Nga: Behar Gjoka
Një hark kohor, që bart kumtin e mbijetesës së fjalës shqipe, aq më tepër të fjalës së gdhendur në shkrim letrar, e cila vjen përmes veprës Gjella (jeta) e Shën Mërisë së Virgjër – botuar në vitin 1762, për të hyrë dhe mbetur pjesë e panteonin të letrave shqipe. Në distancën kohore, të vitit të lindjes 1724 (1725), që përkon me 300 vjetorin e lindjes së autorit, kthimi i vështrimit mbi kontributin e shkruar, më tepër se sa kënaqësi e leximit të një teksti të hershëm, është detyrim për të vendosur pikëtakimet ndërmjet kohës dhe hapësirës së ligjërimit në gjuhën shqipe, më në fund kuptohet te libri i Jul Varibobës në arbërishten e Mbuzatit, vendlindjes së autorit. Marrëdhënia e qenies, pra edhe asaj arbnore, është e lidhur ngushtësisht me kujtesën si akt moral, porse në rastin e Varibobës, që la gjurmën e pashlyer me veprën e Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, pra si poet me shenja të rrokshme artistike, lidhet pashmangshëm me aktin e metakujtesës si proces rizbulues, vlerësues, i shenjave të shumëfishta që i përçon fjala poetike, në jo pak herë. Për më tepër, përvjetori i Jul Varibobës mbi të gjitha është një akt reflektimi ndaj figurës dhe ligjërimit letrar të shpalosur në faqet e librit, që bart disa aspekte.
Mëdyshjet e vitit të lindjes
Njëri nga aspektet që më ra në sy menjëherë, teksa po shfletoja momente nga jetëshkrimi i autorit, ishte hapësira e gjerë e përcaktimit të vitlindjes së autorit të përmbledhjes poetike Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, që sipas shënimeve të ndryshme lëviz në një kurbë të gjerë, nga viti 1721, 1724 e deri në vitin 1727. Pa hyrë në debatin e një hapësire kaq të gjerë, që me domosdo dikur do të marrë përgjigje përfundimtare edhe ky moment jetëshkrimor, po paraqes këtu disa nga faktorët që bëjnë përcaktimet mbi vitin e lindjes së poetit:
– Në librin Histori e Letërsisë Shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, realizuar në vitin 1983, pikërisht në faqen 81, në krye të zërit për autorin e librit Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, shkruhet: Jul Variboba (1724-88), pra duke theksuar kështu vitin e lindjes dhe të ndarjes nga jeta të autorit.
– Në internet, posaçërisht në Wikipedia, pra enciklopedia e lirë, në mes të tjerash për poetin e Jetës së Shën Mërisë shkruhet se: U lind në tetor 1725, në (Mbuzat, Kalabria, Italia) dhe vdiq 1788, në Romë, Itali, madje duke sjellë një element të ri për muajin, pra me 16 tetor, si dhe duke përmendur vendin e lindjes dhe të vdekjes së shkrimtarit.
– Libri Jul Variboba, vepra, pjesë e kolanës Visare të letërsisë shqiptare, botuar nga shtëpia botuese “Toena” në vitin 2010, përgatitur nga prof. Italo Costante Fortino – që botimin e parë të përmbledhjes e pati realizuar në vitin 1984, njëri nga botimet më serioze të librit Gjella e Shën Mërisë së Virgjër. Në këtë libër, në parathënien e I. C. Fortinos ka një parashtrim mjaft të gjerë për jetën dhe veprën e poetit, ku ndër të tjera, për vitin e lindjes shkruhet: Në faqen 5, krahas fotografisë së autorit, kemi edhe përcaktimin Jul (Giulio) Variboba 1724-1788. Por, në hyrje, studiuesi tek episodi titulluar prej tij, Të dhëna jetëshkrimore, vendosur në kllapa thekson: “(1724-1725-1788)”, pra duke e lënë të hapur dialogun kërkimor për vitin e lindjes së poetit, por njëherit edhe duke krijuar mundësinë që të përkujtohet në 300 vjetorin e lindjes, si përcaktim dhe prag i përvjetorit, të lëvruesit të arbërishtes.
Poet i përtëritjes së arbënishtes
Prej J. Varibobës trashëgojmë librin e rrallë me poema dhe vjersha, madje jo rastësisht të titulluar Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, botuar në vitin e largët, 1762, gjithnjë me lejen e Propagandës Fide, një tekst që ruan dhe shpalon marrëdhënie të ngushta me fetaren, religjiozen, por ndërkaq, lehtësisht, bie në sy se gjuha e përdorur e cila vjen si gjurmë unike e vendlindjes, zgjeron ndjeshëm hapësirat e komunikimit, e cila ndërkaq shqipton shenja të rrokshme letrare. Fakti që ka vënë në qendër besimin dhe besimtarët, pra në një kuptim mbase duhet thënë se ky autor është përfshirë në përpjekjen për iluminimin fetar të tyre, pra ndriçimin nëpërmjet shpirtërores fetare. Porse, njëherit, tekstet dhe poetika e formësuar përçon një adresë të qartë kumtimi, sepse duke qenë para së gjithash një tekst letrar, komunikon me lexuesin përtej kohës dhe hapësirës ku realisht para së gjithash përlindet si ligjërim letrar, në vatrën gjuhësore të arbërishtes. Rimarrja për të kënduar veprën madhore Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, vetëm e frymës së Testamentit të Ri, natyrshëm e ndërlidh fetarisht dhe shpirtërisht me njërën nga figurat qendrore të besimit katolik, me Shën Mërinë. Ndërkaq, befasisht në hapësirën e teksteve vihet re se materia e kësaj përmbledhje poetike, e rëndësishme për vijimësinë e lëvrimit të arbërishtes e po kaq të letërsisë së shkruar në këtë variant, gjuhësor dhe letrar, paraprihet nga dy episode të shkurtra të shkruara në prozë, që madje ndikojnë në aspektin e receptimit të poezisë së përmbledhur në librin e Vaibobës:
a – “OJ E NDËRMJA RREXHIN”(nga faqja 93 deri 96), ku qartësisht lajmërohet dhe argumentohet se në këtë libër është figuruar si epiqendër e tekstit figura e Shën Mërisë, njëra nga figurat më të shquara dhe më të vyera të besimit katolik.
b – “OJ TI ÇË DHJAVASËN” (nga faqja 97 deri 98), pra që po lexon këtë tekst, e cila vjen e shpaloset si një paratekst autorial, për të ndihmuar lexuesit/dëgjuesit në receptimin dhe përthithjen e shenjave të larmisë, gjuhësore dhe letrare, por edhe shpirtërore fetare, që ka përcjellë teksti, me poema dhe vjersha.
Libri me poezi Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, duke u mbështetur në botimin e shtëpisë botuese “Toena” të vitit 2010, është ndarë në tridhjetë e dy këngë/kalimera/kangjella, të endura në madhësi të ndryshme, të një larmie të beftë metrike, që madje shkon gjithsej në 4716 vargje. Vjershërimi i poetit J. Variboba, dëshmuar në faqet e këtij libri, mbizotërohet nga lëvrimi i poezisë me vargun tetërrokësh, aq i pranishëm në poezinë shqipe, gojore dhe të kultivuar të gjuhës shqipe, në kohë dhe hapësirë. Në hapësirën kaq të gjerë tekstologjike të kësaj vepre, ndeshim po ashtu të lëvruar në vjershërimin e tij edhe pesërrokëshin, dhjetërrokëshin, katërmbëdhjetërrokëshin e dyzuar, pra duke zgjeruar ndjeshëm ligjërimin e shkrimit të poezisë shqipe, në një metrikë jo pak të zgjeruar.
Rrania e shtjellimeve studimore
Jeta dhe vepra poetike, ndihmesa e dhënë në përhapjen e besimit katolik, në vendlindje dhe më gjerë, është jo pak e njohur, madje është analizuar dhe shqyrtuar nga ana e studimeve, gjuhësore dhe letrare, duke sjellë në vëmendje rolin dhe kontributin e Jul Varibobës në këto dimensione, gjuhësore, letrare dhe fetare. Ndërkaq, jo pa habi dhe shqetësim, ndeshim në një paradoks i cili pa mëdyshje kërkon hulumtime dhe shqyrtime të thelluara, që megjithatë i ka të shpallura të dyja anët e medaljes:
Nga njëra anë, me veprën me vlera gjuhësore dhe letrare të autorit, janë marrë personalitetet të rëndësishëm të shkencave gjuhësore dhe letrare. Po sjellim në vëmendje një pohim të Kastaq Cipos: “Kurorat e bukura me të cilat Variboba thur këngën e shiqitizës janë asosh që nuk do të fishken kurrë, nderojnë dhe zbukurojnë edhe një literaturë më të pasur. Në këtë poemë Variboba është regjur me të vërtetë artist. Që të na mbushet mendja për sa themi, mjafton të këndojmë atë copë të poemës që ka në krye titullin ‘Ban kuçe, ban nino …’. Gjuhëtari Shaban Demiraj, ndërkohë i kushton një pjesë të kërkimeve shkencore veprës së Varibobës, që pa asnjë dyshim arrin kulmin me punimin Jul Variboba në trashëgiminë e tij. Në një formulim që përcjell botimin e librit, një tekst që përcillet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare me datë 4 qershor 2021, ndër të tjera shkruhet: “Ngërthimi i kësaj trashëgimie në dorëshkrim të autorit tonë në një vëllim të veçantë, pas thuajse shtatë dekadash, sigurisht që mund të shoqërojë lexuesin e sotëm sqimatar me dilema të rastit, sidomos sa i përket vendit të saj në diskursin albanologjik të kohës sonë, kur gjëllijnë ndërkohë do studime dhe botime kritike të cemta prej studiuesish të spikatur arbëreshë si Giuseppe Ferrari (1961), Italo C. Fortino (1984), Vincenzo Belmonte (2005) etj.”, duke sjellë për lexuesit edhe informacion për studimet e mëparshme të arbëreshëve për figurën dhe veprën poetike, të kryera më herët. Klara Kodra, me librin e titulluar Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqipe, e vendos figurën dhe veprën poetike në marrëdhënie me letrat shqipe, në kohë dhe hapësirë. Po ashtu, Anton Nik Berisha, në librin Interpretimet të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, një studim me vlera të posaçme, në një shkrim te Zemra shqiptare më 7 dhjetor 2021 ndër të tjera thekson: “Ndërlidhjet dhe përkimet në disa pikë e rrafshe të veprave të letërsisë së shkruar dhe të letërsisë gojore arbëreshe dëshmohen edhe nga një dukuri tjetër e rëndësishme: pjesë të veprave të shkruara të poetëve arbëreshë si të De Radës, Zef Serembes, Françesk Santorit, Zef Skiroit, Jul Varibobës etj. u mësuan përmendësh nga arbëreshë dhe vazhduan të gjallojnë e të komunikojnë edhe nëpërmjet procesit të gojshmërisë, cilësi tipike e veprave letrare gojore”, duke e vendosur në marrëdhënie e poezisë së Varibobës në arealin e letërsisë arbëreshe, në përgjithësi.
Në anën tjetër, ndeshim përcaktimin si letërsi fetare, kinse letërsi jo e mirëfilltë, duke e nënkuptuar një atavizëm i modelit të leximit tematikë të parimësisë së realizmit socialist, që me domosdo tashmë duhet të shmanget nga shqyrtimet letrare. Mbi të gjitha, për veprën poetike të Jul Varibobës ndeshim një gjendje pezull, as në tokë e as në qiell, gjë që e ka bërë që të duket si një autor që përfaqëson një ishull vetmitar, të shkëputur nga kohë-hapësira e ekzistencës së letërsisë shqipe. Ka pohime që e lidhin me letërsinë e vjetër, pra letërsinë e shekujve XVI-XVIII, që ndërkohë me krijimtarinë poetike të autorit e zgjaton ekzistencën edhe në shekullin XVIII. Megjithatë, në logjikën formale, nuk është se përfshihet në gjithë dimensionin e vetë letrar në këtë areal të shqipes. Ka raste që letërsia e vjetër, sipas studimeve gjuhësore dhe letrare, përfshin Buzukun, Matrëngën, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, duke marrë në konsideratë librat e Selman Rizës, Rexhep Smajlit e ndonjë tjetër. Me të drejtë Bardhyl Demiraj, në aksin e letërsisë së vjetër/të moçme përfshin Gjon Nikollë Kazazin. Kurse, gjer më tani, për veprën e Jul Varibobës, në kuptimin e përcaktimit dhe interpretimit, të epokës letrare që i përkon, ende jemi në formulime evazive se më tepër i përket letërsisë së moçme, por që tashmë do të duhet integruar në këtë model të shkrimit poetik, të cilit i përket si frymë, teknikë shkrimi dhe dëshmi gjuhësore dhe letrare. Pikëpërkimet e vëna re më herët, në mes poezisë së Pjetër Budit dhe poezisë së Jul Varibobës, nga ana e Zeqirja Nezirit që kulmon me librin Vjershërimi i Varibobës (duke e shkruar me dy bb mbiemrin), botuar në vitin 2008, përkatësisht në faqen 7 të librit studiuesi nxjerrë një konkluzion të beftë teksa shprehet: “Derisa veprat e Budit e të Varibobës i përkasin më tepër zhanrit të epikës biblike, e cila është në rrjedhë të epikës biblike humaniste, të Barokut e iluministe dhe bashkë me veprat e K. Beratit, N. Brankatit, N. Ketës, N. Filjes, Dh. Todhrit pjesërisht trasojnë literaturën hagiografike mesjetare dhe florilegjinë, tekstet religjioze mesjetare të tipit të përmbledhjeve jounike, me funksion parësor parimin didaktik religjioz”. Analiza e thelluar e tekstit, llojeve letrarë të lëvruar, vargjeve dhe ritmikës, shoqërohet edhe me një përqasje të Varibobës me Budin, e cila përfshin një gamë të gjerë rrafshesh, që niset në faqet 21-35, duke arritur gjer në përfundimin, jo pak befasues, në faqen 34 të librit Gjella e Shën Mërisë së Virgjër: “Duke pasur pikësynim veçoritë dhe pikëtakimet teorike letrare dhe poetike që paraqiten në vjershërimin e Pjetër Budit dhe të Jul Varibobës, arritëm të dëshmojmë se në njërën anë, aq sa janë të pranishme midis tyre, në veçanti e të autorëve të tjerë të letërsisë shqipe të kësaj periudhe, në përgjithësi, në anën tjetër, po aq janë pikëpamje që janë të pranishme edhe në letërsitë evropiane”, formulime që do të duhen thelluar dhe bërë pjesë e verifikimit dhe interpretimit të letërsisë së hershme shqipe, pjesë organike e të cilës është edhe vepra poetike e Jul Varibobës.
Jul Variboba – urë ndërlidhëse e letrave shqipe
Botimi i librit Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, posaçërisht në vitin 1762, është njëra nga piketat e rëndësishme të fatit ndërkohor dhe ndërhapësinor, të librit të shkruar në gjuhën shqipe:
Së pari: Nga njëra anë përmbledhja poetike e Varibobës rimerr aktin e parë të shkrimit të arbërishtes, prej Luk Matrëngës, nëpërmjet librit të tij E mbsueme e Kërshtenë ku përfshihet edhe një poezi e përshpirtshme, e vitit 1592, pra duke pasuar kështu fatin e Mesharit të Gjon Buzukut, botuar në gegnishten parake në vitin 1555.
Së dyti: Në anën tjetër, poezia e këtij libri, me ligjërimin e larmishëm, si metrikë dhe larmi gjuhësor, hapi të dy kanatet e lëvrimit të arbërishtes dhe në një kuptim më të gjerë, letrar dhe gjuhësor, paralajmëroi ardhjen e mjeshtrave të arbërishtes, e plejadës së G. Darës, J. De Radës, Z. Serembes, Z. Skiroit, që dihet dhe është pohuar nga studimet letrare të shqipes, shënon kulme të ligjërimit letrar, sidomos të lëvrimit të poezisë, në ekzistencën e letrave shqipe.
Së treti: Në kuptimin gjuhësor dhe letrar, libri më poezi Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, nga njëra anë është caku fundor i letërsisë së shekujve XVI-XVIII (shpesh të emërtuar si letërsi e vjetër), sepse nga njëra anë rimerr mënyrën e shkrimit të poezisë së Pjetër Budit, me tematikë fetare, por njëherit me shenja të rrokshme gjuhësore dhe letrare, ku vihet re që Budi mbështetet edhe në Testamentin e Vjetër, edhe në Testamentin e Ri, kurse Variboba, simbas përfundimeve të studimeve letrare, është mbështetur vetëm në Testamentin e Ri, si dhe nga prania e realizimit të poezisë me anë të tetërrokëshit, aq të shtrirë në poetiken, gojore dhe të kultivuar të shqipes.
Përcaktimi i bërë më herët nga Anton Nik Berisha, në librin Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, në vitin 1999, ndër të tjera shkruan: “Në bazë të dhënave të historisë sonë të letërsisë, të njohura deri më sot, poeti i parë shqiptar është Pjetër Budi. Në librat e botuara, të përkthyera shqip, Doktrina e krishtenë (1618) dhe Pasqyra e t’rrefyemit (1621) ai përfshiu edhe disa poezi, që kapin rreth 3300 vargje”. Po në këtë libër studiuesi thekson: “Vepra Gjella e Shën Mërís Virgjër (4718 vargje) e Jul Varibobës, arbëresh nga Mbuzati, ngulim arbëresh në Kalabri, e botuar më 1762 në Romë, dëshmon për vazhdimësinë e veprimtarisë letrare ndër arbëreshët e Italisë. Ajo është vepra e parë poetike, e njohur deri më sot në letërsinë tonë, e botuar më vete dhe me një argument tërësor e të njësuar”.
Hodhëm disa radhë, për ta kujtuar në kuadër të 300-vjetorit të lindjes së poetit Jul Variboba, një kujtesë e mjeshtrit të poezisë, që gdhendi abërishten në përmbledhjen Gjella e Shën Mërisë së Virgjër, një tekst me vlera letrare dhe gjuhësore dhe me frymë përlindëse fetare.
Duke qenë se moti është ftohur, është koha t’i nxjerrim xhaketat e mëdha dimërore,…
Për lëkurën e kokës dhe të flokëve, maska me spinaq dhe vaj ulliri është…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Vetevrasja është një temë tepër e ndjeshme dhe komplekse që prek…
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…