NGA: DR. GJIN NOKU
Vitet 50 – 60 të shekullit të kaluar, pas prishjes së marrëdhënieve Shqiptaro-Jugosllave, sollën përkeqësim të jetës së banorëve në viset shqiptare të Kosovës, nën atë regjim. Shumë të rinj e intelektualë morën rrugën e emigrimit drejt “tokës së premtuar”, “Shqipërisë-nanë”. Shteti komunist shqiptar i pranonte me mosbesim “si të infiltruar”, i grumbullonte në komunitete të njohura për emigrantët, duke u kujdesur për shkollimim e punësimin, por dhe survejimin pandarë të Sigurimit. Kosovarët që kaluan kufirin për të gjetur lirinë e shpresuar, shpejt po ndjenin vështirësitë ekonomike dhe ato të trysnisë nga organet e policisë sekrete. Erdhën me shpresë që t’i shpëtonin gjenocidit serb të Tito-Rankoviçit në përballjet me qëndrestari të familjeve të tyre, por shumica e këtyre të rinjve u zhgënjyen rëndë, u frustruan e përndoqën, deri në pasoja fatale të përsekutimit. Më 1973, në territorin shqiptar jetonin mbi 600 emigrantë kosovarë, kryesisht në Tiranë, Durrës, Lushnje, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Krujë etj. Në një pjesë të madhe të tyre nisën “gjuetinë e shtrigave” me gjyqe të sajuara, dëshmitarë të rremë, sigurimsa të kamufluar. Dënimet bëheshin pa mbrojtës, sipas nenit famëkeq komunist 55, “për agjitacion e propagandë armiqësore”. Merrej dënim i rëndë, zakonisht 10 – vjeçar a më shumë, për t’i vuajtur në kampet politike më skëterrë të vendit, me punë të detyruar.
Një emigrant me fat të tillë të keq ishte edhe agronomi i talentuar Kol Fran Nikçi nga Gucia në Mal të Zi, lindur me 10 shtator 1940. Kola ishte arratisur nga vendlindja më 1957, bashkë me një grup të rinjsh, ku nëpërmjet shtigjeve malore të Vermoshit kishin mundur të hynin në Shqipëri. Ai, me shokët e klasës, më 28 Nëntor, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, kishte protestuar për mbylljen e shkollave shqipe në Plavë e Guci, duke shpalosur flamurin shqiptar në një majë kodre të qytetit. Radio Tirana i kishte bërë jehonë kësaj feste të rinisë kosovare. Ata u arratisën në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit vrastar serb mbasi edhe babai i Kolës kishte bërë burg për rezistencë ndaj sistemit.
Në Universitetin e Bujqësisë, në Kamëz (Tiranë), Kolë Nikçi erdhi një vit mbasi kisha filluar unë studimet, më 1966. Ai kishte shoqëri me studentët mirditorë, një ndër të cilët ishte Nok Noka, gjë që më ndihmonte të isha në shoqërinë e tyre. Kola vazhdoi Fakultetin në degën e “Përgjithshme”, për periudhën 1966-1971 dhe e përfundoi me rezultate shumë të mira. Ministria e Bujqësisë e emëroi në Mirditë, komiteti Ekzekutiv i Rrethit e caktoi “Kryeagronom të Kooperativës Bujqësore Perlat”. Atë kohë kooperativa ishte shumë e prapambetur, bashkim mekanik i katër fshatrave, me mungesa të mëdha në rrugë, infrastrukture, mjetesh mekanike. Punëtorët e punonin tokën me plugje të thellë, çka bënte të dëmtohej struktura dhe cilësia e për rrjedhim, prodhonin pak. Proçeset e punës kryheshin me vegla dore, gjë që ishte e mundimshme. Terreni ishte me shtrirje kodrinore, në katër fshatra, ku sipërfaqja e kultivuar zinte mbi 600 ha, në parcela të pjerrta e të vogla e me erozion të lartë, me pak ujë për vaditje. Në renditje Kooperativa e Perlatit vinte më e madhja për nga madhësia territoriale në rreth. Kola sapo erdhi e në vazhdim punoi e drejtoi në këtë ekonomi bujqësore, në vitet 1971-1975, me shumë përkushtim. Për gjithë kohën ai shkëlqeu, si në punën eksperimentuese, si specialist dhe manaxhues i suksesshëm. Dhe rezultatet u panë që në vitin e parë të punës. Kjo kooperativë kishte drejtim kryesor drithërat e bukës, siç ishte “parrulla e Partisë”, por ishte e gjitha primitive, e prapambetur, me rendimente të ulta, rreth 15 kv/ha; mungonte teknika dhe teknologjia për kultivim shkencor. Megjithatë Kola iu vu seriozisht punës studimore-shkencore për ta nxjerrë këtë ekonomi nga prapambetja. Mjafton të përmendim realizimin e studimit pedologjik dhe agrokimik të të gjitha parcelave, në vitet 1971- 1974, që e zbatoi në sistem të mirfilltë bujqësor të përparuar në kuadrin e qarkullimit bujqësor dhe të specializim-përqendrim e drejtimit me efikasitet të Kooperativës. Si rezultat Kola, në kordinim me stafin drejtues, bëri një riorganizim efektiv të kooperativës, si zgjërimi i degës së frutikulturës e perimeve, duke shtuar sipërfaqen e mbjellë me to e ngritur edhe brigadat e specializuara për shërbimin shkencor. Kështu erdhën rezultatet gjithnjë në rritje, duke marrë karakterin e një Ekonomie bujqësore të strukturuar e zhvilluar. Kjo kooperativë arriti rezultate shumë të mira në rendimentet e bimëve, si dhe ngritje të fuqishme në të gjithë kompleksin funksional-ekomomik, teknik, teknologjik dhe financiar.
Me punën e suksesshme e tij në këtë Kooperativë, krijoi mundësinë që administrata e Rrethit ta promovojë Kolën duke e dërguar në institucionin e manaxhimit të sistemit të Ujrave, (Drejtoria e Ujrave),1975-1977, me detyrë “Agronom i Sistemimeve të Ujrave dhe të Tokave” të territorit të Mirditës. Kjo detyrë iu ngarkua për punën e palodhur, njohuritë shkencore dhe ekspertizën e tij. Përveç punës shembullore me projekte për mbrojtjen e tokave nga erozioni, kullimin dhe ujitjen me parametra shkencore sipas kushteve të parcelave në objekt, ai ndihmonte edhe specialistët e rinj e pakualifikuar, në 17 ekonomitë që kishte Rrethi. Edhe unë si pedolog e agrokimist i Rrethit, kam pasë bashkëpunuar me Kolën, në respekt të detyrës dhe të mirëkuptimit si kolegë, gjatë gjithë këtyre viteve me përkushtimin maksimal në këto drejtime shkencore. Bashkë me Kolën kemi marrë pjesë edhe në seminare, konsulta, aktive, analiza e sesione shencore të rëndësishme të kësaj fushe, në disa rrethe të ndryshme, si Peshkopi, Kukës, Mat dhe veçanërisht në Institutin e Studimit të Tokave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk më harrohet, që motori i tij i punës “Java” kërkonte mbushje me benzinë, pasi Kola punonte vazhdimisht. Pinte pareshtur duhan e ndonjëherë dhe ndonjë gotë.
Kol Nikçi ishte një person i kompletuar me virtytet më të mira në komunikim dhe etikë, në jetën shoqërore e të punës. Por regjimi kishte të tjera llogari me kosovarët e emigruar në Shqipëri. Kola arrestohet në maj 1977, arrestim që përhapi frikë e ankth në gjithë inteligjencën e rrethit të Mirditës. Njerëzit pyesnin: për çfarë u arrestue Kola? Radha e kujt vjen mbrapa?! Kishte gjithfarë pandehmash: Kola agjent i UDB-së?! “Spiun!?” “Armik i Partisë?”… Panik gjithandej! Por Kola nuk ishte as agjent, as spiuan, përkundrazi ishte atdhetar. Akuzohet “për agjitacion e propogandë”, sipas nenit “55” të Kodit Penal, që ishte neni i shpifjeve dhe shpifësave, nga i cili mund të rrezikonte në theqafje çdo specialist e intelektual që nuk e donte “partia”. Mjaftonte të të çonin në Degën e Punëve të Brendshme (Sigurimit i Shteti) dy – tre deklarime false, me sajesa politike dhe përfundoje në skëterrë. Sa për punën teknike të Kolës në Bujqësi e Ujëra, “për sabotim”, s’kishte dyshim asnjeri. Ai për punën që kishte bërë në këta dy sektorë mund dhe duhej të dekorohej pasi kishte qenë shëmbullor.
Kola jetonte në një barakë me dërrasa, por nuk ankohej, duke parë gjendjen mizerje të strehimit të popullsisë. Vishej me elegancë dhe kishte paraqitje korrekte, çka i shkonte përshtat elokuencës, sjelljes burrërore, autoritetit gjenuin të harmonizuar me respektin. Nuk i mungonte as humori i hollë, pa ngjyra a nuanca satire. Aq më tepër i përdorte këto në biseda në Kafe, si i vetmi mjedis relaksi i asaj kohe, pasi ishin kohë të paqeta, ku të kanosej ferri. Kishim biseduar me Kolën për ngjarje kosovare, jetën në Jugosllavi, apo në Europë, ku jetonte motra. Nuk shfaqte paknaqësi për Shqipërinë – mëmë. E justifikonte me mendësinë, fukarallekun, prapambetjen e trashëguar. Me arrestimin e Kolës, siç shkruan kolegu i tij i punës dhe shoku i përbashkët, ekonomisti i njohur Mark Rica, “pas një jave, puntori operativ i zonës thirrte një nga një punonjësit e administratës, disa mësues, por edhe shumë kooperativistë. I ndiqja me frikë këto thirrje. Asnjë nuk tregonte se çfarë kishin biseduar… Më thirri një ditë në Rrëshen dhe mua e filloi nga pyetjet: “E dimë se Kolën e ke pas shok në Universitet dhe këtu… Edhe si sekretar i Rinisë na ndihmo me çfarë di për Kol Nikçin? I thashë të vërtetën, nuk e mohoj se kemi qenë shokë shkolle dhe pune. Por deklaroj se ai kurrë nuk ka thënë gjë dyshuese!… Kjo heshtje e vuajtje, makthi e frike vazhdoi gjatë, deri sa Kolës iu bë një gjyqi farsë, i montuar në mënyrë të turpshme, me dëshmtarë qesharakë të njohur nga populli. Pa asnjë fakt kompromentues për të. Kola u dënua me 7 vite burg…”
Në vitin 1984 ai lirohet nga burgu dhe shpallet i pafajshëm. Tashmë ishte 44 vjeç, por dukej i mplakur. Streset, vuajtjet, mundimet e kishin venitur. Qendroi pak muaj në Rreshen, pothuaj i vetmuar, larg njerëzve. Nxori leje për t’u kthyer në Jugosllavi dhe u largua atë vit. Pas një jave të largimit të tij, dëgjuam se ai kishte ndërruar jetë në Ulqin. Po shkaku? Filluen prapë hamendësimet: “Atak kardiak”?! “Helmim si agjent nga UDB?” “Vrasje për gjakmarrje”? – e të tjera si këto që u sfumuan me kohën.
Ashtu si Kola, gjatë periudhës 1970 – 1979, vuajtën nga persekutimi 68 emigrantë të ardhur nga Kosova, ikur prej andej nga rreziku serb e ardhur këtu për të shpëtuar jetën, por që i zhgënjeu rëndë rregjimi komunist.
PS. Autori falenderon poetin Pal Sokoli (Gjermani), që mundësoi fotografinë e Kol Nikçit, si dhe disa të dhëna biografike, marrë nga të afërmit e tij.
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…