Nga: Martin Rees, astronom / The Guardian
Çdo tetor shohim dhënien e “Oskarit shkencor”: çmimet Nobel. Çmimet e shkencës – të përcaktuara në testamentin e Alfred Nobelit – janë për fizikën, kiminë dhe “fiziologjinë ose mjekësinë”. Këtë vit, tre nobelët shkencorë iu dhanë gjithsej tetë shkencëtarëve – të shpërblyer për përpjekjet e vazhdueshme për të trajtuar sfidat themelore. Do të ketë vlerësim të veçantë për studiuesen hungareze të mjekësisë, Katalin Karikó, e cila ngulmoi – pavarësisht mungesës së mbështetjes nga universiteti i saj – në punën bazike që çoi në disa vaksina kundër koronavirusit.
Këto tri tema janë interpretuar gjerësisht, ndërsa qëllimi i tyre ka ndryshuar me kalimin e kohës. Por, çmimet megjithatë përjashtojnë traktet e mëdha të shkencës. Çuditërisht, matematika kurrë nuk është përfshirë. Shkencat mjedisore – oqeanet dhe ekologjia – nuk janë të mbuluara, as informatika, robotika dhe inteligjencë artificiale. Këto përjashtime shtrembërojnë perceptimin publik se cilat shkenca janë të rëndësishme.
Të jashtmit mund të mendojnë se, në shkencë, zgjedhja e fituesve të çdo fushe duhet të jetë po aq e qartë sa në garat sportive, ndryshe nga çmimet shumë më subjektive për letërsinë dhe për paqen. Por, ky nuk është realiteti. Për disa vite, çmimet shkaktojnë polemika dhe pakënaqësi. Meqenëse shkencëtarët e Nobelit në përgjithësi nuk janë personalitete të njohura dhe arritjet e tyre shpeshherë janë misterioze, debati mbi vlerën e tyre zhvillohet brenda komunitetit të specialistëve dhe rrallëherë gjerësisht depërton në publik. Ajo që sheh publiku është thjesht madhështia e shpalljeve të çmimeve për secilin vit.
Gjithashtu, procesi i ndarjes së çmimeve ka kufizime që bien ndesh me realitetet e kërkimit shkencor. Është e lehtë të biesh dakord se cilat përparime shkencore janë të rëndësishme, por nuk është aq e lehtë të ndash mirënjohjet. Krijimet e një artisti janë kalimtare, por përgjithësisht “individuale”. Nëse ata nuk do ta kishin krijuar një vepër të veçantë arti, askush tjetër nuk do ta kishte bërë këtë. Por, në shumë raste në shkencë, nëse një studiues nuk do ta bënte një përparim specifik, herët a vonë (dhe zakonisht më herët) një studiues tjetër këtë do ta kishte bërë.
Për më tepër, arritjet e asnjë shkencëtari nuk janë vërtet individuale, ashtu si triumfi i një golashënuesi në futboll që nuk është i pavarur nga lojtarët e tjerë në fushë (dhe gjithashtu menaxherit jashtë fushës). Refuzimi i komitetit të Nobelit për t’ia dhënë një çmim më shumë se tre personave, ka çuar në padrejtësi të dukshme dhe ka dhënë përshtypjen mashtruese se si shkenca në të vërtetë përparon – përmes bashkëpunimit të një grupi të madh.
Për shembull, çmimi i Fizikës më 2011 shkoi për astronomët që kishin zbuluar se zgjerimi i universit tonë nuk po ngadalësohej – siç pritej për shkak të tërheqjes gravitacionale që galaktikat ushtrojnë mbi njëra-tjetrën – por, përkundrazi po përshpejtohej. Kjo nënkuptonte se ekzistonte një forcë misterioze që “shtynte” galaktikat larg dhe që mposhti gravitetin në shkallën kozmike – një “energji e errët” e fshehur në hapësirën boshe. Ky zbulim u bë në mënyrë të pavarur nga dy ekipe, secila me rreth 20 anëtarë. Megjithatë, Nobeli iu dha vetëm tre personave, dyve nga njëri ekip dhe njërit nga tjetri, pavarësisht faktit se të tjerët, në secilin ekip, kishin suksese plotësisht po aq të dalluara sa edhe fituesit.
Edhe nëse një zbulim nuk është në mënyrë eksplicite përpjekje ekipore, disa njerëz mund të kenë hulumtuar veçmas në të njëjtën temë. Për shembull, grimca tashmë e quajtur Bozoni Higgs, u postulua në vitet 1960: në përgjithësi, gjashtë persona u cituan se kishin luajtur rol kyç në parashikimin e ekzistencës së tij. Nga këta të gjashtit, ai me arritjet më të forta dhe më të qëndrueshme gjatë gjithë jetës, Tom Kibble, nuk mori hise te çmimi Nobel kur grimca u zbulua 50 vjet më vonë – as ekipi prej një mijë vetave në laboratorin Cern në Gjenevë që drejtoi eksperimentim e madh e që në fakt e bëri zbulimin.
Publiku i percepton fituesit e Nobelit si “intelekte të larta”. Disa janë, por të tjerët, madje edhe midis atyre që kanë bërë përparime të pamohueshme epokale dhe “të denja për çmime”, nuk do të vlerësoheshin kështu nga bashkëmoshatarët e tyre. Në të vërtetë, disa nga zbulimet më të rëndësishme kanë qenë të çuditshme: për shembull, yjet neutrone dhe sfondi kozmik i mikrovalës – i ashtuquajturi “ndriçim i mëpasshëm i krijimit”. Louis Pasteur pohoi se “fati favorizon mendjen e përgatitur”; këta shkencëtarë mund të pretendojnë për se ishin me fat më të madh – por, jo talent më të madh – sesa profesori i rëndomtë.
Të metat dhe boshllëqet në çmimet Nobel, pjesërisht janë korrigjuar nga filantropët që kanë vendosur çmime të reja. Midis tyre, për shembull, janë çmimet Breakthrough të caktuara nga miliarderi Yuri Milner (të cilat u janë ndarë grupeve të mëdha, si ekipit në Cern që zbuloi grimcën Higgs); si dhe çmimin Berggruen – prej një milionë dollarëve – për filozofinë. Në përgjithësi, çmimet e tjera kryesore tani ofrojnë ekuilibër më të mirë në gjithë “hartën e mësimit”. Disa tani janë promovuar me përshtypjen që përputhet me çmimet Nobel, dhe me xhekpotët edhe më të mëdhenj.
Sigurisht, është e diskutueshme nëse duhet të mirëpresim ekzistencën e mega-çmimeve që disa intelektualë i çojnë në statusin e famshëm kalimtar. Ka pak rrugë të tjera sot për mendimtarët seriozë shkencorë për të fituar platformat e tilla publike. Por, ka një anë negative. Për shkak të rëndësisë dhe prestigjit të tyre të veçantë, opinionet e fituesve të Nobelit kërkohen nga shtypi dhe u jepet respekt joproporcional. Edhe shkencëtarët (dhe artistët) më të mirë, në përgjithësi kanë ekspertizë të ngushtë. Disa nga më të mëdhenjtë prej tyre vihen në siklet nëse u jepet një përgjegjësi shumë e gjerë publike.
Pra, ndoshta duhet të pyesim për përfitimet shoqërore të veçimit, nëpërmjet proceseve dhe kritereve disi të gabuara dhe arbitrare, të fituesve që nuk kanë nevojë as për një nxitje morali dhe as për para – dhe për punën që është bërë përgjithësisht shumë vite më parë. Në të vërtetë, në një sondazh të fundit të opinionit të kryer nga revista Nature, nuk ishte e çuditshme se shumica e të anketuarve favorizonin ndryshimet në çmimet Nobel – apo edhe heqjen e tyre.
Kemi nevojë për më shumë mënyra më të mira për të inkurajuar zbulimin dhe inovacionin. Një rrugë e mundshme janë “çmimet sfiduese”, të cilat nuk shpërblejnë suksesin e kaluar, por nxitin përpjekjet e ardhshme për të trajtuar një problem të rëndësishëm. Ka pasur çmime për fluturimin nën-orbital në hapësirë, për makinat pa shofer, robotët që operojnë në mjedise të rrezikshme, e kështu me radhë. Krahasuar me format e zakonshme të financimit, këto çmime inkurajojnë mendimin e çuditshëm dhe gjithashtu mund të rrisin interesin publik. Le të shpresojmë që disa filantropë do t’i vendosin këto, të paktën si një shtesë ndaj çmimeve tradicionale.
Nga Fahri Xharra Që 550 vjet jetojmë me një mashtrim të madh turko-venedikas se…
Nga dosja e CIA-s thuhet se Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në…
Ju ka shkuar ndonjëherë në mend se çfarë fshihet pas pikës së gjelbër dhe…
https://www.facebook.com/watch/?v=901191661545165&t=0
Shkencëtarët realizojnë hartën e plotë gjenetike, mund të jetojnë mbi 400 vjet Realizohet harta e…
Sipas këtij studimi të ri, çarjet dhe thyerjet e pranishme në këta shkëmbinj janë…