i ilirizmit të topomisë së Europës Qëndrore Pokorny.
Të tërë këto teori Gimpera i paravendos në mënyrë kritike. Këtu është vendi të theksojmë se shkatërrimi dhe renimi i teorisë së panilirizmi më të drejtë nuk duhet që të bënte [për të shkruar në një skajim absurd të skepticizmit hiperpozitivist ndaj problkemit ilir dhe ilirishtes, siç u bë në dhjetëçarët e fundit të shekullit të XX E vërteta për ilirët dhe ilirishten qëndron në mes. Larg skajeve të mbivleresimit dhe të nënvleftësimit. Kjo gjë nuk ka qenë dot një objekt i vëmendjes shkencore të Gimperës.
Për ta bërë më të kuptueshëm e më të lexueshëm librin enciklopedik të Gimperës, dua të flas pak edhe për teorinë e origjinën e ilirishtes dhe te shqipes sipas prof.Eqrem Çabejt.
Në paleontologjinë ballkanike problemi i Ilirishtes është i një rëndësie të veçantë. Çabej me të drejtë ve në spikamë faktin se elementët e lashtë që mbijetojnë në gjuhën shqipe spjegojnë edhe ilirishten ga e cila ruhen vetëm disa glosa dhe toponime. Pra, rindërtimi i ilirishtes është jashtëzakonisht i vështirë dhe bën një “algjebër gjuhësore” të një sfondi me mjaft të panjohura.
Shqipja gjuhësisht dhe etnikisht ka një pozicion gjeografik të vijuar, autokton midis Lindjes dhe Perëndimit, pra një status ballkanik të pashlyeshëm. Dy vargmalet e Europës Qëndrore e Lindore Karpatet dhe Beskidet gjejnë spjegimin e tyre etimologjik me gjuhën shqipe. Shqipja paraqet lidhje leksikore me shumicën e gjuhëve indoeuropiane veriore. Teza e prejardhje Veriore të ilirëve e mbështetur ga gjuhësia deri më sot është ne një kontradiktë me tezën e prejardhjes jugore të ilirëve, që përfaqësohet nga arkeologjhia moderne shqiptare.
Ky karakter kontradiktor midis gjuhësisë dhe arkeologjisë është një paradoks konceptual ende i pakapërcyer në rrafshin e iliriologjisë.
Nga ana tjetër, mendimet kryesore për origjinën e ilirëve ndahen në tri lagje dijetarësh.
Lagja e parë e sheh origjinën e shqiptarëve nga ilirët e vjetër në vijë direkte (Thunman, Xylanderi, Hahni)
Lagja e dytë gjen origjinën e shqiptarëve nga Thrakët.
Lagja e tretë bën një sintezë. mbështet mendimin se shqiptarët janë rrjedhës nga ilirët po me komponente thrake (Norbert Jokli).
Përgjithësisht edhe ilirologu më i madh i kohërave tona Eqrem Çabej i përket opinionit shkencor, që procesi i formimit, ngjizjes së shqipes u bë mbi një shtrat ilir, po jo pa ndikime të thrakishtes.
Gjuha shqipe trashëgon sipas ligjeve të saj fonetike mbijetsën e toponimeve antike në trevat e Shqipërisë, që nga ilirët në fqinjësi e bashkëveprim me grekët e romakët e vjetër.
Po shqi[pja është një degë më vete, krejt e veçantë në familjen e gjuhëve indeurpiane.
Përcaktimi i saj si gjuhë kentum apo satem vazhdon akoma duke anuar më shumë nga klasifikimi kentum.
Me rëndësi fundamentale është kreu V i librit të Gimperas të quajtur ‘Përfundime”.
Këtu Gimpera bën abstraksion nga teoritë e ndryshme për popullin zanafillës, atdheun e parë, gjuhën zanafillëse, mëmë, nga nënndarjet e grupeve gjuhësore sipas sistemit të drurit gjenealogjik si dhe nga hipotezat që për shumë kohë u quajtën “tabu” shkencore.
Gimpera e di se mekanizmi i formës dhe ndërlidhjeve gjuhësore si dhe mekanizmi i tipeve antropologjike racore është shumë me i ndërlikuar dhe aspak i thjeshtëzuar.
Gimpera me të drejtë i jep parësi arkeologjisë në raport me gjuhësinë që mund të japë një kontribut më të sigurtë për teoritë gjenetike. Mospërputhja midis disiplinave (gjuhësisë, arkeologjisë, antropologjisë) është mëse e kuptueshme.
Arkeologjikisht popujt indoeuropianë spikatin në fillim të neolitetit dhe është e vështirë të përcaktohen që në epokën e mezolitike. Gjuhët e mezolitit kanë formuar një substrat të përgjithshëm në kontinent.
Kristalizimi përfundimtar indoeuropian mbart vijimësinë e substratit gjuhësor, të mozaikut të gjuhëve drejt zhvillimeve të reja.
Grupet e ndryshme, burimet kryesore të indoeuropianizmit janë jo vetëm në Veri të kontinentit por në tërë gjeografinë e tij duke patur parasysh edhe qëndren edhe Jugun apo Juglindjen.
Koha e bronxit rezulton si kohë stabilizimi etnik e formacionet etnike tashmë indoeuropiane të lashta të kontinentit tregojnë përsonalitetin e kulturave dhe qytetërimeve të tyre.
Interesante janë depërtimet indoeuropiane formësimet e ngjashme në Kaukaz si dhe në rajonet danibiane e pontike.
Dyndjet e popujve në fundin e epokës së bronxit dhe në kalimin e në apokën e hekurit bëjnë kristalizimin përfundimtar të gjuhëve të tyre.
Trako-frigasit po në epokën e bronxit janë formësim i marrëdhënieve etnike danubiane dhe pontike e ndërmjetme midis qëndrës europiane (kentum) dhe pontikëve (satem). Pikërisht kjo tezë e mbështet edhe tezën e origjinës së ilirëve dhe statusin e tyre indoeuropian.
Ilirët, së bashku me keltët, gjermanikët, baltët etj., kanë luajtur një rol të dorës së parë në krijimin e fytyrës skulpturore të Europës së lashtë.
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…