Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Një vepër e vlefshme për procesin e krijimit të shtetit shqiptar dhe për rolin e shqiptarëve në rënien e Perandorisë Osmane

– Recension për librin e fundit të Daut Dautit, botuar nga shtëpia e njohur botuese, Bloomsbury Academic –

Nga: Andrew Thomas Park, studiues dhe profesor në Universitetin e Hong-Kongut / Revista Journal of British Studies (2024), 1-2, botuar nga Cambridge University Press.
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Libri i Daut Dautit, Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane, 1876-1914 [Britain, the Albanian Question and the Fall of the Ottoman Empire, 1876-1914], gjurmon marrëdhëniet dhe perceptimet e ndërsjella midis elitës politike britanike dhe lëvizjes së sapolindur nacionaliste shqiptare, gjatë katër dekadave që çuan në krijimin e shtetit shqiptar. Nëse për pjesën më të madhe të kësaj periudhe këto marrëdhënie ishin kryesisht të heshtura, për një moment të shkurtër – por, vendimtar, gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1912-’13 – Britania luajti një rol vendimtar. Libri i Dautit ofron një sfond të dobishëm për këto zhvillime, duke u thelluar më herët në kohë sesa studimet e tjera në gjuhën angleze mbi krijimin e shtetit shqiptar dhe duke përdorur burime në gjuhën shqipe dhe nga arkivat ish-osmane.

Në libër, Dauti ndjek kryesisht një strukturë kronologjike. Pavarësisht periudhës së përmendur në titull, kapitulli i parë fillon në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë me përshkrimet e para për Shqipërinë të botuara në Britani – kryesisht nga shkrimtarë udhëpërshkrues, ku më i njohuri ishte poeti Lord Bajron [Byron]. Një tjetër shkrimtar interesant që udhëtoi në rajon ishte Benjamin Disraeli, i cili e vizitoi Shqipërinë në vitin 1830, pak pas rimarrjes së kontrollit në vend nga osmanët, duke masakruar qindra krerë shqiptarë që kishin mbështetur grekët në kryengritjen e tyre të mëparshme.

Përshkrimi pozitiv i shqiptarëve nga Bajroni dhe Disraeli bazohej në pikëpamjet e tyre laike, një perspektivë që kundërshtohej nga liberalizmi kristiano-centrik i William Gladstoneit. Qëndrimet britanike ndaj Shqipërisë, argumenton libri, u skalitën kryesisht nga pozicionet konservatore dhe liberale që përfaqësonin Disraeli dhe Gladstone. Megjithatë, kjo nuk solli ndryshime të prekshme në rezultatet politike për shqiptarët.

Kapitulli 2 e ilustron këtë duke vënë në dukje se, pavarësisht qëndrimit të përzemërt të Disraelit gjatë Kongresit të Berlinit më 1878 dhe më pas – sekretari i tij i Jashtëm, Lord Salisbury, u takua me një delegacion të Lidhjes Shqiptare, të trupit të parë (jetëshkurtër) të organizuar të unitetit politik shqiptar – ai në fund “nuk iu përgjigj kërkesës së tyre” (37). Konservatorët i shihnin shqiptarët si një mburojë mbështetëse të Perandorisë Osmane, ndërsa, për të njëjtën arsye, liberalët i shihnin ata si myslimanë të padenjë për mbështetjen që ata ua jepnin popullsive të krishtera të Perandorisë Osmane. Kapitulli 3 shqyrton këto perceptime konkurruese teksa vepronin brenda Komitetit Ballkanik – një grup presioni për politikën e jashtme, i themeluar më 1903 dhe që mbështeste autonominë e Maqedonisë Osmane, por që kryesisht e shihte rajonin “përmes prizmit të fesë” dhe për këtë arsye prirej të anashkalonte rolin e shqiptarëve (56).

Shqipëria ishte, sigurisht, gjithmonë pjesë integrale e çështjes maqedonase dhe e fatit më të gjerë të Perandorisë Osmane në Evropë. Kapitujt 4-6 e përshkruajnë këtë dhe kështu nxjerrin në pah edhe rolin e Britanisë në lëvizjen kombëtare shqiptare. Shoqëria Britanike dhe e Huaj Biblike luajti një rol të rëndësishëm që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në përkthimin dhe shpërndarjen e Dhiatës së Re në gjuhën shqipe, e cila, siç shkruan Dauti, ishte “popullore thjesht sepse ishte një libër në shqip” (88). Britania luajti gjithashtu një rol në planet politike të politikanëve kryengritës shqiptarë. Kur ishte ende besnik ndaj osmanëve dhe jo ende themelues i Shqipërisë moderne, Ismail Bej Qemali i dërgoi sulltanit një memorandum në vitin 1892, duke kërkuar një federatë ballkanike dhe një antantë me Britaninë për të zmbrapsur Rusinë.

Në fund, pas Revolucionit të Xhonturqve të vitit 1908, të cilin Dauti e riformulon mirë në lidhje me rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shqipëria, qeveria osmane do të orientonte veten drejt Gjermanisë. Ai vëren se si politika e gjuhës shpejt prishi mbështetjen e mëparshme të shqiptarëve me xhonturqit, gjë që përfundimisht çoi në armiqësi të hapur dhe pasoja më të gjera. Megjithatë, çështja e gjuhës ndihet gjithashtu në një mënyrë tjetër. Ndërsa shkrimi i Dautit është kryesisht i qartë, ka disa idiosinkrazi, zgjidhja e të cilave mund të kishte ndihmuar lexuesin.

Ndërsa kryengritja shqiptare e vitit 1911 dështoi, ajo arriti të nxiste Britaninë të mbështeste autonominë shqiptare, gjë që Dauti e përshkruan si “një hap vendimtar në braktisjen, nga qeveria britanike, të politikës miqësore ndaj Portës” (106). Kryengritësit shqiptarë patën më shumë sukses në vitin 1912, por mundësia e autonomisë shqiptare shqetësoi shtetet fqinje ballkanike dhe kjo kontribuoi në shpërthimin e Luftërave Ballkanike. Lindja e Shqipërisë gjatë Konferencës së Ambasadorëve në vitet 1912-’13, u ndihmua nga Sir Edward Grey, i cili tani e shihte më së miri shërbimin ndaj interesit britanik duke avokuar për një shtet të ri.

Diskutimi i Dautit mbi këtë diplomaci është disi i përmbledhur dhe është më mirë i shpjeguar në librin Lindja e Shqipërisë [The Birth of Albania, 2012] nga Nicola Guy dhe në studimin klasik të Ernst Helmreichut të vitit 1938. Po ashtu, argumenti si i tërë mund të kishte përfituar nga një angazhim më i thellë në kontekstin më të gjerë ndërkombëtar, i cili ndonjëherë humbet për shkak të përqendrimit të ngushtë te Britania. Megjithatë, libri i Dautit nuk është një histori e ngushtë diplomatike, por një përpjekje për të ilustruar lidhjen midis perceptimeve të brendshme britanike dhe rezultateve politike.

Kapitujt 7 dhe 8, dy të fundit të librit, pasqyrojnë këtë, pasi shqyrtojnë karrierat e dy mbështetësve të shquar britanikë të çështjes shqiptare, të cilët ndihmuan në formësimin e opinionit publik gjatë kësaj periudhe. Edith Durham dhe Aubrey Herbert ishin të dy anëtarë të pakënaqur të Komitetit të Ballkanit, të cilët u zemëruan nga injorimi i çështjes shqiptare nga ky komitet. Herberti krijoi Komitetin Shqiptar për ta kundërshtuar këtë qëndrim, por ndikimi përfundimtar i përpjekjeve të tij publike është i vështirë për t’u gjykuar. Komiteti kritikoi rezultatin e Konferencës së Londrës, por vetë Herberti lavdëroi Greyn.

Duket se Durhami pati më shumë sukses duke ndikuar te diplomatët britanikë – nga terreni në Ballkan. Megjithatë, pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1914, ajo u kthye vetëm një herë, shtatë vjet më vonë – dhe mbeti e zhgënjyer, duke shkruar, siç e citon Dauti: “[Nuk] ndjej se Shqipëria ime ekzistonte më” (134). A mund të kishte ekzistuar vërtet ndonjëherë Shqipëria e imagjinuar nga ndonjëri prej britanikëve që trajtohen në këtë libër?

Cilado qoftë përgjigjja për këtë pyetje, në eksplorimin e perceptimeve të brendshme britanike, Dauti ofron një sfond të vlefshëm për procesin e krijimit të shtetit shqiptar, i cili përfundimisht u realizua. Në këtë mënyrë, Dauti gjithashtu arrin të rikthejë rëndësinë e Shqipërisë në historinë e rënies dhe shpërbërjes së Perandorisë Osmane. /Telegrafi/

admin admin

Recent Posts

Pesë llojet më të mira të mjaltit dhe përfitimet e tyre shëndetësore

Këto janë llojet e mjaltit që mbrojnë mushkëritë dhe zemrën dhe që mund të ndihmojë…

5 hours ago

Dieta “Banania e mëngjesit”: Lehtë dhe shpejt deri te pesha e dëshiruar

Parimi themelor “i shpikësit” të kësaj diete është kafjalli që përmban vetëm një banane dhe…

6 hours ago

U zhdukën në një stuhi dëbore- Misteri i vdekjes së Lady de Rothschild dhe sekretares së saj, policia italiane rihap çështjen pas 44 viteve

Policia italiane ka rihapur hetimin për zhdukjen misterioze të ish-Zonjës de Rothschild në një stuhi…

6 hours ago

“Moscenim i pronës dhe zgjedhje demokratike”- Letra e 18 korrikut 1943 që u shmang pas “Mukjes”! Çfarë shkruhej në dokument

Nga: Dr. Uran Butka Pjesa e parë Marrëveshja kombëtare e Mukjes ishte një shans e një…

6 hours ago

Rëndësia e origjinës, sipas rastit të Marko Boçarit: Sonte nisem për të luftuar kundër shqiptarëve!

Nga: Daut Dauti Në gusht të vitit 1823, Lord Byroni qëndronte në anijen “Hercules”, jo…

7 hours ago