Nga Mihallaq Zilexhiu
Albanologun e mirënjohur të shek 19 Georg von Hahn e njohim për kontributet e tij shumë të vlefshme si themelues I albanologjisë moderne.
Në këtë shkrim po përmendim disa përshkrime dhe mendime të shprehura prej tij në librin tashmë shumë të njohur “Studime Shqiptare” mbi emigrimin e shqiptarëve dhe gjendjen e tyre në kohën kur ai i njeh ata.
Georg von Hahn lindi më 11 korrik 1811 në Frankfurt dhe studioi drejtësi në Gjermani. Në vitet 1834-1850 ka punuar si gjykatës në krahina të ndryshme të Greqisë dhe në shërbimin konsullor si diplomat i Perandorisë Austro-Hungareze për Shqipërinë e Poshtme me qendër në Janinë. Gjatë kësaj kohe ai meson aty mëson gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe ai ka ndërmarrë disa herë udhëtime nëpër Shqipëri.
Hahni I përshkruan me simpati shqiptarët në librin e tij dhe shpreh keqardhjen për gjendjen e mjerueshme të tyre.
Përmendja prej tij e emigracionit si dukuri e shoqërisë shqiptare të kohës duket interesante veçanërisht sot në kontekstin e diskutimeve të shumta mbi këtë fenomen që konsiderohet si shanc por dhe fatkeqësi për njerëzit që ikin apo që banojnë këtu.
Ai përshkruan më se njëherë pozicionin e sidomos karakteristikat gjeografike të terrenit ku shëtiti dhe shfrytëzimin e pamjaftueshëm ose aspak të tij për bujqësi e blegtori. Ja çfarë thotë për nivelin e zhvillimit të asaj kohe duke përshkruar por dhe analizuar gjendjen e duke e parë atë si arsye emigrimi:
Bujqësia gjendet në një shkallë primitive sepse mbjellja e bimëve ushqimore për bagëtinë është shumë e vogël. Bagëtia e imët gjatë gjithë vitit kullot përjashta, bagëtia e trashë vetëm pak kohë ushqehet në stallë, kuajt dhe gomerët, sa kryejnë punët, ua lidhin këmbët e para dhe i lëshojnë me kullotë, qetë e parmendës në kohën e punës i lëshojnë ditën të kullosin dhe vetëm natën u shtien të hanë në stallë. Kur nuk punojnë, kullosin sëbashku me lopët dhe pelat. Kjo gjendje kërkon kullota të gjëra ndër rrethinat e afërme të katundit , pra djerra të mëdha, gjë që e bën të pamundur rritjen e pemëve në shumë vende. Këtu popullsia që punon tokat e pakta dhe bujqësia formojnë një tërësi , ku çdo gjë është e lidhur kaq ngushtë njëra me tjetrën, saqë çdo përmirësim has në pengesa të mëdha, të cilat nuk mund t’i mposhti një person i vetëm, por vetëm nevoja dhe uria. Derisa shqiptari do ketë mundësi të shkojë në kurbet të fitojë bukën e gojës, nuk duhet të presim një përmirësim të bujqësisë shqiptare.
Ose kur përshkruan fushën e Gjirokastrës ai nënvizon arsyen pse njerëzit nuk jetojnë e punojnë aty :
Në fushë nuk gjindet asnji fshat, sepse atje duket ajri është i keq.
Përveç se në Jug, Epir siç quan ai territorin rreth Janinës e Gjirokastrës atëherë kur Shqipëria e sotme ishte pjesë e Perandorisë Osmane e nuk kishte kufij, Georg von Hahn përshkruan vendin më në veri dhe pikërisht më poshtë gjeni një shënim interesant të tij mbi Vlorën dhe njerëzit atje duke nënvizuar efektet negative të zonave moçalore rrotull Vlorës mbi shëndetin e njerëzve:
Vlora tashmë ka namin e keq si një çerdhe ethesh dhe në këtë pikë mbahet edhe më e pashëndetshme se Preveza dhe Durrësi. Por një njohës i këtyre anëve më shprehu mendimin se klima e këtushme nuk është as më e mirë, as më e keqe se në skelat e tjera të vendit, sepse të gjitha pa përjashtim, gjenden në brigje të sheshta dhe moçalore, ku janë të gjitha kushtet e nevojshme për shumëzimin e miazmave të etheve.
E më poshtë nënvizon pasojën te njerëzit që banojnë aty:
Në të gjithë Epirin nuk kam parë vend tjetër, banorët e të cilit të kishin pamje kaq të mjerueshme dhe varfanjake. Si mund të shpjegohet ky mjerim në nji skelë të një province të bekuar me pasuri, në një qytet të rrethuar prej ullishtash dhe tokash bujqësore aq pjellore?
Ndërsa për Myzeqenë shkruan:
… banorët e saj nuk vuajnë vetëm nga sëmundjet që shkakton ajri i keq, por edhe nga të tjera që i mora vesh nga një burim i sigurtë… Regjistri i kryepiskopatës ortodokse të Beratit (që përfshin Beratin, Kaninën dhe Shpatin) kishte 4000 shtëpi kristiane kur filloi detyrën dhespoti i tanishëm; prej këtyre brenda një kohe prej 30-40 vitesh nuk kanë tepruar më shumë se 2000. Ky shkretim i madh ka prekur sidomos Myzeqenë. Krahina në fjalë nuk ka vuajtur shumë nga kryengritjet ose nga mizoritë e një lufte, por trysnia që rëndonte këtu më përpara mbi rajanë kristiane, thuhet se ka qenë e padurueshme. Por këto kohëra tashti kanë kaluar dhe shpresojmë se nën mbrojtjen e Tanzimatit edhe popullsia do të shtohet. Si duket, pakësimi i popullsisë krsitiane vjen më fort nga emigrimi I fshehtë, se sa nga ndërrimi i fesë. Kështu thonë këtu. Por ai që vështron me kujdes fytyrat e verdha dhe barqet e enjtura nga ethet e foshnjave shikon nënat e ligështa të cilat nuk janë në gjendje të lindin fëmijë të shëndoshë, atëherë fajin duhet t’ia vejë klimës së keqe që nuk lejon shtimin e popullsisë.
Në shënimin e mëposhtëm Hahni duket se merr pamjaftueshmërinë e vendit për të mbajtur një popullsi të madhe si një arsye që e detyron shqiptarin të kërkojë fatin e tij diku tjetër në botë :
Populli shqiptar bëhet shpejt kaq i fuqishëm, saqë vërshon vazhdimisht jashtë kufijve të vet dhe përgjatë shumë shekujve emigron me shumicë. Nuk është çudi që këto emigracione do të kishin vazhduar edhe shumë kohë, po mos të ishin ndërprerë me forcë nga pushtimi turk.
Në emigracion shqiptarët bëjnë sipas tij punë të shumta në fushë të zejtarisë por jo vetëm. Ja çfarë shkruan ai për punët që bëjnë shqiptarët emigrantë atje ku kanë emigruar:
Edhe sot në pjesën më të madhe të gadishullit ballaknik dhe në gjithë mbretërinë e Greqisë, muratorët janë nga Shqipëria dhe shumë krahina malore në lindje banohen, pothuaj vetëm nga familjet e këtyre muratorëve shëtitës.
Këta zejtarë punojnë sëbashku; ata udhëtojnë bashkarisht nën kryesinë e një mjeshtri të vjetër dhe transportojnë materialin e duhur me anë të kafshëve. Thuhet se numri i zejtarëve epirotas që punojnë në Stamboll dhe në rrethet e tij është 6.000.
Shqiptarët sipas tij janë shumë të zotë edhe në ndërtimin e anijeve apo dhe si marinarë.
Është një fenomen që bie në sy se shqiptari në vendin e vet , me pak përjashtim, është larguar krejt nga deti, kurse arbëreshët, si hydriotë dhe speciotë, përbëjnë thelbin e marines greke, bile shërbejnë dhe në marinën turke dhe në atë të Egjiptit.
Ulqinakët i ndërtojnë vetë gjemitë e tyre; ata, megjithëse uk dijnë as të shkruajnë as të lexojnë, kanë një experiencë të madhe përsa i përket ndërtimit të tyre dhe as nuk e dinë se sa mund të mbajë gjemia gjë që e kuptojnë kur e ngarkojnë herën e parë. Të gjithë marinarët e anijes janë shqiptarë muhamedanë.
Më poshtë citojmë përshkrimin që ai i bën mënyrës se si ikin shqiptarët në emigracion dhe organizimit të punës atje:
Ata shkojnë në kurbet grupe-grupe dhe gratë nuk i marrin kurrë me vete.
Tregtarët dhe zejtarët e qyteteve nuk ktheheshin rregullisht në vendin e tyre; ata nganjëherë rrinin vite me radhë në kurbet.
Epiroti, përgjithësisht , është i zoti i punës, kursimtar dhe në kurbet vendos shpejt aq pasuri sa për të mbajtur mirë familjen e tij, prandaj në fshatrat e tyne shikojmë shtëpi si në qytet dhe banorët e tyre janë të veshur me stofra fabrike shumëngjyrëshe…
Por shqiptarët nuk punojnë vetëm në zeje të ndryshme. Ata i shikon jo pak herë si mercenarë në shërbim të mbretërive apo Perandorisë Osmane.
Ja çfarë shkruan Hahn për ta duke përshkruar edhe karakterin e tyre:
Përshkrimi që na japin të vjetrit mbi aristokracinë ushtarake, e cila sundonte Thesalinë, u përngjan shumë shqiptarëve të sotëm.
Djemtë dhe burrat (shqiptarë) shkojnë më me qejf në luftë dhe e përbuzin bujqësinë.
Në shtetet barbareske, në Kajro, Mekë, Bagdat dhe Erzerum, në Bukuresht, Belgrad dhe Tripoli. arnauti asokohe ishte një dukuri sa e njohur aq edhe e frikshme. Kjo sepse asnjë mercenar tjetër nuk e shtypte me aq gjakftohtësi popullsinë që duhej të mbante nën fre, askush tjetër nuk ishte aq i aftë për të bërë plaçkë lufte , sa luftëtari shqiptar. Herët a vonë dhe me qesen e mbushur plot, ai kthehej pastaj në Atdhe , për të ngrënë rehat ato që kishte fituar me aq mund. Duhet thënë, pra, se kjo pjesë e popullsisë ishte produktive për vendin: ajo fuste aty çdo vit shuma të mëdha paresh të thata. Kështu ndodhte që në krahinat luftarake të vihej re një farë mirëqënieje, pa pasë dalë kjo nga vetë toka, apo nga ndonjë mënyrë tjetër në vend.
Por koha që përshkruan Hahni është ajo e reformave të Tanzimatit që kërkon një ushtri të rregullt e jo më me mercenarë.
Fillimi i këtyre reformave në ushtrinë osmane është dhe mbarimi i mercenarizmit – shkruan ai.
Tanzimati po i kthen ata (shqiptarët) ndonëse jo pa qendresë, nga luftëtarë në bujq. Në këtë punë ata kanë një aleat të papërballueshëm: urinë.
Ai nxjerr në dukje dhe një tipar interesant të shqiptarëve që punojnë në emigracion e që janë shumë të lidhur me vendin e tyre.
Verën e kalojnë në ajrin e pastër të maleve të tyre. Këtu kanë edhe njifarë të drejte, sepse në Greqi, Tesali dhe Maqedoni ka pak vende që janë të shëndetshme në verë.
Mbasi shumica e burrave vdesin në kurbet, zakoni i vendit kërkon që ceremonitë e vdekjes të bëhen në vend të vet, sikur të kishin vdekur këtu.
Historia e vjetër nuk tregon që dhe romakët e grekët e kishin këtë zakon. Përkundrazi ky është original shqiptar dhe është shenjë e dashurisë së madhe që ka shqiptari për atdheun e vet.
Ndërsa izolimi i vendit është për të gjithashtu një arsye e fortë për të emigruar:
Megjithë kohën e gjatë të largimit ata jetojnë sipas zakoneve të vendit të tyre:
Në krye të tyre (faktorëve) qëndron izolimi (prandaj kanë ruajtur zakonet) i vendit nga bota e jashtme që përshkruam më sipër, i cili nuk e lë të vijë në kontakt me lëvizjet botëroredhe e ruan në një shkallë më të gjërë ndaj tallazeve të kohërave se sa tokat, vendet fqinje. Këtij izolimi të natyrshëm i shkon për shtat më së miri popullit shqiptar i cili në të gjitha çshtjet e jetës publike , nuk ka mundur t’i kapërcejë idetë e ligjit të forcës, të hakmarrjes dhe të fisit dhe, nga ky shkak, gjitndet ende sot në atë shkallë të qytetërimit, të cilën romakët dhe helenët e kishin kaluar në kohën kur hynë në histori.
Kjo dispozitë shpirtërore e shqiptarit falë së cilës ai e merr gjënë e trashëguar me një këmbëngulje të madhe dhe nuk pranon këtu asnjë ndikim të huaj, del në dritën e saj të vërtetë, atëherë kur kemi parasysh se një pjesë e madhe e popullsisë, bile mund të themi lulja e saj, kohën ma të mirë të jetës e çon në kurbet dhe pavarësisht nga kjo qytetërimi i huajnuk mund të zhdukë atë çfarë ai ka sjellë me vete nga atdheu. Sepsepo të ndodhte kjo, atëherë gjendja kulturore e vendit të tij nuk do të kishte mbetur me mijëra vite e pandryshuar. Bashkimi i një instinkti tejet konservator me dëshirën e madhe për të shkuar në kurbet, është për ne një nga fenomenet më interesante në jetën e popujve.
Sikurse kemi përmendur më sipër, Hahn e shikon me keqardhje gjendjen shpeshherë të mjerë të shqiptarëve dhe mundohet të kuptojë e shpreh mendim se cilat mund të jenë arsyet e prapambetje së vendit:
Arsyet pse shqiptari ka mbetur kaq shumë prapa këtyre popujve janë këto : ai kurrë ndonjëherë nuk ka mundur të kalojë rrethin e ngushtë të fisit, duke dalë nga ajo gjendja në të cilën sundon ligji i forcës dhe hakmarrjes, sepse ata as kanë emigruar duke u shkrirë me nji popull tjetër me kulturë, as u mbuluan prej një shtrese të një populli më të kulturuar. Prandaj, mbasi mungonin këto kundërshtime nacionale, nuk pati mundësi për tu zhvilluar në faza më të larta të qytetërimit. Se vetëm në luftë ka gjallëri, qetësia është vdekje.
Zbulimi i Amerikës, gjetja e rrugës detare për në Indinë Lindore, zhvillimi i shtypshkronjës, reforma fetare, revolucioni amerikan dhe francez – të gjitha këto ngjarje me rëndësi të madhe historikenuk e prekën aspak gadishullin iliro-grek. Qëndrimi armiqësor i Perandorisë Osmane kundrejt botës perëndimore dhe karantinat që ngrehu Europa kundra përhapjes së murtajës ishin njëkohësisht edhe pengesa kulturore. Kështu gjendja nuk u ndryshua këtu aspak ose fare pak dhe u trashëgua brez pas brezi, ashtu si qe. Prandaj për Greqinë Koha e Mesme merr fund me fillimin e kryengritjes e cila rrëzoi muret që e ndanin prej botës perëndimore dhe u hapi rrugë ideve të Evropës moderne.
Në Shqipëri fillimi i kohës së re nuk është shumë larg asaj të Greqisë, por këtu ndryshimi ka një karakter tjetër, sepse nuk vjen vetiu, por hyn nga jashtë brenda, prandaj natyra e tij nuk është shpirtërore, por vetëm thjeshtë lëndësore.
…por shpresojmë që me heqjen e karantinës dhe me lidhjen e Shqoipërisë me Perëndimin me anë të vijave të lundrimit, kjo do të hyjë më thellë në rrethin e tij tregtar dhe kështu marrëdhëniet ekonomike do të ndikojnë edhe në pikëpamje kulturore.
Në këtë shkrim shpresojmë të kemi dhënë disa prej përshkrimeve dhe mendimeve të rëndësishme të Georg von Hahn mbi gjendjen ekonomike dhe emigrimin e shqiptarëve në Shqipërinë e mesit të shek 19 dhe të kemi nxitur sadopak dëshirën për ta lexuar të gjithë librin e këtij albanologu të madh.
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…