Categories: KULTURË

Ramiz Mustafa, shkodrani që guxoi të ndiqte një “rrugë pa kthim”

Nga Bashkim Koçi

Më është dashur të shkruaj jo rrallë për luftëtarë, për ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, por edhe për të tjerë që, edhe pse vunë jetën në rezik, mbetën gjallë si të ishin bekim për ne brezat e tjerë, të ngarkuar me detyrën për të na treguar e rrëfyer atë rrugë të gjatë e të mundimëshme, me vuajtje të pabesueshme të shoqëruara me derdhje gjaku e jetë të prera në mes. Pra të na tregonin ashtu si ka ngjarë, si ka ndodhur në të vërtetë, pa sajesa. Dhe kur njihesh me to në detaje pas kaq e kaq dekadash, merret vesh kuptimi i fjalës sakrificë, e cila është e vetmja dëshmi që tregon sesa e ke në zemër, sesa je i gatshëm të japësh nga vetja për vendin tënd.

Një nga këta të bekuar, për të treguar për vete dhe lavdinë e të tjerëve, rreth asaj çka ka ndodhur gjatë viteve të luftës nacionalçlirimtare, është shkodrani Ramiz Mustafa. Ai tashmë nuk jeton, është ndarë nga jeta në vitin 2005, por si njeri i mençëm e me cilësi të larta morale që kishte, ia dinte vlerat thënies “fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet”. I bindur për këtë çka po them, ai mundi ta linte të shkruar në letër të gjithë jetën e tij, nga vegjëlia, veprimtaria si i ri revolucionar i lidhur me luftën NÇ, internimin në kampin gjerman të Prishtinës dhe deri më 29 Nëntor, ditën kur u çlirua Shkodra dhe e gjithë Shqipëria. Të gjithë këtë udhëtim të pazakontë, çuditërisht të rregjistruar çdo ngjarje e ndodhi deri në detaj, Ramiz Mustafa e ka hedhur në një libër të titulluar “Rrugë pa kthim”. Unë, shkruesi i këtyre radhëve, sado të çuditshme e të pabesueshme që më janë dukur aventurat e këtij shkodrani, i cili ish i dashuruar me jetën, të gjithë atë çka hedhur në libër pasqyron ca të vërteta që nuk mund t’i mohojë kush.

Jeta e Ramiz Mustafës përfaqëson modelin e nja familjeje të thjeshtë shkodrane, punëdashëse dhe që është përballuar me më të keqen për të mbijetuar e për të mbetur me faqe të bardhë brez pas brezi. Ramizi, biri i Mustafës dhe Hajries, kishte edhe tri motra, të cilat do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës, duke u bërë pjesë e vuajtjeve të tij për shkak të “implikimit” me idetë komuniste dhe shpërthimeve të tij rinore për t’u gjendur atje ku ndjehej rreziku. Ndarja nga jeta e babait në moshë relativisht të re, dhe fakti tjetër që i la “deri në grykë” me borxhe tek një fajdexhi i poshtër dhe i lig i asaj zone, ndikuan që Ramizi të burrërohej e të ndjehej zot shtëpie para kohe, kur ishte vetëm 15 vjeç. Dhe ky burrërim i parakohshëm, të parën gjë që ia bëri dhuratë ishte parapërgatitja për të qenë i gatshëm për çdo sakrificë.

E gjithë jeta për njeriun është një rast, ashtu siç u bë e tillë edhe për Ramiz Mustafën. Ishte shkurt apo mars i vitit 1942, vetëm pak muaj pasi ishte formuar Partia Komuniste,  kur aty në rrugën “Banja e Vogël” u organizua një aktiv i rinisë komuniste. U gjet rasti që Ramizi të futej dhe të bëhej pjesë e Lëvizjes, por, siç lexojmë në librin e tij “Rugë pa kthim”, nismëtare është bërë nënë Hajria, e cila jo vetëm që u bë familjeisht kontigjent aktiv i luftës për të sjellë ndryshimin, por për më shumë ta kthente shtëpinë në bazë lufte, nga më të fuqishmet e asaj zone. Madje shtëpia e Mustafajve u pagëzua me emrin “Alpini”, atë të pseudonimit që mbante i riu komunist Ramiz Mustafa. Nuk di nëse është shkruar a propoganduar për kontributin e madh e të çmuar të kësaj familjeje, por për aq sa kam marë informacion nga kujtimet që ka lënë autori i librit “Rrugë pa kthim”, besoj se nuk mund të ketë njëtë dytë në zonën e Shkodrës. Këtë e konfirmon edhe fakti që kjo shtëpi bazë lufte për një kohë të gjatë është menaxhuar nga “Heroi i Popullit” Vasil Shanto. Eshtë diçka jo e zakonëshme që baza “Alpini”, pra shtëpia e Ramiz Mustafës, shërbente për të realizuar takime të rëndësishme e ku mereshin vendime të mëdha. Kjo shtëpi ishte  vend i sigurt, vend ku gjendeshin mjedise nga më të mirët e mundëshëm  për personalitete të larta të luftës si Ramadan Çitaku (Baca), Spiro Moisiu, Irakli Bozo dhe shumë udhëheqës të tjerë ushtarakë. Të befason fakti që edhe letërkëmbimet që sillnin korierët nga Tirana kishin si adresë fundore bazën “Alpini”, gjë që e kishte bërë të njohur edhe nga personalitete jo dosido, siç ishte ai i Gogo Nushit. Pra ka qenë kjo strehëz ku bëheshin mbledhje teorike e organizative të Qarkorit të Partisë për Shkodrën, pa përmendur mbledhjet e vazhdueshme të celulave të rinisë komuniste dhe ato të njësive guerile. Ndoshta ky familjarizim me hallet e luftës dhe me drejtuesit e saj dha sigurinë që shtëpia të kthehej edhe në si spital partisan dhe bazë për grumbullimin e ushqimeve e veshmbathje për partizanët. Më mbeti në mendje informacioni që mora nga kujtimet e Ramiz Mustafës që tek baza “Alpini” ishin kuruar me dhjetra luftëtarë dhe midis tyre edhe njëri nga pjestarët e Heronjëve të Vigut, “Heroi i Popullit” Ndoc Mazi.

Mesa duket Ramiz Mustafa e ka patur dhunti që të mundëte të shikonte larg e ndërkohë kjo gjë ta bënte të ishte i gatshëm e të guxonte për të ndërmarrë veprime që “nuk i shkonin” moshës së tij gati fëminore. Ngjarjet dhe veprimet e shumta, në mbështetje të luftës Nacionalçlirimtare dhe që kishin si vendqëndrim shtëpinë e Mustafajve, nxjerrin në çdo detaj të vërtetën e padiskutueshme se Ramiz Mustafa, edhe pse ishte ende larg ëndrrës që të mbante emrin e madh luftëtar, ishte trim dhe nuk e njihte frikën. Në vjeshtën e vitit 1942, kur ishte vetëm 20 vjeç, e që kishte vetëm 6 muaj të ishte pjesë e grupit edukativ të rinisë komuniste, ia solli rasti të kishte përballë armikun e njohur Alush Leshanaku. Ramizi mundi t’ja mbyllte gojën, ta asgjësonte vetëm me një fjali:Ju jeni tradhtarë! E di pse? Sepse i shërbeni fashizmit, partisë  të formuar nga pushtuesi italian, nga Musolini.

Të internuar në kamp përqendrimi të nazistëve gjermanë

Kush është i gatshëm të vdesë për një ideal, është i gatshëm edhe të vrasë për të. Ramiz Mustafa ka sjellë hitori të çuditëshme, të pabesueshme për kohët e sotme, të cilat kanë të bëjnë me luftën guerilase, me përplasje  e atentate për të eleminuar tradhëtarë të rrezikshëm, spiunë e shërbëtorë të të hujave që sabotonin Luftën Nacionalçlirimtare dhe ishin bërë krah si shërbëtorë të pushtuesve. Ai tregon se si u eleminua komandanti i xhandarmësisë të Shkodrës, i biri i bajraktarit të Mirditës, Ndrec Prenga, i cili ishte bërë mjaft i rrezikshëm duke sabotuar Luftën nëpërmjet ndjekjes dhe tmerit që u jepte djemve të çlirimtares. Nuk po sjellim detaje rreth këtij atentati, por duhet thënë që ai u realizua në kohën e duhur, në vendin e caktuar, duke e goditur armikun aty ku i dhimbte më shumë. Ramiz Mustafa nuk ka harruar të përmendë, edhe pse në mes të xhandarve të ardhur urgjent aty për vrasjen e komandantit të tyre, porosinë që i dha organizatori i këtij atentati, i guximshmi dhe inteligjenti emërmadh, Vasil Shanto: Do të shkosh urgjent tek baza Ramiz, që antarët e Qarkorit të largohen që andej, sepse pas këtij atentati, mund të bëhen reprezalje e bastisje të padëgjuara. Kujtimet e këtij luftëtari vijojnë e japin copëza ngjarjesh që tregojnë për vendosmërinë e guerilasve shkodranë për të asgjësuar e vënë përpara plumbit të gjithë ata që kishin marrë përsipër t’i bënin të keqen Shkodrës. Ato fillojnë qysh nga muaji nëntor i viti 1942 me vrasjen e spiunit të regjur të SIMIT, Muhamet Xhyheri e vazhdojnë me eleminimin e ndimës-kuestorit, toger Preng Deda, të dy spiunëve të tjerë, Marian Jakova e Caf Dani, të agjentit Seit Bebeziqi, të spiunit jugosllav Bomkiç e të tjerë me radhë si Simon Oroshi, Xhep Kita, Qazim Tirana e deri në muajin gusht të vitit 1944, ku në lagjen Kiras u eleminuan tre çetnikë jugosllavë. Me spiunin Qazim Tirana guerilasit u “kujdesën” paksa flakë për flakë, ta eleminonin ditën kur ai “arriti suksesin” në shërbim të armikut pushtues, duke treguar bazën ku qëndronte komisari i njësiteve guerile të Shkodrës, Daniel Matlia, e që do ta ekzekutonin në mënyrën më të turpëshme. Pra e gjithë kjo përplasje për jetë a vdekje me “prapavijën” e armikut, agjentë e spiunë, u kurortëzua me spastrimin e tyre, duke i hapur rrugën fitores së madhe, asaj të 29 Nëntorit të vitit 1944.

Ditën e parë e muajit shkurt të vitit 1944 Ramiz Mustafa e konsideronte si sprovën më të madhe të jetës së tij, atë që i solli çaste të pa provuara ndonjëherë, një dhimbje që medomosdo i duhej ta përballonte. Ishte dita kur u ekzekutua komunisti sypatrebur, militanti revolucioanar i orëve të para, Vasil Shanto. Ishte koha kur Vasil Shanto ishte bërë pjesë e pandarë e familjes Mustafa. Nënë Hajria e kosideronte bir të saj, e ai e thërriste “nëna e komunistëve”.  E pra, Vasilin e kishin vrarë. I shtrirë përtokë e i veshur si fshatar, nuk po e njihte kush se cili ishte, ç’përfaqësonte ky njeri. I vetmi nga ata që shihnin shtrirë e bënin sehir një të vrarë nga dora e xhandarmërisë, ishte vetëm një, Ramiz Mustafa. Ai e kujton ngjarjen, e përshkruan me nota tronditëse këtë dhimbje dhe më pas tregon sesi e pritën shokët, bashkëpuntorët e tij, të cilët me këtë gjëmë u njohën aty ku kishin bazën, tek shtëpia e Mustafëve.

Çlirimtarët punonin shumë, kishin përparuar dhe ishin organizuar për ta thyer kundërshtarin pushtues bashkë me qeveritarët kujslingë. Por edhe kujslingët bënin të njënjtën gjë, manovra e spiunllëqe për të zbuluar bazat, për të identifikuar elementët e rrezikshëm dhe presione e turtura për ata që i kishin të izoluar burgjeve. Armikut i dha dorë zbulimi i bazës së lëvizjes, ai i shtëpisë së Mustafajve gjë që solli edhe dekonspirimin e emrave të drejtuesve si ai sekretarit të Partisë të Qarkorit, Arif Gjyli, i atij të rinisë, Manush Alimani, të luftëtarit Seit Buhati, të nënë Hajries etj. Në listën e të rezikëshmve ishte eshte edhe Ramiz Mustafa. Emri dhe portreti i tij tashmë ishte nën vëzhgim të plotë gjë që një ditë, më 4 Mars të vitit 1944, polt një muaj pas vrasjes të Vasil Shantos, do ta arrestonin. Torturat, vuajtjet dhe mundimet që përjetoi direkt nga komandanti i xhandarmërisë të Shkodrës, Lesh Marashi, do t’ja shtonin më shumë urrejtjen, madje edhe i përforcuan mendimin që ajo klasë sunduesish duhej përmbusur më çdo mjet e kosto. Më tronditëse ishte lajmi që mori aty në mjediset e burgut se i kishin arrestuar nënën, ndërsa dy motrat, Fitneti dhe Vehibja, të moshës 17-18 vjeçare, ishin hedhur në ilegalitet.Shtëpinë e ruante dhe e mbante derën hapur vajza e vogël, vetëm 10 vjeç, Fadilja, e cila edhe ajo, për turpin e tyre, e arrestuan. Këtu më duhëet të ndalem pak. A ka sakrificë tjetër më të madhe, a ka mundim e torturë që të mund ta durojë njeriu vetëm pse je betuar për një ideal të ri? E, këto virtyte të jashtëzakonëshme ishin pronë, si e shumë të tjerave, e familjes Mustafa.

Nga mesi i muajit  maj të vitit 1944 Ramizi u transferua në burgun e Tiranës. Fillimisht ky transferim u justifikua se gjoja aty, pra në Tiranë, do të zhvillohej një gjyq politik. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Ata ishin dërguar në burgun e Tiranës me qëllim që t’i  grumbullonin të gjithë të burgosurit politikë të të gjithë qarqeve e më pas t’i internonin në kampin tranzit gjerman të Prishtinës e më pas në Mathauzen ose në Buhenvald.  Dhe kjo nuk ishte ëndërr, por një e vëtretë. Në gusht të atij viti Ramiz Mustafa u gjend në kampin e përqëndrimit, në Prishtinë.

Ish të internuar në Kampin nazist të Prishtinës në një takim përkujtimor për dëshmorët e pushkatuar në kamp. Ramiz Mustafa, lart, i katërti nga e majta.

Në opinion thuhej se të burgosurve në kampet tranzit u bëheshin tortura jo si në kampet e specializuara si të tillë, por  “më të buta, më të lehta”. Në fakt kampi tranzit gjerman i Prishtinës nuk kishte asnjë ndryshim nga ata “specialët”. E vetmja mungesë, apo lehtësi, ishte se aty nuk kishte krematorium. Siç shkruan Ramiz Mustafa në kujtimet e tij, fjetja bëhej në një stallë kuajësh. Mund të konsumonin vetëm 120 gr. bukë në 24 orë dhe vetëm me këtë ushqim duhej të përballoje 14 orë punë cfilitëse. Torturat ishin nga më çnjerëzoret. Ndodhte shpesh që aty në kamp të pushkatoheshin 100 vetë njëherësh. Pra ata kishin kushte skllevërish e trajtoheshin si kafshë. Ramiz Mustafa ka psuar tronditje shpirtërore e mendore kur mori vesh të ishin pushkatuar breda një dite 29 të internuar nga Shkodra në shenjë hakmarrje pse forcat partizane në rrugën Kukës-Prizren kishin shpartalluar një autokolonë gjermane dhe ishin kapur rob dy spiunë të gestapos. Kjo gjë ndodhi edhe më 23 tetor të atij viti ku u pushkatuar 104 të internuar tiranas vetëm pse ishte bllokuar e më pas shpartalluar një autokolonë gjermane në afërsi të Tiranës.

Gendja kërcënuese dhe e pasigurisë për të nesërmen brenda kampit bëri që Ramiz Mustafa të dëgjonte një zë që i vinte nga brenda vetes: arratisu. Këtë thirrje ia përforcoi edhe një komunist aty në kamp, i cili gati sa e urdhëroi: Ramiz! Nesër këtu në kamp ka pushkatime. Ti, edhe pse je i ri dhe shumë mirë me shëndet, duhet të arratisesh.

Arratisja nga kampi i Prishtinës për këtë trim të çartur është histori më vete, histori nga mund të realizohet një skenar filmi për të heroizmat e luftëtarëve shqiptarë kundër fashizmit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai në kujtimet e tij përshkruan në detaj të gjithë iterenarin, të shoqëruar me ankth e frikë, nga kampi-burg deri aty ku ndjehej aroma e lirisë. Kishte frikë dhe ankth sepse nëse diktohej e të mund ta kapnin, vdekja ishte e sigurt. Por tek Ramizi instikti ishte diçka që tejkalonte dijen. Ai shfrytëzoi dhe luajti bukur me terenin, fantazinë për të bërë teatër me rojet dhe me njerëz të ndryshëm që u përball rrugës, pra aktroi si një mjeshtër i përgatitur në shkolla speciale të zbulimit. Unë, shkruesi i këtyre radhëve, vazhdoj të mbetem i mahnitur sesi ky dajalosh 22 vjeçar i ka mundur të gjithë, duke përfshirë edhe “arsenalin” e vënë në dispozicion për ruajtjen e kampit, nga ku realisht nuk mund të dilte as miza. Vetëm për këtë trimëri të pashoqe Ramiz Mustafa ishte i denjë për ta jetuar e gëzuar jetën.

Ai kishte marë këtë udhë të gjatë me plot peripeci e të papritura, por gjithmonë plot besim se do t’ja dilte. Do t’ja dilte sepse i kish marë përsipër të gjitha, pra ish i gatshëm të bënte çdo lloj sakrifice. Ramiz Mustafa, sa më fort donte e të priste të realizohej ëndrra e lirisë, aq më shumë i duhej të urrente çdo gjë që pengonte përmbushjen e saj. Këtë gjë ai e pa me sy dhe e preku me dorë edhe në këtë rrugë pa kthim. Por jo çdo gjë iu çfaq për keq. Sepse pritja aq e ngohtë në hotelin “Shkodra” në Prizren, aty kur dikur kish kaluar natën me mikun e tij të ngushtë Rasim Dedja, iu dha mundësia të merrte edhe informacionin ngjethës se nëna e tij  Hajria, ishte duke mbledhur pará tek të afërm e miq në Shkodër për të nxjerrë nga burgu të birin, Ramizin. Ajo atë natë do të gdhihej aty, në hotel “Shkodra”, e të nesërmen do të shkonte në kampin e Prishtinës.  Ramizi nuk donte ta besonte, por i bindur se kjo gjë ishte e vërtetë, sepse ia thanë njerëz të mirë e të besuar, iu lut punonjëses së hotelit, një vajze të vogël vetëm 15 vjeç, që kur të vinte nënë Hajria, t’i thoshte se djali tënd, Ramizi, u nis sot për në Shkodër. Nënë Hajria me 20 napolona flori në xhep, mbremja e zuri në Prizren, në dyert e hotel “Shkodra” ku mori edhe sihariqin se i biri i kish shpëtuar burgut dhe ish nisur për në Shkodër. Janë vërtet ngjarje të ngatërruara e që të bëjnë për të mos i besuar. Nënë e bir ishin shkëmbyer rrugës, nëna drejt Prizrenit e biri drejt Shkodrës. Nejse. Nënë Hajria sapo mori lajmin që nuk e priste, erdhi rrotull pazarit të Prizrenit e ku fatin e gjeti sepse po e kërkonte, u përball me një mik të familjes, Ali Hysën. Zemërbardhi Ali, pasi dëgjoi ç’kish ngjarë me Ramizin, qëndroi vet në Prizren dhe në makinën që do të shkonte vet, në vendin e tij, të nisej nënë Hajria, të cilën darka do ta zinte në Shkodër, pranë biri të saj, Ramizit.

Ramiz Mustafa, për çka hoqi nga braktisja e burgut e diri sa i dha fund këtij rrugëtimi të frikshëm, nuk do të harronte kurrë kosovarin me emrin Halit që e priti në shtëpi si bir e si vëlla, ku u la e u shpla e të gdhinte natën; Nuk mund të mos i mbetej në mendje Dr. Ymer Haveri, i cili në mes të Prizrenit e orjentoi për të kontaktuar me tregëtarin Tefik Myftarin e që ky ta merrte, ta maskonte në makinë mes mallrave pët t’ja shmangur rrezikut në rrugëtim, e më në fund ta zbriste në Shkodër.

Pyetja që mund dhe duhet të bëjë lexuesi është: Si shkoi fati i Ramiz Mustafës pasi u arratis dhe i shpëtoi vdekjes nga kampi i përqëndrimit të Prishtinës?  Sigurisht që ai kishte marë një rrugë pa kthim. Vetëm pas 3-4 ditësh që qëndroi pranë nënës e motrave, veshi një kapotë, hodhi në krah një armë të gjatë dhe u rrjeshtua në çetën partizane “Perlat Rexhepi” të Shkodrës. Periudha ishte shumë e shkurtër sepse, siç dihet, Shkodra më 29 Nëntor 1944 shënoi çlirimin e saj dhe të gjithë Shqipërisë. Pas çlirimit, pasi kreu studimet universitare në Moskë (1958-1960) Ramiz Mustafa kreu detyra të rëndësishme si në Komisionin e Planit të Shtetit, në Drejtorinë Arkivave të Shtetit, në RTSH etj. U nda nga jeta në vitin 2005, duke u lënë fëmijëve dhe pasardhësve emrin e mirë, por edhe shumë urdhëra, medalje e nderime të tjera për kontributet  e çmuara që dha në luftë e në punë.

InForCulture

Recent Posts

Video emocionuese / Arbëreshët e kanë traditë që kur lind fëmija e kthejnë me fytyrë nga Shqipëria

  A e dini se Arbëreshët e kanë traditë që kur lind fëmija e kthejnë…

5 mins ago

Kujdes, këto ushqime shkaktojnë kancerin

  Sipas Fondit të Kërkimit Botëror për kancerin, pothuajse 20% e të gjitha llojeve të…

10 mins ago

Shkrimi francez i 1872: Në damarët e shqiptarëve rrjedh gjak pellazg

  Në revistën franceze, “L’Année géographique: revue annuelle des voyages de terre et de mer…

23 mins ago

Sëmundjet që shëron lëkura e mollës

  Hipertensioni konsiderohet të jetë një “sëmundje e heshtur”. Ajo sulmon shumë njerëz në ditët…

28 mins ago

Skënderbeun e helmuan osmanët me venedikasit në bashkëpunim

  Nga Fahri Xharra Që 550 vjet jetojmë me një mashtrim të madh turko-venedikas se…

17 hours ago

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja

    Nga dosja e CIA-s thuhet se Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në…

17 hours ago