Categories: KULTURË

Xhevat Gjini: Mësuesi dhe patrioti Jetish Vishi pishtar lirie e diturie

JETISH BISLIMI – VISHI THEMELUES DHE MËSUES I PARË I SHKOLLËS SHQIPE NË VËRBAN

1 Qershori është DITË historike për fshatin Vërban dhe për banorët e tij. 1 Qershori është DITA e Shkollës Shqipe në Vërban… Themelues dhe mësues i parë i kësaj shkolle ishte biri i Vërbanit, i Vitisë dhe i krejt Shqipërisë, JETISH BISLIMI – VISHI.

Shkolla e parë shqipe ishte hapur më 1 Qershor 1943. Në atë kohë i vetmi banor i Vërbanit, që dinte të shkruante dhe lexonte në gjuhën shqipe ishte Jetishi. Ata që mund të dinin shkrim-lexim shqip ishin të rrallë edhe në komunën e Vitisë e më gjerë… Kosova dhe trevat tjera të Shqipërisë (dy të tretat e Shqipërisë) pas shembjes së Perandorisë otomane ishin pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi (më vonë Jugosllavia) dhe nga Greqia. Për pasojë pjesa e robëruar e popullit shqiptar nuk kishte të drejtën e shkollës shqipe dhe të shkollimit në gjuhën amëtare…

Jetishi shkollën fillore e kishte kryer në gjuhën serbe në fshatin Gërmovë. Pas kësaj, meqë nuk kishte shkollë tjetër, Jetishi kishte vazhduar shkollimin fetar. Disa vite ishte shkolluar në medresën e Shkupit, ku ishte edhe Konsullata shqiptare, me Konsull Hamit Kokollarin, i cili ishte edhe autor i librit: “Kosova djep i shqiptarizmit”


Jetishi i etur për të mësuar shkrim-lexim në gjuhën shqipe kishte shkuar në Konsullatën e shtetit shqiptar, që ishte në Shkup. Aty kishte njohur edhe Hamit Kokollarin, me të cilin ishte bërë mik. Prej tij kishte marrë libra për të mësuar ABC-në shqipe dhe libra e gazeta tjera shqipe… Me përkrahjen e Hamitit dhe me librat e gazetat që merrte prej tij, Jetishi i ri kishte mësuar të shkruante dhe të lexonte rrjedhshëm dhe bukur në gjuhën e tij shqipe… Kur kthehej në vendlindje për pushime u mësonte bashkëmoshatarëve shkronjat shqipe duke ua gdhendur në shkop…

Fillimi i LDB i dha fund mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Shkatërrimi i Jugosllavisë krijoi kushte për hapjen e shkollave shqipe, por mungonin mësuesit. Nga dëshira e zjarrtë për hapjen e një shkolle në vendlindjen e tij, Jetishi shkon në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe bënë një kërkesë me shkrim… Kur e kishte lexuar Sekretari i Ministrisë kërkesën e Jetishit ishte bindur se para tij kishte një personalitet me formim intelektual dhe kombëtar, prandaj i kishte premtuar menjëherë se do t’ia dërgonte vendimin (dekretin) e emrimit mësues shkolle në Vërban…

Një javë pasi ishte kthyer nga Tirana i kishte ardhur vendimi i emrimit në Prishtinë. Me vendimin e emrimit në xhep, Jetishi, pa marrë parasysh rrezikun nga pushtuesit bullgar, kishte nisur përgatitjet për hapjen e shkollës. Me përkrahjen e vëllezërve të tij, të farefisit dhe të gjithë fshatit kishte përgatitur klasat, bankat dhe të gjitha kushtet për nisjen e mësimit më 1 Qershor… Kjo kishte gëzuar vërbanasit e etur për të mësuar shkrim-lexim në gjuhën shqipe dhe për të nxënë dituri…

Me autoritetin, besimin dhe respektin që gëzonte mësuesi i ri kishte regjistruar 80 nxënës (40 vajza e 40 djem) në shkollë. Kjo datë mbetet një nga datat më të rëndësishme për Vërbanin, për komunën e Vitisë dhe, sidomos për shkollën shqipe…

Jetish Bislimi – Vishi kishte hapur shkolla shqipe ose kishte punuar si mësues edhe në disa fshatra të Shkupit, Tetovës, Kumanovës… Krahas veprimtarisë patriotike për hapjen e shkollave shqipe, Jetishi ishte angazhuar edhe në veprimtarinë politike e çlirimtare. Për këtë qëllim ishte organizuar në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare…

Veprimtaria e tij ishte dekonspiruar dhe zbuluar nga pushtuesit e rinj jugokomunistë… Jetishi dhe shumë anëtarë e drejtues të LNDSH – së ishin arrestuar dhe pastaj dënuar nga gjykata ushtarake pushtuese në Tetovë, e cila e kishte dënuar me 7 vite burg…

Pas daljes nga burgu ai ndiqej, përgjohej, denoncohej e spiunohej nga organet e pushtuesit dhe nga hyzmeçarët e tij shqipfolës… Nga persekutimi permanent ishte shtrënguar të ndërronte shpesh vendbanimin dhe punën.

Aparati pushtues dhe hyzmeçarët e tij shqipfolës DITËN e Shkollës shqipe, 1 Qershorin, e kishin anatemuar dhe ndaluar, sepse shkolla ishte themeluar nga Mësuesi patriot Jetish Bislimi – Vishi, të cilin e etikonin dhe kualifikonin si “armik”, “nacionalist” e “irredentist”…

Megjithatë, kauza e Jetish Bislimit – Vishit, e Lëvizjes Kombëtare dhe e popullit shqiptar fitoi ndaj pushtuesit jugoserb dhe hyzmeçarëve të tij. Lufta Çlirimtare e UÇK – së famëmadhe i dha fund pushtimit, duke çliruar Kosovēn shqiptare në kufijtë e imponuar krahinor. Këtë ditë të madhe e priti me gëzim të madh edhe Mësuesi Jetish, që kishte mbushur 85 vjet. Vdiq në moshēn 89 vjeçare në vitin 2023.

Vjet për herë të parë u shënua 80 – vjetori i hapjes së Shkollës së parë shqipe edhe në shkollën e Vërbanit dhe 20 vjetori i vdekjes së themeluesit dhe mësuesit të parë të kësaj shkolle, Jetish Bislimit – Vishit.

Për habinë e nxēnësve të tij, tashmë në moshë, dhe për habinë e gjithë fshatit në shkollë nuk ishte fotografia e themeluesit dhe Mësuesit të parë!

Sivjet morēm nismën (me miratimin edhe të Drejtorisë komunale të arsimit, të Kryetarit dhe të nënkryetarit të komunës) dhe përzgjodhēm një fotografi për t’ia bërë dhuratë shkollës, nxënësve dhe arsimtarëve të saj… Mirëpo, qenka një “drejtor” dhe një si hije e tij që paskan thënë se “nuk është koha të vendoset fotografia e Jetish Bislimit – Vishit” në shkollēn e themeluar prej tij!? Është e njëjta trashëgimi dhe e njëjta frymë jugonostalgjike që ka prishur objektin e shkollës së parë shqipe, që duhet të ishte muze fshati, dhe në themele të tij kanë vendosur një objekt për larjen e kufomave!…

Janë po këto “celula” që nuk e shënojnë dhe as festojnë DITËN e Shkollës së parë shqipe në Vërban edhe pas çlirimit, sepse ajo ishte hapur nga “armiku i Jugosllavisë”! A thua e dinë këta elementë që pas 10 ditësh mbushen 25 vite që Kosova shqiptare është çliruar nga Jugoserbia?!! Janë po këta që janë përgjegjës për degradimin e shkollës së Vërbanit…

Është koha ta kuptojnë që shkolla është e Republikës së Kosovës dhe se askush nuk mund t’i privojë nxënësit dhe vërbanasit nga e drejta që ta kenë fotografinë, që ta kenë bustin e Mësuesit patriot dhe themeluesit të shkollës së parë shqipe në Vërban, duke shënuar dhe festuar datën historike, 1 Qershorin – Ditën e Shkollës Shqipe në Vërban. Emri, fotografia dhe monumenti i tij i bënë nder çdo shkolle shqipe, sheshi dhe institucioni edhe në Viti e më gjerë…

Komuna duhet të ushtrojë kompetencën ligjore dhe autoritetin e saj nëse nuk është bërë palë me këtë “celulë” hijezezë…

Më 31 maj, në orën 12 e 30, siç jemi marrë vesh me drejtuesit e komunës dhe të arsimit komunal, i është bërë shkollës dhuratë fotografinë e themeluesit dhe të Mësuesit të parë të Shkollës Shqipe në Vërban…

I PËRJETSHËM KUJTIMI DHE NDERIMI PËR MËSUESIN JETISH BISLIMI – VISHI DHE PËR TË GJITHË MËSUESIT ATDHEDASHËS QË E MBAJTËN NË KËMBË SHKOLLËN SHQIPE DHE IDENË E LIRISË DHE TË BASHKIMIT KOMBËTAR!

 

admin admin

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

17 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

18 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

23 hours ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago