Nga: Steve Rose / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Triumfi në çmimet Oscar i filmit Everything, Everywhere All At Once, në fillim të këtij viti, është përkujtim, 50 vjet pas vdekjes, se çfarë shtegu ka hapur Bruce Lee. Lee e hapi derën e përfaqësimit aziatik pothuajse i vetëm, edhe pse vdiq shumë shpejt për të qenë përfitues i asaj fame.
Lee është nga yjet e rralla që është më i madh se filmat e vet. Pavarësisht se la një pjesë të vogël të punës – vetëm katër filma të plotë – praktikisht e krijoi një zhanër të tërë dhe e shkroi librin për aksionin e Hollivudit. Lee e përshkon ADN-në e kulturës globale: videolojëra, hip-hop dhe arte të përziera marciale, për të mos përmendur ngritjen e përgjithshme të idealit fizik mashkullor, me zero dhjam në trup. Fakti që vdiq i ri, në rrethana çuditërisht banale (nga reagimi ndaj një ilaçi kundër dhimbjeve) vetëm sa e shton mitin për të.
Reklama
Lee ndërtoi gjithashtu një personazh unik – intensiv, të disiplinuar, fizik por edhe cerebral – vite dritë larg stereotipave perëndimore të maskulinitetit aziatik, kur ai u fut për herë të parë në lojë në Hollivudin e mesit të viteve 1960. Lindi në San Francisko, më pas u rrit në Hong-Kong, përpara se të kthehej në ShBA në moshën 18-vjeçare. Ishte një kohë kur burrat aziatikë lindorë përshkruheshin si shërbëtorë, zuzar të këqij ose bufonë me dhëmbë (shpesh të luajtur nga aktorët e bardhë, si aktori Mickey Rooney në filmin Breakfast at Tiffany’s). Lee u zemërua kur u përdorur si ndihmës i nënshtruar në serialin televiziv The Green Hornet. Pavarësisht se në artet marciale ka trajnuar një listë të aktorëve të famshëm (përfshirë emrat Steve McQueen, James Coburn dhe Sharon Tate), Lee kuptoi se ShBA-ja nuk ishte gati të pranojë një lider aziatik.
Reklama
Fyerja e fundit erdhi me serialin televiziv të viteve 1970, Kung Fu. Është e kontestuar përfshirja e tij në zhvillimin e serisë që ndoqi një murg Shaolin në Perëndimin e Vjetër. Sido që të jetë, kaloi në audicion për rolin kryesor, për t’u mundur nga David Carradine i cili nuk kishte as prejardhje kineze dhe as njohuri për artet marciale.
Pas kthimit në Hong-Kong në vitin 1971, Lee krijoi katër filma në dy vjet dhe shpërtheu si yll global. Përveç shfaqjes së aftësive të tij fizike, filmat e tij ishin tregime të rezistencës. Qëndroi pranë punëtorëve të shtypur të fabrikës dhe kundër korrupsionit kriminal në The Big Boss; në Fist of Fury e nisi një kryqëzatë kundër shtypjes koloniale në Shangain e viteve 1920 (dhe, si rrjedhojë, në Hong-Kongun e viteve 1970 të sunduar nga Britania), duke i detyruar kundërshtarët japonezë të hanë fjalët e veta kur e përshkruan Kinën si “Njeriu i sëmurë i Azisë Lindore”. Te The Way of the Dragon e shpëton restorantin e familjes dhe ai ballafaqohet me Chuck Norrisin në Koloseum. Nuk kishin vetëm audienca vendase; Lee u bë simbol universal i sfidës: një burrë me ngjyrë që kërkonte të shprehej me mjetet që kishte në dispozicion. Kur studentët e Hong-Kongut rezistonin autoritarizmin kinez më 2019, e adoptuan maksimën e tij: “Bëhu ujë”.
Suksesi i këtyre filmave e tërhoqi më në fund vëmendjen e Hollivudit, por, edhe me klasikun e tij Enter The Dragon (që u shfaq një muaj pas vdekjes së tij), atij nuk iu besua ta mbante një film si i vetëm, kështu që u shoqërua nga Jim Kelly dhe John Saxon. Mania e kung-fusë e viteve 1970 përfshiu gjithçka, nga stripat (Stan Lee i Marvel-it dikur e përshkroi si “superhero pa kostum”) deri te muzika pop. Në atë kohë, Lee kishte rigjallëruar edhe industrinë e filmit në Hong-Kong, që ka dërguar një fluks të aktorëve drejt Perëndimit: Jackie Chan, Jet Li, Donnie Yen, Maggie Cheung dhe, natyrisht, Michelle Yeoh. Për të mos përmendur një rrymë të aktorëve të arteve marciale, nga Jean-Claude Van Damme te Jason Statham.
Reklama
Po aq i rëndësishëm ishte eksporti i krijuesve të filmave aksion, si John Woo dhe Yuen Wo Ping – ky i fundit ia dha ngjyrimin e veçantë filmave Matrix. Në shekullin XXI, aksioni me shije të Hong-Kongut u bë përbërës i domosdoshëm i aksionit dhe i tillë ka mbetur që atëherë. Mund të vizatoni një linjë të drejtpërdrejtë nga Lee te, le të themi, Mission: Impossible me aktorin Tom Cruise (Woo bëri regjinë e pjesës së dytë), Shang-Chi të Marvel-it (stripi fillimisht u frymëzua nga Lee) ose te John Wick me Keanu Reevesin (ylli dhe regjisori i të cilit, Chad Stahelski, punuan në The Matrix).
Dhe, të mos e harrojmë Quentin Tarantinon që huazoi me shumicë nga kinemaja e Hong-Kongut (Reservoir Dogs ndërlidhet me narrativën e Ringo Lamit te City on Fire) dhe në Kill Bill, Uma Thurman vesh tuta të verdha të stilit Bruce Lee, duke u përballur me … David Carradinen. Tarantino bëri pak për t’ia kthyer nderin në Once Upon a Time in Hollywood, ku Lee përshkruhej (i luajtur nga Mike Moh) si “burrë i vogël me një gojë të madhe” – sipas fjalëve të Brad Pittit i cili pothuajse e rrahu në një përleshje. U konsiderua si një karikaturë fyese nga shumë njerëz, përfshirë vajzën e Leesë, Shannon. “Nuk kishin nevojë ta trajtonin atë në mënyrën se si e trajtonte Hollivudii i bardhë kur ai ishte gjallë”, tha ajo.
Problemet nuk janë zhdukur plotësisht, sa i përket “zbardhjes” së përmbajtjes aziatike, stereotipizimit dhe nënpërfaqësimit. Por, ka pasur përparim, dhe Lee duhet të falënderohet. Përtej kësaj, është ende emocionues për ta parë në ekran. Shumë prej filmave të tij tani duken të tejkaluar, por fiziku dhe prania janë ende mahnitëse. Ai ishte njeri i përsosur, i krijuar nga vetja, por edhe njeri i popullit. Nuk është çudi që ai ende jehon. /Telegrafi/
Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…
Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…
Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…
Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…
Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…
Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…