(Fragmente nga romani Teuta e Ilirisë)
Nga Resmi Osmani
Foenike, shtator 230 para erës së re.
…….Ngrini çengelin, do të dalimnë det, I tha kapitenit, njeri nga oficerët e shpurës së mbretëreshës.
-Madhëri, paçi këmbën e mbarë! -Uroi kapiteni.
– Të mbarë e paçi edhe ju detarë trima.
Lemba, e ndihmuar edha nga rryma rrjedhëse e lumit të Barbanës, rrëshkiste me lehtësi. Mbërritën në derdhjen e lumit, lanë në të djathtë ujdhesën e vogël dhe dolën në det të hapët.
-Urdhërin tuaj madhëri!
-Në Epir, në qytetin e Foenikes, ku ka ngadhënjyer armata jonë e Ilirisë! Por do të bëjmë një ndalesë në Kepin e Redonit. T’i truajmë flitë, që të jetë dashamir me ne dhe të na falë një lundrim të qetë e të shpejtë.
Vetëm dy dinjitarë kishin dijeni për këtë udhëtim të befasishëm: qeveritari I qytetit të Skodrës dhe kujdestari i oborrit mbretëror.
Koha ishte e qetë.Era e mbarë dhe qielli I kaltër e plot dritë. Anija e lehtë, velagufuar, çante drejt jugut. Të shumtën e kohës mbretëresha rrinte e ulur në kuvertë, në një poltronë të rehatshme. Kur hynë në ujërat e detit Jon, ajo vuri re se ato ishin të kaltra, gati si më blu me bojë qielli të pastër, ndryshe nga Adriatiku.Drita që derdhej nga qielli reflektohej nga pasqyra e ujërave dhe asaj i dukej se gjendej brenda një sfere drite.Edhe malet ishin ndryshe nga ato të veriut. Në majat e tyre nuk kishte borë. Shpesh ata ishin me brigje të thikët, me këmbë në ujë dhe majat në re. Edhe bimësia ishte më e rrallë. Kur kaluan në kepin e Gjuhëzës dhe lanë më të djathtë ujdhesën e vogël të Saosanit,kapiteni i tha se në brigjet shkëmbore kishte shpella të thella ku mund të strehohej një anije dhe në brendi të tyre buronte ujë i ëmbël. Fshatrat e bregut zbardhnin disi larg detit, si ca çerdhe zogjsh të ngritura në shkëmbinj.më poshtë bleronin ullinjtë dhe dukeshin gjiret e vegjël me rërë të bardhë.
Kjo ishte Iliria.Iliria e saj, iliria e bukur. Ky ishte deti që ajo e donte aq shumë, sa nuk nginjej duke e parë dhe duke frymuar ajrin e tij të njelmët e të shëndetshëm. Në brigjet e tij ajo ishte rritur. Ky ishte deti i udhëve të ujshme që lidhte brigjet e popujve të ndryshëm, por që shpesh sillte edhe gjëma e zezona. Prandaj ajo kishte urdhëruar që e gjithë anëdetja të shpallej tokë armike, tokë lufte.
Kur anija hyri në gjidetin e Onhezmit, të gjithë u çuditën nga ajo e papritur. Erdhën për ta përshendetur princi Skerdilaid,Orgesi, gjeneralë dhe oficerë të ushtrisë.
Pasi dëgjoj raportimet, u tha se donte të shihte qytetin. Ata u stepën, kishin dyshime për sigurinë e saj, por nuk ia thanë. Dëshira e saj nuk mund të bëhej dysh……..
* * *
Pasdite, zonjusha e shoqërimit,Brikena e ndihmoi të vishej si luftëtare. Hipur mbi një at madhështor, bashkë me shoqëruesit , kalëroi drejt Foenikes,që gjendej disi larg detit, ngrihej në një kodrinë të butë me pamje nga perëndimi. Aty e priti qeveritari i përkohshëm i ushtrisë së pushtimit,Laloshi dhe prytani i qytetit Ademari, që i priu udhën për të parë kryeqytetin e Epirit.
Udhët e brendshme për ngjitje në akropol, ishin të gjera e në formë shkallësh të shtruara me kalldrëm. Kryq me to vinin rrugët e brendshme.Nga krahu i djathtë dukeshin shtëpitë e banimit të vendosura në terraca. Në të majtë ishte tregu që ata e quanin agora, me dyqane të shumtë ku ushtroheshin të gjitha zejet. Në pjesën e sipërme ishte “Qyteti i sipërm”, apo akropoli.në një vend të sheshuar, ngrihej madhështor tempulli i Zeusit dhe në të dy krahët e tij ai i Afërditës dhe Demetrës.Shtatoret e mermerit të bardhë i jepnin madhështi dhe frymë hyjnore. Në altarët digjej flakadani i përhershëm për nder të zotave.
I thanë se akropoli ishte më i madh sesa ai i Athinës.
Më poshtë ishte forumi, ku bëheshin gjyqet, rriheshin mendimet dhe Asambleja e Qytetarëve, merrte vendimet e rëndësishme.
Prytani i rrëfeu dhe akademinë, ku mësonin skulptorët dhe artizanët e rinj dhe gymnasiumi, ku merrnin dituritë bijtë dhe bijat e parisë epirote. Në anën jugore, binte në sy teatri në formë gjysmë rrethore, me shkallare të mermerta që ngjiteshin njera mbi tjetrën.Në ballinë ishin kolonat e mermerta të mbushura me statuja nimfash, faunësh dhe satirësh. Teatri nxinte pesëmbëdhjetë mijë veta!. Nga ana perndimore ishte një lagje e tërë banimi me banesa të vendosura në terraca njëra mbi tjetrën. Qyteti sado i pushtuar ishte i pastër dhe kanalet sipërfaqësore të rrjedhjes së ujrave të shiut shin me gurë të gdhendur.Mbretëresha dëgjoj dhe pa me vëmëndje. Nga ky qytet i pushtuar, kishe se ç’ mwsoje.
Qyteti ishte i heshtur dhe si i paralizuar. Jeta kishte ngrirë.Pak kush guxoi të dilte për ta parë atë grua që thoshin se ishte mbretëresha Teuta e Ilirisë.
-Qytet pa kështjellë- vërejti ajo,-i bukur, i pasur, i fortifikuar mirë por me mbrojtës të pazotë. Qytetarët e tij i ka zvetënuar dhe plogështuar pasuria dhe begatia. Sidoqoftë, tashmë ky qytet është yni. Është i Ilirisë. Asgjë të mos prishet, asnjë tullë apo gur të mos shkulet nga vendi, asgjë të mos shkatërrohet dhe digjet.Oficerëve nuk u shpëtoi që ajo nuk tha ”Të mos plaçkitet “
Bashkë me përcjelljen e shoqëruesve shkoi në lëmin e këmbësorisë së princ Skerdilaidit. Oficerët që ishin në dijeni e rreshtuan ushtrinë në katrorë. Ajo parakaloi rreshtat e parë me hap të ngadaltë.
Ushtria brohoriti: “Rroftë mbretëresha!” U ngjitën në një sukë, nga ku dukej si në pëllëmbë të dorës lëmi armik i Etolo-Aheasve.
-Nuk sulmojnë – i tha princi Skerdilaid. Presin që këtë ta bëjmë ne. Jemi duke shestuar mënyrën dhe kohën. Sepse vendi është i ngushtë e jo fort i volitshëm.Më së pari duhet t’i nxjerim jashtë lëmit, në fushë të hapur, ku mund të hedhim në veprim kalorësinë që , ata nuk e kanë.
Mbretëresha mblodhi një Këshill Lufte në shatorren e madhe të princ Skerdilaidit. Tashmë ajo vendimin e kishte marrë: qëllimi i luftës u arrit. Foenike u pushtua, ushtria epirote u mund dhe u shkatërrua. Le të bëhej paqja. S’kishte pse të derdhej më gjak.
-Lajmëroni epirotët të dërgojnë delegatët e tyre për bisedime që të lidhim paqen dhe aleancën.
Nuk pranoi që bisedimet të bëheshin në bulenë e qytetit.Jo.Ajo ishte tokë epirote. Bisedimet duhet të bëheshin në tokë Ilire. Anija mbretërore ishte pjesë e tokës ilire!
Për këtë paqe të shpejtë, Teuta kishte edhe një shkak tjetër, por që nuk ua tha. Dardania, si aleate e Etolo-Aheasve dhe Epirit, pas vdekjes së Dhimitrit të dytë të Maqedonisë, kishte filluar lëvizjen e trupave në veri, duke nxitur edhe disa fise për t’u shkëputur nga mbretëria.Për ta vënë Ilirinë midis dy zjarreve. Një kthim në kohë, por jo pa arritur qëllimet në Epir, do t’i vinte fre synimeve dardane.
* * *
Para se të vinte dërgata epirote për bisedimet e paqes, mbretëreshës i thanë se kishte ardhur një grua, e shoqëruar nga truprojat e saj, që donte ta takonte.
Ajo pranoi.Rojet e kontrolluan mysafiren me imtësi dhe pasi nuk i gjetën gjë të dyshimtë e përcollën në dhomëzën e mbretëreshës në hambar të anijes,ku ja dorzuan Brikenës.
Ajo nuk ishte grua por një vashëz e bukur si dritë. Deshi t’i puthte dorën Teutës, por ajo nuk ia lejoi.
Vajza po e kundronte me kërshëri dhe admirim Teutën.
E ftoi të ulej.
-Më quajnë princesha Deidamia, bija e Deidamisë, mbretëreshës së fundit të Epirit, nga dera e Pirro Burrit. Nënën time, mbretëreshën, pas intrigave dhe shpifjeve tw poshtra e të pavërteta, e vranë para syve të mi aristokratët dhe skllavopronarët, para katër vjetesh. Për të marrë pushtetin. Dinastia 400 vjeçare Ajakide u përmbys. Epiri u shpall republikë me emrin “Lidhja Epirote”. Këtë luftën tuaj duket se e dërguan Zotat si ndëshkim dhe hakmarrje, për gjakun e mbretëreshës, nënës time të pafajshme. Edhe mua deshën të më vrisnin, por me hirin e Zotave shpëtova dhe jam strehuar në Korkyrë. Prej andej erdha t’u shoh. Nga lajmet që vijnë në Korkyra, fitorja juaj është bërë e njohur në tërë Heladën dhe Romë. Helenëve u ka hyrë tmerri dhe frika në palcë. Kudo flitet për rënien e Foenikes dhe shkatrrimin e ushtrisë epirote.
Ajo hezitoj që të vijonte më tej, por në sytë e mbretëreshës pa hir dhe keqardhje.
-Për madhërinë tuaj thonë që jeni shumë e bukur, e ditur, krenare, guximtare, trime dhe kanë nisur t’u quajnë”Mbretëresha e detit”
-Si t’u duka? Pyeti me shpoti Teuta.
-Po e shoh me sytë e mi, se ato që thuhen janë të vërteta.
-Pse nënë e bijë me të njëjtin emër? Kaq pak emër vajzash ka në Epir?
– Është histori e gjatë, mbretëreshë, por do ta rrëfej shkurt. Familja jonë mbretërore rrjedh nga Neoptolemi, djali i Akilit, që u vra në Trojë. Neoptolemin e kishte lindur Deidemaja, bijë e Likomedit, mbret i Skiros. Pas rënies së Trojës, Pirro Neoptolemi, mori si plaçkë lufte Andromakën, të venë e Hektorit dhe erdhi u vendos në Molosi ku ngriti qytetin e Pasaronit. Që nga ajo kohë, emri i Deidemasë është përtërirë në çdo brez. Me të u çel e me të u mbyll kjo dinasti- tha ajo dhe psherëtiu thellë për fatin tragjik të së ëmës, mbretëreshës së fundit Epirote.
Teuta deshi të dinte se kush e qeveriste tashti Epirin, ngaqë së shpejti ajo do të priste të dërguarit. Ata që do të vinin, a përfaqësonin vërtet vullnetin e Lidhjes?
-Organi më i lartë është Asambleja e Popullit, që miraton ligjet, shpall luftën dhe mobilizimin e përgjithshëm. Asambleja zgjedh këshillin e Magjistratëve dhe ky këshill zgjedh për të drejtuar tre strategë që janë nga tre fiset e mëdha:Molosëve, Thesprotëve dhe Kaonëve, më me rëndësi është ai i Molosëve, ngaqë është edhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë.Pas tyre vjen Hiparku, që është komandant i kalorësisë dhe pas tij sekretari i këshillit.
Teutës iu duk i ngatërruar ky organizim shtetëror i kësaj republike, por e kuptoi mirë se ata që do të vinin për të vendosur kushtet e paqes dhe aleancën, ishin tre burrat strategë dhe sekretari I këshillit të shtetarëve. Kaq i mjaftonte.
Teuta e mbajti për drekë Deidemanë. I tha se po të dëshironte, mund të vinte të qëndronte edhe në Skodër, në oborrin e saj ku do të kujdeseshin, me të gjitha nderet që i takonin një princeshe trashëgimtare të sërës së saj. Dhe ca më shumë, se jemi një gjak, flasim një gjuhë, edhe pse u quajnë epirotë, ju jeni ilirët e jugut. Iliria duhet të bëhet një dhe e pandarë. Kjo ishte dëshira dhe synimi i tim shoq mbretit Agron dhe amaneti që ai më la.
-Madhëri, e çmoj shumë bujarinë dhe fisnikërinë tuaj, por shpresoj se një ditë,populli im do të më rikthejë në fronin e dinastisë Aekide dhe Korkyra është më afër se Skodra.
Teuta e mbushi princeshën me dhurata.
Vajza e falënderoi edhe një herë, hipi në anijen e saj dhe u nis për në Korkyra, që ishte matanë ngushticës, përballë Onheizmit.
* * *
Të tre strategët dhe sekretari i këshillit u paraqitën në mbrëmje. Ngaqë ishin shumë, u ulën në tryezat e kuvertës.Teuta në krye, nga njeri krah princ Skerdilaidi, Orgesi, Laloshi dhe kapitenë të ushtrisë. Nga krahu tjetër epirotët. Dukeshin të trembur, si të shpupluar. S’po u ndahej hija dhe pushteti i grave. Të tyren e kishin vrarë, por kësaj s’kishin ç’ti bënin,po t’i thoshte ndonjë mendje e keqe, ajo edhe mund t’i vriste! Dukej shumë krenare dhe i zhbironte me një shikim që i shponte si shigjetë, e të ndjeheshin ligsht.
Teuta shihte me përçmim dhe urrejtje këta mbretvrasëse të tutur e të çburrëruar pas humbjes së rëndë të vendit dhe nderit të tyre.
Sekretari hapi dhe ndeu mbi tryezë fletët e pergamenës.Uli kallamarin me mellan dhe kallamin e shkrimit, i gatshëm të hidhte ato që do t’i diktonin, qofshin edhe të mynxyrshme.
Princi Skerdilaid parashtroi kushtet e paqes dhe aleancës. Kur mbaroi, pllakosi heshtje e rëndë si të ndodheshin para një të vdekuri. Kur dëgjuan tributin që duhet të paguanin për kthimin e qytetit dhe të robërve, strategu i parë, kryekomandanti i ushtrisë(pa ushtri) u mblodh grusht. Gjaku i iku nga fytuyra dhe e zuri një lemzë e keqe.
-Kaq para nuk i kemi edhe po të boshatisim tërë thesarin e republikës. Veçse të marrim një hua të madhe në Buthrot, në na e dhënçin- tha ai me dëshpërim.
Mbretëresha që deri atëhere nuk kishte folur asnjë fjalë ju hakërrye:
-Asnjë qindarkë më pak! Gjejini ku të doni, në mos po do t’I gjejmë ne, por dijeni se qytetit tuaj të bukur do t’I shkulim edhe gurët e themeleve dhe flaka do të arrijë qiellin. Qytetarët tuaj do t’I lidhim, t’I hedhim në hambarët e anijeve dhe t’I shesim në tregjet e skllevërve, që të marrim atë që ju nuk doni ta jepni!. Si thoni? Këtë doni?Zgjidhni dhe merrni!
Ushtria juaj madhëri është turrur fshatrave dhe qytezave të fushës, ka shkretuar, plaçkitur dhe grabitur ç’ka gjetur përpara.- U ankua njeri nga strategët.
— Një ushtri që nuk ushqen dot veten në tokën e armikut, kot që vete në luftë!- Qe përgjigja.
Më në fund, afër mesnatës, pas shumë kundërshtimeve e mospajtimeve, me pak lëshime nga të dy anët, më së shumti nga të mundurit, paqja u arrit.
Të dy palët nën dritën e pishtarëve, firmosën e vulosën.Rrotullat e pergamenave, të lidhura me gajtan të kuq, i futën në tuba bakri të mbyllura me kapak. Sikush mori të vetën.
Të nesërmen erdhën edhe delegatët e Akarnanisë, që deklaruan shkëputjen nga aleancat helenike dhe bashkimin me aleancën Iliro- Epirote.
Rreziku që mund t’I vinte Ilirisë nga jugu, ishte shmangur.
Bota helenike duhet të matej mirë para se të mendonte që të përballej me Ilirinë.
Kur mori urdhër për të lëshuar qytetin, ushtria bëri zanatin e saj të vjetër:plaçkiti me themel dhe mori gjithëçka mund të merrej.Plaçka ishte e bukur, e pasur dhe me vlerë.Ata mendonin se po merrnin atë që i takon çdo fitimtari. A nuk e kishin vënë veten në rrezik jete? U takonte të shpërbleheshin dhe ky shpërblim do të dilte nga qyteti i pushtuar.
Pasi ngarkuan anijet me plaçkë dhe skllevër, anijet dolën nga gjiri i Onhezmit në det të hapët dhe morën drejtimin për në veri.
Mbretëresha Teuta, në kuvertën e anijes mbretërore, nuk i shqiste sytë nga Korkyra e mbuluar nga ullinjtë. Ujdhesa ishte aq pranë brigjeve epirote, sa të dukej se po të zgjasje dorën do t’a prekje. I ngjante një peshku të madh me kokën në veri dhe bishtin në jugë. Ishte si një roje në hyrje dhe dalje të Jonit.
– Ndoshta do t’i vijë radha edhe atij, ta bëjmë pjesë të Ilirisë- i tha kapiten Batonit- duke rrëfyer me gisht ujdhesën.
-Madhëri, ka kaluar aq shpesh nga njera dorë në tjetrën, sa është bërë si grua e përdalë, aq sa banorët e tij nuk duan t’ia dine më as kush vjen e as kush shkon. Por ka një kështjellë të fortë e të mbrojtur mirë,- u peërgjegj ai.
Ushtria e princ Skerdilaidit u nis më këmbë për t’u kthyer nga e njejta rrugë që kishte ardhur. Ai ushtarëve të tij që nuk kishin hyrë në luftë u kishte një borxh dhe nuk i pengoi që t’i bënin një “vizitë” Antigonesë së bukur e të pasur.
Mars-shtator 2013.
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…