Nga Gëzim Kabashi
Në amfiteatrin e Durrësit kanë filluar të martën sondazhet, që synojnë zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar, si dhe lidhjen me kodrën ku është mbështetur një pjesë e monumentit.
Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito tha për BIRN se sondazhet po realizohen nga firma “Altea & Geostudio 2000”. Leja e ministrisë së Kulturës ka mundësuar punimet e firmës së licensuar për ndërhyrje të këtij lloji – tha Ramohito.
Specialistë dhe arkeologë po ndjekin nga afër punën që po kryhet në pjesën qendrore të amfiteatrit.
Ky është hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit të ndërtuar në shek II pas Krishtit. Projekti për hapjen e plotë të amfiteatrit si dhe për rehabilitimin e plotë e zonës qendrore të Durrësit u bë i njohur dy vjet më parë.
Bashkia e Durrësit, ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim AADF po bashkëpunojnë për zbulimin e plotë të monumentit më të madh që është gjetur deri tani në vendin tonë.
Amfiteatri i Durrësit u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Gjatë ekspeditave verore 1966-1970 u zbulua rreth 2/3 e monumentit, që ishte ndërtuar në periudhën e perandorit Trajan. Për hapjen e shkallareve dhe galerive autoritetet e kohës urdhëruan në pak javë prishjen e 33 shtëpive dhe transferimin e 50 familjeve, të cilat, pa e ditur, kishin banuar mbi një vepër monumentale 1900-vjeçare.
Megjithë kërkimet arkeologjike në hapësirën e amfiteatrit, në më shumë se 50 vjet nuk ka patur asnjë ndërhyrje me synim zbulimin e elementeve të tjerë të rëndësishëm. Projekti që pritet të zbatohet ka nisur me shpronësimet dhe kompensimet e familjeve që banojnë në pjesën veri-lindore të amfiteatrit.
Albert Vataj Në vitin 2003, në fushat e Norfolkut në Angli, kërkuesit e antikitetit me…
Një fotografi e realizuar në Mitrovicë, në vitin 1943, na kthen në një periudhë të…
Përpara se Nikola Tesla të bëhej një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e…
Erdhi koha e tyre, e atleteve të bardha ! Vajzat që janë fanse…
Mandarinat janë ndër agrumet më të shijshme, falë aromës dhe përmbajtje së lartë të…
Në shumë vende bregdetare të zonës së Mesdheut, njerëzit betohen për të mirat…