Categories: LETËRSI

Himariotët e dinë prej nga e kanë origjinën

Nga: Petro Marko (Pjesë e shkëputur nga libri Intervistë me vetveten)

Ne e dimë gjakun tonë se nga buron. Pra, himarjotët nuk paguanin taksa, nuk shkonin ushtarë. Ishin si autonomë. Kur u shporr Italia nga vendi dhe, dua të shtoj edhe këtë, po me keqardhje: himarjotët nuk morën pjesë siç duhej në Luftën e Njëzetës, përveç disa patriotëve si Nase Beni, që ishte kapedan – unë isha i vogël, por e mbaj mend shumë mirë kur erdhën në bregun e fshatit luftanijet greke. Shumë fshatarë u ranë kambanave dhe thirrën: “Zito i Ellas! – Rroftë Greqia”! “Zito i aneksartisia, zito i aftonomia! – Rroftë pavarësia, rroftë autonomia”!

Madje u shpall nga paria njëfarë autonomie dhe burrat shkonin e bënin rojë në Llogara. Pas pak ditësh erdhi ushtria shqiptare dhe populli doli në xhade me raki, me petulla, me flamuj. Therën mishra dhe hodhën valle. Po disa arhondë nuk dolën nga shtëpitë.

Në krye të ushtrisë ishin Riza Cerova, Azis Çami e të tjerë … Ishte hera e parë që Himara inkuadrohej në pushtetin shqiptar dhe letrat që vinin nga mërgimtarët, nuk vinin me adresën Drimades-Himara-Epir, po Dhërmi-Himarë-Albania … Shkollat ishin greke. Disa mësues patriotë, si Naqe Konomi, Foto Vitoja, Gaqo Kaporra, Ibrahim Kushta e të tjerë, u mblodhën në shtëpinë e mësuesit tim të parë, Pavllo Vretos, dhe me këshillat, udhëzimet e ndihmat që u dha Halim Xheloja, shkolla u bë shqipe. Bënim edhe greqisht, po vetëm shkrim e lexim me tekste greke. Halimi u dha mësuesve librat Bagëti e bujqësi të Naimit, që ishin leximet e para të shqipes në shkollën time. Pasi ra fjala për shkollat, këtu dua të zgjatem ca.

Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar Papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe – seminar për priftërinj në gjuhën shqipe; kjo sipas raporteve që i dërgonin priftërinjtë bazilianë, Papës, një pjesë e të cilave janë botuar (doemos ato që u interesonin atyre) të Nilo Borgias, i cili përmbledh një pjesë të veprimtarisë së priftërinjve unitë (bazilianë) që ndenjën në Himarë për rreth tre shekuj …

Pyetje: Pasi fole për shkollat shqipe, pa më thuaj pse fshati juaj e humbi gjuhën, pse flet greqisht?

Përgjigje: Këtë do ta zgjidhin mirë kompetentët: historianët, gjuhëtarët. Unë jam interesuar dhe kam qenë shumë kureshtar. Shumë shokë më kanë pyetur: Po ju, jeni shqiptarë apo jeni grekë?

Të jesh i çdo kombësie, nuk është turp, por unë, para disa vjetësh, kur isha në fshat, dhe pasi kampistët (punëtorët që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) më pyetën nëse ishim shqiptarë apo grekë, u përgjigja me siguri: “Ne jemi shqiptarë”! Më pyetën pastaj pse flisnim greqisht. Me sa munda, u thashë arsyet.

Të nesërmen provokova një mbledhje të gjerë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra dhe me gra. Mënjanë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë, se e kishin marrë vesh që unë do të flisja rreth temës: “Jemi shqiptarë apo jemi grekë”?

Bisedën e nisa pak a shumë kështu:

– Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen poshtë e lart fjalë se këta janë grekë, këtta nuk dinë se ç’janë!

Pra, fillojmë: Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?…

– Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut.

– Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate?

– Ne vijmë nga Tërbaçi. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi. Dhe, nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Çaçëdhimitrët dhe Trekot.

– Po ju, o Kostë, nga vini?

– Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt – dhe qeshi. – Ju e keni dëgjuar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontët, si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet dhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza …

Kështu me radhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj: Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo e tij është një histori e çuditshme: Një konsull i Austro-Hungarisë, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshatare tonën që mblidhte myshnje në Llogara me shoqet e saj. Ky konsull shkonte në Llogara për gjah. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas saj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thanë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit …

admin admin

Recent Posts

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

3 minutes ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

20 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

21 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

21 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

22 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

22 hours ago