Djali me yll në ball’ dhe çika me hanë në krahnor…nga Folklori ynë
(Kozhicë, Drenicë)
Ish kanë ni mret. E kish pasë qitë urdhnin kûn dritë përjashta mos m’u dokë. Çohet devrija me kqyrë nëpër shehër mos po gján nakun drita. Kur shkojnë ngat shpisë t’ni plakut, aty shohin dritë.
Kur i avyten penxheres e shohin n’sobë plakun me tri çika. Ishin kanë tuj kuvênë çikat. Foli çika e madhe:
-Me ditë mreti e me m’marrë, une ja kishna marue ni kazan qi krejt ushtrija kishin hangër n’tâ edhe kish teprue.
-Ti kurgja, -foli motra e dytë. –Me ditë mreti e me m’marrë mue, une ja kishna marue ni sexhade. Krejt ushtrija ishin ra me fjetë n’tâ edhe kish teprue.
-Jo, puna e juve kurrgja nuk â, -tha çika e tretë, -Me ditë mreti e me m’marrë mue, une ja kishna ba dy bineq: ni djalë e ni çikë-djalin me yll n’ballë e çikën me hanë n’gjyks.
Çoi mreti, i thirri tri motrat e i pyeti çka kishin folë. Çika e madhe tha:
-Me m’marrë ti mue, mret, ta kishna marue ni kazan qi krejt ushtrija kish hangër n’tâ edhe kish teprue.
-Me m’marrë ti mue, mret, -foli çika e dytë-ta kishna marue ni sexhade. Krejt ushtrija ish ra me fjetë n’tâ edhe kish teprue.
-Me m’marrë ti mue, mret,-foli çika e tretë-t’i kishna ba dy bineq-djalin me yll n’ballë e çikën me hanë n’gjyks.
Mreti ish kanë i martuem e s’kish pasë me grue t’parë thmi hiç. Pra lakmoi për thmi e e muer çikën e tretë për grue. N’krye t’motmotit ja fali zoti dy bineq-ni djalë me yll n’ballë e ni çikë me hanë n’gjyks.
Kur lenë bineq, grueja e parë e mretit me gjith hyzmeqaren e saj, muerën e ja ngujuen thmitë n’ni sanak edhe i qiten n’deti. Masanejna mueren dy klysh t’kudrës e ja çuen n’gji grues t’dytë e shkuen e i kallxuen mretit:
Kur i pa mreti klysht e kudrës, u idhnue e tha:
-Merrne ktâ, lidheni me sinxhir e çone tu plehi edhe, kush t’bjen asajde do t’e pshtýn .
E muerën edhe e lidhën gruen e shkretë tu plehi edhe ja avytën për skej klysht e kudrës me e pa t’gjith çka i kishte le.
Thminë, qi e kishin qitë n’deti n’sanak, i çoi ujt e i zateti n’ni kërsh.
N’at kërsh ish kanë ni plak tu nêjtë. Avytet plaku e e kap sanakun. E çeli e i gjet dy thmitë t’gjallë . Merr e i hjek thmitë pej sanaku e i man.
Plaku e kish pasë pej perenije me i ardhë për ditë ka ni dash i pjekun. Mas do kohe, kur u rriten thmitë, u vjen edhe atyne ka ni dash i pjekun. Dit’pej ditve plaku u lig e po do me dekë. I thotë djalit:
-Une po due me dekë. Ju mos u tutni. Kur t’ju bje qef me dalë n’tokë t’thatë, lueni qit sinxhir. Vjen Dygdyli, ju merr e ju qet n’tokë t’thatë.
Plaku diq. Dit’ mas ditsh mërzitet djali. E luen sinxhirin. Vjen Dygdyli, e merr edhe e qet n’tokë t’thatë. Kur del n’tokë t’thatë, shkon tu ni mejtep e i kqyr thminë aty kah knojnë. Vanohet aty tu’ e kqyrë thminë e e nxê nata. Kur e nxê nata, s’din ku me shkue me fjetë. E zatet ni plak e i kallxon qi s’ka ku me shkue. Plaku i thotë:
Shkon djali tu plaku. Rrinë çka rrinë. Dikur plaku i kthe darkë e i thotë.
-Laji duert me hangër búk.
-Jo, -ja kthei djali-nuk muj me hangër búk se jam n’ni kërsh tu’ rrnue edhe për ditë m’vjen ka ni dash i pjekun. Me hangër unë búk tu ti, mue m’nalet dashi. Atje n’kërsh e kam edhe ni motër.
-Ha, -i thotë plaku –e shko e merre edhe motrën se une nuk kam kërkan. Hajde me gjith tâ se e maj une.
Djali kthehet e ha. Flen at natë aty e nestra e thrret Dygdylin. I hip e shkon e e merr edhe motrën e e bjen tu plaku. Motrën e len aty e ai vetë shkon n’mejtep me knue. Knon djali për disa vjet e bâhet hoxhë.
Kur bâhet hoxhë, shkon n’xhami m’e falë xhumanë e e thrret ezonin.
Nalet e e ngon e bâhet marak n’za t’hoxhës ‘ri. Xhumanë tjetër nuk shkon me e falë n’xhami t’vet po qaty ku e falke djali. Masi e ngon djalin tu’ e thirrë ezonin, çohet e shkon tu shpija. Kur shkon tu shpija, i thotë mreti t’shoqes e hyzmeqares:
-Me ni hoxhë qi e ka thirrë ezonin sot, kurr s’e kam nî!
-Kurse je ba qaq marak n’tâ-i thotë e shoqja-thirre ni ditë n’sillë.
Çoi mretnesha hyzmeqaren me pvetë ku po rri djali. Pyeti hyzmeqarja edhe ja gjet shpijën. Kur i shkon n’shpi e gjet çikën vetun kah po kán. Ja pa hanën n’gjyks edhe e njofti. I thotë:
-Çka kie qi po kán ?
-Jam smutë-ja kthen çika.
-Çoe vllaun de t’shkon n’bjeshkë. Aty âsht ni shpên tu’ rrnue. E ka ni rrasë t’gurit. Kur t’bâhet gjysa e ditës, vjen ai shpên e ungjet n’rrasë. Djali de t’e çon dorën e n’mujt me ja nukë ni penël e me ta pru ty, ti ke m’u çue.
Hyzmeqarja nuk rrin shum e çohet. Shkon n’shpi e i kallxon krejt mretneshës. Nuk vonon shum, n’shpi t’plakut vjen djali e e gjen motrën tuj kajtë.
-Çka kie, bre motër?-pvet.
-Jam smutë, vlla.
-Ani çka me t’ba ty?
-N’mujsh me shkue, vlla, n’filan bjeshkë. Aty âsht ni shpên n’ni rrasë guri tue rrnue. Ti n’mujsh me hi nër at rrasë, me e pritë zogun kur t’vjen n’vakt t’drekës e ma ju nukë ni penël, qaty âsht ilaçi i jem.
-He insan e budallë! Aty nuk ban me shkue! Unë ma anejna nuk guxoj me shkue se kush shkon atje, bâhet guri.
-Besa une nuk kam qare për pa shkue, -thotë djali-se ja kam dhanë besën motrës.
Muer udhën vetun djali e â shkue e â’hi nër at rrasë. Kur u ba gjysa e ditës, âsht ardhë ni shpêni âsht ungjë n’at rrasë. Djali e ka çue dorën me ja nukë ni penël. Shpêni e kthei kryet edhe e pa. Kur e pa djali qi shpêni e ka pa, e çoi plisin. At’herë shpêni ja pa hyllin e i tha:
-Veç t’paska falë zoti bukuri e po m’dhimesh se une t’kishna ba guri. Shko n’filan vên se atje janë dymdhetë kual t’lidhun me dy parë sinxhirë. Nisja n’ni skej e xgidhjau njanin sinxhir. Mos u habit po xgidhjau edhe t’dytin.
Shkoi djali e nisi me jau xgidhë pej njanit skej sall njanin sinxhir. Kur mrrini teri n’gjysë, ja xgidhi të dy sinxhirt ni kali. At’herë rojet u çuen e kapën e i thanë:
-Çka je ti ktu? A nuk e din ti qi kush â’ hi ktu s’ka mujtë me dalë për pa e gri?
Djali e luejti kapuçin. Rojet e panë hyllin e u çuditën.
-Hajt shko, -i thanë-se t’paska falë zoti shum bukuri e s’po t’bâjmë gja. Shko n’deti, n’filan vên. Aty âsht ni çikë tu rrnue. Shko merre at çikë e , kur t’vish, ta jêpim edhe ni kali.
Kur mrrin atje avitet n’prezore t’shpisë ku rrnojke çika. Si i kish qitë çika troshat e bukës, djali ish untue e po i han ato trosha. Çika e sheh për prezore e i thotë:
-Hajde hin mrêna, se t’kthej búk.
Vjen djali e hin mrêna. I kthen búk çika e vèt:
-Për çka je ardhë?
-Jam ardhë me t’marrë-tha djali edhe e lujeti kapuçin.
Kur e pa çika djalin aq t’bukur me hyll n’ballë, u ba marak n’tâ e i tha:
-Ha búk se unë po bâhna gati.
U ba gati çika shpejt e shpejt. I kanë hypë të dy Dygdylit e janë shkue te kualt e egër. Aty e muerën ni kali për çikën. Pej atyhit shkuen e e mueren shpênin e u nisen për n’shpi. Dikur mrrinën edhe e gjetën motrën vetun. E la motrën edhe gruen aty djali e çohet e shkon n’xhami. Ish kanë e xhumá.
Hip n’minare djali e e thrret ezonin. Mreti, kah shkon n’xhaminë tjetër, nalet e e ngon. Kthehet e shko n’xhaminë ku e falke djali xhumanë. Kur e fal aty xhumanë, mreti shkon tu shpija e i kallxo t’shoqes edhe hyzmeqares:
-N’at xhami â’ ardhë ai hoxha i hershëm. Qe tri javë nuk á’ kanë e sod erdh prap e e e knoi ezonin. Shum marak jam ba n’at hoxhë se shum hoxhë i mirë ka qillue.
-N’kofsh ba qaq marak, thirre n’sillë ni ditë, -i thotë e shoqja.
Çon tatarët mreti edhe e thrret me i shkue n’sillë nestra. Çohet djali nestra me shkue n’sillë. Para se me shkue, e shoqja i tha:
-Kur t’shkojsh n’sillë, ha bukë me shpinë t’lugës.
U nis djali nestra me shkue tu mreti e, kur hini n’saraj t’mretit e kaloi kah plehi, nuk e pshtyni gruen qi e kishin lidh aty.
Rrin çika, rrin djali tuj folë me mretin e dikur vjen silla. Ja nisin me hangër bukë. Jemekët e djalit i kish pas xeherlisë mretnesha, po djali po ha me shpinë t’lugës si i kish pas thanë e shoqja, e nuk shtini kurrgja n’bark e pshtoi. Mreti edhe s’p’e din e po kujton qi ashtu e ka zakon me hangër hoxha i ri e s’po i ban za.
Kur hanë sillë, mreti i tha djalit: -Pse s’e pshtyne ti at grue qi e kena lidh n’pleh?
-Jo, tha djali-se zoti e ka falë insan edhe atâ, si mu e si tanë tjerët.
Mreti s’po ba zâ se s’po don me ja prishë musafirit. Dikur djali lypi izë, u çue e shkon pej shpije. Kur shkon tu shpija i thotë e shoqja:
-Thirre edhe ti mretin ni ditë n’sillë.
–Jo mori grue, ku kemi m’e thirrë na mretin. Ku kemi m’e shti e m’i dhanë sillë?
-Thirre- i thotë-se kurr s’ki me kanë i koritun.
Shkon djali e e thrret n’sillë. Çohet mreti e, kur shkon tu djali e ban zoti japinë xhama krejt e ujt përfuni. Kur ban me hi mreti edhe e she’ujt përfuni kamve, nalet. E shoqja e djalit i thotë:
-Hajde, babë, mos u tut hiç se nuk t’lshon xhami n’ujë.
Kapërcen mreti e del e ungjet. Rrinë çka rrinë tuj ba llaf e dikur u vjen silla. Ja nisin me hangër bukë. Ja nisi edhe mreti e po ha me shpinë t’lugës. E shoqja e djalit i thotë:
-Babë, ktheje lugën për s’mari e ha si duhet se nuk janë hêtë t’xeherlisme si i ka pasë hoxha tu ti.
Hangrën bukë e po rrinë. E pa mreti at shpênin n’raft. E pveti djalin:
-Çka âsht qaj shpên qaty?
-Âsht shpên si knon e na hjek mërzinë.
-Po hajt shtine de t’kno pak!
Ja ka nisë shpêni e po kno e, tuj knue, po e kallxo’ krejt jetën e djalit e t’çikës si kanë le me hyll n’ballë e me hanë n’gjyks; si i ka marrë mretnesha me hyzmeqaren e i kanë ngujue n’sanak e i kanë gjuejtë n’ujë, si i ka qitë uji n’ni kërsh e si i ka marrë ai plaku e i ka rritë n’at kërsh tekteri sa janë rritë e janë ba t’zot e vetit.
Masanej, ashtu tuj knue, po kallxo zogu se si ka ardhë djali me gjith motrën tu plaku n’shehër, si ka msue n’mejtep e si â ba hoxhë; si e ka ngue mreti tuj knue ezonin e si â’ ba marak n’zanin e ti; si e ka çue mretnesha hyzmeqaren me pa ku e ka shpinë djali; si ka ardhë hyzmeqarja e e ka gjetë motrën t’ligë; si ka shkue djali edhe e ka marrë jo sall shpênin, po edhe kalin e t’shoqen. Masanej, tuj knue e tuj folë, shpêni kallxoi se si e kish thirrë mreti djalin për sillë e si ja kishte xeherlisë mretnesha jemeket djalit.
E shoqja e hoxhës i nejt gati e i tha:
-Babë, hoxha â’qaj djali yt edhe motra e ti âsht çika jote. Une jam reja jote, e grueja, qi e ki lidhë tu plehi , â nana e ktyne dyve.
Mreti u gzue shum e i muer ngrykë të tre edhe i luti me shkue n’sarajin e ti e me rrnue bashkë.
Hoxha i tha:
-Babë, s’un vimë pa e zgidhë nanën e për pa i mytë gruen e parë me gjith hyzmeqaren.
Mreti ja dha fjalën edhe qashtu bani. Nanën e thmive e muer n’saraj, gruan e parë me gjithë hyzmeqaren i myti e, sa pat ymër, rrnoi me gruen e dytë e me renë e vet.
*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë I”
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…