Categories: SOCIALE

Fotografia ose ditari i kohëve moderne

Nga: Ina Kosturi

Arti më popullor mbështetur nga teknologjia. . . Mund ta quajmë të tillë, ditar të kohëve moderne fotografinë që sot është kthyer në domosdoshmëri, pasion, ekzistencë, përditshmëri. Asnjë ditar i kohëve të shkuara, të vjetra, aty ku letërsia anonime qëndiste çdo ngjarje, episod, ditë, mendim, ndjenjë, detaj, nuk mund të ishte aq i plotë sa panorama e sotme e fotove të individit për të fiksuar e publikuar gjithçka, duke u bërë personazh, e shpesh për të shpalosur botën përreth.

Fotografia sot, në një term të gjerë, në kohën e zhvillimit të pandalur të teknologjisë ngjan se ka zbritur nga piedestali i artit, është shndërruar në pasion popullor, gjithëpërfshirës e të kudondodhur. Fotografinë amatore mund ta quajmë ndryshe dhe thashethemnajë të imazhit. Të tilla dukuri janë shfaqur dhe më parë në fusha të tjera të artit, sidomos në vende tranzicionesh si ky i yni, pas mbylljeve të gjata e varfërive si stinë dekadash, ndalesash të artit nga politika diktature.

Vetë panorama e letërsisë ka dëshmuar për të tilla dukuri, shfaqur me maninë e botimeve nga individë shpesh larg letërsisë, hera herës si një modë e diktuar, e kthyer në një pasion popullor, duke krijuar imazhe të suksesshme individësh të vetëshpallur, të cilët nga lexues kthehen në “shkrimtarë”. Kjo kategori shkruesish për lavdi, nëse do i quanim kështu, kontribuese që pjesës së botimeve t’i arrnohej kjo krijimtari pa sens e vlerë, e shndërron letërsinë në një lloj pasurie personale “intelektuale”, që hipotekohej me histori familjare, trimërie, të të gjitha llojeve, një lloj letërsie amatore, në thelb pa lidhje me letërsisë. Poezia vuajti po njësoj dyndjen gati barbare të individit për t u marrë me të, duke krijuar për lexuesit një klimë zhgënjimesh pas çdo leximi të thjeshtë. Poetët mbinë si kioskat në faqe të shkruara e më shumë në ato online, si një shfaqje tjetër talenti artistik, për të cilin shqiptarët kanë ndjeshmëri të veçantë.

Pas letërsisë ky pasion përfshiu të kënduarit, edhe kjo dukuri e shfaqur si një tjetër “fushatë artistike” sa e pakuptimtë, aq dhe qesharake. E këtu shkëlqyen, u shpalosën, rezistuan më shumë se kudo modelet e këngëtarëve pa zë, debutues që zërin, talentin, famën, ua skaliti teknologjia, që stonaturat ua lëmoi kompjuteri, që i joshi fitimi, bashkë me tekstet jashtë serie, që u përshtatën me shijet e një pjese të botës shqiptare e ju bashkëngjitën me forcë artit, duke krijuar atë që sot e quajmë tallavanë e këngës, apo degradimin e saj të madh, një situatë sa të rëndë aq dhe të pandreqshme. Nëse në letërsi fushata e talenteve fallco gradualisht filloi të njohë paska rënie, apo me kalimin e viteve ky pasion për krijime erdhi duke u sfumuar, muzika tallava u instalua në lokale, ngado, si një zhurmë me të cilën një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare gati u mësua. Komentet nën zë, konstatimet nga studiot televizive nuk munden ta zbehin as zvogëlojnë këtë qasje që mediokriteti lansoi në muzikën e lehtë, që u ngit lart e më lart deri në festivale, pa mundësi riparimi, pa shanse stopitjeje, në një masivitet të frikshëm me të cilin shqiptarët thuajse janë ambjentuar.

Zhvillimi pa limit i teknologjisë duket se e zhvendosi vëmendjen nga këto pasione që gjithsesi kërkonin impenjim. Bashkë me pasurimin e shpejtë e të pandalshëm të modeleve të celularëve, sofstikimin e kamerave, përdorimin e filtrave, programeve, pasioni për fotografinë u rendit në majën e radhës së pasioneve. E ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar! Ndryshe nga letërsia, nga kënga, masivizimi i fotografisë erdhi më natyrshëm, pa sforco, paralel bashkë me sofistikimin e celularit, gati pa kosto, pa rregulla. Kjo lloj fotografie nuk kërkoi as talent të sforcuar si në letërsi, as zë të përpunuar si në këngë, as tekste, as studio incizimi, as skenë, as përkrahje. Kjo fotografi amatore kish kaq pak kosto, kaq pak mund, dhe kaq shumë truke të thjeshta, pasion e mundësi të pafundme për të guxuar me të. Ajo erdhi si dhuratë e përparimit të teknologjisë, kohës moderne. Ajo ngjason me debutimet në karaoket e këngëve, ku mjafton të rrëmbesh mikrofonin, madje më thjesht, pa lëvizur, pa zhurmë, pa tinguj, në privatësi. Ajo duket se i rrëmben individit kohë nga koha e leximit, i merr kohën e dëgjimit të muzikës, e shndërron befas në një artist të pavarur i cili s’ka nevojë për askënd. Opsionet e celularit, filtrat, truket, janë më të thjeshta e me to mund ta ndryshosh realitetin a pamjen, të krijosh imazhe të reja, sa fallco aq dhe të kuruara, si në asnjë formë tjetër të artit.

Dhe, kështu lindi dhe tallavaja e imazhit, shpalosur me fytyra të kuruara, imazhe të ndryshuara. Tallavaja e imazhit ndryshe nga gjinitë e tjera u publikua në rrjetet sociale masivisht, duke filluar me imazhin e individit që u ndryshua aq shumë ndonjëherë, sa midis personazhit real dhe atij të publikuar ka fare pak ngjashmëri. E, në këtë tallava imazhesh i pari ndryshoi portreti femëror, i kuruar në maksimum, ndërsa portretet reale ishin shëmbëlltyra përtej publikimit. Efekti i dritës, filtrat, opsionet zgjatura e herë holluese ndryshuan trupa femërorë, në vartësi dhe të një mode e cila pushtoi pikërisht imazhin e njeriut. Nuk ka nevojë të shkruash, të këndosh, talenti më në modë është pozimi, ose imazhi i kuruar në rrjetet sociale. Këto rrjete nuk shpallin as datë e as konkurrim, po përtej kësaj lirie në mendjet e individëve u shtua pasioni për imazhe, më te njëjtën devotshmëri si ndjekja e telenovelave! Përtej figurave femërore që ngjajnë njësoj me këngët tallava apo poezinë mjerane të rrjeteve sociale, ky pasion është i përbotshëm, përtej shqiptarëve, pasion real i kohës moderne.

Krahas tallavasë së imazhit apo një lloj ndjesie se fotografia po shndërrohet në një art mëse popullor, ngjashmërisht me ndikimin e kompjuterit në zë e këngë, duket se edhe pse amatore ajo ndryshe nga artet e tjera, apo tallavatë e tjera, ruan, dëshmon një tjetër specifikë. Ajo mbron misionin elitar edhe pse amatore kur bëhet dokumentuese e natyrës, bukurive të rralla, kur ky pasion fikson perëndime dielli e peizazhe mbresëlënëse, natyrën e mrekullueshme e shndërrohet në promovuese dhe njohëse të së bukurës. Kjo specifikë të cilën individi amator e shpalos nëpërmjet fotove i jep vlerë edhe pse tashme si shfaqje e ardhur nga përparimi pa limit i teknologjisë edhe pse tejet e limituar. Ndryshe nga letërsia e kënga ajo inkuadrohet në festivale amatorësh, të destinuar të tillë.

Fotografia ka qenë gjithmonë e rëndësishme, e jashtëzakonshme në pasqyrimin e ngjarjeve historike, luftërave, evenimenteve politike e kulturore, shkencore, dëshmirare e të shkuarës së largët, dokumentuese portretesh të personaliteteve botërorë, dëshmitare e gjithë universit, natyrës, botës së gjallë, të bukurive, midis gëzimit dhe tronditjes në një mision tejet të rëndësishëm e të pafund. E megjithatë asnjëherë nuk ka qënë kaq e thjeshtë, e prekshme nga një masë njerëzish larg artit, profesionalizmit, në një mani shkrepjesh, fiksimi momentesh, peizazhesh.

Fotografia është art dhe njëkohësisht pjesë e arteve me të cilat bashkëvepron duke i frymëzuar, dokumentuar, plotësuar, duke i dhënë imazhin drejt fjalës, tingullit. Ajo është kopertinë e lajmit, kopertinë e librit, dokument i individit, kopertinë e natyrës. Ndërsa individi nëpërmjet saj në kohët moderne të teknologjisë përpiqet, kamuflohet, frymëzohet për tu shfaqur paksa artist. E kështu fillon të krijojë ekspozitat e tij modeste marrë nga galeria e pafundme e të madhes natyrë. Individi modern krijon “ekspozitat” e tij modeste me perëndime dielli, tablo dimri të bardha në udhë të mbuluara dëbore, duke shfrytëzuar gjithë arsenalin e bukurive që natyra ofron si art i rrallë dhe i papaërsëristshëm. I rrëmben shpesh letërsisë fjalën e përshkrimin për t ja servirur njerëzve thjesht nëpërmjet imazhit. Ajo ngjan herë me dublat e filmit, e herë me studimin e pasazheve muzikore në instrument, e si piktorët impresionistë ka çastin e shkrepjes si këmbanë sinjali të asaj që ndodh.

Fotografia si pasion i kohëve moderne është këngë në tonalitete të ndryshme, e ëmbël kur pasyron të bukurën e promovon Shqipërinë, duke zgjuar tek individi pasione artistike e ndjesi të rralla, si një pasuri personale, pa marrë pjesë në festivale profesionistësh. /Gazeta “ExLibris”/

InForCulture

Recent Posts

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

18 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

19 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

20 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

20 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

20 hours ago