Nga Sam Walters
Dinastia kineze Han e mirëpriti tregtinë me Perëndimin që rreth 2000 vjet më parë. Por oborrtarët e saj nuk mund ta imagjinonin se ishin duke krijuar themelet e njërit prej sistemeve më të vjetra, më të mëdha dhe më jetëgjata të tregtisë në botë. Gjatë gjithë ekzistencës së tij 1600-vjeçare, sistemi i lashtë i Rrugës së Mëndafshit i rezistoi ngritjes dhe rënies së kulturave dhe qytetërimeve të panumërta, duke dalë edhe më e fortë nga cilado përvojë e tillë. Po cilat ishin ngjarjet që e përcaktuan historinë e Rrugës së Mëndafshit dhe pse mori fund ky sistem?
Një koleksion i ngatërruar rrugësh që ndryshonin vazhdimisht, kjo rrugë i zhvendosi mallrat nëpër Azi dhe Evropë nga viti 130 Para Krishtit deri në vitin 1450 Pas Krishtit. E quajtur zakonisht Rruga e Mëndafshit, ky sistem tokësor dhe ujor shtrihej në një gjatësi prej 9600 km dhe lidhte shumë territore, nga Kina, India dhe Irani deri në Itali.
Duke kaluar nëpër terrenet më të vështira si malet, shkretëtirat, stepat dhe detet, sistemi nisej nga kryeqyteti i lashtë i Kinës Xian në Azinë Qendrore dhe Perëndimore dhe mbaronte në Mesdhe. Rruga e Mëndafshit transportonte të gjitha llojet e artikujve si kripën, erëzat, gurët e çmuar, metalet e çmuara, letrën dhe porcelanin.
Por në fillim ai u bazua në eksportin e pëlhurës së mëndafshtë që prodhohej ekskluzivisht në Kinë. Në atë kohë, oborrtarët e mbretërisë së Kinës e kuptuan se mëndafshi vlente shumë në shoqërinë e tyre ndaj ata i cilësuan si një sekret shtetëror metodat e prodhimit të tij.
Por ata nuk ishin plotësisht të vetëdijshëm mbi vlerën e pëlhurës së mëndafshit në Perëndim, pasi tregtia e vetme e jashtme e tekstilit ishte pjesë e diplomacisë së tyre. Për shembull kur fiset e popullit Xiongnu plaçkitën kufijtë e Kinës rreth vitit 200 Para Krishtit, dinastia Han u siguroi fiseve sasi të mëdha mëndafsh si pjesë e lutjes për paqe.
Dhe kur fiset e popullit Xiongnu ishin ende duke plaçkitur kufijtë e Kinës rreth vitit 130 Para Krishtit, dinastia Han u dha rivalëve të fiseve mëndafsh në këmbim të një lloji të veçantë kali më të shpejtë dhe më të fortë, i cili ishte i rëndësishëm në humbjen e popullit Xiongnu disa dekada më vonë.
Këto ndërveprime, përveç një sërë misionesh të dërguara në kërkim të aleatëve të huaj, zbuluan për herë të parë dëshirën e madhe për mëndafsh të popujve në Perëndim. Dhe sapo u zbulua kjo gjë, oborrit mbretëror i Kinës krijoi një grup të madh tregtarësh të pëlhurave dhe i dërgoi ata drejt perëndimit në një përpjekje për të nxitur marrëdhëniet e ardhshme tregtare dhe për të zyrtarizuar rrugët e ardhshme tregtare.
Ishin pikërisht këta tregtarë që filluan krijimin e Rrugës së Mëndafshit, edhe pse nuk ishin të vetmit udhëtarë që u bënë pjesë e atij sistemi. Tregtarët nga e gjithë Azia Qendrore dhe Perëndimore nxituan drejt kësaj rruge, duke ia transferuar mallrat e tyre tregtarëve kinezë përpara se këta t’ua shisnin të tjerëve.
Udhëtimi i tyre ishte i vështirë. Tregtarët përballeshin me kërcënimet e terrenit të ashpër, kushteve atmosferike ekstreme apo grupet e hajdutëve që silleshin rreth Rrugës së Mëndafshit. Por për shkak se mallrat e tyre ishin shumë të kërkuara, tregtia vazhdoi për shekuj, duke i mbijetuar disa prej ngjarjeve më të zymta të asaj kohe.
Historianët flasin zakonisht për 3 faza të tregtisë në këtë rrugë, ku që të gjitha dallojnë nga përzierja e tyre e dallueshme e tregtarëve, mallrave dhe sfidave politike. Faza e parë e kësaj tregtie u zhvillua rreth vitit 200 Para Krishtit deri në vitin 220 Pas Krishtit dhe u përqendrua në lëvizjen e mëndafshit nga Kina në Romë, ku njerëzit ishin të ndarë në lidhje me këtë tekstil.
Disa romakë mendonin se veshja me mëndafsh ishte një simbolike e përshtatshme e vlerës, pasurisë dhe autoritetit të tyre, ndërsa të tjerë e shihnin mëndafshin si një kënaqësi të pahijshme dhe u përpoqën të ndalonin importimin e tij. Pavarësisht këtij debati, importet romake të mëndafshit u rritën gjatë gjithë kësaj faze, të mundësuara nga paqja dhe prosperiteti që siguruan perandorët e hershëm të Romës. Faza e dytë nisi në 220 Pas Krishtit, kur Kina u zhyt në një periudhë trazirash politike, gjë që solli një tërheqje të saj të përkohshme nga tregtia e Rrugës së Mëndafshit. Për shkak të trazirave, sekretet e prodhimit të mëndafshit u nxorën jashtë shtetit, duke i dhënë fund monopolit kinez mbi materialin.
Pasi dinastia Tang e Kinës riktheu normalitetin rreth vitit 600 Pas Krishtit, prodhuesit e mëndafshit po shfaqeshin tashmë në Bizant, që ndodhej në gadishullin e Anadollit, dhe që shërbeu si një pasardhës i shtetit në rënie të shpejtë të Romës. Për shkak se cilësia e mëndafshit kinez ishte ende superiore, një fazë e re e tregtisë së mëndafshit u ngrit nga rreth 620-910 pas Krishtit, këtë herë nga Kina në Bizant dhe më gjerë.
Duke filluar nga Azia Qendrore dhe duke përparuar në Kinë, Indi, Iran dhe Anadoll, pushtimet e mongolëve nën Genghis dhe Kublai Khan e stabilizuan të gjithë kontinentin, duke lehtësuar komunikimin dhe tregtinë në të gjithë Euroazinë. Ndërsa qendrat e ndryshme tregtare të Azisë dhe Evropës ranë nën kontrollin e unifikuar të Mongolëve, filloi një lulëzim i tretë dhe i fundit i tregtisë së mëndafshit, që zgjati rreth vitit 1210 deri në vitin 1360 pas Krishtit.
Ndërsa mëndafshi ishte ende një nga produktet kryesore që udhëtonte në Rrugën e Mëndafshit, tekstili u dërgua në Perëndim së bashku me perlat, gurët e çmuar, erëzat, qeramikën, qilima etj. Përveç këtyre mallrave, hapja e mongolëve ndaj të huajve dhe ideve të huaja lehtësoi gjithashtu lëvizjen e njerëzve, filozofive dhe patogjenëve nëpër shtrirje të mëdha të Rrugës së Mëndafshit.
Pavarësisht se mbijetoi dhe ndonjëherë lulëzoi, tregtia e Rrugës së Mëndafshit filloi të binte rreth vitit 1360 pas Krishtit. Kjo për shkak të pasojave të murtajës bubonike gjatë Vdekjes së Zezë rreth 20 vjet më parë por edhe ndarjes së Perandorisë së madhe Mongole.
Goditja vendimtare ndodhi rreth vitit 1450 pas Krishtit, kur taksat e vendosura nga Perandoria Osmane në lulëzim e sipër, e penguan pothuajse të gjithë tregtinë e mbetur përgjatë rrugëve tradicionale të Rrugës së Mëndafshit. Kjo i detyroi tregtarët evropianë të kërkonin rrugë alternative drejt qendrave tregtare të Azisë.
Duke nisur një epokë të re të tregtisë dhe kontaktit ndërkulturor, në të cilin udhëtarët do të kërcejnë midis “Botës së Vjetër” dhe “Botës së Re” me pasoja dramatike dhe shkatërruese, kërkimi për rrugët detare vetëm sa e përshpejtoi zhvendosjen e vëmendjes nga Rruga e Mëndafshit.
“Discovery Magazine” – Bota.al
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…