Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Raportet e Isa Boletinit me Serbinë nga Hasan Bello

Kulla e Isa Boletinit nuk ishte as 100 metra nga Manastiri i Sokolicës. Sipas burimeve historike duke nisur nga mesjeta, kujdestarët dhe rojtarët e këtij manastiri quheshin vojvodë. Paraardhësit e Isasë për shkak të afërsisë me këtë manastir, ishin rojtarët kryesorë. Në vitet 50 të shekullit XIX Manastiri i Sokolicës u restaurua nga kisha serbe, e cila për mbrojtjen e tij pagoi gjyshin, babanë dhe më pas vëllanë e Isasë. Ndërsa duke nisur nga mesi i viteve 90 të shekullit XIX për mbrojtjen e tij u kujdes personalisht Isa Boletini. Ai u përpoq ta përdorte këtë detyrë si mjet për të vendosur kontakte me politikën dhe diplomacinë serbe, e cila në këtë periudhë ashtu si sot përpiqet që t`i konsideroi këto objekte religjoze si tapi mbi të gjith territorin e banuar nga shqiptarë. Prandaj gjatë kësaj kohe Beogradi do ta konsideroi Isa Boletinin si personalitetin numër një për realizimin e planeve të fshehta ekspansioniste. Për këtë, qeveria serbe, nuk hezitoi të derdhte shuma të mëdha parash për Isanë dhe disa prijës të tjerë lokalë. Ajo shfrytëzoi pakënaqësinë dhe nxiti një sërë kryengritjesh antiosmane. Kjo edhe për shkak të politikave të gabuara të perandorisë dhe sidomos të xhonturqëve.

Për ta ilustruar këtë do t`i referohemi një dokumenti të nënkonsullit austro-hungarez në Mitrovicë, Tahy, drejtuar ministrit të Jashtëm kontit Berchtold. Më 16 gusht 1912 ai raportonte se një nga udhëheqësit shqiptarë, që ishte komprometuar më rëndë në këtë drejtim, ishte Isa Boletini. Pas djegies së kullës së tij në Boletin më 22 nëntor 1908, konfiskimit të të gjitha pronave në rrethin e Mitrovicës dhe shkatërrimit të pasurisë së tij në Banjë (Pejë) në marsin e vitit 1909, prej Xhavid Pashës, ai ishte krejtësisht pa mjete dhe i mbështetur vetëm në mikpritjen e miqve të tij.

Me rastin e vizitës së sulltanit Mehmetit në Kosovë në vitin 1911, Isai u fal duke iu kthyer një pjesë e pasurive. Për dëmet e pësuara nga xhonturqit, qeveria osmane e kompesoi me 500 lira.

Por sipas diplomatit austro-hungarez prej kësaj kohe dhe deri në arratisjen e tij që u bë në fillim të kryengritjes së vitit 1912, ai qëndroi në Boletin, duke bërë një shpenzim të tillë, që nuk ishte në proporcion me të ardhurat e tij.

Gjithashtu kishte rënë në sy edhe lidhja e tij intime me zëvendës mitropolitin serb të Mitrovicës, Popë Andjekon [konfident i konsullatës ruse të Mitrovicës dhe të Prishtinës, drejtues i propagandës serbe në Mitrovicë, vëllai i kandidatit serb për postin e mitropolitit në Prishtinë, si dhe me ish-komitin Bogdan Radenkoviç].

Nënkonsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Tahy, informon ministrin e Jashtëm se më 10 qershor 1912, Isai ishte kthyer prej mbledhjes së Junikut në Boletin dhe kishte filluar të organizonte kryengritjen në Shalë, Llap dhe Golak. Më 11 qershor, ai kishte marë nga Serbia 140 pushkë mauzer dhe tetë ngarkesa me municion. Ndërsa më 4 korrik kishte mbërritur një sasi tjetër me pushkë dhe municion prej Serbisë (160 pushkë mauzer dhe 30 arka me municion). Isai ishte njoftuar se Serbia lejonte që të transportohej municion tjetër, vetëm në rast se ai dilte personalisht në kufi. Pas kësaj, i shoqëruar nga ish-deputeti i Gjakovës Hajdar beu, tre bijve të tij më të rritur dhe nipit të tij, ai ishte nisur më 6 korrik për në Murgulja, ku ishte takuar me kapitenin e rojës së kufirit serb.

Por ndërsa Isai dhe Hajdar Beu u kthyen përsëri, bijtë dhe nipi i tij shkuan në Beograd.

Isai u deklaroi miqve në Mitrovicë, se ai i kishte dërguar të bijtë në Serbi, që në rast se atij do t’i ndodhte ndonjë gjë, fisi i tij mos të shuhej.

Nga raporti i diplomatit austro-hungarez del se, më 13 korrik në Mitrovicë kishte mbërritur gazetari rus Anton Berezovski. Më 14 korrik, ai zhvilloi një takim në konsullatën ruse; më 15 shkoi te konsulli serb në Prishtinë; më 16 u kthye përsëri në Mitrovicë dhe e kaloi ditën përsëri në konsullatën ruse. Më 17, i veshur me kostum shqiptar, i udhëhequr prej bujkut serb Timotije nga Selanca dhe një të besuari të Isait në Mitrovicë, Iljas Lusta, dhe të çifçiut të Isait, Miloja nga Rudara, ai shkoi tek Isa Boletini në Selanca, ku kaloi natën dhe të nesërmen u kthye përsëri në Mitrovicë.

Më 1 gusht u kthye nga Beogradi përsëri në Prishtinë nipi i Isait, Tafili dhe një nga bijtë e Isait, Halili, duke kaluar nëpër Prokuplje. Ndërsa më 11 gusht u kthyen nga Beogradi edhe dy bijtë e tjerë të Isait, Sulejmani dhe Mustafa. Ky i fundit kishte operuar atje gjëndrat skrofulose të ënjtura.

Sipas diplomatit austro-hungarez si Isai ashtu dhe bijtë e tij, që qëndruan në Beograd me shpenzimet e qeverisë serbe, dispononin të holla të konsiderueshme, për origjinën e të cilave nuk duhej që të kishte asnjë dyshim…

Kjo nuk do të thotë se Isai në momente të caktuara nuk ka kontribute historike./Hasan Bello/

InForCulture

Recent Posts

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

42 minutes ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

2 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

3 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

4 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

4 hours ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

1 day ago