<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>
Categories: ARTRETROSPEKTIVË

Shkodra, n’zemrën e n’vargun e Migjenit, kje kangë e kushtrim, mbeti zemëratë e gjëmim

Nga Albert Vataj

E deshti Migjeni Shkodrën, dhe s’drashtu tue i dhan njaq dashni e adhurim, njaq amëlci e idhnim, njaq andrra dhe gazmim, anipse t’vdirun prej lëngimit qi e përndoqi, e vdekjes qi e ndau prej vargjeve t’tij t’vetëtimshmë, e njatij shpirti fort t’dhembshun… Kjau e kangës i’a dha zoritshëm, qeshi e u mner, heshti dhe foli… jo nuk foli por gjimoi, siç nji krahnuer din me gjimue nan peshën e rand t’dhimbjes qi s’mujti me e kapërdi, pa i’a lshue piskamës, pa guxu malit me i’a ngjesh, grushtin e paligjshëm.

Migjeni i dha Shkodrës njaq sa veç nji zemër e ligshtueme, e nji shndet i molisun, një gulç shpërthyes e kushtrim i zashëm, munden me i ba vend n’krahnorin e vet ku kolla e gjuen me gjëmime e ithtim poterues.

Shkodra… u ngjiz n’shpirtin e poetit e u mrue me njaq andje, u gatit e gulçoi, shndriti… e mrazit të territ i’u gjegj me shkëndija zemrash e shkreptima buzësh n’puthje tinzare. Kanilit i lypi dritë me i’u lëshu piskamës, e drojes nuk i bani vend, n’përpjekjen për me i’u dhan kangës së mjerimit, si t’vetmes andërr ku rrxohet njaj turr i mraztë, njajo qasje për me mujt me shku e mrri, sa ma larg, kah dhimbja lyp për me xanun sa ma shum’ vend. 

Shkodra, njaj qytet qi Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike”… Shkodra ishte parajsa dhe ferri i tij, vend i bani n’prehnin e vet e qiell i lshoj njasaj thirrje gjëmimtare. Jetoi e kumtoi me te, i dha dhe mori prej njatij hovi… kohë dhe kangë, rënkim e klithmë, ditë t’zezume e mramje lojcake, gjëmim e gjamë, e shterri ndër vaje synin, e buzën i’a eshku me zjarm zemrash.

Për Migjenin ishte dhe mbeti n’pambarim… “Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… e liqenit ëndërrtar në të cillin, në mëngjese të kullueta lan hijen e vet”. E njashtu u rrek me e majt n’zemër dashnin e rrokun, pa i’u dhan shterrimit të frymës.

Me za t’përvajshëm e me hov randuem, u ep e u ndesh, dritoi e vezëlleu, e tue vegue, lypi me ik pa ankim e rënkim, mos me lan mbi dhimbjen, qi e grryen, dhimbjen e vet, qi e molis keqas.

E njashtu, mbetun tue vujt ma shumë se tue gëzu, n’luftën pa i’a da me tançka mujti, Migjeni. Kështu do të shkruajë për Shkodrën kur i’u lyp me e sodiste prej larg, “Këtu në këtë largësi ndjej damarët e saj që rrahin, e rrahin… edhe sikur mjeku që tharpton ftyrën kur shef se pacienti i tij ka ethe, njashtu edhe unë pezmatohem n’idhnim, tue pa se si pulsi i dashnores seme nuk rreh siç duhet.”

Shkodra, ishte dhe mbeti, njajo qi Migjeni i’u dha me nji “dashuni tragjike”, dashuni e cila pilson në çdo vërshim, e amëlcohet n’tana andrrat, andjet qi e gjejn vend n’njat buzë t’nezun ndër perëndime t’purpurta, përmendet njata zemëra t’djeguna ndër zjarme gjimuse. Za, za lyp kah ka qiell e zogu kah lshon flatrimin… ikën e vjen, pran e bzan, viket e paqton dhimb e dihamë, tue ken prehër blatimesh adhurimi.

Ky uragan, kalitës i kushtrimit në zjarrin e zemëratës së tij ngre zanin e kumton: “Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë”. Çdo ditë e më i vetëdijshëm bëhet poeti e ma e vajtushme diftohet ç’ka synin i rrok e zemra i’a mbështjell. “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”. Ai asht i bindur se “inteligjenca pak kuj i solli lumtuni”. Por, në emër të “bijve të shekullit të ri” ai goditi themelet e sistemit të pashpirt: mjerimin, injorancën, amoralitetin, maskat, idhujt e rremë, dogmat e mitet, u ndesh me ta si një Titan, tue i’a besue ç’ka kishte n’zemër, fjalës, penës, vargut, poezisë.

Shpirtja e tij krijuese mrrini shkallën ma t’epërme, tue mbet sot e përgjithnji ndoshta rasti ma autentik, se si fjala, vargu, poezia, mundem me u shndriu në tharmin e gjëmimit të gjokseve e ndeshjes me t’keqen, me mjerimin, me gjithëçfarë skamja mkonte.

Në labirintin e zemrës e të ndjenjave t’poetit, dëshmue përmes “Vargjeve të lira”, gjen strehë, jo aq shum vetmia e poetit, se sa papajtueshmënia e tij me ç’ka sheh me zy e plas në zemër, me ç’ka prek me duar e gjoksin i’a gjuen me grushta.

Migjeni vizaton kontraste deri në ekstremet optimizëm – fatalizëm: “Fati ynë mizor – shpate e Damokleut”…”Dritë, jetë, gjallësi askund | vetëm errësinë e skam”…”Në vendin tonë | kudo valojnë | flamujt e një melankolie të trishtueshme”…”Nuk e dishe, o jetë,| se kaq i tmerrtë| asht grushti yt | që mbyt| pa mëshirë”. Në anën tjetër të kontrastit poeti shkruan:” O dhimbe krenare e shpirtit që vuen| dhe shpërthen ndër vargje të lira…| koha do t’ju bijë ngushllimin|…Vuejmë, defrejmë…|Jetën adhurojmë…| dhe adhrojmë pranverën me një apoteozë…Një jetë e re | me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim”…”Sado e mjerueme, jeta asht prap e dashtun”…”Qeshu, rini, qeshu! Bota asht e jote”.

Vërshojnë vargjet e Migjenit, pandalim, tue gjet në çdonjenin prej nesh nji dëshir me ken t’yshtun prej pëshpërimës e gjëmimit, kumbimit e kushtrimit, kungimit e atij vullneti qi nuk lyp me u dhan pa luftu. Ai na mëkoi shpirtin e tij, tue na m’su se si me dasht e me dhimt, se si më gjëmue e me u çue peshë, me e marr vargun e tij e me e ba zemër dhe armë për me u ndesh.

Ky ishte poeti, kjo ishte Shkodra, kjo mbeti çfarë asht Migjeni n’ne.

Albert Vataj

InForCulture

Recent Posts

“Mjekët zbulojnë çfarë ndodh me trupin tuaj kur pini një gotë ujë menjëherë pasi zgjoheni”

  Shumë njerëz e nisin ditën me kafe, por ekspertët e shëndetit thonë se një…

2 days ago

Mjekët tregojnë pse duhet të hani pjeshkë çdo ditë: Përfitimet që shumë njerëz nuk i dinë

  Pjeshkët, fruti i verës që sjell përfitime të shumta për shëndetin Pjeshkët janë ndër…

2 days ago

Shumë njerëz e bëjnë çdo ditë: Ky gabim në telefon mund t’ju rrezikojë llogaritë personale

Telefoni inteligjent është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Në të ruajmë fotografi, dokumente,…

2 days ago

Mjekët paralajmërojnë: Kjo është ora më e rrezikshme për të dalë në diell gjatë verës

  Temperaturat e larta dhe rrezatimi i fortë ultraviolet (UV) gjatë muajve të verës mund…

2 days ago

Këto janë ushqimet që po të dëmtojnë pa e kuptuar gjatë verës

Vera është stina kur ndryshojmë mënyrën e të ushqyerit: më shumë fruta, më shumë pije…

3 days ago

Cilët persona duhet të tregojnë kujdes me konsumimin e qershive?

Qershitë janë ndër frutat më të shijshme dhe më të pasura me antioksidantë, vitamina dhe…

3 days ago