Nga Dr. Fahrush REXHEPI
Një vend të merituar në Lëvizjen tonë Kombëtare të shek. XX, e sidomos të periudhës së Luftës Dytë Botërore dhe pas saj, zënë edhe shumë personalitete dhe figura të shquara patriotike kombëtare e letrare të cilat dhanë një kontribut të çmuar si në fushën e kulturës islame ashtu edhe në fushën e gjuhës dhe arsimit shqip si dhe morën pjesë aktive në lëvizjet kombëtare dhe në organizatat politike dhe ushtarake për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Në mesin e shumë emrave të hoxhallarëve e të dijetarëve islamë që e bartën barrën e organizimit të luftës për mbrojtjen kombëtare të Shqipërisë etnike gjatë shek. XX, e veçmas gjatë viteve 1941-1945, ishin edhe: Hoxhë Visoka, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Mustafë Bara i Shalës së Bajgorës, Mulla Ramadan Ahmeti i Dobërçanit (Mireshit), Mulla Iljaz Broja e Mulla Ibrahim Polaci i Drenicës, Mulla Vejsel Guta i Zaskokit (Zotajve) të Ferizajt, Mulla Nurë Gjinoci i Suharekës (Therandë), Mulla Zekë Bërdyna i Radavcit të Pejës, Haki Efendi Sermaxhaj, Berdard Llupi, Gjon Sereqi e të tjerë.
Figurat më të shquara të ulemasë shqiptare, asnjëherë nuk u ndanë nga problemet parësore të kombit, të atdheut e as nga hallet e tij, duke iu përmbajtur fjalës së urtë popullore: “Nga populli kurrë mos u ndaj as në valle as në vaj”, duke i parë edhe problemet e fesë dhe të besimit të lidhura ngushtë me to.
Pas ripushtimit jugosllav të Kosovës, nga nëntori i vitit 1944, Mbrojtja Kombëtare Legale e Kosovës dhe e Viseve Tjera Shqiptare, kaloi në rezistencë ilegale politike e luftarake. Në të gjitha këto organizata politike e luftarake rol të rëndësishëm, luajtën edhe hoxhallarët dhe personalitetet e shquara të komunitetit mysliman, ish-frymëzues të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike. Sipas burimeve të OZN-së jugosllave në komitetet e Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare ka pasur edhe shumë figura të njohura fetare, si: Mulla Ramë Govori, Mulla Sadri Prestreshi (bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Serreçit), Mulla Hajrullah Rexhi, Mulla Jakup Muqeziu, Haki efendi Sermaxhaj, Mulla Mehmet (Hydë) Hoxha e shumë të tjerë, të cilët vite të tëra kishin vuajtur nëpër burgjet serbe.
Veprimtaria politike e hoxhallarëve kushtuar çështjes kombëtare shquhet në këto rrafshe kryesore: në luftën kundër okupuesit, në kundërshtimin e sundimit sllavo-komunist serb dhe në bashkimin e forcave që luftonin për Shqipërinë etnike.
Angazhimi i ulemasë shqiptare në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (19 shtator 1943)
Gjatë zhvillimit historik të kombit shqiptar, krahas faktorëve të tjerë, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe personalitetet e shquara historike, qofshin ato shkencore, letrare, kulturore, politike e kombëtare, por edhe ato fetare intelektuale e patriotike. Këto figura të penës, të dijes, të kulturës e të punës që populli shqiptar i nxori nga gjiri i tij në luftërat dhe në rrethanat e vështira shekullore, në përpjekje për çlirim dhe për zhvillim kombëtar, i krijuan emër dhe i sollën lavd e nder emrit Shqipëri.
Një vend të merituar në lëvizjet tona kombëtare të shek. XX, më parë dhe më pas, e deri në luftën e fundit në Kosovë, zënë edhe shumë personalitete dhe figura të shquara patriotike kombëtare e fetare të cilat dhanë një kontribut të çmuar si në fushën e kulturës islame ashtu edhe në fushën e gjuhës dhe arsimit shqip, si dhe morën pjesë aktive në lëvizjet kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Ulemaja dhe personalitete tjera fetare intelektuale luajtën rol shumë të rëndësishëm, dhe ndoshta vendimtar në hartimin dhe afirmimin e programit të mbrojtjes kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (shtator 1943-nëntor 1944). Numri më i madh i anëtarëve të Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe i komiteteve të lidhjes në prefektura dhe nënprefektura, ishin intelektualë me medrese ose kualifikime tjera islame. Si rezultat i një përmbajtje të tillë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në krye të saj u emërua Musa Sheh Zade, personalitet i njohur në botën shqiptare si veprimtar i palodhur për realizimin e aspiratave shekullore të kombit shqiptar.
Ndër emrat e njohur prej shumë emrave që bartën barrën e organizimit dhe të luftës së mbrojtjes kombëtare të Shqipërisë etnike gjatë viteve 1941-1945, janë edhe Mulla Idriz Gjilani, Mulla Dulla i Hotlës së Kumanovës, Mulla Mustaf Bara, Mulla Ibrahim Polaci, Mulla Vejsel Guta, Mulla Nuredini i Gjinocit të Suharekës, Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Hamit Bytyqi, Mulla Rexhep Krasniqi e të tjerë. Derisa në shtetin amë në Shqipëri udhëheqësit fetarë dënoheshin, torturoheshin dhe persekutoheshin nga regjimi komunist, edhe në Kosovë ulemaja dhe udhëheqësit fetarë dënoheshin, burgoseshin dhe torturoheshin nga regjimi serbo-sllav.
Si gjatë gjithë etapave të historisë së shek. XX, ashtu edhe gjatë periudhës së viteve 1945-1949, pjesa dërmuese e ulemasë shqiptare, posa panë se filloi aksioni politik i Jugosllavisë në baza pansllaviste antishqiptare do të gjendeshin me detyra refuzuese, duke e edukuar popullin në luftë politike dhe kombëtare nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Pozicionimi i tillë i ulemasë nuk kishte karakter urrejtës psikologjik e as urrejtje ndaj krishterimit, por thjesht qëndrimi i ulemave ishte shndërruar në lëvizje politike dhe kombëtare për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, të atdheut dhe të identitetit fetar e kombëtar.
Rrethanat politike në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë nuk premtonin një platformë a vizion të qartë për mbrojtjen e kufijve etnikë, pasi lufta që bëhej në Shqipëri midis Ballit dhe Partisë Komuniste nuk ishte shpresëdhënëse. Të dyja këto parti politike shqiptare nuk e kishin vizionin e duhur se si të ruhej Shqipëria etnike.
Në një situatë shumë të ndërlikuar politike, nacionalistët shqiptarë në Kosovë vendosën të themelonin një organizatë politike-ushtarake, për t’i dalë zot vendit dhe për të mbrojtur Shqipërinë etnike nga forcat komuniste në Kosovë dhe në Maqedoni. Ata në takimin e parë që u mbajt, më 11 shtator 1943, në Prizren, u pajtuan që organizata të emërohet Lidhja e Dytë e Prizrenit, me të njëjtin emër si Lidhja e Parë e Prizrenit. Kuvendi i parë i kësaj Lidhjeje përfundoi punimet më 19 shtator 1943.
Në këtë kuvend themelues morën pjesë 42 delegatë, përfaqësues nga gjashtë prefektura: Dibra, Prizreni, Peja, Prishtina, Mitrovica dhe Sjenica. Kjo Lidhje organizohej për realizimin e çlirimit dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Në mesin e përfaqësuesve të popullit, në këtë kuvend morën pjesë edhe disa figura e personalitete fetare si: Hasan ef. Dashi (Gjakovë), Nuredin ef. Haliti (Suharekë), Hoxhë Visoka, Mulla Hysen Statofci (Podujevë) Bahtiar efendiu nga Dragashi etj.
Lidhja e Dytë e Prizrenit, është organizata më e rëndësishme politiko-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e cila u themelua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo Lidhje angazhohej për realizimin e çlirimit dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm.
Angazhimi i figurave fetare në organizatën NDSH
Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, duke qenë njëra nga organizatat e shumta atdhetare ajo shpalosi ide të shumta frymëzuese e përshpejtuese për mbrojtjen dhe shpëtimin e trojeve të Shqipërisë etnike. Pra, atëherë kur një pjesë e Evropës gjakosej nga terrori komunist për të jetësuar diktaturën e proletariatit, lëvizja kombëtare NDSH filloi veprimtarinë e vet në shkallë mbarëkombëtare për idealet e larta kombëtare duke filluar që nga Prishtina e Shkupi, e deri në fshatrat më të largëta, në kufijtë e Shqipërisë etnike.
Radhët e para të kësaj lëvizjeje ilegale i përfaqësonte ajo pjesë e ndërgjegjes shqiptare si: intelektualë e patriotë të brumosur me ide kulturore kombëtare, të cilët nëpër vite shpërndan rreze shprese për lirinë e trojeve shqiptare dhe për bashkimin e tyre në kufijtë e një Shqipërie etnike. Në shërbim të NDSH-së përveç shumë intelektualëve e patriotëve, ishin vënë edhe disa ulema e hoxhallarë të arsimuar me ide përparimtare e patriotike.
Mulla Hamit Bytyçi anëtar i Ballit Kombëtar, 1919-2000
Mulla Hamit Bytyçi u lind në një familje fetare e patriotike në fshatin Sllovijë të Lypjanit, më 20.07.1919. Babai i tij, Mulla Hajdini, i biri i Mulla Sefës, punonte imam në xhaminë e fshatit, duke parë aftësitë e tij dhe dëshirën për shkollim më të lartë islam, Hamitin e dërgoi më 1938 për t’i ndjekur mësimet në Medresenë e Pirinazit në Prishtinë, te myderrizi dhe patrioti i mirënjohur, Ahmet Efendi Mardoqi, i cili ishte anëtar i Ballit Kombëtar. Gjatë shkollimit të tij, Mulla Hamiti u anëtarësua në organizatën e RinisëtëBallit Kombëtar,tëLidhjes së Dytë të Prizrenit. Mulla Hamiti tërë jetën e vet ia kushtoi arsimimit dhe edukimit islam të të gjithë brezave, duke mbjellë dashurinë e pastër ndaj Zotit dhe ndaj atdheut. Përpos, njohjes së mirë fetare, Mulla Hamit Bytyçi për shkak të etjes që kishte për dituri të përgjithshme kishte përcjellë edhe mësimet dhe ligjërimet e gjuhës shqipe në shkollat e Prishtinës. Ai qysh si nxënës në medrese, kurrë nuk u pajtua me pushtuesit e huaj, dhe në gusht të vitit 1944 rroku pushkën në dorë dhe mori pjesë në luftën e përgjithshme të mbrojtjes kombëtare në viset e ndryshme të Llapit dhe të Gallapit, kundër serbëve dhe bullgarëve. Mulla Hamiti nuk u pajtua as me ripushtimin e Kosovës nga ana e Jugosllavisë.
Gjatë kryerjes së mësimeve në Medresenë e Pirinazit në Prishtinë, fatkeqësisht ajo mbyllet nga pushtetarët, kështu që Mulla Hamiti në vitin 1945 detyrohet të shkojë në Prizren për t’i vazhduar mësimet e mbetura. Në Prizren, mësimet i vazhdoi te myderrizi Hasan ef. Nahi. Edhe në Prizren që nga viti 1946, organizata NDSH zhvillonte aktivitete, duke përfshirë në radhët e veta një numër të konsiderueshëm hoxhallarësh dhe nxënës të medresesë së Prizrenit, ku bënte pjesë edhe Mulla Hamiti nga Sllovia. Në një mbledhje të organizuar nga Këshilli i Rrethit të atëhershëm, nga funksionarët politikë të asaj kohe, në të cilën merrnin pjesë edhe Ali Shukriu, Xhavit Nimani, Stanoje Aksiq etj., për të marrë vendim se në cilën gjuhë do të punonte administrata e vakëfit (Bashkësisë Islame) dhe medreseja (1946), të cilët preferonin që administrata në Bashkësinë Islame të punonte në gjuhën serbokroate, mirëpo Mulla Hamiti këmbënguli që administrata në Bashkësinë Islame të punonte në gjuhën shqipe (rrëfen Hafiz Jakup Muqeziu – anëtar i NDSH-së dhe hoxhë në Prizren). Për shkak të aktivitetit të tij të dendur fetar, politik e atdhetar, Mulla Hamitit më 1949 arrestohet dhe burgoset në Lypjan, kurse më 30 prill 1949 arrin të ikë nga burgu i Lypjanit dhe të fshihet në bjeshkët e Zhegovcit, ku qëndroi 45 ditë. Gjatë kësaj kohe ia arrestojnë babanë dhe dy vëllezërit e tij me kusht dorëzimi, ia demolojnë shtëpinë, ia maltretojnë anëtarët e familjes, kështu që detyrohet të dorëzohet. Me arrestimin e dytë dënohet me 7 vjet heqje lirie dhe dënimin e vuan nëpër burgjet e Serbisë: në Prishtinë, Leskovc e Nish.
Ai gjatë vuajtjes së dënimit kishte përjetuar tortura të papara. E kishin detyruar me punë të rënda fizike dhe e kishin mbajtur të izoluar. Krahas gjithë këtyre torturave nuk arritën kurrsesi t’ia thyenin moralin fetar e as kombëtar. Asnjëherë nuk arritën ta detyronin të revidonte qëndrimin e tij politik, por gjithherë u prezantua ashtu siç ishte – fetar e patriot, i paluhatur dhe stoik në idealet e veta. Në vitin 1956, Mulla Hamiti lirohet nga burgu i Nishit dhe kthehet në shtëpi. As pas burgut ai nuk ishte i lirë, sepse nuk e lejonin të punojë askund, as si imam në xhaminë e fshatit, e as në fshatrat përreth. Nga presionet politike, Mulla Hamit Bytyçi më 1962 detyrohet të shpërngulet në Prishtinë. Ndërsa, më 1963 Bashkësia Islame i ofron detyrën e myezinit në xhaminë e Çarshisë në Prishtinë, kurse më 1964 emërohet imam në xhaminë “Jashar Pasha”, ku kryen detyrën e imamit, hatibit dhe mualimit deri në pensionimin e tij, më 1998. Edhe gjatë kësaj periudhe, pushteti nuk e la të qetë, ngaqë e përcillte në çdo hap. Disa herë u mor në pyetje dhe iu nënshtrua presionit për idealet dhe qëndrimet e tij, për shkak kinse ligjëratat e tij ishin politike, nacionaliste etj.
Mulla Hamit Bytyçi me mish e me shpirt ishte kundër përçarjes dhe konflikteve ndërmjet shqiptarëve. Ai merrte pjesë në pajtimin e gjaqeve e të ngatërresave të ndryshme. Kishte pajtuar rreth 47 gjaqe dhe disa familje të ngatërruara. Vdiq më 18.02.2000, pas shërbimit 36-vjeçar në xhaminë “Jashar Pasha” të Prishtinës.
Mulla Ramë Govori
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rrethanat që u krijuan pas saj, në Llap vepronin personalitete të rëndësishme kombëtare, si: Jahë Fusha, Hoxhë Visoka, Ajet Gërguri e ndër më të njohurit ishte edhe Mulla Ramë Govori. Në Kuvendin Themelues të NDSH-së për Llap të mbajtur në malin e quajtur Kollqak, më 17 gusht 1945, u zgjodh Kryesia e Parë e NDSH-së për Llap në përbërje të 19 anëtarëve. Kurse, kryetar i Komitetit u zgjodh, Mulla Ramë Govori, i cili më parë ishte anëtar dhe veprimtar i organizatës “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës.
Në fund të këtij kuvendi, Mulla Rama pasi falënderoi të pranishmit për besimin e dhënë, ndër të tjera tha: “Vdekja më e madhe është vdekja për atdhe… e drejta është në anën tonë, do të luftojmë për qëndrimin kombëtar, për vatrat tona dhe për atdheun e fëmijëve tanë. Nuk durojmë robërinë e Serbisë pushtuese…”. Mulla Ramë Govori ishte edhe komandant i Forcave të Armatosura për Llap. Komiteti i NDSH-së për Llap po atë ditë, mori vendim për formimin e komitetit të njëjtë për Koliq dhe për vendbanimet tjera në rrethin e Llapit.
Për shkak të kontributit të Mulla Ramë Govorit në NDSH, atë e zënë policia serbe e cila fillimisht e burgosi në Podujevë, pastaj e transferojnë në burgun e Mitrovicës, ku edhe ballafaqohet me Ali Shukriun, prokuror shqiptar i njohur për politikë antishqiptare. Fillimisht Mulla Rama dënohet me pushkatim, më vonë dënimin ia shndërruan në 20 vjet burg, ndërsa i mbajti 16 vjet e një muaj e 12 ditë burg në vende të ndryshme, prej Mitrovicës, Prishtinës e deri në Nish, ku edhe e mbajti shumicën e dënimit.
Mulla Maliq Gashi
Ndër veprimtarët e shquar të organizatës së NDSH-së, ishte edhe Mulla Maliq Gashi, i lindur në fshatin Luzhnicë të ish-komunës së Duhlës (tash komuna e Therandës), në vitin 1909. Mësimet i kishte ndjekur në medresenë e Prizrenit, ku përveç se u aftësua profesionalisht, ai u edukua edhe në frymën e atdhedashurisë. Pas përfundimit të mësimeve në medrese, Mulla Maliqi shërbeu si imam në Rajonin e Pejës, të Siçevës së Klinës etj., ku krahas detyrës së tij si mësues i fesë islam (hoxhë), ai zhvilloi edhe veprimtari tjera patriotike, duke përhapur ilegalisht fjalën e shkruar shqipe, respektivisht duke iu mësuar nxënësve të tij shkronjat e alfabetit shqip. Mulla Maliq Gashi mbante lidhje të ngushta me anëtarët e shoqërisë “Drita” të Arllatit të Drenicës dhe me atdhetarët e saj, Vesel Pagarushën, Mulla Maliq Sylejmanin, Mulla Rexhep Krasniqin, Mulla Azem Hotin e Carallukës, Xheladin ef. Krajmirofcin, Mulla Dostanin e Dragobilit etj.
Si njeri i zgjuar dhe i arsimuar, Mulla Maliqi i përcolli të gjitha ngjarjet shoqërore-politike, që zhvilloheshin në tërë hapësirën etnike shqiptare. Siç deklarojnë bashkëkohanikët e tij: dëshpërimi më i madh i tij ka qenë kur në vend se shqiptarët të bashkoheshin në luftë për lirinë e vendit, ata u përçanë pas vitit 1943, duke kaluar disa me partizanët sllavo-çetnikë, disa duke iu bashkuar pushtetit të ri komunist jugosllav, të cilët edhe e tradhtuan Konferencën e Bujanit, të mbajtur më 31.12.1943 dhe një e dy janar 1944, në Bujanë të Tropojës.”
Pas takimit me Hasan Efendi Nahin dhe me ndërmjetësimin e tij, me Tahir Dedën, Mulla Maliq Gashi përqafoi programin e organizatës së NDSH-së, dhe merr përgjegjësitë konkrete për zhvillimin e propagandës kundër politikës okupuese të shtetit sllavo-komunist dhe kundër ideologjisë komuniste, pastaj mbledhjen e shënimeve rreth likuidimit të atdhetarëve nga ana e pushtuesit, si dhe formimin e celulave të NDSH – degëve, nëndegëve të komiteteve në rrethet e Suharekës dhe të Rahovecit dhe zgjedhjen dhe dërgimin e anëtarëve në Komitetin Qendror në Prizren.
Mulla Maliq Gashi së bashku me Vesel Pagarushën në shumë fshatra dhe nëpër oda, zhvillonin biseda dhe aktivitete për mbledhjen e ndihmave ushqimore, veshmbathje dhe municion dhe sigurimin e jatakëve për luftëtarët, të cilët në atë kohë zhvillonin luftime me ushtrinë dhe milicinë e pushtuesit në mbarë Kosovën.
Fatkeqësisht, aktiviteti i anëtarëve të grupeve të rrethit të Rahovecit dhe të Suharekës nuk zgjati shumë, sepse mbas mbledhjes në Rahovec, ku morën pjesë Ukë Sadiku, Rifat Krasniqi, Mulla Maliq Gashi etj., grupi me të gjithë anëtarët e organizatës, zbulohen. Kështu, më 18.02.1950 fillon burgosja e grupit të Lidhjes së Prizrenit. Në këtë periudhë burgosën Hafëz Jakup Muqeziun, Biter Dehallën, Ton Mjedën, Mustafë Dërgutin, Mustafë Nixhën, Shaban Mazrekun, Zekë Bajraktarin, Arif Ramadanin dhe Mulla Maliq Gashin.
Edhe pse gjyqi komunist nuk posedonte informata të mjaftueshme rreth aktivitetit të Mulla Maliqit, e dënoi atë me 17 vjet burgim dhe më 21 janar1950 e dërgojnë në Mitrovicë të Sremit për mbajtje të dënimit. Atje i gjen edhe shumë atdhetarë tjerë nga Kosova në mbajtje të dënimit me shumë vjet burg, si: Shaqir Currin, Qazim Komonin, Raif Cërnicën etj. Edhe në burg këta atdhetarë të dëshmuar nuk qëndruan kot dhe as që u frikësuan nga organet e burgut, të cilët i mbanin vazhdimisht nën mbikëqyrje, por në burg formuan Komitetin e NDSH-së në krye me Raif Cërnicën dhe me sekretar Ramadan Rexhën.
Mulla Sadri Prestreshi
Ndër hoxhallarët më të njohur dhe më aktivë në organizatën e NDSH-së padyshim ishte Mulla Sadri Prestreshi, i cili qysh në vitet e ‘30-të kishte shfaqur interesim për t’u marrë me politikë, për t’u pozicionua në interes të popullit dhe kombit. Ai në atë kohë ishte në shoqëri me Arif Shalën e Sankocit, me Hazir Metën e Krojmirit etj. Sipas Mulla Sadri Prestreshit, Arif Shala qysh atëherë njihej me emrin Hoxhë Avdia, sepse ishte i vetmi nxënës i Medresesë së Pirinazit, të cilit i ishte lejuar ta mbante shallin e hoxhës.
Në një dokument me të dhëna autobiografike, që mbanë datën 29 prill 1982, mësojmë se Mulla Sadriu është inkuadrua në organizatën e NDSH-së në fillim të vitit 1946. Ai ishte anëtar i Komitetit për rrethin e Sitnicës me seli në Lipjan. Mulla Sadri Prestreshi mbante kontakte dhe lidhje të përhershme me Azem Bellaqefcin, Ajet Gërgurin dhe Gjon Serreçin.
Se Mulla Sadriu korrespondonte me Gjon Serreçin dhe se ishte bashkëpunëtor i ngushtë i tij, tregon edhe letra që Gjon Serreçi ia kishte dërguar Mulla Sadriut, ku shkruante: “Në malet e Drenicës, më 11.07.1946, ora 09:00, Shpresim i dashtun nga ai zotnia mora lajmet tua dhe më gëzoi kur një vëlla do me shtri kontributin në luftën e këtij populli shqiptar për kufijtë e atdheut tonë. Qëndrimi yt është mjaftë i mirë dhe se ti i dashtuni Sadri duhet qi ti përvishesh punës se kemi parasysh aftësinë dhe përvojën tënde. Kemi dëshirë që të takohemi… i nap fund (letrës) me t’onën: besa kombëtare-ndera shqiptare! Në luftë për kufijtë e Shqipërisë etnike 1912 sene! Rroftë Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare!”. Sigurisht se kjo letër tregon mjaft për lidhjet dhe raportet e Gjon Serreqit me Mulla Sadri Prestreshin.
Kontributi i Mulla Sadrisë në radhët e NDSH-së ishte që të rekrutojë anëtarë të rinj dhe nga kjo arsye ai konsiderohej si sekretar i Komitetit Nacional Demokratik të rrethit të Sitnicës me seli në Lipjan. Në këtë organizatë ai kishte vepruar me nofkën “Shpresimi.” Ashtu si edhe veprimtarë të tjerë, edhe Mulla Sadri Prestreshin oficerët e OZN-ës e arrestojnë dhe më pas dënohet me 5 vjet burg. Përballë oficerëve të OZN-së, Mulla Sadriu qëndroi i pathyer, duke u qëndruar besnik parimeve të tij të formuara nga edukimi i tij. Dënimin e vuan në burgun e Prishtinës, Mitrovicës, Nishit dhe Pozharevcit. Në këtë të fundit qëndroi deri më 28 dhjetor 1947, me vendimin e Gjyqit Ushtarak të Divizionit të Prishtinës, të datës 1 dhjetor 1947.
Veprimtarë të njohur në organizatën NDSH-së ishin edhe prifti katolik Bernard Llupi, Haki ef. Sermaxhaj (ishte takuar disa herë me Nolin kryepeshkopin ortodoks shqiptar dhe e njihte mirë atë), Mulla Kadri Llashtica i cili bashkëpunonte me Haki efendiun, Mulla Riza Osmani i Poliçkës, ishte anëtar i Komitetit të NDSH-së në Shipashnicë të Epërme dhe ishte i lidhur me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup, Hafuz Jakup Muqeziu nga Prizreni i cili morri pjesë në shumë takime dhe aktivitete të NDSH-së, Mulla Mehmet-Hyd Hoxha, ishte veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe NDSH-së 137, ishte dënuar me 14 vjet burg, etj.
Mund të themi se edhe në ngjarjet e vitit 1981 me dhjetëra hoxhallarë, kanë marrë pjesë në demonstratat e organizuara nga intelektualët patriotë dhe nga rinia studentore ku dominonin parullat me kërkesa politike, ekonomike dhe parulla e njohur “Kosova Republikë”, disa prej tyre madje kanë qenë edhe veprimtarë aktivë në organizatat e kësaj kohe.
Edhe në periudhën e viteve 1989-1998, personalitetet fetare ishin mjaft aktivë duke iu kundërvu me çdo formë regjimit serbo-sllav, sidomos gjatë kohës së rrënimit të Autonomisë së Kosovës. Në mbrojtje të Kushtetutës së vitit 1974, në demonstratat e organizuara në Prishtinë, më 27 mars 1989, bie dëshmor medresanti i sapo diplomuar, Mustafë Veseli.
Gjatë periudhës së viteve të ‘90-të një numër i konsiderueshëm i hoxhallarëve dhe teologëve kanë qenë të përfshirë në partitë politike shqiptare të cilat në programet e tyre kishin synim lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pra, institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe prijësit fetarë të këtyre institucioneve si gjithherë edhe gjatë kësaj periudhe kanë qenë në vijë kombëtare, në shërbim të popullit dhe atdheut.
Institucionet e BIK-ut, veçmas Medreseja “Alauddin” në këtë periudhë ishte shndërruar në qendër të rezistencës kombëtare. Në vitin shkollor 1991-1992, kur regjimi serb mbylli institucionet e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, Medreseja “Alauddin” hapi dyert për studentët shqiptarë dhe siguroi kushte për mbajtjen e ligjëratave për të gjitha fakultetet. Në lokalet e Medresesë “Alaudin” u mbajt Kongresi i Parë i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Kuvendi i LDK-së, kur ishte kriza më e madhe e sigurimit të lokaleve për shkak të kontrolleve dhe presionit të regjimit okupues serb. Në këtë çerdhe të dijes dhe të kulturës, ishte caktuar edhe vendi në të cilin do të mbahej mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila ishte paraparë të mbahej më 23 qershor 1992. Në Medresenë e mesme “Alauddin“ në Prishtinë, ishte themeluar edhe Shoqata e Arsimtarëve të shkollave të mesme të Kosovës – LASH “Naim Frashëri”. Mund të konkludojmë se vetëm gjatë viteve 1990-1998, në këtë institucion janë mbajtur rreth 1 200 tubime me karakter politik kombëtar dhe kulturor e shkencor.
Në anën tjetër gjatë zhvillimit të luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999, të udhëhequr nga UÇK-ja, shumë nga hoxhallarët kanë qenë të rreshtuar në radhët e UÇK-së, ndërsa 37 prej tyre kanë rënë dëshmorë në altarin e lirisë.