Agron Shala
Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1932?
Në Shqipëri thellohet kriza e huave për zhvillim, të marra nga Italia më 1929. Në vitet 1932 dhe 1933, Shqipëria nuk mund të kryente pagesat e interesit, për çfarë Roma shtoi presionin duke kërkuar që Tirana të emëronte italianët që do të drejtojnë xhandarmërinë, që Shqipëria t’i bashkohet unionit doganor me Italinë, që Italia të merrte kontrollin e sheqerit të vendit, monopolin në telegraf dhe në rrymë, që italishtja të mësohet në shkolla dhe që të pranohen kolonët italianë. Ahmet Zogu nuk pranoi, por shkurtoi buxhetin me 30 për qind, shkarkoi këshilltarët ushtarakë italianë dhe shtetëzoi shkollat katolike të drejtuara nga italianët në pjesën veriore të vendit.
Në vitin 1932, në Konstancë të Rumanisë, korçari Gjergj Bubani hap gazetën “Kosova”. Gazeta kishte katër faqe (një numër kishte 16 dhe një tjetër 18) me tekste në gjuhën shqipe, rumanishte dhe frëngjishte. Në daljen e gazetës kanë ndihmuar edhe Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Ali Asllani, Kristo Luarasi, Selami Çela etj. Gazeta mbronte të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës dhe Çamërisë, autonominë e Maqedonisë me një kanton të shqiptarëve, reformat dhe konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve të Shqipërisë, të zonave të okupuara dhe të kolonive në diasporë. Gazeta mbyllet më 1933. Në nëntor të vitit 1943, Gjergj Bubani ishte kryeredaktor i ditores “Bashkimi i Kombit” ku botohet “Poemi kosovar” i Kutelit. Drejtor i kësaj ditore ishte Akile Tasi, ndërsa redaktor Mustafa Greblleshi. Në vitin 1944, Bubani nga komunistët dënohet si “kriminel lufte”. Në aktakuzën e formuluar më 12 shkurt 1945, u akuzua “se është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist … Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kundër luftës së popullit”. Ndonëse nuk e pranoi akuzën, u dënua me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike. Atë e dërgojnë për të tharë kënetën e Maliqit. Lirohet pas pesë vjetëve dhe vdesë i dërrmuar më 1954. Komunistët arrestojnë edhe Akile Tasin, i cili vdesë në burg më 1961. Akile (i diplomuar në Bolonjë) ishte vëllai i Koço Tasit (jurist i diplomuar në Romë), i cili në vitin 1941 ishte guvernatori i parë i Kosovës dhe që ka meritë të madhe në hapjen e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Akile ka qenë më parë ministër i Kulturës, ndërsa Koço ishte ministër i Drejtësisë në Shqipëri. Koço po ashtu arrestohet në nëntor 1944. Më 13 prill 1945 dënohet nga Gjyqi Special me burgim të përjetshëm dhe punë të rëndë. Në tetor të 1964 del nga burgu dhe vendoset në Shkodër. Ndërroi jetë më 15 maj 1966.
Ndër ngjarjet kryesore të botë më 1932, janë edhe këto: autoritetet britanike arrestojnë dhe internojnë Mahatma Gandhin; koreanët dështojnë ta vrasin perandorin japonez Hirohito; Japonia shpall Mançurinë të pavarur nga Kina, duke instaluar perandorin kukull Puyi. Ky i fundit do të jetë subjekt i filmit “Perandori i fundit” i vitit 1987, me regji të Bernardo Bertoluccit.
Më 1932, Gjermania vlon nga zhvillimet politike. Paul von Hindenburg mund Adof Hitlerin në zgjedhje dhe emërohet presidenti i vendit. Kancelari në detyrë, Heinrich Bruning, ndalon grupet paramilitare naziste SA dhe SS, meqë rrezikonin rendin publik. Por, dhuna e këtyre grupeve paramilitare nuk ndalet meqë pesë anëtarë të grupit SA vrasin komunistin Konrad Pietrzuch. Vrasësit dënohen me vdekje, por ata lirohen pas presionit të nazistëve. Kjo sepse kancelari i ri, Franz von Papen, ishte i dobët dhe shpresonte të ketë mbështetje të Hitlerit. Von Papen bie nga pushteti më 12 shtator, me një mocion të mosbesimit. Në zgjedhjet e nëntorit 1932, nazistët bëhen partia më e madhe në Rajhstag. Kancelar i ri emërohet Kurt von Schleicher, por kundërshtohet nga Hitleri i cili kërkon “gjithçka ose asgjë” për veten. Hitleri bëhet kancelar një vit më vonë, për të sunduar si diktator deri më 1945, dhe duke shkaktuar Luftë e Dytë Botërore që la 40 milionë civilë dhe 20 milionë ushtarë të vrarë në vitet 1939-1945.
Reklama
Në vitin 1932 lindën këta emra: këngëtarët Johnny Cash dhe Little Richard; shkrimtari John Updike; aktorët Omar Sharif, Peter O’Toole dhe Elizabeth Taylor; regjisorët Milos Forman dhe Andrei Tarkovsky, poetja Sylvia Plath; presidenti i Francës në vitet 1995-2007, Jacques Chirac, si dhe shkrimtari, filozofi, kritiku, eseisti … Umberto Eco.
Më 1932 lindi akademiku dhe aktivisti i çështjes shqiptare në Kosovë, Fehmi Agani; shkrimtari për fëmijë, Odhise Grillo; historiani Kristaq Prifti; regjisori Kujtim Spahivogli; aktorja Tinka Kurti, kameramani Rudolf Sopi; përkthyesit Robert Shvarc dhe Naum prifti; piktori Omer Kaleshi.
Në Itali, më 1933 mbahet për herë të parë Festivali i Filmit në Venecie, ndërsa Gjermania prezanton autostradën (autobanin) e parë.
Në vitin 1932 vdesë nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Iljaz bej Vrioni – kryeministër, disa herë ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar. Vdesin po ashtu edhe botuesi dhe publicisti Sotir Peci si dhe Marigo Posio – qëndistarja e flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas studiuesit Niko Kotherja, Posio vdiq e verbuar. Ndërsa, tuberkulozi i mori asaj pothuajse gjithë familjen: djalin Vaso, që përfundoi Konservatorin në Amerikë; vajzën Fereniqi me të cilën botoi gazetën “Shpresa kombëtare”; vajzën tjetër Liri e cila mbylli ditët e pakta të jetës së saj pranë të ëmës. Marigo, më 6 shkurt 1921, nisi botimin e gazetës “Shpresa Kombëtare” – e para gazetë e botuar nga gratë shqiptare brenda Shqipërisë. /Telegrafi/
Reklama
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…