SEJDO HARKA
“Nuk jemi bij njerkash, por bij të një nëne, që e ka emrin Shqipëri, e cila ka një trup, një mendje dhe një qëllim” SAMI FRASHËRI
Sami Frashëri është, pa dyshim, një nga figurat më të ndritura të kombit shqiptar për të gjitha kohërat. Edhe pse kjo figurë poliedrike është produkt i kulturës osmane, në dejet e tij, deri në çastet e fundit të jetës, rendi gjaku, shpirti dhe mendja e atdhetarit të dashuruar me ëndrrat dhe lirinë, me gjuhën e kombin e tij dhe me virtytet më të larta të popullit tonë si: guximi dhe krenaria, trimëria dhe vendosmëria për ta bërë Shqipërinë të pavarur e të begatë. Sami Frashëri, ky ideolog i mendimit dhe veprimit të lirë e të mençur, edhe pse u mësua, edukua dhe punoi tërë jetën nën kthetrat e egra të Portës së Lartë, e gjeti forcën, vullnetin dhe guximin për t’u vënë në shërbim të çështjeve të mëdha të Atdheut të tij, siç janë: bashkimi i kombit, i gjuhës dhe trojeve, përmes autonomisë dhe pavarsimit të plotë të Shqipërisë.
Një djep i vogël ishte Frashëri, por një vend i bekuar, ku Emineja,(nëna e vëllezërve Frashëri) përkundi 3 burra të mëdhenj si Abdyli, Naimi dhe Samiu, të cilët, së bashku me qumështin e saj thithën edhe eliksirën e ninullave që ajo u këndoi dhe bekimin për t’u marrë me punët e mëdha të kombit. Sapo ata u burrëruan, secili zgjodhi “armën e tij më të bukur”, për t’i bashkuar fuqishëm në qëllim të përbashkët: “Ta bëjmë Shqipërinë të lirë, të pavarur dhe të begatë”. Nuk besoj se ka shqiptar që nuk di diçka për këtë figurë të madhe të kombit tonë. Kjo ndodh, sepse për Sami Frashërin janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen shumë libra, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në disa gjuhë të botës. Edhe pse për të është shkruar shumë, e ndjej të domosdoshme që, në këto shënime të shkurtra të ndalem edhe tek disa nga momentet kryesore të jetës dhe veprimtarisë atdhetare e krijuese të tij.
SAMI FRASHËRI DHE VEPRIMTARIA E TIJ ATDHETARE E KRIJUESE
Ai lindi në Frashër të Përmetit, më 1 qershor të vitit 1850 nga çifti, Halidi dhe Emineja. I ati vinte nga bektashinjtë e hershëm të kësaj krahine, që më vonë do të quheshin Dulollarë, ndërsa e ëma, Emineja vinte nga fisi i njohur i Iliaz bej Mirahoit. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Teqenë e Frashërit. Pas vdekjes së prindërve, kur kujdestar i familjes ishte Abdyli, në vitin 1865 u shpërngulën në Janinë. Aty, në shkollën “Zosimea”, ku ai nisi vazhdimin e mësimeve, ra në kontakt me filozofinë perëndimore dhe gjuhët e huaja: greqisht, latinisht, frëngjisht dhe italisht. Më pas, ai do të mësonte edhe arabisht, persisht e turqisht. Duke qenë nxënës i shkëlqyer, shkollën 8-vjeçare e përfundoi brenda 7 viteve mësimore. Që në shkollë ai u aftësua për t’u marrë edhe me punë hulumtuese e studimore. Sapo përfundoi shkollën, nisi punën në zyrën e shtypit lokal të Janinës. Në vitin 1871, bashkë me Naimin, u shpërngulën në Stamboll, ku nisi punën si nëpunës i zyrës së shtypit të Perandorisë, në kryeqytet.
Atje u njoh me disa gazetarë dhe intelektualë të njohur. Në vitin 1877, ai u mor me botimin e gazetës “Stambolli”. Ndërsa në vitin 1878 u emërua kryeredaktor i të përditshmes “Terxhumani i Lindjes”. Pas Kongresit të Berlinit dhe deri sa vdiq, ai punoi sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak. Në fillimet e veprimtarisë së tij krijuese, ai u dallua si pamfletist, ndërsa më pas nisi të njihej si intelektual i shquar i Perandorisë Osmane. Jo shumë vonë, Samiu do të bënte emër në fushën e politikës, publicistikës dhe të artit e të letërsisë. Shkroi traktate politike, romane, drama, fjalorë të llojeve e gjuhëve të ndryshme të botës, gramatika, tekste shkollore dhe enciklopedi. Botoi mbi 12 libra në gjuhën osmane me titujt: “Njeriu”, “Qytetërimi osman”, “Gratë”. Hartoi disa fjalorë njëgjuhësh dhe dygjuhësh, si frëngjisht-turqisht dhe një fjalor enciklopedik në 6 vëllime për historinë dhe gjeografinë. Në vitin 1887 shkroi dramën “Besa”, me subjekt nga bota shqiptare. Kjo dramë u bë pjesë e kurikulës së Mësonjtores së Korçës. Pas Revolucionit të Xhonturqëve, kjo dramë u ndalua të shfaqej e të mësohej në shkollat shqipe. Samiu, në vitin 1872 u bë autori i të parit roman, me subjekt shqiptar në gjuhën turke, me titullin “Dashuria e Talatit me Fitneten”, i cili është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Kontribut të madh dha Sami Frashëri dhe për krijimin e alfabetit dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Nga tetori i vitit 1879, S. Frashëri drejtoi “Shoqërinë e të shtypurit të shkronjave shqipe të Stambollit”.
Me vlera të mëdha në arsenalin e kulturës dhe të historisë së kombit tonë tingëllojnë edhe sot e kësaj dite shumë letërkëmbime të tij me disa atdhetarë të kohës, të cilët luftonin me mjetet dhe bindjet e tyre për çështjen e njësimit kombit dhe të gjuhës shqipe. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, do të ndalemi tek polemika e Sami Frashërit me Jeronim de Radën për çështje jetike të kombit dhe të gjuhës shqipe. Ja, një pasazh i shkurtër nga ky letërkëmbim: “Vëlla i dashur, De Rada. I pëlqejmë punët atdhetare që ke bërë dhe këngët që ke mbledhur. Por nuk jemi da- kord me mendimin tuaj për ndarjen e gju- hës në tri degë. Kjo ndarje, as nuk është e nevojshme, as nuk duhet ta bëjmë, sepse gjuha shqipe është një dhe e pandarë, ashtu siç është kombi ynë”. Në vitin 1886 ai botoi librin shkollor “Alfabetarja e gjuhës shqipe” dhe “Shkronjtoren”(Gramatikën e gjuhës shqipe). Ndërsa në vitin 1888, librin tjetër shkollor “Gjeografia”.
Gjatë gjithë jetës, ai botoi mbi 57 vepra të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës, por kryesisht në gjuhën turke. Edhe në gjuhën shqipe ai botoi shumë libra, ndër të cilat me vlera të papërsëritshme mbetet traktati politik për Shqipërinë e ardhme, pa përmendur një fjalor të gjuhës së re shqipe, përmbledhjen me këngë shqiptare “Dëshira” si dhe 11 libra të tjera me brendi shqiptare, të shkruara në gjuhë të huaja, të cilat mbetën dorëshkrime. Sami Frashëri, në Shqipëri thirrej me emrin Sami bej Frashëri, ndërsa në Turqi Shemsedin Sami bej. Ai ishte mendimtar i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe një nga pionierët nacionalizmit turk. Bota e letrave globale e ka quajtur atë babain e enciklopedisë turke. Në vitin 1884, ai u martua me Emine Velijen, e cila në vitin 1893 vdiq në një moshë të re. Me të ai lindi 4 fëmijë. Samiu vdiq në 18 qershor të vitit 1904 në Stamboll, atje ku prehen eshtrat e tij edhe sot e kësaj dite, pasi turqit vazhdojnë ta quajnë, jo vetëm produkt të kulturës së tyre, por dhe krijues të enciklopedisë turke.
Pa dyshim, që një nga kryeveprat me brendi shqiptare, që e bën mendimtarin dhe ideologun Sami Frashëri një nga figurat më të ndritura të kombit tonë, është traktati politik: “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, si një manifest për të ardhmen e kombit.
Për t’u njohur me vlerat historike, ideore dhe politike gjithëkohore të këtij libri, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve, mjafton të lexosh me vëmendje brendinë e tij, të ndarë në tri pjesë kryesore. Shfleton këtë traktat historikopolitik, dhe të duket sikur rend bashkë me Shqipërinë dhe shqiptarët në tri nga epokat më të rëndësishme të luftës dhe përpjekjeve të tyre për liri, bashkim dhe begati. Ky libër, botuar në gjuhën shqipe në Bukuresht, në vitin 1899, në fillim doli pa emrin e autorit. Por shpejt u mor vesh se autori i tij ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri. Kuptohet, emrin ai nuk e vuri për shkak të censurës së Portës së Lartë. Por Samiu, edhe pse ishte nëpunës i kësaj perandorie, në luftë për mbrojtjen e çështjes kombëtare, nuk u mposht kurrë. Është kjo arsyeja që, seria e veprave të botuara në gjuhën shqipe për Sami Frashërin vazhdon të rritet përherë. Atë, së afërmi, do ta plotësojë më tej një seri e re prej 6 vëllimesh, përgatitur nga, akademiku. prof. dr. Xhevat Lloshi. Ky traktat politik, i cili është fryt i pjekurisë politike të Sami Frashërit, është dokumenti bazë, që ruan gjallë platformën politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në faqet e këtij traktati lexuesi i sotëm njihet, jo vetëm me projektin e guximshëm të Samiut për një Shqipëri të re, por edhe me ndjesitë për të kaluarën e lavdishme të kombit tonë, për varfërinë dhe skllavërinë që mbolli sundimi otoman dhe për ëndrrën e shpresën që kërkonte të përçonte Samiu tek shqiptarët. Brendia e këtij libri, shkruar në tri pjesë, bën skanerin e gjendjes së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në tri epoka të ndryshme, por që të tria kanë një bosht të përbashkët, Shqipërinë e lirë dhe të begatë, ashtu siç e deshi dhe projektoi Rilindja Kombëtare dhe ideologu i saj, Sami Frashëri. Frymëzimin për pamvarsimin e Shqipërisë në ato kohëra të vështira, ai e gjen tek e kaluara e lavdishme e vendit tonë. Ai përmend me krenari luftërat e Ilirisë dhe të Epirit kundër Aleksandrit të Madh, i cili nuk mundi t’i shtinte në dorë trojet e Teutës, mbretëreshës së Ilirisë dhe të Gentit, birit të saj, që u përballën trimërisht me dyndjet romake; luftërat e Skënderbeut, që i bënë ballë pushtimit turk për 25 vite me radhë. “Shqiptarët, shkruan Sami Frashëri, e kanë mbrojtur gjuhën shqipe, jo me shkronja, as me dituri, por vetëm me dliri…”.(9) Një faktor tjetër që e ndihmon popullin tonë për të kërkuar dhe realizuar mëvetësinë dhe lirinë, Samiu e mbështet tek e drejta e tij legjitime për të qenë një komb më vete dhe zotësinë e shqiptarëve për ta materializuar këtë të drejtë.
Një favor tjetër është gjuha e përbashkët, e ruajtur brez pas brezi si gjëja më të shtrenjtë, edhe pse pushtuesit kanë dashur ta asimilonin atë. Samiu, gjuhën e sheh si shenjën themelore të një kombi. S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, ashtu siç nuk mund të ketë shqiptarë pa gjuhën shqipe, pa shkronjat shqipe dhe pa shkollën shqipe. Pushtuesit dhe shovenistët ballkanikë, kanë bërë gjithçka që gjuhën shqipe ta zëvendësonin me gjuhët e tyre, por nuk ia arritën kurrë. Për Sami Frashërin, gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta dhe më të bukura të botës, prandaj duhet ta ruajmë dhe pasurojmë atë. Ai besonte se ruajtja e kombit dhe e gjuhës shqipe është në duart e shqiptarëve. Ndaj u bën atyre thirrjen: “Të lidhim besën për shpëtimin e kombit dhe të Atdheut!”.
Për t’u thelluar më tej në brendinë e këtij manifesti politik demokratik të S. Frashërit për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë, më poshtë do të ndalemi tek pasazhet e tri pjesëve të këtij libri. Në pjesën e parë ai ndalet tek origjina e hershme e kombit shqiptar. Ai thekson se shqiptarët janë bij të hershëm të Europës. Të parët tanë janë pellazgët, të cilët kanë qenë të përhapur në tërë Ballkanin, deri përtej Azisë së Vogël. Gjuha e tyre i ngjan: latinishtes, italishtes dhe frëngjishtes, të cilat bëjnë pjesë në familjen e gjuhëve Indo-Europiane. Besimi i tyre ka qenë politeist. Pellazgët ndaheshin në tre fise: ilirët, maqedonasit dhe thrakasit. Ilirët, thekson Samiu, janë të parët tanë. Për të, trojet nga Vjosa deri në Artë, (Toskëria Jugore), quhet Epir. Ilirët e Epirit, sqaron ai më poshtë, flisnin shqipen e sotme. Në kohën e romanëve dhe të bizantit, shkruan ai, u harruan emrat Iliri, Maqedoni dhe Epir. Në vend të tyre nisi të përdorej emri “Albani”, që vjen nga fjala e hershme shqiptare “Arbëni”. Ndërsa emri “Arbëri” për herë të parë shfaqet i përdorur nga kronistët e bizantit, rreth shek.XI. Që prej kësaj kohe Shqipëria nuk i ka ndryshuar kufijtë e saj, me përjashtim të copëtimit që i bëri Kongresi i Berlinit, i cili, padrejtësisht, një pjesë të Shoqërisë e ndau mes Malit të Zi dhe Serbisë, për të cilat Samiu ka besuar se një ditë bota e arsyeshme do t’ia rikthente Shqipërisë. Shqipëria e hershme, sqaron S. Frashëri, dikur përbëhej nga disa mbretëri të vogla: ajo e Kastriotëve (në Krujë), e Toptanajve( në Artë), e Dukagjinit( në Malësinë e Shkodrës), dhe e Muzakajve (në Myzeqe). Turqia, për t’i sunduar sa më gjatë, kërkonte t’i përçante. Pasi mundi Gjon Kastriotin, i mori peng djemtë e tij mes tyre dhe Gjergjin e vogël, i cili, edhe pse kur u mor peng ishte i mitur, nuk e harroi Shqipërinë. Mbasi u kthye nga Turqia, ai e mbajti Shqipërinë 25 vite larg kthetrave sulltanëve. Zulmin e tij triumfator Samiu do ta bënte shembull frymëzimi për shqiptarët e kohës së tij. Bashkimi i të gjitha principatave dhe i prijësve të tyre nga Skënderbeu do t’u shërbente shqiptarëve të kohës si shembulli i një rrugë të vetme për realizimin e ëndrrave të tyre për lirinë e begatinë e vendit. Qëllimi i idealizimit të kësaj periudhe synonte të ngjallte tek shqiptarët krenarinë kombëtare, në një kohë kur shumë shqiptarë përjetonin një varfëri të thellë, ndërsa pjesa tjetër e kishte për turp ta quante veten shqiptar. Por shqiptarët, edhe pse gjuhën e tyre e shkruan vonë, nuk e humbën kurrë atë, siç ndodhi me gjuhën e disa kombeve të tjera të botës.
E keqja më e madhe që i ka shoqëruar shqiptarët për një kohë të gjatë, thekson S. Frashëri, është fakti që ata “kanë punuar dhe luftuar për të tjerët, dhe kurrë për veten”. Për një kohë të gjatë ata janë vrarë e prerë për turqit dhe grekët. A s’është Sinan Pasha, ai që shkoi deri në Jemen për të ngritur flamurin turk. A nuk ishin shqiptarët ata, që e derdhën gjakun lumë për grekun. Për të huajt, shqiptarët luftuan, jo vetëm me pushkë, por edhe me penë. Filozofi i madh grek Sokrati, shkruan Samiu, është maqedonas me gjak shqiptari. Po kështu edhe Aristoteli. Shkrimtari turk Jahaja Beu kishte gjak shqiptari. Edhe Mehmet Aliu, që ringjalli Egjiptin, shqiptar ishte, thekson S. Frashëri. Nga këta, vetëm Skënderbeu ka bërë gjithçka për Shqipërinë. Prandaj, ai do të mbetet përjetësisht shembulli dhe krenaria shqiptare.
Në pjesën e dytë të këtij traktati, Sami Frashëri i jep përgjigje pyetjes “Ç’është Shqipëria” e epokës që ai jetoi. Në të, ai shpreh dhimbjen që ndjen për shkak të zvogëlimit të trojeve të Shqipërisë nga dyndjet sllavo-romake dhe përzierjen e asimilimin e një pjese të popullsisë së saj. Shqipëria, shkruan Samiu, është një copë e sinesë së Ballkanit, që shtrihet në JugLindje të Europës. Ai është një vend i vogël, por me një klimë dhe faunë të pasur, male të larta dhe fusha të gjera, me një tokë pjellore e nëntokë të pasur me minerale, me pyje të rrallë dhe lumenj të shumtë që i përshkojnë trojet tona, si trupin e njeriut, kapilarët e gjakut. Lumi që e ndan Shqipërinë 2-milionshe në Toskëri dhe Gegëri, të cilët bashkëjetojnë në një harmoni të plotë, është Shkumbini. Banorët e saj janë, jo vetëm trima e besnikë, por edhe të zgjuar, punëtorë e zanatçinj të rrallë. “Shqiptarët kanë gjithçka që i duhet një kombi. Jo vetëm me kordhë e gjak, por edhe me penë, shpirt e art, ata kanë shkëlqyer në tërë botën”.
Mërgimi, ka qenë një plagë e rëndë e shqiptarëve për të gjitha kohërat. Ata detyroheshin të mërgonin deri në viset më të largëta të botës, por kryesisht drejt vendeve fqinjë dhe të Europës. Shkaku kryesore kanë qenë, jo vetëm varfëria e tejskajshme, por edhe dyndjet e të huajve dhe përndjekjet e persekutimet, të cilat e kanë detyruar shqiptarin të marrë arratinë. Shumë nga ata që morën udhën e mërgimit nëpër botë dhe Europë humbën edhe gjuhën,-thekson Samiu. Shqiptarët, shkruan më poshtë ai, janë shpërndarë nëpër botë si zogjtë e korbit, të shkelur e të robëruar nga kombet e tjera. Ishte koha, kur Turqia i shihte si tradhtarë e jo si vëllezër. Ata që dje, thekson Samiu, shkëlqenin nga armët e agjenda dhe rrobat e arta, kanë mbetur lakuriq e të pangrënë. Ajo Shqipëri që dje udhëhiqej nga prijësit shqiptarë, tani shtypej nga të hujët. Edhe pse kishte njerëz të zotë e punëtorë, vendi vuante për bukën e gojës. Shumë shqiptarë të kohës kishin mohuar kombin dhe gjuhën. Por për Sami Frashërin, kombi dhe mëmëdheu duhet të jetë tipari themelor i karakterit të një njeriu. Ai që nuk e do kombin dhe mëmëdhenë e tij, është tradhtar e i lig, dhe si i tillë, nuk mund të quhet njeri”.(47) Për shqiptarët besimi kalon në dorën e dytë. Këtë e thotë dhe atdhetari Pashko Vasa kur shkruan: “Besa e shqiptarit është shqiptaria”. Të ruash kombin do të thotë të ruash gjuhën, sepse pa gjuhë nuk mund të ketë komb të mëvetësushëm. Në këtë libër, Samiu tregon edhe rreziqet që e kanosnin, në atë kohë, Shqipërinë. Të parët që nxisnin përçarjen mes shqiptarëve ishin turqit. Ishte koha kur ortodoksit shqiptarë i quanin grekë. Të njëjtën gjë bënin edhe grekët, të cilët myslimanët i quanin turq, duke harruar që shumë trima shqiptarë si Boçari e Xhavella falën gjakun për çlirimin e Greqisë.
Synimi ishte zhdukja e gjuhës dhe aneksimi i trojeve të Shqipërisë nga fqinjët tanë shovinistë. “Armiku, shkruan Samiu, kërkon të të marrë lëkurën, ndërsa miku rrobën”. Shqipëria dhe shqiptarët, në çdo kohë kanë pasur edhe miqtë e admiruesit e vetë, të cilët më shumë se gjithçka, kanë vlerësuar virtytet e rralla të shqiptarit si besa dhe trimëria, zgjuarsia dhe krenaria. Që kombi të ecte përpara, rëndësi të veçantë për S. Frashërin, ka ruajtja dhe shkrimi i gjuhës shqipe, sepse tipari kryesor i një kombi është gjuha e shkruar. Prandaj shkruan: “Një gjuhë që nuk shkruhet e nuk këndohet, nuk është gjuhë. Prandaj, e para gjë që na duhet të bëjmë për ruajtjen e kombit, është të shkruajmë gjuhën tonë”. Vetëm Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mundi ta realizojë ëndrrën e shqiptarëve për shkrimin e gjuhës shqipe. Krijimi i alfabetit solli dhe çeljen e shkollës së parë shqipe në Korçë, e cila më pas u shtri në gjithë Shqipërinë. Ajo që nga armiqtë e Shqipërisë quhej marrëzi, një ditë u bë realitet vetëm nga shqiptarët. Edhe pse turqit e grekët bënë çdo përpjekje për t’i mbyllur e penguar këto shkolla, vranë dhe helmuan përhapësit e shkronjave dhe të shkollave shqipe, ato morën udhën pa kthim drejt lulëzimit të pandalshëm.
Në pjesën e tretë të këtij traktati, Sami Frashëri na tregon: “Ç’do të bëhet Shqipëria”. Në ato vite, sa të vështira, aq dhe vendimtare për fatin e të ardhshmes së vendit, Shqipëria nuk mund të flinte që ta zinin brenda gërmadhat e Perandorisë Osmane, e cila i kishte ditët të numëruara. E vetmja shpresë ishte groposja e këtij “kali të ngordhur”, që kishte nisur të binte erë. Të bashkëjetoje me një perandori të dekompozuar,- thekson Samiu, do të thoshte të pranoje asgjësimin e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve për së gjalli. Shqiptarët, mediton ai, janë luftëtarë të mëdhenj të Ballkanit. Për këtë mjafton të përmendim faktin, që një ushtri e vogël prej 200 mijë luftëtarësh mundi një hordhi pushtuese prej 500 mijë ushtarësh, të armatosur deri në dhëmbë. Kjo tregon se ne jemi një komb i fortë. Po, atëherë, pse duhet të vuajmë nën thundrën e pushtuesit. Çfarë duhet të bëjmë që të jemi zot të vetvetes? Dhe pas kësaj pyetjeje retorike, drejtuar vetes dhe gjithë shqiptarëve vjen përgjigjja: “E vetmja gjë që na shpëton nga robëria, është të lidhim besën për bashkim”.
Prandaj bën thirrjen e fuqishme drejtuar gjithë shqiptarëve, kudo që janë: “O burra shqiptarë. Mos vështroni besë e fe. Të gjithë jemi vëllezër”!(65) Kjo thirrje e fuqishme për bashkim, solli krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, e cila u drejtua nga vëllai i tij i madh, diplomati dhe luftëtari kosekuent, Abdyl Frashëri. Qëllimi themelor i kësaj Lidhjeje ishte krijimi i një Shqipërie autonome, dhe më pas e pavarur dhe ndalimi i copëtimit të mëtejshëm të vendit. Ndërsa më poshtë, S. Frashëri thekson: ‘’Në se Perandoria nuk do të na lejojë me hir, për mëvetësinë e Shqipërisë, jemi gati të falim edhe jetën!’’. Ky traktat politik është dhe një projekt për krijimin e një shteti demokratik shqiptar. Për Sami Frashërin, Shqipërinë nuk duhet ta drejtonin mbretërit dhe princat e huaj. Të gjitha shtyllat kryesore të shtetit do të zgjidheshin me votë demokratike.
Drejtimin e shtetit do ta merrte në dorë një Kryepleqësi e përzgjedhur nga njerëzit më të shquar dhe të devotshëm të vendit, i cili do të kryente edhe funksionin e Presidentit. Funksionin e Parlamentit do ta kryente një Këshill i Përgjithshëm, i cili do të bënte dhe shfuqizonte ligjet, do të miratonte buxhetin dhe qeverinë. Organi i tretë i shtetit do të ishte ekzekutivi, që do të kryente funksionin e qeverisë. Qeveria do të përbëhej prej 7 ministrash, njeri prej të cilëve do të ishte kreu i qeverisë. Ushtria duhet të ishte shqiptare, ku çdo shqiptar, nga 20-40 vjeç, duhet të kryente shërbimin e detyruar ushtarak. Kurse për Ministrinë e Diturisë thuhet se, shkollat bazë do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë, ku fëmijët, nga mosha 7-13 vjeç do të kryenin arsimin e detyruar. Do të hapeshin shkolla të mesme gjithmësimshe dhe teknike për të gjitha profesionet dhe për mësimin e gjuhëve të huaja të Europës.
Në kryeqytet do të çelej shkolla gjithmësimshe ( universiteti); Këshilli i Diturive(akademia) për hulumtime e studime në fushën e historisë, gjeografisë e filologjisë dhe një bibliotekë kombëtare. Ky traktat parashikonte edhe krijimin e Ministrisë së Punëve të Përgjithshme, ku vend të dukshëm të zinte programi për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë së vendit, ku parashikohen punët për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, krijimi i Skelës së Durrësit, përpunimi i lëndëve të para dhe atyre minerale, tharja e kënetave, ujitja etj. Parashikonte krijimin e Bankës Qendrore dhe bankave të vogla. Çdo qytet do të kishte Katundarinë e tij( qeverisjen lokal). Këto ishin disa nga piketat kryesore të projektit të Sami Frashërit për ta ngritur Shqipërinë e re nga themelet. Dhe për ta bërë këtë Shqipëri të pavarur dhe të begatë, thekson ai në këtë manifest politik, duhet shumë pak. Vetëm dëshirë e vullnet. Por, thekson ai më poshtë, “Çdo shqiptar duhet t’i dojë vëllezërit si dhe veten e tij. Ta mbushim vendin me shkolla dhe libra në gjuhën shqipe. Kështu do të ecim në rrugën e dlirë të së drejtës sonë. Nuk jemi bij njerkash, por bij të një nëne, që e ka emrin, Shqipëri, e cila ka një trup, një besë, një mendje dhe një qëllim.”
Ky është një mesazh i bukur, veçanërisht për politikanët e sotshëm, tepër konfliktualë, të cilët për pushtet i vështrojnë kundërshtarët e tyre si armiq të betuar. Ja, këto ishin ëndrrat më të bukura që ideologu dhe mendimtari i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri, materializoi në traktatin e tij politik për të ardhshmen e vendit të tij. Shumë nga ëndrrat dhe idetë e tij, sot janë bërë realitet. Me gjithë atë, në se ai, metaforikisht, do të ringrihej, nga shtrati i përjetshëm për të parë Shqipërinë e sotme që ai ideoi, ndoshta do të dëshpërohej thellë, kur të shihte se ajo, edhe pas gati 130 vjetësh, ende nuk është Shqipëria që donte, vetëm për shkak të qeverisjeve, politikave të gabuara dhe veçanërisht për shkak të pushtetarëve të papërgjegjshëm e të korruptuar, që më shumë kanë menduar për poltronin dhe pushtetin e vetë, se sa për popullin dhe vendin e tyre.
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…