Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Ali Pasha Tepelena, diplomacia britanike dhe dorëzimi i Pargës në 1819

Ali Pasha Tepelena, diplomacia britanike dhe dorëzimi i Pargës në 1819 – Nga Dorian Koçi

Kontakti i parë i Ali Pashës me britanikët daton në vitin 1803, kur ai iu drejtua ambasadorit britanik në Stamboll, William Hamilton, me një letër ku i propozonte bashkëpunim të ngushtë kundër Francës, duke i prezantuar një listë ofertash dhe në të njëjtën kohë vendosjen e një konsullate të përheshme britanike në Janinë. Që nga ky moment do të fillonte një intensifikim i marrëdhënieve diplomatike midis dy palëve, ku anglezët do të ecnin me shumë kujdes pa u angazhuar drejtpërsëdrejti në premtime të mëdha, edhe pse ofertat e Ali Pashës ishin shumë bujare, duke përfshirë furnizimet me lëndë drusore, ujë, ushqime, bagëti, kuaj dhe përdorimin e porteve të tij në Adriatik për përdorim ushtarak dhe civil.

Në momentet e para shqetësimi kryesor i anglezëve ishte ta përdornin Ali Pashën si mburojë ndaj penetrimit francez në Greqi pa reflektuar dhe dhënë një patronazh të veçantë mbi të. Të dyja palët do të ecnin me shumë kujdes në marrëdhëniet diplomatike midis tyre, derisa do të vinte Paqja e Tilsitit më 1807, kur anglezët do të ishin shumë më të interesuar për vazhdimësinë e Perandorisë Otomane dhe jo për disintegrimin e saj. Në bisedimet që do të zhvilloheshin midis Majorit Leak, përfaqësuesit special të qeverisë britanike në Janinë dhe Seyid Ahmet Efendiut, agjentit të akredituar në Londër të Ali Pashë Tepelenës, pala angleze e shmangu diskutimin rreth pavarësisë së Ali Pashës, që ishte nënkuptuar në bisedimet e mëparshme. Në të kundërt, pas diskutimeve që ishin fokusuar mbi të ardhmen e Pargës dhe mbështetjes, që Ali Pasha do t’u jepte britanikëve, nga ana e këtyre të fundit iu afrua një skemë e një mbretërie të pavarur Greko-Shqiptare. Në këtë mënyrë Anglia e rriste misionin e Pashait, duke identifikuar Revolucionin Grek dhe përpjekjet e tij për pavarësi pothuajse identike.

Duke u mbështetur në autoritetin e pashait tepelenas dhe organizmin e Pashallëkut, i cili gëzonte një lloj pavarësie de facto, do të ishte më pak e rrezikshme dhe e lodhshme për britanikët për të arritur pavarësinë e grekëve. Në një moment, që revolucioni do të ndodhte, do të ishte më pak e kushtueshme për ta rrëzuar këtë tiran shqiptar, sesa të përfshiheshin në aktivitete revolucionare, pa një mbështetje të fuqishme nga brenda sistemit otoman. Në përputhje më këtë lloj politike, britanikët shfaqën projektet e ashtuquajtura të tyre rreth Shqipërisë, Seid Ahmetit, duke i përmendur mundësinë e kësaj mbretërie nën sovranitetin e Ali Pashës, ku të gjithë Ishujt Jonianë do t’i dhuroheshin të paktën me një konditë, duke i siguruar Britanisë disa privilegje tregtare dhe përdorimin e portit të Panormos.

Siç mund të identifikohet lehtë, oferta e britanikëve ishte shumë më cilësore dhe më e lartë, nga ajo që kishte afruar Franca në fillimet e marëdhënieve diplomatike midis dy palëve. Prej këndej është e lehtë të kuptosh një lloj filobritanizmi, që Ali Pasha e shfaqte dhe në publik dhe që jo rallë herë bënte xheloz Pukëvilin, Konsullin e Përgjithshëm të Francës në Janinë. Pavarësisht faktit se politika britanike do të ndryshonte në rajon në varësi dhe të ngjarjeve ndërkombëtare, ku një rol të madh do të luante akordi i Fuqive të Mëdha Evropiane, i arritur në Kongresin e Vienës, mbështetja britanike do të ishte e madhe te Porta e Lartë, deri në negociatat për dorëzimin e Pargës në 1818.

Një rast i tillë i paprecedent ishte uzurpimi i Pashallëkut të Beratit në 1809 dhe mbajtja rob e Ibrahim Pashë Vlorës, përfaqësues i një prej familjeve më fisnike të Shqipërisë së asaj kohe dhe mbështetja diplomatike që i dha Britania për të eliminuar komplotin francez të rrëzimit të tij nga pushteti, me anë të Lidhjes Shqiptare të promovuar dhe mbështetur nga francezët. Po kështu, në bazë të kësaj aleance dhe shërbimeve të bëra ndaj Perandorisë Britanike, në kohën e luftërave Napoloniane, Ali Pasha në kulmin e dobësisë së Perandorisë Otomane, ku ajo lëshonte vetëm territore në Europë dhe nuk ndërmerrte asnjë pushtim të ri, do të përfitonte qytetin e Pargës, për ta përfshirë brenda zotërimeve të veta.

Kjo aleancë e fortë do të prishej në vitin 1818, ku Anglia pas zotërimeve që kishte marrë për të respektuar Aleancën e Shenjtë të Vjenës, nuk do t’i afronte më mbështetje pashait tepelenas dhe do ta braktiste në fatin e vet. Një rol të rëndësishëm për të mos arritur një marrëveshje konkrete dhe finale midis Ali Pasha Tepelenës dhe Britanikëve, për sa i përket çështjes së dorëzimit të Pargës, ka qenë kundërshtimi i Robert Adair, ambasadorit fuqiplotë Britanik në Stamboll, i cili i gjeti kërkesat e Ali Pashës, shumë ekstravagante dhe të papranueshme. Megjithëse shumë herë ai nënvizonte natyrën sine qua non të bashkëpunimit me Ali Pashën, kundër Francës dhe forcimin e tij përkundrejt rivalëve, ai gjithashtu sugjeronte kërkimin e mjeteve të tjera, manovrave diplomatike alternative të pavarura nga influenca e tij, pa dëmtuar marrëdheniet me të.

Marrja e qytetit të Pargës filloi me mëtimin e krahinës së Ajas që përfshinte dy fshatra, të parin me këtë emër dhe tjetrin Arpeza. Këto dy komuna kishin rreth 250 shtëpi dhe një popullsi prej 5000 shpirtërash, duke nxjerrë rreth 400 burra për të mbajtur armët. Marrja e këtij territori që prej shumë kohësh qysh prej sundimit Venedikas kishte qenë nën mbrojtjen e tyre kishte një rëndësi të veçantë pasi hapte rrugën për marrjen e vetë qytetit. Në tatëpjetën e Republikës së Venedikut, ajotët duke u shqetësuar përsëri nga fqinjët e tyre, e kthyen vështrimin drejt agallarëve të Margëlliçit, një komune të Çamërisë që nuk ishte larg territorit të tyre. Ata u vunë kështu nën mbrojtje përballë inskursioneve dhe vazhduan të jetonin të qetë me anë të një tatimi vjetor prej 5000 piastrash turke që ia paguanin agait të Margëlliçit, Hasan Çaparit.

Ky tatim përbehej prej një marrje në natyrë ose në para mbi prodhimet e tokës, si dhe të një takse të quajtur kurush, që në Turqi rëndonte mbi qytetarët grekë (të bësimit ortodoks) dhe që konsiston në 20 para për mashkull dhe 60 për kryetarët e familjeve. Zotërimi i fshatrave të Ajas, i hapte rrugën Ali Pashës për të zotëruar dhe qytetin e Pargës, ndaj pas marrjes së tij prej francezëve në 1807, ai i dyfishoi përpjekjet e tij për ta zotëruar Ajan, herë duke ofruar miqësi dhe herë duke kërcënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Banorët e Ajas iu drejtuan francezëve për ndihmë e përkrahje pasi e konsideronin veten gjithmonë si pjesë e qytetit të Pargës. Me të marrë vesh këto përpjekje, Ali Pasha Tepelena joshi again e Margëlliçit Hasan Çaparin, i cili i la të drejtat që kishte mbi Ajan, kundër një fshati të quajtur Rapëza.

Mirëpo me të marrë vesh këtë marrëveshje Gjenerali Danzëlo duke e kuptuar rëndësinë e këtij territori në 1811 dërgoi një kompani të regjimentit shqiptar të paguar nga Franca që morin nën mbrotje këto dy fshatra. Ali Pashë Tepelena duke qenë konstant në qëllimet e tij për të avancuar drejt Pargës, ndërmori një sulm serioz ndaj Ajas, për ta pushtuar me forcën e armëve. Për ta fshehur qëllimin e tij, atij i vajti mendja që të nxiste një revolucion në komunën e Margëlliçit, duke ua hedhur fjalën me marifet krerëve, me anë të agjentëve të tij, duke u folur në emër të të birit Veli, për ta hequr qafe zgjedhën, duke i siguruar që do të ndihmoheshin nga pjesa më e madhe e banorëve të Çamërisë. Agallarët ranë në kurth, kryengritja shpërtheu. Atëherë Ali pasha urdhëroi trupat që të marshonin në të gjitha anët kundër Margëlliçit.

Agallarët, duke parë se nuk po ndihmoheshin, nuk bënë veçse një qendresë të dobët; disa u kapën dhe u egzekutuan, disa arritën të tërhiqeshin me familjet e tyre në terriotrin e Pargës dhe kaluan në Korfuz. Ali Pasha Tepelena nuk ndaloi në përpjekjet e tij për t’i përfshirë brenda Pashallëkut të tij fshatrat e Ajas, pasi u kërkoi autoriteteve franceze në Korfuz se kishte ndërmend që t’i merrte nën zotërim këto territore me anë të një fermani ndaj të mos u jepnin përkrahje banorëve të këtyre dy fshatrave. Përgjigja e francezëve ishte e menjëhershme duke deklaruar se Ajas kishte qenë pjesë e Pargës dhe duke emëruar si komandant të fortesës një oficer të sprovuar kolonelin Nikol Papasoglu. 

Për të përforcuar garnizonin e Pargës, Nikol solli me vete një detashment të regjimentit të 7-të italian, 25 shqiptarë dhe dy topa fushorë. Këto ishin të vetmet forca ku ai mund të mbështetej. Sa për banorët i shkruante ai Donzelosë, kalova këto kohët e fundit në një revistë gardën kombëtare dhe mezi mblodha 100 burra; të gjithë të tjerët janë në udhëtim. Unë nuk i llogaris më ajotët, që nuk merren veçse me kopetë e tyre. Si duket dhe nga raporti i kolonelit Nikol, banorët vendas ishin të lodhur nga konflikti i gjatë dhe më tepër ishte dëshira gjeostrategjike e Francës për të mbajtur nën kontrollin e vet Ajan.

Pas një përpjekje të dështuar të Ali Pashës për ta marrë nën kontroll dhe një kërkese të drejtëpërdrejte ndaj Pouqueville dhe vëllait të tij kur i kishte ftuar në një gjueti rosash në liqenin e Janinës, Ali Pasha vendosi të kalonte sërish në sulm për të marrë Pargën para se ajo të binte në duar të ndonjë fuqie të huaj të interesuar në rajon. Kështu, pas humbjeve franceze në frontin lindor në datën 3 Mars 1814, forcat e tij sulmuan qytetin e Pargës, në kështjellën e së cilës ishin mbyllur popullsia e Ajas, Pargës dhe garnizoni mbrojtës i saj. Mirëpo banorët e Pargës të trembur se mos trupat e Ali Pashë Tepelenës pushtonin qytetin, hynë në traktativa me anglezët dhe në 22 Mars 1814 nga anija “La Bakantja” zbritën një detashment të fortë, major Sër Sharl Gordoni, Foresti, rezidenti britanik në oborrin e Ali Pashës dhe kapiteni Anxhelo, adjudant i gjeneralit Kambell. Ata i akorduan garnizonit të vogël një kapitullim të nderuar dhe morën përnjeherë zotërimin e vendit.

Ali Pasha Tepelena e ndjeu sërish para syve të tij humbjen e Pargës, ashtu si kohë më parë nga rusët dhe francezët, por megjithatë ai nuk hoqi dorë nga traktativat me aleatët e tij, anglezët për të përfshirë brenda territorit të Pashallëkut të tij. Mirëpo politika angleze kishte ndryshuar në qendrimin e vet ndaj Ali Pashë Tepelenës, sidomos me situatën e re ndërkombëtare që u krijua në Europë pas vitit 1815. Me shembjen e Perandorisë Franceze dhe me stabilizimin e gjendjes ndërkombëtare që u shpreh me formimin e “Lidhjes së Shenjtë”, Fuqitë e Mëdha u drejtuan kundër çdo lëvizje që rrezikonte fronet mbretërore. Me fjalë të tjera, Londra nuk mund të përkrahte synimet e pavarësisë së mikut të saj. Meqënëse pushtimi i Pargës solli me vete një farë ftohje me Portën e Lartë, anglezët, që deklaruan se pushtimi ishte i përkohshëm, e ndreqën punën kur përfundua traktatin e Parisit. Ata pranuan me këtë rast t’i kthenin Perandorisë Otomane, Pargën kundrejt njohjes së protektoratit anglez mbi ishujt jonianë. Dorëzimi i Pargës u arrit vetëm në 10 maj 1819 pasi Ali Pasha pagoi, si rezulton nga regjistri i llogarive të tij 612.000 realë për të shpërblyer pasurinë e braktisur të atyre parganjotëve që u shpërngulën në ishujt jonianë.

Gjatë viteve 1815-1819, Ali Pashë Tepelena u mundua të konsolidonte dhe të ruante pushtetin e tij meqënëse kushtet ndërkombëtare nuk i jepnin më mundësitë për kombinacione politike për të zgjerua më territorin e Pashallëkut të tij. Gjithësesi shtrirja e   gjerë në Shqipërinë e Jugut e Pashallëkut të tij, që fillonte pak më në jug të Durrësit, vazhdonte në lindje pak më në veri të Ohrit, duke zbritur për në jug dhe duke përfshirë Follorinën, Verien, gjysmën e ishullit Eubea, si dhe duke lënë jashtë Thivën dhe Athinën, por duke përfshirë gjithë Morenë dhe tërësisht bregdetin Egjean, Jonian dhe të Adriatikut të këtyre territoreve, ngjallte frikë dhe kërcënim për të gjithë pushtetet e tjerë autonomë lokalë në rajon.

Karakteri centralizues i pushtetit të Ali pashë Tepelenës i shoqëruar me vrasje, arrestime apo dhe shpronësime të paraardhësve, si pasojë e pjesëmarrjes së tyre, në komplote të shumta ndaj Ali Pashës apo edhe pse ky i fundit dëshironte të zgjeronte zotërimet e veta, kishin krijuar një klimë ku aksioni dhe politika e brendshme Ali Pashës paragjykoheshin. Kjo ishte e dhe arsyeja që në çastin kur Ali pasha Tepelena u rebelua ndaj Portës së Lartë në 1820, bejlerët e Çamërisë u rreshtuan përkrah forcave osmane sepse kishin marrë premtime se do t’u riktheheshin pronat që u ishin grabitur. Një gjë të tillë kishin bërë edhe kapedanët suliotë duke marrë edhe ata premtimin se do të ndihmoheshin pas fitores mbi Ali Pashë Tepelenës për t’u kthyer në vatrat e tyre.

Edhe pse gjatë gjithë këtyre viteve popullsia shqiptare e Çamërisë që përbëhej nga shqiptarë myslimanë dhe të krishterë, kryesisht suliotë tregoi një bashkëpunim vëllazëror përballë një pushteti që rrëmbente territoret siç ishin marrëveshjet e aleancat e shumta të lidhura gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të XIX, në kohën kur ndodhi rebelimi i Ali Pashë Tepelenës dhe Revolucioni Grek ajo nuk arriti ta kanalizonte  fuqinë e vet ushtarake drejt një programi politik të përbashkët për të pretenduar pavarësinë.

doriankoci.blogspot.com  

InForCulture

Recent Posts

Si ndodh perceptimi ynë? Kështu e “sheh” truri botën

  Sipas hulumtimit të Institutit të Neuroshkencës të CNR të Pizës dhe Universitetit të Firences,…

17 mins ago

Nga 8249 banorë në Napoli , shumica ishin Shqiptarë ! Venediku i quan Bellisi (turqit i quajnë Bellesei) !

  Kjo ishte një familje e madhe edhe e lasht shqiptare që i perket fisit…

27 mins ago

Kolla e vazhdueshme, 5 gjëra që duhet të dini për ta trajtuar lehtë dhe pa ilaçe

  Kolla e vazhdueshme me ose pa temperaturë mund të trajtohet lehtësisht me një ilaç…

40 mins ago

A mund t’ju mbrojë kafja nga sëmundjet e mëlçisë? Ja çfarë zbuloi studimi

  Nëse keni dëgjuar për sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur, me siguri e dini se…

46 mins ago

Kush ishin agjentët shqiptarë të Perandorisë Osmane

Një akt heroik i mrekullueshëm. Historia e Rilindjes zbulon kufirin e humbur ku Lindja u…

22 hours ago

E bardhë dhe e mistershme, kjo është shtëpia më e vetmuar në botë

Zhurmat, smogu dhe pagesat mund të jenë paksa të lodhshme kur jeton në qytet. Kush…

23 hours ago