Duke qenë në proces të hartimit të një studimi për Luftën e Dytë Botërore në krahinën e Çamërisë (1940-1945) dhe impaktin e saj në fatin tragjik të shqiptarëve atje, mësova për botimin në Greqi të një libri të ri për Filatin, qytet i rëndësishëm për historinë e shqiptarëve në shtetin fqinj. Për më tepër, duke qenë se vite më parë kam hartuar dhe botuar edhe vetë një monografi me rreth 400 faqe pikërisht për këtë qytet isha kureshtar ta lexoja dhe të mësoja diçka më shumë. Kontaktova me autorin, George Kotsi (Jorgo Koçi), një gazetar i njohur në veri të Greqisë, u tregua shumë i mirësjellë, madje, duke më dërguar vetë një kopje të librit që mban titullin “Filati” dhe nëntitull: “Fakte historike dhe folklorike”, publikuar në gjuhën greke nga shtëpia botuese “Ektipotiki Ipiru”, Janinë 2021. Në prolog të librit, autori shkruan për Filatin si “vendin që e lindi, ku jetoi dhe krijoi”.
Libra për Çamërinë dhe çamët janë botuar shumë në Shqipëri, edhe në Greqi, por shumica janë libra “partizanësh” në kuptimin që janë “pro” ose “kundër”. Edhe autorët shqiptarë duket se shpesh bien viktimë e një skeme apo formule otomane të çështjes çame kur nuk shkruajnë për çamët si një komunitet apo bashkësi unike por identifikohen sipas religjionit: myslimanë/të krishterë. Libri “Filati” i Jorgo Koçit, sipas mendimit tim, është një nga librat me vlerë për historinë e kësaj krahinë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Është hera e parë që paraqiten me vërtetësi marrëdhëniet mes komuniteteve në Çamëri. Duket se vepra është ngjizur pas një pune të gjatë kërkimore dhe pasionante të Jorgo Koçit (George Kotsi) për dritësimin e vlerave të vendlindjes. Ai e përshkruan Filatin me shumë mall dhe dashuri, duke rrëfyer morinë e ngjarjeve dhe rrethanave historike, duke iu referuar si dokumenteve arkivore, ashtu dhe dëshmive gojore. Ky libër ndriçon shumë gjëra. Mendoj se të vërtetat historike mbi Çamërinë dhe popullsinë e saj, veçmas për periudhën e Luftës së Dytë Botërore (1940-1945) duhen shkruar me vërtetësi, duke hequr dorë në shkrime prej patetizmit romantik, këndvështrimeve provinciale, duke marrë apriori njërën anë kundër palës tjetër apo duke e shpjeguar çdo ngjarje, edhe konfliktet banale, me shtetin apo politikën. Nga ana tjetër, me sinqeritetin e njeriut që e ka pësuar dhe vazhdon ta vuajë dramën tragjike të vendlindjes, autori konkludon se gjithë problemi nuk është faj as i çamëve myslimanë, as i ortodoksëve të hershëm çamë, madje, as i grekëve që jetojnë në vendet që u lëshuan nga çamët. Sipas Jorgo Koçit (Giorge Kotsi), është thjesht një padrejtësi kolosale që politika e asaj kohe lufte (dhe çdo luftë është një lloj katrahure, ua “bëri dhuratë” popujve të vegjël të papërkrahur. Është në thelb një periudhë që të dy palët në fillim e kanë vuajtur njësoj, pa e ditur se në ç’krah do t’i hidhte historia. Nuk është një histori armiqësie në bllok me shqiptarët e Çamërisë, sikurse mund të ketë frikë ndokush, një histori e çuditshme ku të dyja palët (të dy komunitetet: shqiptarë e grekë; myslimanë e të krishterë) e kanë parë veten të kërcënuar nga forca të pakontrolluara, banda pa din e iman që bëjnë kërdi në kohëra të turbullta… Ky libër i thjeshtë kur fillova ta lexoja, sikur ma bëri edhe më të ndjeshme këtë ndjesi; ndjesinë e sinqertë që popujt vetë mund t’i zgjidhin problemet e veta. Kurse politika, nëse nuk është konsekuente apo e paditur, mund t’i ngatërrojë keq ato.
Libri i Jorgo Koçit është mbushur me mall, njëkohësisht me histori tragjike; me djegie, grabitje, vrasje dhe grindje midis njerëzve të të njëjtit vend. Por, ndryshe nga shumë autorë të tjerë që janë marrë me historinë e marrëdhënieve mes vetë shqiptarëve të Çamërisë, pra, midis vetë çamëve, por edhe mes shqiptarëve dhe grekëve që historia i gjeti bashkë, fqinjë apo në të njëjtën tokë dhe vend, autori i mëshon më shumë të përbashkëtave sesa atyre që i ndajnë mizorisht protagonistët e këtyre ngjarjeve tragjike.
Monografia e Jorgo Koçit (George Kotsi) për vendlindjen e tij, Filatin, është mbushur me njerëz që u janë ndodhur pranë njëri-tjetrit, kanë shpëtuar jetë në kohë të turbullta dhe marrëzirash, flitet për emra dhe figura që kanë qenë “heronj” të palëve në konflikt dhe njëkohësisht viktima të lojërave të poshtra të egoizmit politik dhe etjes për sundim ndaj tjetrit. Faqet më të bukura dhe më domethënëse të librit flasin për histori miqësie të forcuar përmes bashkëjetesës së gjatë dhe përmes burrërisë të njerëzve të këtyre anëve. Ai është mbushur me histori miqësie prekëse mes çamëve të krishterë e çamëve myslimanë, po ashtu edhe për falënderime të ndërsjellta edhe miqësi shpëtimtare më kohë lufte mes shqiptarëve dhe grekëve.
Nuk mund të mohohet se gjatë Luftës Dytë Botërore jo pak shqiptarë të Çamërisë bashkëpunuan me okupatorët nazifashistë, njësoj siç pati edhe plot grekë që bënë të njëjtën gjë. Kuislingu, prej të cilit mori emrin fenomeni i bashkëpunimit me pushtuesin dhe pastaj si cilësim për bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte as grek, as shqiptar; ishte kryeministri norvegjez me këtë emër në anën tjetër të Evropës, pra, shumë larg Ballkanit. Edhe disa nga bejlerët çamët me emër në atë kohës, si vëllezërit Nuri e Mazar Dino, Haziz Çami nga Malluni, Rexhep Dino dhe Xhemal Dino u vunë në shërbim të pushtuesit, duke u rreshtuar në anë të agresionit fashist, pra, u bënë pjesëmarrës në sulmin kundër Greqisë. Nuk është as vendi dhe as që kemi mundësi që të rihedhim në kaq pak vend të gjitha historitë që ka përcjellë Jorgo Koçi, porse mbase është vendi që për të hequr disi atë shijen e hidhur që ka lënë kjo çështje mes njerëzve që nuk i dinë historitë, të përmendim ndonjë ngjarje kurioze nga libri:
“Pushtimi i Filatit nga forcat italiane ngjalli frikë dhe pasiguri te familjet e krishtera të qytetit. “Flitej se do t’na thernin myslimanët!”. Në qytet nuk kishte masakra, por thashethemet kishin për qëllim të përhapnin panik (të largoheshin familjet nga shtëpitë e të krishterëve). Të nesërmen, më 29 tetor 1940, në mëngjes nisemi për në fshatin Spatar. Atje babai im kishte një mik mysliman, Sako Brahon që na mirëpriti. Nga miku i babait mësuam se shtëpinë tonë në Filat e kishin grabitur. Pas disa ditësh u kthyem nga Spatari në Filat ku na priti një tjetër mik mysliman i babait, Selfo Mahmuti”.
“Përballë qëndresës së vendosur të forcave greke, më 19 nëntor 1940 italianët tërhiqen nga territoret e Greqisë. Me largimin e forcave italiane autoritetet e Filatit internuan në dhjetor 1940 të gjithë myslimanët meshkuj mbi 18 vjeç. Por ata nuk morën parasysh familjet shqiptare të pambrojtura e, për pasojë, “të krishterë të pavetëdijshëm u turrën si të tërbuar kundër grave dhe fëmijëve të pambrojtur” (f.167). Në vitin 1941 burrat myslimanë u kthyen nga internimi dhe, “të prekur nga veprimet e turpshme të grekëve ndaj familjeve myslimane, u bashkuan më mirë me italianët, se nuk e përtypnin dot turpin që u ishte bërë familjeve të tyre” (f.168).
Duhet pranuar se në këtë kohë pati edhe viktima. Studiuesi Jorgo Koçi sjell si shembull se “në fund të vitit 1941 pati viktima në Ledhëz, Grikohor e në Kushovicë. Për vrasjet e kryera thuhej se ishte “banda e Daljanit” (shih J. Kotsi, Filates, f.182)
Përmes dëshmive nga bashkëqytetarët e tij e të tjerë miq të njohur autori sjell për lexuesin histori tragjike të vrasjeve të disa shqiptarëve të pasur të fshatrave të Filatit. Nëpërmjet dëshmisë së Jorgo Nusios në libër tregon se Omer Dema, pronar i tufave të mëdha bagëtish në Picar, qumështin ia jepte tregtarit të krishterë me inicialet K. Por agai çam nuk paguhej nga i krishteri. Një ditë në shenjë nervozizmi në vitin 1944 shkoi në baxhon e K. dhe me një send të fortë e la pa jetë. Thuhet se më vonë dhëndri i K. futi njerëz dhe e vrau again. Nga një burim tjetër mësohet se guna e shtrenjtë e agait çam ishte blerë në Paramithi nga Kosta Liano nga Filati. Familjarët e agait të Picarit kur ia panë të veshur gunën Lianos e akuzuan atë si vrasës. Jorgo Koçi i ka vënë qëllim vetes një mision që të shkruajë të vërtetën, duke mos u pajtuar me veprime të dhunshme të individëve të caktuar, se ata janë vetëm pakicë e nuk përfaqësojnë masën e ndershme të njerëzve.
Në libër kemi një dëshmi interesante që shfaqet për herë të parë në historiografinë greke ku shkruhet për marrëdhëniet e myslimanëve me të krishterët para luftës në Filat. Në atë dokument thuhet: “Deri në vitin 1944 banorët e Filatit në varësi të fesë dhe gjuhës ndaheshin në dy pjesë: në të krishterë dhe myslimanë, këta të fundit përbënin shumicën. Marrëdhëniet mes dy komuniteteve nuk ishin të shkëlqyera, por mund të përshkruheshin si tolerante dhe miqësore. Gjithsesi ato ishin më të mira se marrëdhëniet mes dy komuniteteve në Paramithi (fq.168). Për marrëdhëniet e mira mes myslimanëve e të krishterëve në Filat studiuesi sjell dëshminë e nënës së tij. Sipas asaj, gjyshja e Jorgo Koçit, Kako Sija, që jetonte në Paramithi kishte në Filat shoqen e saj më të ngushtë- një shqiptare, gruan e Shuaip Cane Llaja. Ajo e vizitonte atë shpesh në Filat dhe flisnin greqisht (f. 168).
Monografia e Jorgo Koçit plotëson një boshllëk në historiografinë e Çamërisë të viteve të Luftës së Dytë Botërore. Duke shfletuar faqet e librit mësojmë se më 18 dhjetor 1943 në Paramithi ishte mbajtur një mbledhje e përbashkët e gardës gjermane SVERIS dhe bejlerëve Dino. Në atë takim Rexhep Dino kishte deklaruar se: “Çamëria do të bëhej e pavarur dhe autoritetet greke do të persekutoheshin” (f.175). Në atë takim u hartua dhe një deklaratë e nënshkruar vetëm nga paria myslimane për autonominë e Çamërisë. Një lëvizje e ngjashme nga Rexhep Dino u bë edhe në Filat.
Në libër, gjithashtu, janë dhënë mjaft konsiderata të kronistëve të huaj që e kanë vizituar Filatin si William Martin Leake, Pouqueville, Theadhore Lima etj. Ata janë vështruar me kujdes për të mënjanuar ndonjë pasaktësi. Libri sjell dokumente arkivore pak të njohura ose aspak, si, për shembull, një statistikë me vlera për popullsinë e Filatit në vitet 1895-1896. Për ilustrim po sjellim të dhëna statistikore për popullsinë e rajonit të Filatit: Spatari fshat me 73 shtëpi e 366 banorë; Dolani me 66 shtëpi e 305 banorë; Galbaqi me 110 shtëpi e 447 banorë; Koska me 166 shtëpi e 962 banorë; Lopsi me 189 shtëpi e 749 banorë. Në libër informacionet interesante e që publikohen për herë të parë ndjekin njëri-tjetrin. Është me interes publikimi i artizanëve e tregtarëve në qytetin e Filatit në vitin 1933. Është një listë e gjatë ku shënohen farkëtarët, , berberët, argjendarët, kafenetë, kallajxhijtë, avokatët, restorantet, mjekët, orëndreqësit etj. (shih f. 134-135 në libër). Pra, kemi të bëjmë me një studim të veçantë në llojin e vet, me një enciklopedi dhe arkiv të gjallë të ngjarjeve historike për atë qytet e rrethinat. Kjo tregon përkushtimin dhe pasionin e studiuesit Jorgo Koçit për tu dhënë brezave të rinj historinë e vërtetë të qytetit të tyre. Në libër janë befasuese numri i madh i ilustrimeve për Filatin në periudha të ndryshme historike.
U zbulua pas 60 vitesh kërkime, është rezultat i një mutacioni në ADN Ngjyra portokalli…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info 1 Mbani një peshë të shëndetshme – vetëm duke vepruar në…
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…