VIDEO/ Arkitekti shqiptar që mrekulloi Stambollin

Një pjesë e mirë e shqiptarëve të kohëve moderne i njohin mrekullitë e arkitekturës otomane.

Krenaria dhe luksi i Perandorisë shpërfaqet sidomos në kryeqytet, në Stamboll, përmes disa kryeveprave botërore, objektesh kulti të jashtëzakonshme, por edhe ndërtimesh të tjera të shkëlqyera, më shpesh të lidhura me Sulltanët e njerëzit e tyre të afërt, si për shembull kompleksi i banimit Top Kapi.

Por pakkush ka informacion se pjesa më e rëndësishme e këtyre ambienteve mahnitëse, që i kanë rezistuar kohës dhe që përbëjnë atraksione turistike për njerëz nga e gjithë bota, kanë autorësinë e një plejade të shkëlqyer arkitektësh me origjinë shqiptare.

Sigurisht që guidat ua thonë turistëve disa nga emrat e autorëve të mrekullive që janë duke vizituar, por askush nuk cilëson origjinën e tyre shqiptare, pasi gjithçka në ato kohëra i përkiste Perandorisë, edhe vetë qeniet njerëzore.

Për më keq, koha ka treguar se pikërisht për shkak të origjinës, arkitektët me gjak shqiptar janë lënë në hije. Madje mund të thuhet se veprat e tyre janë duke rrezikuar seriozisht të humbin edhe autorësinë.

Qëllimi i këtij dokumentari është pikërisht të tentojë një profil të Arkitekt Kasemit, një personalitet i jashtëzakonshëm i arkitekturës otomane, që rezulton jo vetëm i mënjanuar dhe i patrajtuar nga historiografia moderne turke, por për më keq, edhe djallëzisht i larguar nga autorësia e veprave të tij.

I lindur në vitin 1570 në Grëmsh të Tomorricës, në Skrapar, i njohur si Arkitekt Kasemi, në turqisht Mimar Kasim Aga, falë edhe mbështetjes nga arkitektë të tjerë me origjinë shqiptare, dëshmohet që ai të ketë pasur një karrierë profesionale mbresëlënëse.

Arkitekt Kasemi mbërrin në postin e Kryearkitektit të Perandorisë Otomane në vitin 1622, në moshën 52-vjeçare. Për kapjen e postit të rëndësishëm nuk do të kontribuonte vetëm mjeshtëria e tij në ndërtimin e veprave të ndryshme. Në emërim do të ndikonin shumë lidhjet e tij me Kryeministrat dhe pashallarë të ndryshëm me origjinë shqiptare dhe sidomos lidhjet me familjen e Sulltanit.

Arkitekt Kasëmi është autori i realizimit, në Stamboll dhe në zona të tjerë urbane të Perandorisë, i një numri të madh veprash, qofshin objekte kulti, banesa të ndryshme, apo objekte për përdorim social.

Një nga objektet e famshme, por që shumë pak njerëz ja njohin autorësinë, është ura e Gallatës në Bosfor. Sipas studiuesve të ndryshëm ndërtimi i urës daton në kohën kur Kasëmi ishte Kryearkitekti i Perandorisë. Ata janë të bindur për autorësinë, pasi kanë vëzhguar se projekti është në stilin e tij dhe, gjithashtu, dora e tij, duket në rifiniturat e ndryshme.

Por nuk ishte vetëm ura famshme e Gallatës. Të gjithë studiuesit e pohojnë se ai është autori i projektimit dhe ndërtimit të qoshkut apo banesës Bagdad, që i bashkëngjitet kompleksit Top Kapi, imazhet e të cilit ruhen edhe në disa grafika të vjetra të kohës.

Po kështu, studiuesit janë të bindur se Arkitekt Kasëmi është edhe autori i qoshkut Erevan, pasi ndërtimi është i të njëjtit stil dhe i së njëjtës periudhë kohore kur Arkitekt Kasëmi drejtonte zyrën perandorake të arkitekturës.

Edhe pazari i famshëm i erëzave, që shkëlqen si xhevahir në mes të Stambollit ka autorësinë e arkitektit me origjinë shqiptare. Po kështu autorësinë e tij ruan edhe pallati i mrekullueshëm i xunkthpunuesve, që vendoset në këmbë të kompleksit Top Kapi, ndanë detit.

Studiuesit mendojnë se kryevepra e Arkitekt Kasemi është xhamia me fajans, ndërtuar prej tij për ndër të Valide Sulltanes, apo nënës së Sulltanit.

Po kështu, falë lidhjeve me nënën e Sulltan Ibrahimit, Sulltaneshë Kosemin – një nga gratë më të forta dhe më të njohura të Perandorisë – duket Arkitekt Kasëmi ka pasur mundësinë të frekuentojë njerëz në majën e piramidës së pushtetit të Perandorisë.

Njëkohësisht dëshmohet që ai të ketë qenë edhe mik dhe ka të ngjarë edhe konsulent i Kryeministrit me origjinë shqiptare, Kemankesh Kara Mustafa.

Por këto lidhje, që e afronin te pushteti politik, do të kishin edhe pasoja negative.

Në vitin 1644, menjëherë pas rrëzimit dhe ekzekutimit të Kryeministrit Kemankesh Kara Mustafa, Arkitekt Kasëmi arrestohet dhe vetëm fati i shpëton jetën.

Sipas historiografisë osmane, me ndihmën e shqiptarëve të shumtë të Perandorisë, pas një viti, Arkitekt Kasemi u fal dhe u lejua të jetonte në Stamboll. Ndërsa në postin e Kryearkitektit e rikthen një rastësi fatlume. Kryearkitekti që kishte zëvendësuar Arkitekt Kasëmin, kishte abuzuar me fondet. Kishte ndërtuar një hambar ushqimesh duke harxhuar trefishin e të hollave që dikur Arkitekti Kasëmi kishte harxhuar për të njëjtin volum punimesh.

Sulltan Ibrahimit nuk i shpëton ky detaj, duke vendosur të rikthejë në oborr arkitektin me origjinë shqiptare.

Sërish sipas historiografisë, Arkitekt Kasëmi arriti të ndikonte te Sulltanesha Turhan, gruaja e re e Sulltan Ibrahimit, për emërimin, në postin e Kryeministrit të Perandorisë, të një tjetër shqiptari, të quajtur Mehmed Pashë Qypriliu.

Argumenti i përdorur ishte se kandidatura e tij mund të korrigjonte shumë nga problemet e Perandorisë.

Si shumë shqiptarë të tjerë të famshëm apo të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Arkitekt Kasëmi, e kishte kokën pas. Ai kishte një lidhje të fortë me vendlindjen, Grëmshin e Tomorricës, që në atë kohë përbënte një vendbanim me 600 shtëpi dhe më tej për Beratin, si qendër administrative dhe njëkohësisht si metropol i zonës.

Aq shumë i dashuruar ka qenë Arkitekt Kasëmi me vendlindjen, saqë dëshmohet të ketë ndërtuar një numër të pazakontë veprash publike. Më së shumti ai është kujdesur për Beratin, ku veç të tjerave ka ndërtuar ujësjellësin dhe një numër objektesh të tjera sociale. Por të tilla objekte janë ndërtuar prej tij edhe në rrethinat, sidomos përgjatë rrugëkalimeve kryesore që lidhnin këtë trevë me Perandorinë.

Nga ana tjetër, duke e pasur mundësinë financiare, Arkitekt Kasëmi ka blerë edhe një numër të madh pronash e çifligjesh, të cilat, pas vdekjes, u ka lënë trashëgim njerëzve të gjakut të tij.

Sigurisht që të flasësh për Arkitekt Kasëmin, që gjithçka të jetë më e qenësishme, të paktën vendlindja e tij duhet prekur nga afër.

Por që të shkosh në Grëmsh të Tomorricës, një fshat gati i braktisur, që pozicionohet pas malit të Tomorrit, nuk është krejt e thjeshtë.

Në fakt, për të njëjtin qëllim, të njëjtën rrugë të vështirë, e ka bërë, qysh në vitin 1981 arkeologu dhe njëkohësisht historiani Gjergj Frashëri. Ishte një udhëtim i ndërmarrë menjëherë sapo kishte mundur të përkthente nga osmanishtja një kopje të testamentit të Arkitekt Kasëmit, që gjendej në arkivin e shtetit. Fatmirësisht ai arrin të shkrepë disa fotografi ku shquhen muret e Xhamisë dhe skicon skemën e vendosjes së ndërtesave.

Më qëllim për të përfunduar studimin e nisur qysh në kohën e sistemit komunist, Gjergj Frashëri gjen kohën, edhe para pak vitesh, të bëjë një vizitë në Grëmsh. Por ajo që konstaton e demoralizon. Mbetjet e kompleksit të ndërtuar nga Arkitekt Kasëmi në Grëmsh ishin shkatërruar përfundimisht nga kërkuesit e thesareve…

Pikërisht një profil të tentuar të Arkitektit Kasëmit, si dhe madhështinë e veprave të tij të ndërtuara në Stamboll por edhe në vendlindje, do të sjellë të plotë, të dielën, në orën 19:45, në tv ABC, emisioni Abc/Story i gazetarit Ferdinand Dervishi.

postbck postbck

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

21 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

23 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

1 day ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago