Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Ahmet Selaci dhe lufta në Shalën e Bajgorës kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës (Tetor 1944 – Shkurt 1947) I

PhD(C) Miftar KURTI: AHMET SELACI DHE LUFTA NË SHALËN E BAJGORËS KUNDËR RIPUSHTIMIT JUGOSLLAV TË KOSOVËS (Tetor 1944-shkurt 1947) I

Para dy ditësh, më 17 shkurt 2022, u shënua 14-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Më 19 shkurt të këtij viti bëhen 75 vjet nga rënia e Ahmet Selacit. Rënia e Ahmet Selacit dhe bashkëluftëtarëve të tij shënon edhe fundin e luftës 3-vjeçare kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës.

Duke qenë se Shala e Bajgorës ka dhënë një kontribut të veçantë në luftë kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës (1944-1947), atëherë e shoh të arsyeshme t’i them disa fjalë për këtë rezistencë të përgjakshme, e cila, për shkaqe objektive dhe subjektive, ose është trajtuar gabimisht, ose, kur është trajtuar, është bërë në mënyrë të gabuar dhe jo profesionale nga historia dhe historiografia shqiptare. E them këtë, sepse pikërisht te kjo rezistencë, e cila ka trashëguar shumëçka nga përpjekjet pararendëse, duhet kërkuar zanafilla e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (LUÇK) në vitet ’90. Se fillet e para të UÇK-së duhet t’i kërkojmë në këto vite, këtë e thonë studiues të huaj.[1]

Historianë e studiues që janë marrë me luftën që është zhvilluar në këtë rajon kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës, pohojnë se fillet e saj duhet kërkuar nga fillimi i vitit 1941. Mirëpo, ideja për përgatitjet e një kryengritjeje, të një lufte të organizuar politiko-ushtarake kundër këtij ripushtimi u formësua në shtator të vitit 1943 me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila u pasua nga Konferenca e Bujanit, e mbajtur më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944.[2] Ishte Kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit ai që proklamoi bashkimin e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Ulqinit dhe të Tuzit me Shqipërinë, duke shprehur njëherazi edhe dëshirën që Shqipërisë t’i bashkohet edhe Qarku i Mitrovicës[3], i cili deri me kapitullimin e Italisë, bënte pjesë në zonën e interesit gjerman. Për realizimin e këtyre synimeve ishte vendosur që të bëheshin përgatitjet për organizimin politik dhe ushtarak të popullit shqiptar për mbrojtjen e kufijve etnikë. Për këtë u formua Komiteti i Rinisë Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, të cilit iu ngarkua detyra të mobilizojë shqiptarët e moshës prej 18 deri në 50 vjeçare të aftë për luftë.[4]

Për t’i vënë në jetë synimet e Lidhjes së Prizrenit, me iniciativën e Ibrahim Lutfiut, kryetar i Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Prefekturën e Mitrovicës, dhe të Bedri Gjinajt e Asllan Boletinit, në tetor 1944 u mbajt një Kuvend në fshatin Kovaçicë të Shalës. Në këtë Kuvend morën pjesë udhëheqësit e luftës në rajonin e Shalës: Ahmet Selaci, Mulla Mustafa nga fshati Vidishiq, Adem Voca, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, Faik Boletini dhe disa komandantë të xhandarmërisë shqiptare, si Imer Selaci e të tjerë. Në Kuvendin e Kovaçicës, përveç që u përkrahën vendimet e shtruara nga Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit, u vendos që të formohen grupe, çeta, njësi vullnetare, si dhe të bëhet mobilizimi në disa zona, në mënyrë që të sigurohej armatimi dhe të fillohej sa më parë me regjistrimin e vullnetarëve, por edhe të vihen lidhjet me vullnetarët e rajoneve të tjera: Llapit, Drenicës, Prishtinës etj. Për formimin e këtyre njësiteve vullnetare u morën prijësit e kësaj ane: Ahmeti Selaci, Adem Voca dhe Ukshin Kovaçica. Për përgatitjen dhe organizimin sa më të mirë të kësaj lufte dhe qëndrese, përveç Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Kuvendit të Kovaçicës, kanë kontribuar edhe mbajtja e kuvendeve të tjera, si: Kuvendi i Bares (shtator 1944), Kuvendi i Vidishiqit (25 janar 1945), Kuvendi i Mrizishtës (mes Kovaçicës dhe Vesekovcit) 11 gusht 1946 etj.[5]

Rrëfimet, deklaratat dhe intervistat e atyre që kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të luftës në rajonin e Shalës, konsultimi i dokumente arkivore nga ata që janë marrë me këtë luftë, por edhe burimet serbe-jugosllave etj., flasin dhe dëshmojnë se lufta dhe qëndresa në Shalë ka zgjatur nga tetori i vitit 1944 deri më 20 shkurt 1947. Sipas burimeve të ndryshme, luftimet kanë filluar më 16 tetor 1944 në Bajgorë. Atë ditë, luftëtarët e udhëhequr nga Ahmet Selaci sulmojnë forcat partizane jugosllave (serbe-malaziase) dhe bullgare në vijën frontale Picel – Kodra e Naltë – Kikat e Stararekës. Luftime të rrepta janë zhvilluar edhe në vijat frontale Qafa e Goldejës – Picel – Guri i Bardhë dhe Rrëzhanë – Selac – Cerajë. Pas tri ditë luftimesh të përgjakshme, forcat serbe e bullgare detyrohen të tërhiqen në drejtim të Kaçanollit. Luftime të rrepta dhe të përgjakshme janë zhvilluar edhe më 22 dhe 23 tetor 1944, pasi që repartet ushtarake të brigadave XI dhe XIII serbe të Divizionit XXIV sulmojnë forcat vullnetare në anën lindore te Rrzhanës. Pas një beteje të përgjakshme dhe humbjeve në njerëz të të dy palëve, forcat vullnetare të rezistencës zmbrapsen në shpatet e rrjedhës së djathtë të lumit të Murgullës. Ndryshe ndodhi më 26, 27 dhe 28 tetor, kur nga ana veriperëndimore e Selacit dhe Rrëzhanës forcat vullnetare sulmohen nga dy batalione të aradheve të Ibrit e të Shalës dhe nga një batalion i Brigadës së “Kosmetit”. Këtë herë kryengritësit shaljanë, me një sulm të shpejtë, arritën të thyejnë repartet e armikut, duke iu shkaktuar humbje të konsiderueshme. Më 28 tetor 1944, forcat partizane-çetnike u detyruan të tërhiqen në Borçan. Për tre ditë me radhë (më 25, 26 dhe 27 tetor) zhvillohen luftime të rrepta edhe në vijën frontale Murgull – Sylevicë – Kaçanoll. Kështu, më 28 tetor forcat e rezistencës së Shalës e të Llapit sulmojnë repartet e Divizionit 24, të cilin e shpartallojnë tërësisht. Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në muajin nëntor, përkatësish më 20, 21, 22 dhe 23 nëntor në vijat e frontit: Kikat e Stararekës – Llazi i Istrefit – Kodra e Naltë; Kreshtëbardhë – Kaçanoll – Bajgorë dhe, nga ana verilindore edhe në vijën frontale Bajgorë – Barel – Selac. Kësaj radhe, përkundër qëndresës së madhe, më 22 dhe 23 nëntor 1944, forcat serbe dhe bullgare arritën të thyejnë forcat e rezistencës shqiptare. Më 20 nëntor, Brigada 8 serbe e Divizionit 22 ripushtoi Vushtrrinë. Të njëjtën ditë, Njësitë e Brigadës X serbe, pas luftimesh të shumta, morën minierën “Trepça” në Stanterg. Dy ditë më vonë, më 22 nëntor 1944, Aradhja Partizane e Shalës, e cila po vinte nga Kopaoniku përmes Bistricës, Vllahisë e Melenicës, hyri në Stanterg, mbështetur nga Divizioni XXII, Brigada X, që depërtonte përmes Bajgorës dhe Bares. Më 23 nëntor u ripushtua Mitrovica. Megjithatë, forcat çetnike-partizane do të pësojnë humbje në betejë (më 28 dhe 29 nëntor) në përpjekje për ta marrë Kreshtbardhën dhe Majën e Livadhit të Madh në veri të Kaçanollit në Majat e Shalës, sepse në rajonin e Shalës vepronin Adem Voca, Ahmet Selaci, Bislim Bajgora, Hazir Gjaka, Jusuf Boletini, Faik Boletini dhe Osman Bunjaku me rreth 2200 vullnetarë të tjerë.[6]

Pas luftës së rreptë në mes forcave kryengritëse të Shalës, në krye me Ahmet Selacin e Adem Vocën, dhe brigadave partizane-çetnike serbo-malaziase, si dhe humbjeve të mëdha nga të dyja anët, forcat armike pushtuese, për ta dobësuar qëndresën, përpiqen që me anë të një propagande (me anë të takimeve e tubime të ndryshme) ta bindin popullatën që të mos përkrahin forcat vullnetare. Në të njëjtën kohë propagandonin se në rast që do të dorëzohen, nuk do t’u ndodhte gjë. Ndërkohë, bënin përgatitje për operacione luftarake me qëllim të shtypjes së një kryengritjeje të përgjithshme. Paria e Shalës e kuptoi me kohë dredhinë, prandaj vazhdoi rezistencën me luftë. Vendimi për vazhdimin e luftës u mor në Kuvendin e Vidishiqit (25 janar 1945), ku morën pjesë prijësit kryesorë të luftës në Shalë.

Burime të ndryshme flasin se në rajonin e Shalës u zhvilluan luftime të rrepta edhe gjatë muajve janar e shkurt 1945. Kështu, rreth 2000 kryengritës shaljanë, të udhëhequr nga Adem Voca dhe Ahmet Selaci, të përkrahur edhe nga kryengritës nga Drenica, u hodhën në sulm të parët, me synim çlirimin e Trepçës, Shalës dhe Mitrovicës. Kjo ndodhi më 26-27 janar 1945, kur vullnetarët kryengritës sulmuan nga disa anë Batalionin III të Brigadës 25 të Divizionit 46 të UNÇJ, që mbante nën kontroll minierën “Trepça” në Stanterg. Fillimisht e çliruan Stantergun, pastaj morën nën kontroll linjën: Majdan – Stanterg – Kojzirog – Lisicë. Dy batalione, nën komandën e Ahmet Selacit, u vendosën në pozicione frontale: Mazhiq – Bare – Vidishiq, ndërsa Mehmet Gradica me vullnetarët e tij u vendos në pozicionet: Vidishiq – Vllahi; Adem Voca me një batalion kontrollonte rrugën Vushtrri – Mitrovicë dhe Kçiç – Sumë (Pasomë). Përkundër një lufte shumë të rreptë dhe të pabarabartë, forcat në krye me Ahmet Selacin, Adem Vocën, Mehmet Gradicën etj., arritën t’i mbajnë nën kontroll për një kohë fshatrat: Melenicë, Bare, Vllahi, Dedi, Bajgorë, Kovaçicë, Selac, Gumnishtë dhe territorin Rekë – Zasellë deri në pjesën lindore të fshatit Shupkovc, në hyrje të qytetit të Mitrovicës. Rezistencë të fortë në Bajgorë dhe Kovaçicë kundër forcave armike bënin edhe forcat e rezistencës të komanduara nga Ukshin Kovaçica dhe Bislim Bajgora. Më në fund, forcat partizane jugosllave u riorganizuan dhe, duke angazhuar Brigadën 27 të Divizionit e 46-të serb, Brigadën e 5-të Kosovare, Brigadën e 25-të të Divizionit 4 të UNÇJ, sulmuan nga të gjitha anët kryengritësit vullnetarë në Shalë. Në ato rrethana, kur mungonte municioni e ushqimi, ishte shumë e vështirë, të thuash, e pamundur t’u rezistohej kundërsulmeve të armikut. Kështu, repartet ushtarake jugosllave e rikthyen kontrollin mbi minierën “Trepça” në Stanterg, duke vazhduar më pas operacionin ndëshkimor kundër popullatës civile në Shalë dhe rrethinë. Burimet serbe flasin se, gjatë fushatës së spastrimit të terrenit “nga forcat kundërrevolucionare”, në Mitrovicë kanë pushkatuan rreth 2000 veta. Mbi 400 veta të vrarë e të therur u groposën në varre të përbashkëta. Në Vushtrri u asgjësuan rreth 400 të tjerë. Për fat të keq, më 11 shkurt 1945, në Kullën e tij në Pasomë vritet Adem Voca, njëri nga krerët kryesor të kësaj lufte, së bashku me disa bashkëluftëtarë.[7]

Vrasjet dhe masakrimet e shumta, vrasja e Adem Vocës me disa bashkëluftëtarë (1945), mungesa e përkrahjes së jashtme dhe të brendshme, numri në rënie i forcave, për shkak të humbjeve në vija të frontit ngase armiku ishte superior, propaganda e madhe e partizanëve se “do të falen të gjithë ata që dorëzohen” etj., e dobësoi shumë qëndresën e shaljanëve. Përveç vrasjeve pa gjyq, në maj të vitit 1945, në ndërtesën e hotelit “Jadran” në Mitrovicë u organizua një gjyq, ku u dënuan me vdekje e me burg këta shqiptarë: Osman Solidi, tregtar nga Mitrovica, u dënua me vdekje, Tefik Bekteshi, adjutant i Pajazit Boletinit, u dënua me vdekje, Ethem Ferati – Prekazi, nënprefekt i nënprefekturës së Skenderajt, u dënua me vdekje, Hamdi Gashi, nënprefekt i nënprefekturës së Vushtrrisë, u dënua me burg të përjetshëm, Abdyl Zhubi, shef i logjistikës në regjimentin e Kosovës, u dënua me 20 vjet burg, Xhevdet Bajrami nga Shqipëria, kapiten i xhandarmërisë në Pazar të Ri, dënohet me 15 vjet burg, Ramadan Rexha, komisar i Batalionit IV të Brigadës së Drenicës, dënohet me 15 vjet burg, Musa Çollaku, tregtar, dënohet me 15 vjet burg, Bahri Abdurrahmani, tregtar, dënohet me 10 vjet burg, Nebih Hoda, udhëheqës financiar në nënprefekturën e Vushtrrisë, dënohet me 10 vjet burg dhe Shaban Mustafa, i cili, për shkak të mungesës së provave, lirohet nga aktakuza. Në ndërkohë Gjyqi Suprem i Jugosllavisë, dënimi kohor për Hamdi Gashin, Xhevdet Bajramin dhe Musa Çollakun shndërrohet me dënim me vdekje. Atë ditë (18 maj 1945) ata i futën menjëherë në dhomën e të dënuarve me vdekje.[8]

Edhe përkundër të gjitha këtyre masakrave, likuidimeve pa gjyq ose dënimeve me vdekje, madje edhe përkundër rekomandimeve që mori nga kreu i Organizatës “Besa Kombëtare”, prof. Ymer Berisha, me anë të një Letre të datës 28. V. 1946, ku, ndër të tjera, i udhëzonte që: “Ne jemi në ni lidhje me gjeneralët anglezë që janë në Tiranë për këtë ju në këtë anë të mos nguteni dhe të ndërmerrni aksione të mëdha dhe prapë ta udhëheqin luftën derisa nuk njoftoheni me shkrim,[9] Ahmet Selaci me bashkëluftëtarët e tij nuk e ndali luftën as në vitin 1946. Përkundër këtij “rekomandimi” të Prof. Imer Berishës, Ahmet Selaci në krye të forcave vullnetare kryengritëse shaljane do t’u shkaktojë humbje të konsiderueshme forcave të brigadave partizane jugosllave më 26 dhe 27 dhjetor 1946, në ballafaqimet që pati te Kroni i Hajrullahut, në Plepishtë dhe te Shkëmbi i Sokolit. Në të dy rastet, armiku la 21 të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur, kurse nga pjesëtarët e forcave të Ahmet Selacit u vra Nazif Revuçi dhe u plagosën Ahmet Selaci, Ukshin Kovaҫica dhe djali i tij, Hashimi. Pas këtij ballafaqimi, forcat e rezistencës do të detyrohen të tërhiqen në thellësi të Shalës, konkretisht do të përqendrohen në jugperëndim të fshatit Selac – midis fshatrave Vllahi, Batahir, Bistricë dhe Koshtovë e Vllahisë, pikërisht te Konakët e Vllahisë në Malet e Kozmaticës. Atje u diktuan e u rrethuan nga forcat partizane dhe, më 19 shkurt 1947, pas luftimeve të ashpra dhe qëndresës së madhe, ranë heroikisht krerët e luftës në Shalë: Ahmet Selaci, Bajram Selaci, Mehmet Selaci, vëllezërit Hajrullah e Hetem Selaci, Qazim Selaci, Faik e Jusuf Boletini dhe Imer Imeri i Bistricës, kurse Imer Selaci plagoset rëndë. Ukshin Kovaçica me të birin Hashimin dhe Smajl Sfarçën arrijnë të çajnë rrethimin dhe të vendosen në shpatet e pjerrëta të Kozmaticës dhe, para agimit të 20 shkurtit 1947, arrijnë të zënë pozicionin në Malin e Podit në Shpellën e Ariut. Aty, atë ditë, gjatë luftimeve të rrepta dhe të pabarabarta vritet Ukshini me të birin, Hashimin. Me atë rast mbetet i vrarë edhe kapiteni serb, Vojo Jankoviçi, me 7 ushtarë të tij. Të dymbëdhjetë kufomat e prijësve të luftës shaljane 7 ditë rresht armiku i ekspozoi para postës së qytetit në Mitrovicë. Trupat e tyre thuhet se janë varrosur në një varr të përbashkët matanë lumit Ibër. As sot e asaj dite nuk dihet ku ndodhen trupat e tyre. Të dhënat e mbledhura në terren flasin se gjatë rezistencës 3 vjeçare në Shalë mbetën të vrarë 75 shqiptarë, pjesë e rezistencës në rajonin e Shalës së Bajgorës, kurse u plagosën 18 prej tyre.[10]

Duhet theksuar se në Shalë kanë vepruar disa “grupe”. Grupi i Ahmet Selacvit, i cili fillimisht “strehohej” në veri të Murgullës, Grupi i Ukshin Kovaçicës në malet e Kovaçicës dhe te Shkëmbi i Sokolit, Grupi i Bislim Bajgorës sa në Shalë e sa në Drenicë, dhe Grupi i Sherif Tërrstenës, që strehohej në Tërrstenë, herë-herë edhe tek dajat në Akrashticë, rrëzë Qyqavicës. Ndonëse në rrethana mjaft të vështira, grupet mbanin lidhje të forta midis tyre. Madje, nga fundi i vitit 1946, grupi i Ahmet Selacit dhe Ukshin Kovaçicës u shkrinë në një.[11]

Sipas të dhënave të publikuara pas Luftës së UÇK-së del se formacionet ushtarake në Qyqavicë, Llap dhe Shalë (gjatë kësaj periudhe) kanë qenë të komanduara në këtë mënyrë: 1) Zonën e Qyqavicës, e njohur si Artakoll, e komandonin Aziz Zhilivoda, Hazir Gjaka dhe Ferat Hashim Strofci; 2) Zonën e Shalës së Bajgorës e kanë komanduar Ahmet Selaci dhe Adem Voca. Krahas qyteteve të tjera ONDSH-ja ishte formuar edhe në Vushtrri. Udhëheqës i parë i ONDSH-së ka qenë Halim Spahija. Pas pushkatimit të tij nga qarqet jugosllave, drejtimin e ONDSH-së e mori Prof. Ymer Berisha, kurse pas vrasjes së tij, në krye të kësaj organizate për Kosovë erdhi Gjon Sereqi.[12] Vushtrriasit u veçuan me rezistencë kundër forcave serbe (që nga viti 1941) kur forcat serbe kishin sulmuar fshatrat rrëzë Qyqavicës (Zhilivodë, Strovc, Bivolak dhe Beçuk). Ata iu bashkëngjitën forcave të “Mbrojtjes Kombëtare” në zonën e Artakollit gjatë viteve 1943-1944. Në fillim të vitit 1945, shumë luftëtarë nga Artakolli e Qyqavica iu bashkuan Brigadës së Shaban Polluzhës, bashkëvepruan me Ahmet Selacin, Mehmet Gradicën, Ibrahim Lutfiun etj. Bashkëvepruan me Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare deri më 1949. Njëri prej prijësve ishte Aziz Zhilivoda.[13] Pas Luftës së Dytë Botërore, sekretar i saj ishte Ajet Gërguri nga Dubovci i Vushtrrisë. Përveç Gërgurit, në ONDSH, rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Osman Bunjaku. Pas formimit të “Ballit Kombëtar-ONDSH-së dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16.XI.1943), rinia shqiptare e Kosovës kishte formuar organizatën e tyre të quajtur “Rinia nacionaliste e Ballit Kombëtar”. Në organizimin e rinisë balliste rol të rëndësishëm ka luajtur rinia e Vushtrrisë. Në përgatitjen e rinisë me ndjenja balliste rol kanë luajtur në qytet: Mehmet Bivolaku, Avni Abdurrahmani etj. Udhëheqës të rinisë balliste në këtë qytet kanë qenë: Mehmet Bivolaku, Ramadan Rexha, Hamdi Abdurrahmani dhe Nazmi Presheva. Gjatë kohës së luftës u vranë Hamdi Abdurrahmani dhe Mehmet Bivolaku, ndërsa Ramadan Rexha u dënua më 15 vjet burg. Në vjeshtën e viti 1944 ballistët (ONDSH) organizuan një numër njerëzish të armatosur prej 3000 luftëtarësh, të cilët iu kundërvunë forcave çetnike në Luginën e Ibrit, përkatësisht në Sanxhak dhe Albanik (Kopaonik). Në krye të këtyre luftëtarëve ishin Adem Voca, Ahmet Selaci, Mehmet Gradica, toger Hamdi Gashi etj. Sipas dëshmisë së shumë përjetuesve të asaj ngjarjeje (Luftës së Kolashinit), qindra vushtrrias me rrethinë iu kishin bashkëngjitur grupit në fjalë. Gjatë këtyre luftimeve u dalluan Hazir Gjaka dhe Sylejman Vuçiterna – Shkoza. Po ashtu, ONDSH, gjatë periudhës 1945-1946, organizoi disa tubime, siç ishin tubimi i Qyqavicës, Grabovcit dhe Radishevës. Në këto tubime morën pjesë edhe udhëheqësit e ONDSH të Vushtrrisë. Pas mbajtjes së Kongresin e Tretë, më 1 maj 1946, në Kosmaq të Drenicës, mbahet Kongresi IV i Ballit Kombëtar, gjegjësisht i ONDSH-së. Ky Kongres është quajtur “Kongresi i Besëlidhjes së Madhe Shqiptare kundër Komunizmit”. Udhëheqës i Kongresit ishte Ajet Gërguri, kryetar i ONDSH-së ishte zgjedhur pas vrasjes së Prof. Ymer Berishës, kurse Gjon Sereçi sekretar i këtij kongresi. Në Kongres morën pjesë mbi 100 vetë, ndër të cilët edhe Aziz Zhilivoda, Ahmet Selaci, Ismet Boletin, Osman dhe Shaban Bunjaku, Feriz Bici, Ukshin Kovaçica, Shaban Dobreva, Azem Bellaqevci etj. Nga Vushtrria morën pjesë edhe në Kongresin e Pestë të ONDSH-së, të datës 25 korrik 1946, ku morën pjesë udhëheqësit e pesë qarqeve të ONDSH-së.[14]

            Nuk duhet harruar për të përmendur se në luftën e Drenicës, kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës, e cila zgjati nga 21 janari deri më 21 shkurt 1945, përkatësisht më 15 mars, nga Vushtrria me rrethinë në këtë luftë janë vrarë, së paku, 71 luftëtarë, të cilët tashmë dihen me emër e mbiemër dhe nga cilat fshatra kanë qenë. Në këtë kuadër nuk duhet harruar edhe luftën e Pasomës 10-12 shkurt 1945 në kullën e Adem Vocës. Në këtë luftë të pabarabartë: Grupi i Adem Vocës kishte vetëm 7 veta, kurse forcat partizane çetnike që e kishin rrethuar kullën e tij, sipas dëshmitarëve të gjallë, e kalonte shifrën prej 2.000 ushtarëve. Gjatë luftimeve nga data 10 deri më 12 shkurt 1945, vriten: Adem Voca, Hetem Voca, Tahir Voca (15 vjeçar), Mon Ahmati nga Stantergu, Ferat Ahmeti nga Stantergu dhe Abdullah Musliu, kurse i vetmi që arriti të shpëtojë i gjallë, edhe pse i plagosur me 7 plumba, ishte Jashar Voca. Nga forcat ushtarake partizane dhe çetnike mendohet se kanë mbetur të vrarë 84 ushtarë.[15]

InForCulture

Recent Posts

Publikohet letra e rrallë, e nënshkruar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu

  Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…

3 hours ago

Zbulohet mbishkrimi i lashtë për emrin e Shkodrës

  Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…

3 hours ago

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

5 hours ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

21 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

22 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

23 hours ago