Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Në kujtim të 27 Qershorit 1944 – Persekutimi grek ndaj shqiptarëve, masakra mbi çamët dhe përbuzja e çamëve nga ndërkombëtarët dhe Shqipëria komuniste

Migen Matraku

Në kujtim të 27 Qershorit 1944
Persekutimi grek ndaj shqiptarëve, masakra mbi çamët dhe përbuzja e çamëve nga ndërkombëtarët dhe Shqipëria komuniste .
Kur nisi barbarizmi grek ndaj popullsisë çame? Si konsiderohej popullsia çame prej politikës greke? Cili ishte reagimi i Fuqive të Mëdha, kur Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mijë shqiptarë, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, të tjerë i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes, duke u mohuar së bashku me emrin shqiptar, të cilin çamët shqiptarë u kishin rezistuar katër perandorive të egra? Traktati Shqipëri-Greqi i 1926-së nuk shpuri në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të popullsisë çame nga ana e Greqisë.
Me ardhjen e fashistëve në pushtet në Greqi, më 1936-ën, klika e Metaksait e keqësoi më shumë gjendjen e çamëve. Cili ishte preteksti i grekëve kundrejt Shqipërisë në lidhje me pushtimin fashist? Masakra e gjeneralit famëkeq grek mbi çamët.
Si reaguan organizmat ndërkombëtarë ndaj kërkesës së vazhdueshme të Komitetit Çlirimtar të Çamërisë për spastrimet greke?
Shovinizmi grek, që kishte për ideologji të gllabërimit, megaloidene e aventurierit Jan Katalisis, në ndërtimin e politikes së fqinjësisë, do tregohej edhe i pabesë, edhe mosmirënjohës ndaj rolit të shqiptareve të Jugut. Mosmirënjohja helene do të kalonte edhe në urrejtje, egërsia e së cilës do të shfaqej qysh se fitoi revolucioni i 1821-shit. Shqiptarët, veçanërisht ata çamë, që ishin me afër, vunë në ballin e luftës për çlirimin e Greqisë nga sundimit osman, prijësit si Zguraj e Vranaj, Basharet e Pjeter Buajt, Kladet e Kolokotronet, Alisa Peletheu e Mitesh, Manol Bloshi dhe Andriucio, Andrea Verushi e deri tek Ali Pasha, por do quheshin të pavlere, ose do përvetësoheshin si luftëtarë greke. Edhe pse ndodhte kështu, është fakt se shqiptaret e mesit të Shqipërisë dhe shqiptaret çamë, e ndezën me shume luftën çlirimtare të Greqisë dhe heroizmi shqiptar shkëlqeu, ku nga 100 heronjtë që lindën nga revolucioni grek, 90 ishin shqiptarë, që luftuan si miq të popullit grek, se shtypeshin nga i njëjti pushtues dhe, liria e njërit popull, shpejt do te bëhej shembull edhe për tjetrin. Por greku, ndaj heroizmit shqiptar për çlirimin e Greqisë, nuk e shfaqi asnjëherë miqësinë, mirënjohjen.
Me mohimin e gjakut të shqiptareve, që u derdh në tokën greke, shovinizmi përgatitej për gllabërimin e territoreve etnike shqiptare, ku gjuhen, fustanellën, besën, krenarinë ia kishin njohur shekujt e panumërt.
Egërsia barbare, me e pamëshirshmja e heleneve, do derdhej mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare të Çamërisë. Pastaj mbi tërë territoret e banuara nga shqiptaret etnikë. Nga 1830-1838, viktima e pare u bë popullsia shqiptare, që banonte në ishujt Joniane, ku Rusia, Anglia, Franca e detyruan Turqinë t’ia lëshonte Greqisë tërë ishujt Joniane. Më vonë, në vitet 1863, 1913 u rrëmbyen toka të tjera, ku banoheshin nga shqiptaret, duke përfshire Ambrakinë, Kosturin, Pindin, Konicen, që është viktima e dytë e shqiptareve për nga barbaria e shovinizmit grek. Ndërsa me 1913, greku pushtoi tërë Çamërinë dhe e ktheu në një çiflik të andarteve. Çamëria është viktima e tretë e barbarisë greke dhe, deri diku, plotësohet mbi gjysma e planit të megaloidesë. Greqia, sa e pushtoi Çamërinë dhe e vendosi brenda kufijve, që caktuan të mëdhenjtë, çamet i ktheu në skllevër, pa asnjë të drejte. Por shovinizmi përsëri nuk ishte i qete. Popullsinë çame e quante si një minë me plasje të ngadalte. Se Greqia nuk i trembej aq popullsisë çame…, gati 120 mije, sa tre milionë arvanitasve shqiptare, qe u kishte mohuar me kohe të drejtën, lirinë, gjuhen, shkollimin shqip dhe kombësinë shqiptare.
Shovinizmi ortodoks mesjetar grek, bënte planet për pastrim total etnik, në Greqi të mos ngelej asnjë mysliman, duke i përzënë për në Turqi dhe Shqipëri, ndërsa një pjese tjetër i dërgonte nepër ishujt e Egjeut. Ata që do ngeleshin do ndërronin edhe fenë, edhe kombësinë.
Nga viti 1913-1922, kohë në të cilën Shqipërisë së copëtuar në pesë shtete i kishte munguar shteti i konsoliduar, Greqia vazhdoi të bënte pastrimin etnik të shqiptareve. Fuqitë e Mëdha heshtën kur Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mije shqiptare, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, të tjerët i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes, duke u mohuar se bashku me të drejtat dhe emrin shqiptar, të cilat çamët shqiptarë i kishin mbrojtur dhe u kishin rezistuar katër perandorive të egra.
Me krijimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, i cili përfaqësonte atë territor, që i lanë Shqipërisë Fuqitë e Mëdha dhe shovinistet, domethënë 28 mije kilometra katrore nga 96 mije kilometra katrore gjithsej, prape se prape, popullsia shqiptare tej kufijve nuk u gjend e braktisur nga shteti ame. Qysh me 1926, qeveria shqiptare bënë deklaratën: “Procesi i shkëmbimit të popullsisë ka përfunduar. Tani e tutje, çamet do kenë të drejtat që gëzojnë qytetaret greke!”. Kjo binte ndesh me politiken e ortodoksisë shoviniste greke.
Traktati Shqipëri-Greqi i 1926 nuk shpuri në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të popullsisë çame nga ana e Greqisë. Në mars të 1928, Ministria e Jashtme shqiptare, me ane të një memorandumi, që i drejtoi të ngarkuarit grek me pune në Tirane, me fakte tregohej shqetësimi i Tiranës për padrejtësitë dhe shtypjen, që i behej popullsisë shqiptare të Çamërisë nga vete autoritetet qeveritare greke dhe nuk u jepte asnjë të drejte, si pakice kombëtare. Qeveria greke, jo vetëm që e hodhi poshtë protestën shqiptare, por e akuzoi qeverinë shqiptare se ndërhynte në punët e brendshme dhe se çamet, sipas grekeve, ishin qytetare greke në token greke dhe se Shqipëria po shpërfillte të drejtën sovrane të Greqisë.
Me ardhjen e fashisteve në pushtet në Greqi, më 1936, klika e Metaksait e keqësoi me shumë gjendjen e çameve. Me urdhër të vetë Metaksait, zona çame u kolonizua. Shume prona të mëdha të çameve u konfiskuan. Masakrimi mbi çamet nisi me egërsi dhe nuk ndalej. Lidhja e kombeve, shtetet “demokratike” e dinin shtypjen që u bëhej çameve në vatrat e tyre, po asnjë nuk shqetësohej.
Çamët nuk ishin kolaboracionistë
Sulmi i Italisë fashiste mbi Greqinë, u përdor si pretekst ndaj shqiptareve dhe atë, viktimat e para të fashizmit, do quheshin “agresorë” ndaj Greqisë?! Egërsia greke nuk u ndez ndaj vetë agresorit, por ndaj shqiptareve, që ishin të sulmuar. Pas kësaj lufte, Greqia do të kishte edhe gurin, edhe arrën. Do vendoste ligjin e luftës dhe do thuhej: “Greqia ishte sulmuar nga Shqipëria dhe jo nga Italia”. Ky ligj i hilës dhe i pa arsyes do vinte edhe kushtin tjetër: “Ligji do qëndronte për aq kohe sa te harrohej çështja çame dhe të vendosej kufiri i Veri – Epirit në Shkumbin!”.
Në kohen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, midis qeverisë shqiptare (regjencës), gjermaneve dhe italianëve, u lidh marrëveshja e bashkimit etnik të Shqipërisë. Kjo marrëveshje ishte si një kundërvënie dhe në diplomacinë e gjermaneve dhe italianeve ndaj Francës dhe Anglisë, se “ato kishin marre vendimin e copëtimit të Shqipërisë” dhe për ta tërhequr pas Shqipërinë. Pavarësisht në ç’kushte dhe me cilet lidhej marreveshja, Italia dhe Gjermania ishin superfuqi te luftes dhe ëndrra e shqiptareve u realizua. U be bashkimi etnik i tërë kombit, nga viti 1941-1944 u krijua administrata shqiptare, në tërë trojet shqiptare në Ballkan. Shqipëria nuk mori asnjë thërrime me tepër nga ç’i kishin marre. Gjermanet dhe italianet, pavarësisht se ishin kundërshtaret e koalicionit, shqiptarëve u dhëne atë qe u ishte marre padrejtësisht. E vërteta është se edhe pas kësaj, çamet u bashkuan me qeverinë e Tiranes (Regjencën), që pranoi bashkimin etnik dhe kundërshtoi pushtimin italian, por shqiptarët çamë nuk besonin shumë te regjenca, te ky bashkim.
Çamet nuk ishin kolaboracioniste në shërbim të armikut të përbashkët, pushtuesve nazi-fashiste, por krerët shoviniste greke ishin kolaboracioniste. Për këtë ka fakte historike, që nuk fshihen dot nga greket. Greket shoviniste, që akuzojnë shqiptaret çame, se ishin bashkëpunëtore të pushtuesve, kolaboracioniste, nuk qëndron. Është një shpifje e ulet e vetë kolaboracionisteve greke, të cilët, qenien e tyre të tille e kane të dokumentuar. Në muajin maj 1941, në Greqinë e pushtuar, u krijua qeveria e pare kuislingë, në krye të së cilës u vu gjenerali Çollakoglli. Ky gjeneral, pasi mori kryesimin e forcave pushtuese; menjëherë nxori qarkoren, që u bënte thirrje turmave të çmobilizuara të shkonin në kazerma, të visheshin, të armatoseshin dhe të qëndronin përkrah forcave gjermane. Këto të vërteta për kolaboracionistet shkruheshin edhe në gazetat “Vima” dhe ”Proia”. Pas një viti, pra në maj 1942, për ta forcuar me tej bashkëpunimin me pushtuesin gjerman, u formua qeveria që kish për kryetar Ralin. Kjo qeveri ra në ujdi me gjermanet dhe menjëherë krijoi forcat e armatosura, të përbëra nga tre divizione, me një efektiv që e kalonte 30-mijëshen. Këto trupa i komandonin gjeneralët kolaboracionistë: Bakos, Kocimitos, Llogothetopulos, Raftis, Zerva etj. Ndërkohe këta gjeneralë kishin rënë në ujdi që, bashkë me gjermanet të shuanin çdo shkëndije për liri e demokraci. Egërsia e këtyre gjeneralëve, ndizej nga idetë e priftërinjve shovenë: Shen Kozmo, Kotoko, Evllogji, Kurilla, etj., dhe frymëzoheshin nga ata që drejtonin ortodoksinë: Sarafim, Sebastiano, Janullatos etj., egërsi e cila do shfrente mbi forcat përparimtare demokratike, qe përfaqësoheshin nga EAM-i dhe mbi shqiptaret çamë të pambrojtur.
Me këto fakte, hidhen poshtë akuzat dhe shpifjet helene dhe të gjeneralëve të tjerë, se çamet ishin bashkëpunëtore të pushtuesve gjermane.
Masakra e gjeneralit grek mbi çamët
Ky ishte amaneti i shovinistit përbindësh ndaj shqiptareve, gjeneralit kolaboracionist Japolan Zerves. Në prag vdekjen e tij, antishqiptari i tërbuar thotë: “Vdes i qete se bëra atë që doja. Pas lash rreke gjaku, tym, bloze, gërmadhe, uturima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin me shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonete, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene!”.
Zerva dhe gjeneralët e tjerë ishin lëshuar si bisha mbi shqiptaret çamë te pambrojtur. Si qeveritë kolaboracioniste, edhe ato që vazhduan pas ikjës së gjeneralëve, po me ata ministra e gjeneralë, pjella të ortodoksisë shovene, kishin marrë urdhër që popullsinë çame prej 30-35 mijë banoresh ta asgjësonin.
Ndër përfaqësuesit e aleateve, koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, deklaronte: ”Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva dëboi çamët nga shtëpitë e tyre!”.
Gjenocidi i egër grek nisi me 27 qershor 1944. Ushtaret e Zerves rrënonin gjithçka që gjenin përpara… popullsia e Parathimise u kap në befasi dhe nuk gjeti dot mjete mbrojtëse. Barbarët e Zerves hynë natën në qytet dhe vranë 673 burra, gra, fëmije, në Filat 1286, në Igumenicë 192, në Prage 620. Zervistet rrafshuan mbi 5800 shtëpi në 68 fshatra. Qindra fshatra të tjera u shkretuan. Pronareve të bagëtive ju grabiten 120 mije dhen, 24 mije një thundrake, 18 mije kuaj. Nga hambarët e fshatareve të pasur çamë u rrëmbyen 250 mijë kg grurë etj…
Pas grabitjes dhe gjenocidit, misionit aleat sikur i “erdhi keq” për tragjedinë mbi shqiptaret çamë. Dhe, kjo “keqardhje” u ndez, kur çamet nga mosha 15-70 vjeç, të ngelur aty – këtu, kapeshin nga grekët dhe internoheshin në ishujt e Egjeut dhe i masakronin. Kur shefi i misionit amerikan në Shqipëri, 1945-1946, pa këto barbari u shpreh: “Në mars 1945, njësi të forcave të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çameve në zonën e Filatit dhe, praktikisht e pastruan atë nga shqiptaret çame!”.
Përveç dëbimit nga vatrat e të parëve, ajo do shkundte nga themeli edhe kulturën çame, do mohonte edhe historinë, besimin fetar mysliman. Dhe menjëherë u dha urdhri për djegien e 102 xhamive, 28 derg’jahhe, mijëra vend vakëfeve. Kur u siguruan se ishte dëbuar edhe këmba e fundit e çamëve, barbaria helene do nxirrte ligjin absurd. Sipas këtij ligji, çamët nuk do ktheheshin më dhe pronat e tyre ua ndanë kolonëve. Ndërsa ndaj çameve të mbetur në Greqi, si ata ortodoks e mysliman, ligji antinjerëzor i vitit 1945 ua mohonte identitetin kombëtar shqiptar. Nga shqiptar që ishin, do ktheheshin në grek dhe “pranonin” kombësinë helene.
Greqisë i duhej medoemos të ndryshonte përbërjen demografike të krahinave çame veri-perëndim, sepse u trembej shumë arvanitasve dhe shumë çameve të mbetur ose të kthyer në ortodokse dhe “greke” me force.
Ardhja e shqiptareve çamë në Shqipëri dhe heshtja e ndërkombëtarëve.
Shqiptaret çamë, që i shpëtuan barbarisë greke, më të shumtët erdhën në truallin amë. Shqiptarët hapën shtëpitë për viktimat e barbarisë. U hapen edhe dyert e shkollave për fëmijët e humbur. Për t’u njohur padrejtësia e madhe, krerët çamë dhe qeveritë, përfshi edhe atë shqiptare, paditen barbarinë greke dhe iu bë e njohur edhe organizmave ndërkombëtare. Padrejtësia ndaj çameve u shtrua edhe në Konferencën e Paqes në Paris, me 1946, por nuk u arrit që të pranohej krimi i madh njerëzor, gjenocidi grek mbi popullsinë çame. Doli që shumë nga shtetet mike të Greqisë, të cilat i kishin rrëmbyer me forcë 23 mije kilometra katrorë të Shqipërisë dhe ia kishin dhëne Greqisë, në fillim u hoqën sikur u pëlciste zemra nga dhimbja për çamët martirë dhe, për të mos u shfaqur si mbrojtës të hapur të padrejtësive, që kish bërë greku, ngritën dorën dhe thanë me gjysme zëri: “Çamet e përzënë të kthehen në vendin e tyre!”. Po kjo ishte vetëm demagogji, që çamët të ktheheshin në trojet e të parëve, që t’u kthehej pasuria e grabitur, do të thoshte të paditej mikja e tyre për krimet barbare. Të pranonte egërsinë që kish shfaqur dhe të përgjigjej për gati 3000 të masakruarit, dëmet e shkaktuar, rrëmbimet e pa llogaritura. Po qysh të nesërmen e konferencës u pa demagogjia politike.
Shtetet e mëdha që ngritën dorën, harruan ç’thanë, sepse ata nuk këmbëngulën të zbatohej vendimi që morën dhe të përbuzej gënjeshtra e kolaboracionisteve helene që akuzonin çamët si të tillë.
Megjithëse Konferenca e Parisit dështoi dhe iu shmang dënimit të padrejtësisë greke, çamët nuk i hodhën armët, për të gjetur përkrahës dhe për ta ndërkombëtarizuar tragjedinë e luajtur mbi ta. Ata s’e kishin humbur shpresën për t’u rikthyer në pragjet e të pareve.
Për ta intensifikuar ndërkombëtarizimin e çështjes çame në vjeshtën e vitit 1944, në Konispol organizohet kongresi i parë çam, i cili u drejtohet përfaqësuesve të misioneve aleate, shteteve asnjanëse, B.Sovjetik që ta ndihmonin popullin shqiptarë të Çamërisë dhe të njihej padrejtësia e bërë ndaj tij. Jo shumë kohe pas këtij kongresi, një grup çamësh shkoi në Athinë, që të kundërshtonte gjenocidin kolektiv ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe të gjendej një gjuhe, që të mbështetej te arsyeja. Po qeveria e ardhur në pushtet e George Papandreut, nuk mori asnjë mase kundër gjenocidit edhe pse përfaqësuesit çamë i than ta ndalnin dhunën greke, t’i njihte të drejtat e çamëve dhe të urdhëronte të ktheheshin në shtëpitë e tyre, gjithë prezentët. Dilte se terrorizmin nuk e kishte organizuar një gjeneral i çmendur, por ishte në planin e shovinizmit, që e udhëhiqte dhe e drejtonte kisha ortodokse greke. Meqë dështoi dhe kjo orvatje, çamët në Shqipëri nuk e ndalen luftën e tyre për liri e të drejta, megjithëse ndihmën e qeverisë komuniste, që varej nga sllavet, nuk e kishte aq të plote. Iu dërgua letër bashkimit Kombëtar Grek, komandës aleate në Mesdhe dhe Komitetit Qendror te FKC (EAM).
As delegacioni që shkoi në Athinë, as letrat nuk u morën parasysh. Madje në takimin verbal dhe në letër përgjigjet, nuk u shfaq urtësia, po arroganca, poshtërimi grek.
Komiteti i Çlirimit të Çamërisë përsërit letrat dhe ua ridërgon misioneve ushtarake të B.S., Britanisë së Madhe, SHBA, Francës, dhe legatës Jugosllave në Tiranë. Ky komitet që të rendonte përgjegjësia ndaj bashkëkombësve, nuk la të qete as konferencën e ministrave të jashtëm të fuqive aleate në Londër më 1945, as Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të 25 tetorit 1946. Në kërkesat e tyre, çamët shpjegonin se ishin popullsia më e persekutuar e shekullit 20-të, madje edhe e Luftës se Dytë.
“Ne po shohim se edhe Organizata e Kombeve te Bashkuara, nuk po na e dëgjon zërin, nuk na përfill në kërkesat tona”. Dhe vërtetë, ajo nën presionin e ortodoksisë, ku ajo greke ishte e madhe, nuk po i vinte në lëvizje fuqitë e saj, e ta detyronte një shtet shoven: ta ndalte barbarinë dhe të pranonte ti njihte të drejtat popullsisë që kish persekutuar.
Duke iu drejtuar sërish organizmave të larta ndërkombëtare komiteti i Çamërisë thekson: “Ne protestojmë dhe sjellim në mendjen e Komisionit Hetimor te KSOKB, tragjedinë e luajtur në Çamëri, si dhe veprimtarinë e shovinisteve, që synon në zhdukjen e popullit shqiptar të Çamërisë. Ne theksojmë një zgjidhje urgjente të problemit çam, siç mund të pranohet.

  1. Të ndalet vendosja e kolonëve në tokat tona autoktone.
  2. Të riatdhesohen tërë çamët.
  3. Të bëhet kthimi i tokave tona, vlerësimi i demit me para në dorë.
  4. Të jepet ndihmë për të rindërtuar shtëpitë e prishura.
  5. Mbrojtjen dhe garancinë popullsisë që rrjedh në traktatet ndërkombëtare.
  6. Të gjykohen e dënohen tërë përgjegjësit e krimit, që kanë kryer kundër çameve!”.
    Meqë të mëdhenjtë në OKB, nuk donin t’ia prishnin të përkëdhelurës së tyre, hoqën dorë nga lufta për rikthimin e çamëve në trojet e tyre, duke i ngushëlluar me disa ndihma. Kështu nga viti 1945-1947, Shqipëria mori 26 milionë dollarë ndihma për çamët. Ndihmat ishin në mallra, materiale e pajisje. Ndërsa për refugjatet direkt u dhanë vetëm 1.2 milionë dollarë. Por lufta që ata bënë për ndërkombëtarizimin e Çamërisë erdhi në ftohje. Shteti shqiptar dhe ai grek, bënin pjesë në dy kampe të kundërta. Propaganda komuniste thoshte shumë gjera të pavërteta, madje arrinte të “argumentonte”, borgjezia nuk i mbronte interesat, liritë dhe të drejtat e popujve. Tani edhe krerët çamë u vunë në trysninë e propagandës komuniste. Duhej të bënin siç u thonin shefat shqiptarë. Krerët komuniste i kërcënonin çamët dhe u thonin se dy kampet ishin në luftë dhe çështja çame, gati ishte mbyllur edhe për kampin borgjez edhe për atë komunist. Në të vërtetë acarimi midis dy shteteve ishte keqësuar, kur Greqia shtypte forcat e EAM-it dhe komunistët shqiptarë u jepnin armë dhe ushqime, duke e harruar Çamërinë.
    Shqiptareve çamë ju dha nënshtetësia shqiptare që të heshtnin përgjithmonë
    Pas viteve 1953, kur Enver Hoxha hoqi nënshtetësinë greke dhe u dha çameve nënshtetësinë shqiptare, erdhi edhe faza e heshtjes se çamëve. Të mos flisnin, të mos kërkonin, se zemëronin grekun edhe punët e tyre, tani e tutje ishin në dorën e partisë.
    Kur Partia e Punës do u mohonte shqiptareve çamë nënshtetësinë greke dhe në kundërshtim me dëshirën e tyre, do t’u jepnin atë shqiptare dhe ata, si edhe shqiptarët do humbnin çdo liri, doli dekreti famëkeq i Enver Hoxhës: “Dekret numër 1654, data 19 prill 1953 mbi dhënien e nënshtetësisë shqiptare çamëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë!”. Nuk u përmendej emri shqiptar, që do të thoshte se nuk ishin as të tillë dhe ç’kombësi kishin! Në dekretin komunist nuk përmendej asgjë nga e kaluara.
    Për heqjen e nënshtetësisë greke të shqiptareve çamë e dhënien e asaj shqiptare, janë bërë shumë pyetje, që nuk kanë marrë përgjigje. Nënshtetësia shqiptare u dha nga frika, që në fushën diplomatike të mos kishte më asnjë kontakt me grekët. Shqiptaret çamë, duke marrë nënshtetësinë shqiptare, detyroheshin të mbyllnin gojën dhe të heshtnin përgjithmonë.
    Se dyti, komunistët mund të bënin ç’të donin me interesat e shqiptarëve, se ndaj kombit ishin të papërgjegjshëm. Patriotizmin shqiptar e kishin mohuar, duke e zëvendësuar me internacionalizmin pushtues, nënshtrimin ndaj ideologjisë së diktaturës.
    Foto e kryekriminelit Gjeneral Napolon Zerva në Paramithi në rrugë duke inspektuar
postbck postbck

Recent Posts

Përpjekje të reja për të studiuar historinë e klimës në Tokë

Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…

13 hours ago

Ngjyrat që nuk ekzistojnë: Mit apo realitet?

  Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…

16 hours ago

Çfarë do të thotë nëse ju mpihen duart

  Mpirja është ndjenja kur vështirë se mund të ndjeni diçka në një pjesë të…

17 hours ago

Si prodhohet çokollata dhe pse është kaq e pëlqyer nga njerëzit?

  Çokollata, një nga ëmbëlsirat më të dashura në botë, ka një histori të gjatë…

18 hours ago

Si ta kuptojmë që kemi nevojë për psikolog?

  Në ditët e sotme, kërkimi për ndihmë psikologjike është një hap i rëndësishëm për…

18 hours ago

Kush ishte Alfred Nobel?

  Alfred Bernhard Nobel ishte njeriu, vizioni dhe fondet e të cilit çuan në çmimet…

19 hours ago